16 December 2015

đŸŸ© NĂ« Traboinin e Hotit kreshnik - nga Kolec Traboini




NË TRABOININ E HOTIT KRESHNIK

Nga KOLEC TRABOINI 

Rruga nga Shkodra deri nĂ« Han tĂ« Hotit, qĂ« nga hera e fundit kur kam kaluar nĂ« nĂ«ntor 2012 ka ndryshuar shumĂ«. Ishte mĂ« e rregullt, e sistemuar dhe tĂ« jepte vĂ«rtet njĂ« pĂ«rshtypje tĂ« mirĂ«, sepse ka qenĂ« njĂ« nga segmentet mĂ« problematikĂ«. Padyshim qĂ« edhe peizazhi ishte i bukur, anipse dimĂ«r. Vjeshta ende nuk lĂ«shohej megjithĂ« tĂ« ftohtin qĂ« kanĂ« kĂ«to ditĂ«. Ishte njĂ« ditĂ« me diell, njĂ« kthjellim qĂ« t’i sillte malet krejt pranĂ«, sikur t’i prekje me dorĂ«. GjithherĂ« qĂ« kaloj pĂ«r nĂ« MalĂ«sinĂ« e Tuzit, vĂ«shtrimi im thellohet, mĂ« vjen mĂ« pranĂ« se kurrĂ« historia, mĂ« vijnĂ« nĂ« vesh nĂ« mĂ«nyrĂ« imagjinative tĂ«rĂ« ato klithma malĂ«sorĂ«sh, “bini n’ta bre burra
” pĂ«rmbi koshadhet e TurqisĂ«. TĂ«rĂ« kjo pamje malore nĂ« anĂ« tĂ« lindjes, sepse nĂ« perĂ«ndim Ă«shtĂ« liqeni i ShkodrĂ«s, tĂ« shfaqet si njĂ« dekor i Termopileve shqiptare nĂ« vitin 1911 –siç shkruante “New York Times” nĂ« AmerikĂ«, qĂ« edhe pse shumĂ« breza kanĂ« kaluar tĂ« duket se lavdinĂ« e vet e kanĂ« shkruar nĂ« shkĂ«mb. NĂ« Kastrat im atĂ« ka qĂ«nĂ« mĂ«sues dhe Ă«shtĂ« e kuptueshme se çfarĂ« emocioni mĂ« pĂ«rcjell ky vend e kĂ«ta njerĂ«z. MĂ« tej kalojmĂ« te Sukat e Moksetit, njohur aq mirĂ« prej meje, se kĂ«tu janĂ« zhvilluar betejat pĂ«r mbrojtjen e tokave shqiptare prej invazionit tĂ« huaj nĂ« vitin 1920, ku im atĂ« ka qĂ«nĂ« luftĂ«tar dhe nĂ« betejĂ« Ă«shtĂ« vrarĂ« trimi i Hotit, Luc Nishi, i biri i kryekomandantit tĂ« forcave kryengritĂ«se tĂ« malĂ«sisĂ« nĂ« vitin 1911, Nik Gjelosh Luli.  TĂ« dy kĂ«ta at e bir, dĂ«shmorĂ« tĂ« kombit shqiptar ishin nga fisi e Ded Gjo Lulit. TĂ« dyja kĂ«to familje u shuan sepse edhe trashĂ«gimtarĂ«t qĂ« lanĂ«; Kol Ded Gjo Lulin e helmuan esadistĂ«t nĂ« VlorĂ«, ndĂ«rsa Pal Luc Nishi vdiq nĂ« moshĂ« tĂ« re nĂ« Torino. Ka njĂ« kujtesĂ« popullore qĂ« nuk i lĂ«nka tĂ« harrohen njerĂ«zit qĂ« i kanĂ« kushtuar gjithçka vendit tĂ« vet, atdheut tĂ« vet, dhe unĂ« kĂ«tĂ« do ta kuptoja mĂ« mirĂ« kur tĂ« dilja nĂ« Traboin tĂ« Hotit.

