12 September 2010

MEJDAN NE KOKEN TIME - esè - KolecTraboini



MEJDAN NE KOKEN TIME

Çfarë pritet nga politikanët dhe shtetarët që nuk bëjnë as dhjetë hapa në rrugë me qytetarët e vendit të vet.

Shkruar nga KOLEC TRABOINI


Burrat e shteteve gjithmonë kanë qënë burim i shprehjeve e mendimeve të mençura, ndaj jo pa shkak ne çastin kur nisa të lexoj shkrimin e ish presidentit tonë Rexhep Mejdani me titull “A mund të vazhdohet kështu”, kujtova Çerçillin që në mes të ditës me diell dilte në Londër me çadër". Pa kaluar dy -tre paragrafë ne lexim, papritur më erdhi koka vërdallë. Nuk po merrja vesh çfarë po ndodhte ndaj vendosa ta ndërpres. Nisa sërish leximin. E njëjta gjë. Atëherë hoqa dorë. Për t’u davaritur rufisa me nge një kafe turke. Si mblodha mendjen, iu ktheva sërish me një durim prej kali dhe kur arrita deri në fund atë analizë, thashë me vete: ky ish-president pse kaq enigmatik në të shkruar. Pse kaq konfuz sa të mos e marrë vesh askush. Dhe ato pak çfarë merren vesh ta bëjnë kokën dhallë sepse ish lideri i së majtës shqiptare, çfarë shitet edhe sot, na shfaq ca ide, në mund ti quajmë të tilla kalamendjet ultra të djathta, për shpëtim të Shtetit, Qeverisë dhe kapitalit të madh prej barrës së rëndë sociale të shtresave varfëra të shoqërisë.

Përmbajtja e shkrimit të tij fund e krye nuk ish tjeter veç një lëmsh Ariane që nuk i gjendej filli kurrkund. Çfarë kërkon kur trajton problemin e “Kundërshtive” të brendshme të etatizmit social, që ky profesori ynë i shkencave të natyrës paska zbuluar në programin e Franklin Ruzveltit, i cili në mënyrë të padyshimtë mbahet si presidenti më pranë shqetësimeve e halleve të popullit amerikan e që e shpëtoi vendin e vet nga kriza më e madhe ekonomike që kish njohur ndonjëherë. Programi i tij edhe sot pas afro një shekulli e tregon Amerikën vendin më të ndjeshëm ndaj problemeve të shoqërisë. Dhe këtë e shpreh edhe fakti që shqiptarët e varfër që emigrojnë në Amerikë, brenda një dhjetëvjeçari jo vetëm që adaptohen, por edhe kanë një përparim të madh të mirëqënies së tyre anipse mund ta kenë filluar duke trokitur në dyert e ndihmave sociale. E këto në sajë të programeve të shumta që i ndihmojnë njerëzit për të gjetur vendin e tyre e për t’u bërë të vlefshëm për veten dhe shoqërinë.

Për më tepër ky Mejdani ynë “zbulon”këtu në këtë vendin tonë të vogël postulatën e madhe se: “në thelbin e vet, rezultati logjik i një zbatimi etatist të parimit të “shanseve të barabarta” është njëlloj padrejtësie dhe diskriminimi – si ndaj atyre që janë të aftë dhe të talentuar, ashtu edhe ndaj atyre, që shfaqin mundësi shumë më të pakta fizike e mendore.”

Dihet se Amerika është vendi i barazisë dhe i shanseve të barabarta. Mos vallë Profesori ynë i quan jashtë kohe parimet amerikane të trajtimit të problemeve të shoqërisë? Sepse Amerika, megjithë barrën e rëndë në buxhetin e shtetit ndjek një kurs që i ka nën vëmendje të vazhdueshme kujdesin për asistencat sociale. Aq shumë bën kujdes shteti amerikan sa kanë dalë jashtë loje sindikatat për të cilat amerikanët e thjeshtë as duan më të dëgjojnë.

Për më tej Profesori, i konsideruar i majtë, u sjell lexuesve shqiptarë të tilla klasifikime si : “përgjegjësia publike ndaj atyre që janë të paaftë të sigurojnë minimumin e kushteve për jetë normale është në vete njëfarë “mishërim skllavërimi” prej njeri-tjetrit.”

