16 May 2008

KUJTESA E TE GJALLEVE

KUJTESA E TE GJALLEVE

Eh, i dashur Profesor i gjuhësisë Anastas Dodi, sa vështirë e kanë të gjallët të mësohen me idenë se edhe vdekja është pjesë e qenësishme e kësaj bote, e se mund të komunikosh me ata që nuk janë më. Por unë mendoj se mund të komunikohet me të vdekurit. Kam një jetë që komunikoj me tim Atë. Tashmë ai ka një jetë që nuk jeton më, aq sa pat rrojtje aq ka dhe vdekje e mua gjithnjë në një cep gjysëm të errët të fantazisë sime me duket se rri. I urtë i shtruar. Më flet me heshtjen e tij më mirë se sa gjithë zhurmëtar fjalamanët e botës se të gjallëve. Besoj se edhe ti kështu rri. Të vdekurit janë të urtë. Çdo gjë të pavlerë e kanë braktisur, por kanë ruajtur atë çfarë është më e çmuar e për të cilën njerëzit dinjitarë luftojnë tërë jetën. Në këtë pikpamje, im atë me ka lënë shumë vlera e pasuri që mjerisht nuk mi regjistrojnë hipotekat si pronë, ku statistikat më tregojnë varfanjakun e varfanjakëve të atdheut tim. Po ashtu edhe ti u ke lënë shumë vlera njerëzve të tu por edhe jo të tu... Ata, edhe pse ti nuk je më ndër frymorët, e kanë pranë këshillën tënde, fjalën e urtë e të mënçur. Nuk është e mundur të ikë njeriu krejt. Nuk është e mundur. Ti je diku rrotull aty në Filadelfia. Po fundja mund të kesh shkuar në Atdhe. Kur nuk ke trup për të mbajtur, udhëtimi ndërkontinental është falas. E ke të lehtë të gjëndesh kudo. As pasaportë e vizë nuk të kerkojnë. Ja na erdhe sot me nje shkrim të ribotuar në një faqe interneti të Fatmir Terziut në Londër. Erdhe e na përshendete i dashur Profesor Dodi. Edhe pse nuk më dëgjon, dua të uroj me gjithë zemër për shkrimin "Nëna e Diellit", meditime për një libër e ca probleme gjuhësore. Ca thonë se kjo që bëj është marrëzi. Nuk besoj sepse unë kam mendimin se diku rreth nesh sillen gjithnjë shpirtat e atyre që punuan e krijuan për njerëzit gjëra të bukura e të dobishme. Ani s'ka gjë, edhe në qoftë se, siç thonë, se ti tashmë nuk dëgjon, unë po e them fjalen time, në mos ti, le ta dëgjojë guri e druri...Ke të drejtë për atë që shkruan se dialektet e shqipes nuk kanë qënë krejt të ndara me njëra tjetren, anipse shumë gjëra jo të mira kanë ndodhur, ato pra dialektet, por edhe populli që i përdor, gjithnjë e kanë gjendur fjalën të njëri tjetri veri qoftë apo jug.Të thjeshtët, të mirët, të vuajturit gjithnjë janë marrë vesh, kanë ditur të mirëdëgjohen e mirëkuptohen. Mirë thua që gjuha na bashkon. Ndaj dhe gjuhtarët mund t'i quajmë farketuesit e bashkimit, një qëllim fisnik ky që të nderon edhe në të gjallë edhe në të vdekur. Sa do desha që këtë shënim timin, të mos e lexonte e të mos t’a dëgjonte tjetër veç teje. Thonë se kjo është e pamundur. Mirëpo krijuesit me së shumti kanë sindromen e përftyrimit te Niko Kazanzaqit, u duket se brenda tyre ushtojnë paraardhësit dhe se në këtë jetë përgatitemi për t'u bashkuar me ata, për t’u fshehur pastaj brenda qelizave të pasardhësve të tanë.
Ti sapo u shëndrrove në këtë mision i dashur Profesor Dodi, nuk janë veç ca pakëz ditë që nise trajten e re eternale ku, të vdekurit janë kujtesa e të gjallëve.

KOLEC TRABOINI
Boston, 16 maj 2008

Copyright©Traboini 2010