Shtëpia Muze e Ded Gjo Lulit në Bardhaj të Traboinit të Hotit

Rrugës për në Bardhaj të Hotit


NĂ« anĂ«n tjetĂ«r tĂ« kufirit, pĂ«rtej Hanit tĂ« Hotit mua dhe mikun tim poet, Qazim Muska, na priti Gjon Dushaj, kryetari i shoqatĂ«s “Ded Gjo Luli” nĂ« Tuz, i biri i profesor Mark Dushaj, i njohur e i respektuar aq shumĂ« nĂ« MalĂ«si, por edhe nĂ« KosovĂ«. Gjoni qĂ« nĂ« krye na pyeti pse nuk erdhi shkrimtari Pandeli Koçi, siç ishim nĂ« fjalĂ«. I thamĂ« se qe i pamundur pĂ«r arsye shĂ«ndetĂ«sore. Atij i erdhi keq sepse me Pandeliun njiheshin prej kohĂ«sh nĂ«pĂ«rmjet njĂ« veprimtarie tĂ« pĂ«rbashkĂ«t dhe e respektonte. Aq me tepĂ«r se Pandeli Koçi ishte ftuar prej malĂ«sorĂ«ve dhe kishte marrĂ« pjesĂ« edhe nĂ« simpoziumin “Hoti ndĂ«r shekuj” nĂ« Michigan nĂ« vitin 2013, ku kishte mbajtur njĂ« kumtesĂ« pĂ«r krijuesit hotjanĂ« dhe qe  pritur shumĂ« mirĂ«.
Do ta fillojmë për së mbari. - na tha Gjoni. Do të shkojnë e të bëjmë një vizitë tek shtëpia e Ded Gjo Lulit, pastaj vazhdojmë me programin tonë. Qazimi Muska shprehu kënaqësinë e tij. Të vizitosh shtëpinë e kreshnikut të Malësisë është një gjë mbreslënëse, aq më tepër që tashmë shtatorja e Ded Gjo Lulit është vendosur në qendër të Tiranës, kësisoj lidhjet ndërshqiptare po bëhen përherë e më të forta.
Sapo kaluam Bozhajn, Gjoni e futi makinĂ«n nĂ« njĂ« rrugĂ« malore, e ngushtĂ« por e asfaltuar. E kemi bĂ«rĂ« rrugĂ«n deri tek shtĂ«pia e Heroit, - na tha, - se kĂ«shtu bĂ«het mĂ« e lehtĂ« pĂ«r t’u vizituar nga kushdo qĂ« vjen nĂ« Tuz apo MalĂ«si.
Gjithkund shkëmbinj e gjethnaja, përmes ngjyrave të kafejta e diku-diku të kuqërremta shfaqej grija e gurëve të mëdhenj në shpat të malit.
Te vendi i quajtur Druma e Hotit, por edhe Druma e Borës, na ndaloi një makinë e policisë kufitare malazeze. Flisnin shqip dhe si kontrolluan dokumentat e makinës na përshëndetën. E kanë si rregull, na tha Gjoni, se këndej ndodh të kalojnë edhe njerëz që merren me kontrabandë mallrash në mes dy shteteve.
Gjatë rrugës për në Bardhaj të Hotit, takuam dy makina. Drejtuesi i njërës makinë ishte Ded Dedvukaj, i cili si u përshëndet me Gjonin e ne, na tha të mos harronim të ktheheshim tek shtëpia e tij. Tash flas me djalin në telefon e ju pret. Na tha gjithashtu se po shkonin në një mort e ishin me ngut. E ngushëlluam e vazhduam rrugën. Diku u ndaluam. Gjoni na tregoi se pak ma lart ishte Qarri i Ded Gjo Lulit, i njohur në historinë e këtij vendi se këtu mblidheshin burrat e për nën hije kuvendonin punët e Traboinit, se Deda ka qenë vojvoda i Traboinit e për gjithçka ngjiste në Traboin ishte përgjegjësia e tij. Prej tij dilte fjala apo urdhëri, urtia apo pajtimi i traboinasve për problemet mes vedi, por edhe me të tjerët.



