Z. President, z. Kryeministër, z. Kryetar i Bashkisë së Tiranës, lërëni për një çast politikën e pergjigjuni kësaj pyetje: Kur do të vihet busti i Ded Gjo Lulit në rrugën që mban emrin e tij, në qëndër të Tiranës prapa Muzeut Historik Kombëtar? Të atij Ded Gjo Luli që nuk luftoi për vete dhe nuk e mori lirinë në varr, por e la këtu për Shqipërinë e shqiptarët, për brezat që vijnë bashkë me mësimin e madh që për lirinë ia vlen çdo sakrificë. Eshte fjala për bustin e i atij kreshniku që një shekull më parë, ju priu malësorëve në beteja të përgjakura për liri, të cilat e kthyen Hotin e Malësinë e Madhe në Termopilet Shqiptare.
Shkruar nga Kolec TRABOINI
Demokracia na solli më mira, por edhe ndonjë e keqe gjen vend e nxjerr krye. Si fije bari që kërkojnë të çajnë shkëmbin. Kanë dalë ca tipa që kërkojnë të fillojnë "Intifadën" në mes të shqiptarëve më shqiptarë. Dhe në këtë program është dhe shkatërrimi i çdo lloj kujtese popullore që ka të bëjë me figurat kombëtare në rezistencë kundër pushtimit otoman. Ded Gjo Luli është njeri nga ata që po denigrohet më shumë se kushdo e në mënyrën më mizore. Të japësh jetën për këtë vend e ketë popull e të të quajnë tradhëtar e spiun kjo nuk ka vend ku të rrijë. Një prej argumenteve që ata sjellin në denigrimin e Ded Gjo Lulit është se ky e krerët e Malësisë kanë bashkëpunuar në vitin 1911 me Malin e Zi kundër Perandorisë Osmane. Mirëpo këta sulmues qorra a Don Kishotë të kohës sonë harrojnë atë çfarë na mëson historia se kokat e mençura dinë të zgjedhin aleatë të përkohshëm për arritjen e qëllimeve kombëtare.
Ded Gjo Luli përballë një ushtrie, që mund të konsiderohej më e madhja në Europë, se ishte perandori turke, në kushtet kur Hoti do të digjej e shkretohej, nuk kishte alternativë tjetër veç të largonte gra e fëmijë në shtetin fqinj e të lypte strehë të përkohshme, ndërsa burrat të gjithë qëndruan e luftuan në Hot. Dhe dihet se në çfarë sakrificash qëndruan gratë, fëmijët e pleqtë e Hotit duke fjetur poshtë një ure me ditë e netë të tëra në kushte urie e të ftohti veç të mos bëheshin pre e shpatës së mizorëve që sundonin me dorë të hekurt e vrisnin, digjnin e shkretonin çfarë t`u dilte përpara. Ku është tradhëtia këtu?! Tek sakrifica? Cili ishte qëllimi e ideali i atyre njerëzve që vuanin apo dhe atyre që luftonin që nga Ura e Rrjodhit, në Kastrat, Rapsh e deri në Tuz e në Mal të Hotit? Le të bëjmë një përqasje. A mund t`i quajmë tradhëtarë ata që për t`i shpëtuar regjimit komunist kaluan kufirin për Greqi dhe Jugosllavi? Kurrsesi! Tradhëtarë i quante diktatura. Po atëherë pse këta studiues të rinj të “Intifadës” ndërshqiptare nuk i sulmojnë e etiketojnë ata që arratiseshin nga Shqipëria? Kjo kope ekstremistësh fetarë që kanë kurajon të lehin edhe nëpër kanale televizive, nuk e kanë hallin se Ded Gjo Luli strehoi gratë e fëmijët e pleqtë në Podgoricë, por se burrat e Hotit, baballarët tanë luftuan kundër turqve osmanë dhe e bënë Shefqet Turgut Pashën qesharak përpara mbarë Europës ngase u thye nga një masë kryengritësish, që nuk e kishin idenë e artit ushtarak, nuk kishin shkuar nëpër shkolla ushtarake por dinin artin e të mbijetuarit edhe në kushtet më të vështira e në sakrificat më të mëdha. E pra ky Turgut Pasha e kishte bërë Akademinë Ushtarake në Europë. Ne nuk kemi pse i shmangemi këtij diskutimi për këtë aspekt të historisë, si hotjanë, bij të atyre që e bënë atë kryengritje që pararendi Pavarësinë e Shqipërisë, nuk kemi fare frikë e drojë, përkundrazi e bashkëbisedojmë haptazi për rrethanat që sollën që të parët tanë të përplasnin kokën në Mal të Zi që në të vërtetë jo shumë larg në histori kanë qenë troje arbërore, por mbetën jashtë për shkak të rrjedhës mizore historike që pësuam nëpër shekuj. Aq më tepër pranojmë ta prekim këtë aspekt sepse duke i anashkaluar, duke lënë paqartësi në epoka të shkuara, ato sjellin keqkuptime e për pasojë edhe keqinterpretime historike. Kush ka sadopak njohuri nga ngjarjet historike e di edhe faktin se në takimin me valiun turk të Shkodrës, Ded Gjo Luli nuk ju dha as një fjalë e as një shpresë, se trupat turke nuk do ta bënin ekspeditën për dorëzimin e armëve. Por armët Hoti nuk i kish dorëzuar për gati 500 vjet. Në sajë të armëve, brenda pushtimit, hotjanët kishin gjetur një hapësirë të vogël lirie aq sa ishte vetë gryka e pushkës. Por edhe atë kërkonin tua merrnin pushtuesit osmanë. Nuk ka qenë e lehtë të merrej një vendim. Nuk mund të qëndronte Hoti në shtëpitë e veta kur të vërshonin me mijëra trupa në një operacion ushtarak të dhunshëm e të përgjakur. Turgut Pasha kish deklaruar se do ta kthente Malësinë në shkreti nëse nuk do t`i dorëzonin armët. Nuk kishte asnjë rrugë tjetër veç luftës. Ded Gjo Luli i tregoi popullit të vet rrezikun dhe e shpalli që nuk nënshtrohej. Kolona me familjet e Hotit, gra, fëmijë e pleq lanë shtëpitë e çanë kufirin turko-malazez.