Ku do të dalë ky Profesori ynë i madh. Se njerëzit e paaftë, të pamundur, të papunë, të pastrehë janë të tepërt e nuk i duhen këtij kombi. Por ama, të gjithë këta janë pjesë e elektoriatit kryesisht të majtë. Nuk e di ky profesor i majtë se prej nga vjen varfërimi i skajshëm i një pjese të popullsisë. Po këtë e dinë edhe bufat si nuk e dinë profesorat.

Shoqëria skajohet prej babëzisë për t`u pasuruar shpesh në mënyrë të padrejtë nga një pjesë e vogël e popullsisë, duke e lënë me mundësi të pakta pjesën tjetër. Sepse pasuria nuk është e pafundme. Kjo është e natyrshme të ndodhë kudo, por Shteti e Qeveria nuk duhet të jenë vetëm e atyre që kanë aftësinë të pasurohen në mënyrë habitore duke u bërë milionere brenda një dite, si ministri i majtë në qeveri të djathtë i energjitikës, por edhe atyre, që Mejdani i etiketon si “mishërim skllavërimi” e peshë në kurriz të shtetit.

Mejdani për të mbështetur mendimet e veta antisociale kalon nga i majtë në një ekstremizëm të djathtë sa arrin të gjejë një mbrojtëse të kapitaleve të mëdha në Amerikë e të na e shesë dogmën e saj si një normë këtu në vendin tonë. Ja çfarë na afron Profesori ynë: “Nisur nga thelbi i gabuar i konceptit të shtetit të mirëqenies sociale, një filozofe amerikane, Ayn Rand, midis të tjerash, sqaron: “Në pikëpamje morale e ekonomike, shteti social përshpejton mundësinë e një tërheqjeje për nga poshtë..”

Jo i nderuar Profesor, Amerikën nuk mund ta shohësh e as ta kuptosh nga një formulim teorik i një filozofeje si Ayn Rand, se të tilla si kjo filozofe Amerika ka me mijëra, superprodhim, por të ulesh e ta studiosh ekonominë amerikane nga brenda, t`i vëresh se si funksionon shteti dhe si ka arritur të shmangë krizat e mëdha pas viteve `30 të shekullit të kaluar. Të studiosh se përse erdhi ajo krizë dhe si arriti të shmanget katastrofa pikërisht nga një kthim të shtetit me fytyrë për nga probemet e shoqërisë, duke e bërë shtetin amerikan më human e më social se më parë. E ky kurs vazhdon i sigurtë pavarësisht përpjejkeve të dështuara të Bushit të Dytë, që ndërsa harxhonte miliarda në luftën e Irakut përpiqej për ta reformuar, pra zvogëluar fondin e shërbimeve sociale apo uljen e taksave si për klasën e miliarderëve edhe për shtresën e mesme të cilën Obama me programin e vet social po e rishikon në dobi të shtresave të mesme amerikane. Nuk ka gjasa se edhe këtë shekull programi i shtetit “social” amerikan të ndryshojë pavarësisht rokanisjeve të Ayn Rand. Por edhe të profesorit tonë që pak e njihka Amerikën po akoma më pak Shqipërinë, për sa kohë që kërkon të aplikojë parimet konfuze të Ayn Rand, që në Amerikë nuk ma do mendja se e dëgjon ndokush veç ndonjë auditor universiteti. Atje shteti nuk drejtohet nga filozofët por nga parimet e ligjet që i mbrojnë qytetetarët, qofshin të aftë apo të paaftë, qofshin normalë apo handikapë, qofshin miliarderë apo ata që flenë nën urë të cilët( për analogji) në konceptet e ish presidentit tonë janë barrë e skllavërim për kastën e milionerëve shqiptarë që një zot e di si i kanë vënë pasuritë, në mos qoftë dhe vetë Profesori ynë një prej tyre.

Në mes të oratorisë së tij kundër shtetit social, ish presidenti lëshon shashkën tjetër që mund të merret si një antiamerikanadë: “Aktualisht duket sikur Amerika, si shoqëria e parë e lirë në botë, me garantim të të drejtave njerëzore fondamentale (të së drejtës së jetës, lirisë, fesë, pronës, lirisë së fjalës, të të drejtave të barabarta ndaj ligjit dhe proçesit të drejtë gjyqësor, etj.) po synon të përfaqësojë një nivel më të lartë të etatizmit social.” Pra të etatizmit social që profesori i nderuar e konsideron si një barrë e bezdisur.