Ded Gjo Luli, portret nga Gjelosh Gjoka

Kulla e Ded Gjo Lulit ku buçet historia


Ja dhe shtĂ«pia e heroit tĂ« malĂ«sisĂ« e mbarĂ« shqiptarisĂ«. NĂ« krye ishte portarja, derĂ« oborri nĂ« malĂ«si prej degĂ« drurĂ«sh tĂ« kryqĂ«zuara qĂ« mĂ« tepĂ«r janĂ« simbolike se funksionale. Oborri ishte plot me drurĂ« tĂ« rinj dhe sheshi i mbuluar me gjethe vjeshte. EcĂ«m nĂ«pĂ«r kalldrĂ«min qĂ« tĂ« çonte deri tek kulla e Ded Gjo Lulit. Nuk i rrimĂ« tundimit pa bĂ«rĂ« fotografi pĂ«rpara kullĂ«s prej gur mali. Pastaj u ngjitĂ«m nĂ« shkallĂ«t e gurta ku kishte njĂ« derĂ« tĂ« madhe me pamje nga jugu, pra ShqipĂ«ria. ËshtĂ« njĂ« mrekulli qĂ« e kanĂ« rikonstruktuar kĂ«tĂ« kullĂ«, qĂ« Ă«shtĂ« njĂ« tempull atdhetarie, njĂ« kullĂ« sĂ« cilĂ«s tre burra i janĂ« vrarĂ« nĂ« luftĂ« dhe konsiderohet e shuar. Kur nisi lufta nĂ« fund tĂ« marsit 1911, u vranĂ« Kol Marash Vata, Gjon Ujk Çeku, Lek Marash Peci, Frano Zek Pllumi, vĂ«llezĂ«rit Gjon Lulash Zeka e Zef Lulash Zeka, Zef Lan Ula, Ujk Gjelosh Leka, Zef Vuksan Leka, Nik Gjelosh Luli, Nik Hak Shabi, Zef Peri, Gjeto Vuja e tĂ« tjerĂ«. Ishin djemtĂ«  e burrat mĂ« tĂ« mirĂ« tĂ« Hotit. MĂ« trimat qĂ« e bĂ«nĂ« dekĂ«n si me le. Pastaj kohĂ« mĂ« vonĂ«, mĂ« 20 shtator 1911, Ded Gjo Lulit i thanĂ« se nĂ« luftĂ« me asqerĂ«t e TurqisĂ« qenĂ« vra nĂ« njĂ« ditĂ« shtatĂ« burra tĂ« Hotit; Gjok Kol Preli, Ded Gjoni, Gjon Tom Hasi, Gjon Marash Loshi, Luc Gjergji, Preloc Mark Gjeka
. por tĂ« shtatin nuk po guxonin t’ia thonin. PikĂ«llim i madh ra nĂ« sytĂ« e nĂ« shpirtin e plakut tĂ« urtĂ« tĂ« Hotit. Po mĂ« sĂ« fundi i thanĂ« se Ă«shtĂ« vra edhe Gjergj Ded Gjo Luli, pra i biri. AtĂ«herĂ« Ded Gjo Luli e mori veten e tha: Po dhe ai djalĂ« nane isht! Me çka donte tĂ« thoshte se nuk ka pse ta ndante nĂ« dhimbje prej tĂ« tjerĂ«ve. PĂ«r atĂ« tĂ« gjithĂ« djemtĂ« e Hotit e tĂ« MalĂ«sisĂ« ishin si bijtĂ« e tij. Ky ishte Ded Gjo Luli.
ShtĂ«pia muze e heroit ishte njĂ« kullĂ« malĂ«sore, poshtĂ« hauri dhe me njĂ« ode tĂ« madhe sipĂ«r. NĂ« faqet e mureve ishin vendosur mĂ« sĂ« shumti fotografi, por edhe objekte tĂ« ndryshme pĂ«r tĂ« krijuar mjedisin e njĂ« shtĂ«pie karakteristike tĂ« fillimit tĂ« shekullit XX. FotografitĂ« janĂ« tĂ« njohura. Fort e çmuar ishte piktura e artistit tĂ« madh qĂ« e ndan jetĂ«n e tij mes GjermanisĂ« e MalĂ«sisĂ«, Gjelosh Gjoka. Ai i ishte pĂ«rmbajtur pamjes reale tĂ« heroit, por jo aq sa tĂ« krijohej pĂ«rshtypja e njĂ« portreti klasik realist, por njĂ« krijim i mirĂ«filltĂ« e me stilin e tij tĂ« veçantĂ«. Aty binte nĂ« sy dhe njĂ« kornizĂ« nĂ« tĂ« cilĂ«n qe vendosur xhamadani i Kol Ded Gjo Lulit. NjĂ« fotografi e madhe me krerĂ«t e MalĂ«sisĂ«, bĂ«rĂ« nga Marubi mĂ« 1908, hijeshonte nĂ« faqen e murit dhe aty pashĂ« nĂ« mes tĂ« burrave edhe tim atĂ« qĂ« asokohe ishte 20-vjeçar. PranĂ« tij dy kushĂ«rinjtĂ« e parĂ«, djem xhaxhallarĂ«sh, vĂ«llezĂ«rit Martin Ujk Çeku dhe Gjon Ujk Çeku, ky i fundit dĂ«shmor i rĂ«nĂ« nĂ« Tuz nĂ« 28 mars 1911. MĂ« thanĂ« se Agim Çeku, ish kryeministĂ«r i KosovĂ«s, kur kish ardhur njĂ« pĂ«rvjetor tĂ« kryengritjes, kishte thĂ«nĂ« se ishte kushĂ«ri i afĂ«rt me dĂ«shmorin Gjon Ujk Çeku. U çudita sepse Gjon Ujk Çeku, tĂ« cilin siç thashĂ« babai im e kishte djalĂ« xhaxhai, nuk kishte asnjĂ« tĂ« afĂ«rt qĂ« tĂ« kishte lĂ«nĂ« Hotin e tĂ« kishte shkuar nĂ« KosovĂ«. TĂ« afĂ«rm tĂ« tij janĂ« nĂ« ShqipĂ«ri, Itali dhe AmerikĂ«, por nĂ« KosovĂ« asnjĂ«. NgandonjĂ«herĂ« entuziasmi tĂ« bĂ«n tĂ« thuash gjĂ«ra qĂ« i beson vetĂ«, por nuk bindin askĂ«nd. Pas vizitĂ«s, bĂ«mĂ« fotografi nĂ« atĂ« mjedis qĂ« tĂ« krijonte emocione tĂ« mĂ«dha. ShĂ«nuam edhe pĂ«rshtypjet nĂ« librin e vizitorĂ«ve
.
Në shtëpine e Kol Marash Dedvukajt

Në shtëpinë e Kol Marash Dedvukajt në Bardhaj të Hotit
.