Deklaratat që u bënë ishin se malësorët nuk nënshtroheshin. Kishin lënë trojet, por atje ishin tërë burrat e Hotit që lëshuan kushtrimin dhe mbarë Malësia e Madhe u tregua e gatshme të rrëmbente armët e këmbë ushtari pushtues të mos shkelte në ato anë. Por, dihet se fryma luftarake nuk është gjithmonë ajo që të siguron fitoren. Për të luftuar duhen armë, e Hoti armë nuk kishte. Madje kish që shkonin në luftë me kmesa, një lloj spate doracakë që përdoret për të prerë e krasitur pemët.Eshtë krejt a natyrshme që Ded Gjol Luli të kërkonte ndihma në dy aspekte: bukë për populli dhe armë për luftetarët. Dhe kërkesën e ndihmave Ded Gjo Luli nuk ia ka bërë Malit të Zi, por perandorisë Austro Hungareze nëpërmjet konsullit të saj, e cila ishte për një Shqipëri të shkëputur nga sundimi i egër i Perandorisë Osmane. Austro-Hungaria hyri dorëzanë e dha fjalën dhe deri diku e mbajti për të ndihmuar popullin me bukë e burrat me armë, por për shkak të largësisë, sigurisë, a diç tjetër, ndodhi kushtëzimi që ndihmat do të kanalizoheshin nëpërmjet Malit të Zi. Gjasat janë që Krajl Nikolla dhe qeveritarët e tij donin të kontrollonin situatën ose të përfitonin ndonjë gjë nga këto ndihma nëpermjet makinacioneve që mund të bëheshin, sepse ai merrte para tek Austria dhe jepte mall tek shqiptarët. Kjo lloj ndërmjetësie bënte që administrata e Malit të Zi ta kontrollonte gjendjen e malësorëve, çfarë në të vërtetë shprehte edhe një lloj frike të Cetinës prej zhvillimeve te pritshme. Mali i Zi nuk e tregoi qëllimin që në fillim dhe ishte dakort t`i ndihmonte malësorët, dhe për këtë ishte garant një fuqi e madhe e kohës si Austro-Hungaria, por kur plasi Lufta Ballkanike atëherë gjërat ndryshuan e Mali i Zi e tregoi qëllimin e vet. Por të mos harrojmë, do të ishte po Austro-Hungaria ajo që nuk do të lejonte që Shkodra të aneksohej nga Mali i Zi i cili donte me çdo kusht ta bënte atë kryeqytetin e vet. Duhet ta dimë se shkaku i vetëm që Krajl Nikolla e dorëzoi fronin ishte se nuk e bëri Shkodrën kryeqytet megjithëse e mbajti këtë qytet të rrethuar, duke e vënë nën zjarr armësh artilerie dhe duke i prerë çdo furnizim sa kriza e bukës bëri që shkodranët të vdisnin urie, por pa pranuar të dorëzoheshin. Do të ishte Esat Toptani, figura më e urryer në historinë e Shqipërisë që pasi eleminoi Hasan Riza Pashen komandantin e garnizonit dhe udhëheqësin e qëndresës njëkohësisht, do të merrte funksionet e tij dhe do të dorëzonte Shkodrën tek malazezët.Gjëja më e çuditshme në këtë aspekt të histerisë historike të atyre që denigrojnë Ded Gjo Lulin, është se ata e vlerësojnë si të ishte një hero Esat Toptanin apo një tjetër figurë të urryer, aventurierin Beqir Grebeneja.