Dhe çon deri në atë masë oratorinë e tij kundër shtetit social sa sugjeron as më pak as më shumë por: “b) heqja dorë prej tij në kuptimin fondamental të vetin. Shumë më afër këtij varianti të dytë është Shqipëria, por nuk është vetëm ajo! “Shteti i mirëqenies” në shumë vende, si në Shqipëri, po dështon në qëndrueshmërinë e tij. Natyrisht, ai ka pasur meritat e tij, duke arritur qëllime të rëndësishme, por ama sot ai mbetet tepër i kushtueshëm për mjaft nga këto vende. Dhe jo vetëm për to!…”

Harron ky ish president se Shqipëria më shumë se asnjë vend ka nevojë për një program social sepse është populli më i varfër në Europë. Duke qenë Presidenti i këtij shteti të varfër as nuk i ka vajtur mendja kurrë të propozojë të bëhet ajo që zbatohet në SHBA në politikën e taksave. Pra ashtu si në Amerikë edhe në Shqipëri të mos taksohen konsumatorët për ushqimet, sepse të mjerët pensionistë 20 përqind të pensioneve të vogla që marrin e kthejnë prapë në shtet nëpërmjet taksave. Amerika me një standart të lartë jetese z. ish president nuk e takson popullsinë për ushqimet që blen, kurse shqiptari e paguan ushqimin si frëngu pulën plus 20 përqind që mer shteti. Çfarë i thonë kësaj? A e lodh sadopak mendjen për këtë. Si mund të rrojë një njeri në Shqipëri me 15 mijë lekë të reja( 150 dollarë) në muaj kur 20 përqind të kësaj shume automatikisht nëpërmjet taksave e merr prap shteti, pra si rron njeriu me 12 mijë lekë( 120 $) kur edhe për këtë duhet të paguajë energjinë që shkon deri në 4 mijë lekë( 40 $). Llogarit çfarë i mbetet një njeriu për të mbajtur frymën Profesor. Aspak më shumë se ajo çfarë ti shpenzon veç për kafe në një muaj, ndaj e ke të lehtë t`u vësh etiketën barrë e rëndë, të tepërt, të padëshiruar.

Të jesh i majtë e të dalësh me flamur të djathtë në opinionin publik, të dalësh kaq hapur e në mënyrë cinike kundër shtresave të popullsisë që të kanë zgjedhur madje deri president i një shteti, është vërtetë për të vënë duart në kokë se deri ku arrin shpërftyrimi i njerëzve të politikës, sa të pacipë, demagogë e sofistë jemi në raport me popullin e thjeshtë, njerëzit që mezi e mbajnë frymën, njerëz që kur i humbin shpresat se nuk kanë më as bukën e gojës, hedhin litarin në trarin e shtëpisë dhe vetvaren duke e lehtësuar shtetin tënd z. ish president nga ai që ti quan “mishërimi e skllavërimi” që u vikërka miqve të tu kapitalistë prej barrës së rëndë, teksa u japin a s`u japin të varfërve një kothere bukë si lëmoshë për të mbajtur frymën.

Ku jetoni ju ish-presidenti ynë. Në cilin qiell. Në cilën parajsë tokësore. Atje ku jeton ti njerëzit a kanë zemër apo në vend të saj një llogari bankare e ca ligje të egra antihumane që sajojnë një shoqëri të pashpirt që i lë njerëzit të vdesin?!