Kujdesin pĂ«r shtĂ«pinĂ« Muze e kishte i riu Gjergj Dedvukaj, i afĂ«rt nĂ« fis me familjen e Ded Gjo Lulit, i cili na ftoi nĂ« shtĂ«pinĂ« e tij qĂ« e kishte fare pranĂ«. Ne pamĂ« rreth e rrotull e na u duk se kĂ«tu nuk kishte shtĂ«pi tĂ« tjera, ngaqĂ« kudo na rrokte vĂ«shtrimi shkĂ«mbenj e shkurre. DolĂ«m nĂ« njĂ« rrugĂ«, pastaj nĂ« njĂ« shesh tĂ« vogĂ«l dhe na u shfaq shtĂ«pia e Kol Marash Dedvukaj. Ishte njĂ« shtĂ«pi mjaft e mirĂ«, e mirĂ«mbajtur, si njĂ« vilĂ« qyteti, si nĂ« pamje tĂ«  jashtme edhe tĂ« brendshme. Gjergji na priu nĂ« dhomĂ«n e madhe me kolltukĂ«. Mjedisi ishte ngrohtĂ« dhe i kĂ«ndshĂ«m. Pastaj u shfaq njĂ« burrĂ« shtatlartĂ«, 80-vjeçar e fisnik nĂ« pamje. Kishte njĂ« kuvendim tĂ« bukur, i pĂ«lqente tĂ« fliste pĂ«r historinĂ«. MĂ« dha tĂ« njohur menjĂ«herĂ« duke mĂ« thĂ«nĂ« se kishte qĂ«nĂ« nĂ« promovimin e librit tĂ« tim eti “Flamuri nĂ« Deçiq” nĂ« nĂ«ntor 2012. Kol Marash Dedvukaj dinte plot histori dhe i tregonte bukur. KĂ«tu jemi nĂ« Bardhaj tĂ« Hotit, na tha dhe kjo Ă«shtĂ« pjesĂ« e Traboinit. Aty pranĂ« qĂ«ndronin Gjergji me vĂ«llanĂ« e vet KolĂ«n, njĂ« 12-13 vjeçar ky, qĂ« kishte marrĂ« emrin e gjyshit tĂ« vet. Vajza e shtĂ«pisĂ«, Filja, rreth 15-16 vjeçare, pĂ«rpiqej qĂ« tĂ« nderonte miqtĂ« duke na servirur verĂ« shtĂ«pie e pastĂ«rma, po dhe gjĂ«ra tĂ« tjera. I zoti i shtĂ«pisĂ« na u lut tĂ« rrinim pĂ«r drekĂ«, por ne kishim lĂ«nĂ« takim nĂ« Nabom, te kroni i Traboinit, a me saktĂ« tek shkolla ku do tĂ« takoheshim me nxĂ«nĂ«sit e mĂ«suesin.  Sa herĂ« t’ju bjerĂ« rruga pĂ«r Tuz, kthehuni. - na tha Kol Marash Dedvukaj. - Hoti i ka dyert e hapur pĂ«r miqtĂ«.
Anipse Bardhajt e Hotit janë pranë me Nabomin e Traboinit, duhej të kalonim në një rrugë tjetër për të shkuar atje, sepse rruga përmes Hotit kishte dy degëzime.
Gjon Dushaj nëpërmjet celularit të tij njoftoi ata të shkollës se po mbërrinim.

Para shkollës, pranë Kroit të Traboinit

Te kroi dhe shkolla e Traboinit
.