Shqipëria ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane e cila i kishte ngulur thonjtë në Ballkanin perëndimor afro 500 vjet, ndaj është e natyrshme që nuk mund të zbohej pa një aleancë shtetesh e popujsh për përzënien e ngordhësirës perandorake. Ded Gjo Luli kishte vizionin që të ngrihej ndër të parët, të kërkonte të armatosej, të kërkonte aleatë të përkohshëm për arritjen e krijimit të Shqipërisë, për të cilën ia vlente çdo sakrificë. Kur i është vrarë i biri, Gjergji në luftë dhe i prune lajmin e zi, Ded Gjo Luli me qetësinë që e karakterizonte tha: "Edhe ai djalë nane është!" Çfarë nënkuptonte se atij i dhimbnin njësoj si i biri Gjergji ashtu dhe Kol Marash Vata, Gjon Ujk Çeku, dy vllaznit Zeka e çdo djalë tjetër Hoti.
Konkluzioni është se megjithë rrethanat e disfavorshme dhe të komplikuara në histori, Ded Gjo Luli ka qenë një hero i panjollë. Të jeni të bindur se sikur, në mënyrë imagjinative, të gjithë burrat e kombit të kohës së re të mblidheshin në një kuvend, do t`i lëshonin kryevendin Ded Gjo Lulit. Ismail Qemali doli nga zyra dhe e priti në rrugë Ded Gjo Lulin kur ky shkoi në Vlorë. E pyetën kush është ky malësor trupvogël që po të bën të dalësh nga zyra e ta presësh në rrugë, Ismail Qemali u tha: "Ded Gjo Luli është pushkë e ngrehun për Shqipërinë".
Nëse tërë jeta e tij do të duhej të përshkruhej në dy rrjeshta do të thosha: Ded Gjo Luli nuk luftoi për vete dhe nuk e mori lirinë në varr, por e la këtu për Shqipërinë e shqiptarët, për brezat që vijnë bashkë me një mësim të madh, që për lirinë ia vlen çdo sakrificë.
Botuar ne gazeten "Tirana Observer" 21 dhjetor 2011.
http://www.tiranaobserver.al/2011/12/21/kush-dhe-pse-e-denigrojne-ded-gjo-lulin/
Shënim: Autori është i biri i Palok Traboini, sekretarit të Ded Gjo Lulit, që shihen bashkë në këtë fotografi.
Disa nga shkrimet në blogun Traboini-esé:
Oso Kuka- trimëria që sfidoi legjendat/ K. Traboini
"Muhaxhirët" e Faik Konicës/ nga Kolec Traboini
Kriza e artistit dhe supërkriza e kulturës-Traboini
Disidenti i heshtur Zef Zorba - nga Kolec Traboini...
Kadare-një mal drite që nuk i shpëton hijes së vet-Traboini
Poetika e Dritero Agollit- nga Traboini
Dallandyshe pa qiell- nga Kolec Traboini
Edgar Allan Poe - më së fundi i kthehet vendlindje...
Shkodrania aktore e parë e Turqisë- nga Kolec Trab...
Dy kryeministra ma vodhën Mitingun- Traboini
Akademia e mykur e Tiranës- nga Kolec Traboini
Kinostudio- në vend të ullinjëve mbollën beton- Traboini
"E vërteta"... e pavërtetë e prof. Emil Lafe - nga...
Aristidh Kola - një libër i ri i Kolec Traboinit
Presidenti Wilson- ëngjëlli mbrojtës i Shqipërisë -Traboini
Kështu vret vetëm mafia - nga Kolec Traboini
Atë Martin Gjoka kompozitor e mësues i madh - nga ...
Epika blu e Edison Gjergos- nga Kolec Traboini
Ardhacaket e Ballkanit Sofie-Safete Juka
Boston- një shekull përballë greqizimit
Punë kulturash - nga Tirana në Prishtinë - nga Kolec Traboini
Lazarati në tym - shteti në delir- nga Kolec Trabo.
Seks për një vend pune - nga Kolec Traboini
Zeusit i lajkatohen të gjithë- nga Traboini
Big Show me Canabis Sativa- nga Kolec Traboini
Njerka shkon në ballo- nga Kolec Traboini
Vasil Josif Pani- ne krye të oborrit të shqiptariz...
Dekorimi politik i Kol Idromenos- nga Kolec Traboi...
Dhjetë vjet thirrje për bustin e Ded Gjo Lulit- ng...
Prejardhja e Hotit dhe Flamuri i Deçiqit - nga Kol...
Requiem i Verdit në vjeshtën politike të Tiranës- ...
Kur shpresa s’është veçse një kurvë...- nga Kolec ...
Stina e mjekrrave të hajthshme - nga Kolec Traboin...
Udhë e mbarë, o Sizif!
KATËR INTERVISTA NGA KOLEC TRABOINI