* * *


Nuk e di se çfare shkolle politike e kanë mësuar sofizmin e kohëve të vdekura këta politikanët tanë të tipit Mejdani. Në botë, a të paktën në Amerikë shkruhet e flitet me një gjuhë sa më të kuptueshme nga masat, të paktën sa kohë që ke si auditor mjetet e komunikimit masiv. Nëse Mejdani që nuk e ka profilin e shkencave politike sociale, por atë të shkencave të natyrës, mendon se i ka këllqet të bëjë filozofi hermetike mbi ekonominë dhe problemet social-politike të botës sonë të vogël shqiptare, të dalë në botën e madhe, le të botojë studimin e vet tek "The ekonomist" dhe të shohin si do ta zënë me gurë. Por edhe atje pak vështirë është t`ia botojnë sepse kudo rendin drejt njerëzores, së thjeshtës, të kuptueshmes,duke bërë kujdes që të mos keqinterpretohen idetë e veta, qoftë dhe nga një lexues i vetëm aq më tepër se me daljen e mediave elektronike çdo lexues ka të drejtën e komentit qofsh ti dhe president jo më i Shqiperisë, por edhe i Amerikës. Kjo është bota sot. Është thjeshtësur jeta në këtë shoqëri konsumi, sa ta sjellim dollapin me elemente në një kuti kartoni e ti pasi e hap lexon udhëzuesin dhe e monton për 10 minuta. Kjo është Amerika e nuk besoj vetëm Amerika. Thjeshtësia dhe prakticiteti amerikan nuk është më pronë e këtij supershteti, por ajo është përhapur kudo ku ka njerëz me mend në kokë. Por, me shtetet e vogla si Shqipëria, jonë ndodhka si me kapelen e majmunit. I morën majmunët një tregtari ambulant të gjitha kapelet kur ky po flinte nën një palmë dhe kur u zgjua kish veç kapelen e vet në kokë. U lut njeriu po ku merrnin vesh majmunët të cilët gajaseshin. Ateherë i nervozuar tregtari nxorri dufin duke e hequr kapelen e vet e duke e hedhur në tokë me forcë. Pas pak nga pema ranë përdhe të gjitha kapelet. Majmunët në fillim qeshën, por më pas si e panë tregtarin të ikte me kapelet e veta u ngërdheshën. S'kishin çfarë të bënin tjetër.Tani ne çfarë po bëjmë. Përdorim sofizmin për t`i dhënë mësime këtij populli tonë të varfër nëpërmjet medias tonë konfuzë e të paprinciptë. Tepër vonë jemi kujtuar të aplikojmë ato metoda që bota i ka braktisur me kohë si të pafrytshme. Këtu qenka modë për të krijuar qorrsokaqe politike dhe ekonomike, për t`u shitur teoricienë të fushave që bota i ka eksploruar dhe ezauruar që në shekullin e kaluar. Duhet pastaj të na dalë një ambasador amerikan të na tregoje si duhet e si nuk duhet të jenë gjërat në politikë, në ekonomi dhe legjislacion. Duhet pra dikush ta hedhë kapelen i nervozuar qe të bëjmë të njëjtën gjë edhe ne se ndryshe nuk lëvizim. E shfaqemi kështu si majmunë të vegjël në botën e madhe të dijeve, të politikës, të ekonomisë e fusha të tjera ku e vetpërsosim sofizmin duke harruar se sofizmi më tepër se dije shpreh mosdije, shpreh paaftësi për të qartësuar në sytë e opinionit publik fenonemet që përpiqesh të trajtosh.

Nëse shkruan që të mos marrin vesh, askush nuk të lë vend në faqet e gazetave e revistave, sepse jetojmë në kohën e botën e komunimimit masiv. Sofizmat e demagogjia ekzistojnë në gojë të politikës kryesisht në fjalime nëpër tribuna për të joshur e marramendun turmat, por kur shkruhen në letër këshilltarët bëjnë kujdes të mos këtë as dhe një fjalë të pakuptimtë.

Ajo çfarë kuptoj unë nga shkrimi i Mejdanit është se krejt kot ka qenë president. Njeri në këllëf profesorati që nuk e ka idenë se çfarë ndodh në realitetin shqiptar, që nuk bën as dhjetë hapa në rrugë me qytetarët e thjeshtë të këtij vendi të cilët i quan barrë e rëndë dhe u mohon “shanset e barabarta” sepse janë as më pak e as më shumë por shprehje e padrejtësisë dhe diskriminimit –ndaj atyre që janë të aftë dhe të talentuar. Mesa duket, ndër të talentuarit Profesor Mejdani fut edhe veten. Dhe shtresat në nevojë të popullsisë qënkan ato që të janë bërë si vargoj nëpër këmbë. Shkrimi i tij as mish e as peshk "A mund të vazhdohet kështu?!" këtë tregon.

Por kjo tregon gjithashtu se në çfarë vorbulle e në dorë të kujt ka rënë në këto njëzet vjet ky shtet e ky popull.


Shtator 2010



© Copyright Traboini 2010/ e-Mail: traboini@yahoo.com

Nuk mund të botohet në asnjë organ shtypi apo media elektronike pa lejen e autorit.

esè nga Traboini në këtë sit: http://traboini-ese.blogspot.com/