Kur mbrritĂ«m pamĂ« tĂ« kishin dalĂ« te sheshi para Kroit tĂ« Traboinit, Vasel Dushaj, kryetar i BashkĂ«sisĂ« lokale tĂ« Hotit, Tone Dushaj-Ivezaj, profesoreshĂ« gjuhe, PjetĂ«r Ivezaj zĂ«vĂ«ndĂ«s i Avokatit tĂ« Popullit, Anton Gojçaj shkrimtar e poet i njohur, Marash Zef Gojçi, Palok Nicaj i biri i Zef Metit dhe Gjon Camaj, drejtori qĂ« na priu drejt shkollĂ«s qĂ« ishte aty pranĂ«. NĂ« njĂ« prej klasave u takuam me mĂ«suesin ShtjefĂ«n Gjonaj, njĂ« i ri 27-vjeçar me nxĂ«nĂ«sit e klasave tĂ« ulta. U shpreha kĂ«naqĂ«sinĂ« e ardhjes nĂ« kĂ«tĂ« shkollĂ« ku dikur im atĂ«, Palok Traboini, u kish dhĂ«nĂ« mĂ«sim nĂ« gjuhĂ«n shqipe hotjanĂ«ve tĂ« vegjĂ«l, e unĂ« sot po u sillja njĂ« libĂ«r timin me titull “Djali nga Hoti” i mbĂ«shtetur pikĂ«risht nĂ« kujtimet e tij  shkollore. Zhvilluam njĂ« bisedĂ« tĂ« lirĂ« ku njeri nga bashkĂ«biseduesit tha se i vinte shumĂ« mirĂ« qĂ« edhe pse ke lindur nĂ« ShqipĂ«ri e jeton jashtĂ«, vjen herĂ« pas here e nuk e harron vendlindjen e babait dhe tĂ« gjyshĂ«rve tĂ« tu. Kur po na ndodh qĂ« edhe disa qĂ« janĂ« lind e rrit kĂ«tu nĂ« Hot, kur shkojnĂ« tĂ« jetojnĂ« jashtĂ« po harrojnĂ« tĂ« kthehen. U tha gjithashtu qĂ« gjatĂ« verĂ«s vijnĂ« shumĂ« mĂ«rgimtarĂ« e jeta nĂ« Hot bĂ«het atĂ«herĂ« mĂ« e bukur dhe ka mĂ« shumĂ« gjallĂ«ri. U dhuruam libra me kushtim sĂ« pari vogĂ«lusheve Maja Gjelaj, Dajana Dushaj, Marta Gjelaj e tĂ« tjerĂ«ve. Libra u dhamĂ« edhe tĂ« rriturve, sepse sekush e ka njĂ« vogĂ«lush nĂ« shtĂ«pi. Ishte njĂ« takim i bukur, i thjeshtĂ«, i ngrohtĂ« e miqĂ«sor e thuaj i pĂ«rmallueshĂ«m. Personazhi rrĂ«fimtar i librit qĂ« sollĂ«m nĂ« Hot ishte pikĂ«risht nga ky vend. Ishte rritur nĂ« Nabom, nga fisi Gojçajve, i familjes Çekaj,  kishte pirĂ« ujĂ« te Kroi i Traboinit, kishte luajtur nĂ« kĂ«tĂ« shesh e nĂ« ograjat pĂ«rreth, kish shkuar pas gjĂ«sĂ« sĂ« gjallĂ«. RrĂ«fimet nga fĂ«minia i djalit tĂ« Hotit para njĂ« shekulli me dashuri pĂ«r vendlindjen, vinin aq tĂ« ngrohta pĂ«r brezat e rinj.



Më fëmije dhe personelin mësimor të shkollës së Traboinit



Një ndalim e kuvendim tek Lulja e Blinit


Pas takimi nĂ« shkollĂ«, dolĂ«m te sheshi para Kroit tĂ« Traboinit. KĂ«tu kanĂ« pirĂ« ujĂ« burrat e historisĂ«. KĂ«tu ndalonin e bĂ«nin edhe kuvende tĂ« shkurtra. Kroi i Traboinit Ă«shtĂ« edhe nĂ« kĂ«ngĂ«n qĂ« e interpretojnĂ« bukur GjekĂ« Dushaj e Gjyste Vulaj  “Te kroni i Traboinit”.  Anipse Traboini njihet pĂ«r histori trimĂ«rore, kĂ«nga Ă«shtĂ« lirike e flet pĂ«r dashurinĂ«. MalĂ«sorĂ«t e kanĂ« pasur tĂ« vetin epizmin, por edhe lirizmin nĂ« atĂ« pak kohĂ« midis luftrash..
A të kujtohet Lulja e Blinit/Ty te kroni i Traboinit/Mbi një gur ti po pushoje/me bisht të synit më shikoje

M’u kujtua kjo kĂ«ngĂ« e bukur e u thashĂ« se pa pushue pak te Lulja e Blinit nuk mund tĂ« shkojmĂ« kurrkund. ThashĂ« ashtu se nĂ« pritjen qĂ« dha presidenti shqiptar nĂ« dekorimin e Ded Gjo Lulit nĂ« Pallatin e Brigadave nĂ« TiranĂ« mĂ« 27 nĂ«ntor 2015, takova edhe njĂ« bijĂ« nga Hoti, me emrin Lule Nicaj, e cila mĂ« pat porositur qĂ« kur tĂ« vish nĂ« Hot tĂ« ndalesh tek Lulja e Blinit pĂ«rballĂ« Kroit tĂ« Traboinit.
Ata qĂ« e kuptuan se pĂ«rse e kisha fjalĂ«n morĂ«n drejtimin drejt lokalit pĂ«rballĂ«. NĂ« njĂ« tabelĂ« tĂ« kuqe qe shkruar “Lulja e Blinit”, dhe vĂ«rtet anash lokalit ishin drurĂ« lule blini e lokali dukej i strukur mes tyre. NgjitĂ«m shkallĂ«t e gurta dhe aty na priti Lule Nicaj. Mir’se erdhe! - mĂ« tha. E mbajte fjalĂ«n.
U ulëm në një tryezë të përbashkët. Lulja na serviri kafe, çaj, e kush deshi edhe raki.
Aty, krahas tĂ« tjerave ra fjala edhe pĂ«r tim atĂ«. AtĂ«herĂ« unĂ« nuk u ndala nĂ« histori qĂ« mund t’i lexonin nĂ« librat e atit tim, por u tregova diçka tjetĂ«r. Marash Zef Gojçajn, u thashĂ«,  nuk e kisha parĂ« kurrĂ«. Erdhi nga Traboini i Hotit nĂ« TiranĂ« nĂ« pĂ«rurimin e shtatores sĂ« DedĂ« Gjo Lulit dhe mĂ« dha tĂ« njohur. U takuam e u gĂ«zuam bashkĂ« edhe me atĂ« edhe me Palok Nicaj, tĂ« birin e Zef Metit. Jo mĂ« kot e citova emrin Zef Meti, sepse ai  ka qenĂ« njĂ« nga bashkĂ«luftĂ«tarĂ«t e tim ati nĂ« kryengritjen e vitit 1911 dhe nĂ« disa kujtime veteranĂ«sh tĂ« pavarĂ«sisĂ« thuhet se Zef Meti ka pas njĂ« zĂ« qĂ« ngrinte malet peshĂ« kur kĂ«ndonte nĂ« gĂ«zim tĂ« flamurit tĂ« Deçiqit nĂ« 1911, por edhe grykĂ«holla i kĂ«ndonte bukur. NĂ« atĂ« gĂ«zim tĂ« shtatores sĂ« kryetrimit tĂ« MalĂ«sisĂ« DedĂ« Gjo Luli, Marash Zef Gojçaj ma la nĂ« dorĂ« njĂ« CD. Kur tĂ« mbarojmĂ« ceremoninĂ« e shtatores, mĂ« tha do tĂ« shkojmĂ« ta dĂ«gjojmĂ« tek makina qĂ« e kishte parkuar tek Tirana Internacional. KatĂ«r burra tĂ« Hotit u futĂ«m nĂ« makinĂ« e dĂ«gjuam njĂ« kĂ«ngĂ« me lahutĂ«. Palok NicĂ«s, djalit tĂ« Zef Metit, iu mbushĂ«n sytĂ« me lot. GjithĂ« kĂ«to histori m’i ka treguar baba jem. - mĂ« tha. Po fliste pĂ«r ngjarjet qĂ« pĂ«rmendeshin nĂ« tekstin e kĂ«ngĂ«s tĂ« shkruar nga Marash Gojçaj e kĂ«nduar me lahutĂ« nga Pretash Nilaj. Edhe unĂ« isha i emocionuar aq shumĂ« sa nuk po dija si ta falenderoja Marash Gojçin e Pretash Nilajn. Ishte njĂ« kĂ«ngĂ« kushtuar babait tim, Palok Traboini. MĂ« mbeti mendja tek ky akt i bashkĂ«hotjanit tim, kĂ«tij njeriu me shpirt tĂ« madh. Ja pra qĂ« edhe nĂ«se ne i harrojmĂ« prindĂ«rit tanĂ« prej shukullimave tĂ« ditĂ«s, kur ata kanĂ« bĂ«rĂ« diçka tĂ« mirĂ« e me vlerĂ« pĂ«r kĂ«tĂ« komb i kujtojnĂ« tĂ« tjerĂ«t bĂ«mat e tyre. Sepse mirĂ«sia qĂ« ka pasur ndokush, cilĂ«sitĂ« qĂ« ka mishĂ«ruar, i kthehen, edhe i vdekur nĂ« dhĂ© nĂ« qoftĂ«, madje edhe sikur gjysmĂ« shekulli tĂ« mos jenĂ« mĂ« ndĂ«r tĂ« gjallĂ«t. Po i vdekuri qenka mĂ« i gjallĂ« se i gjalli ndonjĂ«herĂ«. Populli nuk i harron kurrĂ« bijtĂ« e vet qĂ« janĂ« pĂ«rkushtuar pĂ«r kĂ«tĂ« komb, pĂ«r tokĂ«n e lirinĂ« e shqiptarĂ«ve. Kjo ishte biseda qĂ« bĂ«ra nĂ« lokalin “Lulja e Blinit” tĂ« Lule Nicaj nĂ« Traboin tĂ« Hotit.

Para një prej shtëpive të Traboinit

Duke zbrit prej Traboinit për në Tuz ...

Pasi bĂ«mĂ« disa fotografi te sheshi para kroit tĂ« Traboini u ndamĂ« me tĂ« gjithĂ« duke i shprehur mirĂ«njohje pĂ«r kĂ«tĂ« takim tĂ« bukur. Gjon Dushaj nĂ« zbritje na ndaloi sĂ« pari nĂ« Nabom. KĂ«tu dikur ka qĂ«nĂ« shtĂ«pia e gjyshit tim Luc Çeku dhe e tĂ«rĂ« familjes Çekaj, a thĂ«nĂ« ndryshe tĂ« gjitha atyre qĂ« vinin nga Çek Nik Lulash Gojçaj, i cili ka patur tre djem, LucĂ«n gjyshin tim, UjkĂ«n dhe PrelĂ«n.  Keq mĂ« vjen se nĂ« librin “Hoti gjenealogjia e pjesshme e tij” e autorit Llesh Preç Smajlaj, njĂ« botim voluminoz ky i vitit 2006, nuk gjendet as emri i gjyshit tim dhe as vĂ«llait  tjetĂ«r tĂ« tij Ujk Çeku prej tĂ« cilĂ«ve kanĂ« rrjedhur mjaft breza. Por le ta plotĂ«sojmĂ« kĂ«tĂ« mungesĂ«. Gjyshi im ka patur dy djem Palin(PalokĂ«n) babĂ«n tim dhe Pjetrin. Ky i fundit ka vdekur i ri dhe i pamartuar. Vazhdues jam unĂ« dhe kam dhe njĂ« djalĂ« Donaldin, inxhinier, qĂ« jeton nĂ« Boston. VĂ«llai tjetĂ«r i gjyshit i munguar nĂ« libĂ«r, Ujk Çeku ka patur tre djem, Gjonin trim i çartun, dĂ«shmori i kryengritjes sĂ« vitit 1911 e dy djem tĂ« tjerĂ«, Martinin qĂ« nuk ka lĂ«nĂ« djalĂ« dhe Zef Ujk Çekun, me djemtĂ« Pjetrin, Gjonin, Franin dhe Ndocin, familje e madhe kjo qĂ« nĂ« vazhdimĂ«si ka marrĂ« mbiemrin Ujka e sot gjendet nĂ« ShqipĂ«ri,  Itali dhe AmerikĂ«. Shumica e trashĂ«gimtarĂ«ve qĂ« burojnĂ« nga  Ă‡ek Nik Lulash Gojçit janĂ« shpĂ«rngulur nga Hoti e janĂ« vendosur nĂ« fillim nĂ« Hot tĂ« Ri nĂ« ShkodĂ«r dhe pas vitit 1990 nĂ« mĂ«rgim. NjĂ« fotografi nĂ« vendin ku dikur ka qenĂ« shtĂ«pia e tĂ« parĂ«ve tĂ« mi padyshim Ă«shtĂ« njĂ« kujtim i bukur, por edhe diçka mĂ« shumĂ« se njĂ« kujtim. Pastaj duke zbritur mĂ« poshtĂ« u ndaluam para shtĂ«pisĂ« sĂ« mĂ«suesit nga Hoti, Gjok Gojçaj qĂ« tani jeton nĂ« New York, njĂ« shtĂ«pi e re dhe e bukur. NdĂ«rkohĂ« dielli kish nisur tĂ« binte tej mbi liqenin e ShkodrĂ«s qĂ« nga lartĂ«sitĂ« e Hotit ku ishim, shfaqej nĂ« njĂ« mjegullim tĂ« pĂ«rskuqur. MĂ« poshtĂ« shihej fusha dhe qyteti i Tuzit. Mali i Deçiqit dhe Maja e BratilĂ«s e gjithĂ« i pĂ«rhimtĂ« e pa asnjĂ« bimĂ«si kish nisur tĂ« zhytej nĂ« mugĂ«tirat e mbrĂ«mjes.


Pjetër Dreshaj dhe Kolec Traboini në bar-restorant "Troja" duke biseduar për poezinë


Festival poetik në Traboin të Hotit - një dëshirë e bukur.

Do tĂ« shkojmĂ« te “Verdi”, na tha Gjon Dushaj qĂ« na shoqĂ«ronte gjatĂ« gjithĂ« vizitĂ«s sonĂ«.Verdi ishte njĂ« restorant nĂ« Tuz. U bashkuam dhe me  shkrimtarin Anton Gojçaj e shkuam nĂ« restorantin ku tĂ« servirnin njĂ« ushqim jashtĂ«zakonisht tĂ« mirĂ«.
Biseduam ndĂ«rkohĂ« se si mund tĂ« bĂ«nim njĂ« veprimtari artistike vjetore nĂ« Traboin tĂ« Hotit. FolĂ«m e ramĂ« nĂ« njĂ« mendje qĂ« njĂ« ditĂ« poetike dhe artistike bashkĂ« mund tĂ« bĂ«hej tĂ« Kroni i Traboinit, por kjo nĂ« kohĂ« vere, sepse vinim pĂ«r pushime nĂ« vendlindje shumĂ« shqiptarĂ« tĂ« MalĂ«sisĂ« qĂ« punojnĂ« e jetojnĂ« nĂ« AmerikĂ«. Madje i lĂ«shuam frerin fantazisĂ« duke i emĂ«rtuar çmimet si “Kroi i Traboinit” apo “Lulja e blinit” njĂ« zgjidhje mes epikĂ«s e lirikĂ«s qĂ« aq bukur bashkjetojnĂ« nĂ« kĂ«tĂ« vend. Kishim dĂ«shirĂ«n e mirĂ« qĂ« tĂ« mund tĂ« bĂ«nim njĂ« gjĂ« qĂ« nuk Ă«shtĂ« organizuar nĂ« ndonjĂ« veprimtari mĂ« parĂ«. Po kjo punĂ« u la tĂ« bisedohej nĂ« vazhdimĂ«si qĂ« tĂ« krijohet njĂ« traditĂ« e bukur dhe e pĂ«rvitshme nĂ« Hot. Gjon Dushaj ndĂ«rkohĂ« mori nĂ« telefon intelektualin e njohur, gazetarin e mĂ«suesin PjetĂ«r Dreshaj dhe e lamĂ« tĂ« takoheshim pas pak nĂ« bar-restorant “Troja” pĂ«r njĂ« kafe. Intelektuali PjetĂ«r Dreshaj, Ă«shtĂ« i mirĂ«njohur nĂ« Tuz e nĂ« MalĂ«si. Biseduam pĂ«r krijimtarinĂ« letrare bashkĂ«kohore tĂ« shqiptarĂ«ve nĂ« Malit tĂ« Zi dhe mĂ« gjerĂ«. PjetĂ«r Dreshaj sapo kishte pĂ«rkthyer njĂ« libĂ«r me poezi tĂ« shkruara nga vĂ«llezĂ«rit Martin e Mirash Ivanaj gjatĂ« qĂ«ndrimit nĂ« Pozharevac dhe Beograd nĂ« 1908 ku kryen shkollĂ«n e mesme, tĂ«  botuara sĂ« pari kĂ«to poezi sllavisht nĂ« revistat e kohĂ«s. Pas  pĂ«rkthimit nĂ« shqip nga PjetĂ«r Dreshaj  janĂ« botuar nĂ« TiranĂ« me titull "Kulla e shpresĂ«s sime”. Ai gjithashtu ka pĂ«rkthyer nĂ« sllavisht edhe librin me poezi tĂ« GjekĂ« Marinajt. Pjetri na lexoi disa fragmente tĂ« librit tim “Orakujt kanĂ« zbritur nĂ« ferr” tĂ« cilin ka nisur ta pĂ«rkthejĂ« nĂ« gjuhĂ«n malazeze, gjithnjĂ« me dĂ«shirĂ«n e mirĂ« pĂ«r ta botuar nĂ« Mal tĂ« Zi.
Kur dolĂ«m nga lokali “Troja” kishte rĂ«nĂ« mbrĂ«mja nĂ« Tuz. U ndamĂ« me PjetĂ«r Dreshajn dhe Gjon Dushajt duke i falĂ«nderuar pĂ«r kĂ«tĂ« takim tĂ« bukur, ndĂ«rsa shkrimtari Anton Gojçaj na pĂ«rcolli deri nĂ« kufi. Ndaluam nĂ« ShkodĂ«r tek Hotel “Rozafa”, sepse e kishim lĂ«nĂ« me Filip Guraziun tĂ« na i linte aty listat me firmat qĂ« ishin mbledhur nĂ« kĂ«tĂ« qytet pĂ«r nderimin e Aristidh KolĂ«s me titullin “Nderi i Kombit”. GjatĂ« kthimit pĂ«r nĂ« TiranĂ« na bĂ«ri pĂ«rshtypje se pjesa mĂ« e madhe e rrugĂ«s ishte pĂ«rfunduar dhe ndriçimi me dy palĂ« refleksione, tĂ« bardha e tĂ« kuqe, tĂ« krijonte mĂ« tĂ« vĂ«rtetĂ« kĂ«naqĂ«si nĂ« udhĂ«tim. KĂ«saj here rruga nga Hani i Hotit deri nĂ« TiranĂ«, dhe pse e papĂ«rfunduar plotĂ«sisht,  na u duk me tĂ« vĂ«rtetĂ« e bukur. 

12 dhjetor 2015

Kolec P. Traboini, para shtëpisë Muze Ded Gjo Luli në Bardhaj, Traboin të Hotit