19 June 2012

NA DUHEN GOMONET... nga KOLEC TRABOINI


 Mund ta lexoni edhe ne kete link te gazetes "Tirana Observer" 20 qershor 2012.
http://www.tiranaobserver.al/2012/06/20/na-duhen-gomonet/


NA DUHEN GOMONET...

KOLEC TRABOINI

Të zgjidhesh deputet në parlamentin shqiptar është krejt ngjashëm si të zgjidhesh kryetar komune diku ne fshat. Kemi një shëmbull  perfekt për këtë kohë. Kurrkush nuk po thotë kurrgjë se si ka qënë e mundur të zgjidhet kryetar komune në Rrethinat e Shkodrës një njeri që kërkohej nga Interpoli në llogari të  gjykatatës italiane për trafik droge në grup. Kurrkush nuk thotë as pse u dërgua të bënte paraburgimin në një vend ku kishte rivalë të tij te cilët tentuan ta vrasin duke e kthyer në gjendje kome me pak shpresë për shpëtim. Apo ndoshta me shkakun  se ka segmente në Shqipëri që nga frika e dekonspirimeve të ish kryetarit të komunës në gjyqin për veprimtari grupi në tregtinë e drogës ne Itali, do të digjeshin edhe plot të tjerë me dhe pa funksione shtetrore në Tiranë e gjetkë. Pse gjykata e dhe policia u përdorën si vegla ta themi qorre,  pra si mjete për të larë hesape në burgun e Lezhës.
Eshtë e kotë të pyesish. Të gjitha pyetjet në Shqipëri janë të pakuptimta,  sepse kurrkush nuk përgjigjet, madje nuk përgjigjen  as ata që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë pikërisht që të përgjigjen institucionalisht si pjesë e detyrës për informimin e opinionit publik. Por gjen përgjigje spektakulare kur i pyet qytetarët e Gjirokastrës, se si ka mundësi të kultivohet e të shpërndahet droga kaq shume e kaq hapur. Sepse, thotë qytetari  për  emisionin “Fiks Fare”:  “Kush po e çan b....për shtetin!”.
Ne veç po ngrejmë supet e po bëjmë një pyetje retorike: Çfarë shteti po ndërtojnë e ku dreqin po vemi?!
Por le të shkojmë më tej në linjat që nuk janë krejt pa lidhje me drogën e trafikun e mishit të bardhë.  Në kohën që varfëria është ulur këmbëkryq, kur  krimi po bën kërdinë deputetët e kanë mendjen për lënë të lira gomonet e jahtet që kushtojnë jo më pak se 1.5 milion euro. Në këtë rast kemi një pse që dihet. Një luks të tillë të blejnë gomone e jahte e kanë vetëm milionerët maskarej, qe sipas Ali Asllanit, “të pabukë i gjeti dreka milionerë i gjeti darka”,  ata të  cilët e kanë kapluar Shqipërinë, që e dogjën, e vodhën, e shkatrruan. Por edhe për një shkak tjetër më të rëndësishëm.
Kemi një bum të madh ekonomik kur tërë Europa është në krizë, jemi bërë qëndra e qarkullimit dhe prodhimit droges.Kemi superprodhim e nuk po arrijmë të manaxhojmë tregun?!  Çdo dite policia njofton për dy  apo tre grupe të arrestuarish me drogë Lazarati e jo vetëm Lazarati së atij i ka dalë nami po kanabisi mbillet kudo. Kemi terren malor e kushte ideale aq më tepër që nuk e kontrollojmë dot këtë shtet që është sa një koqe vezë në këtë Europë të madhe që ka kusurin të na ketë diku në skajet e saj të jugut. Merreni  me mend se kur policia kap pambarimisht dy grupe trafikantësh droge në  ditë që tentojnë të dërgojnë kanabis e heroinë në Europë, a nuk do të thotë kjo se në prodhim e qarkullim janë njëqindfish më shumë të pakapshëm.
Pra duam nuk duam jemi kthyer në Afganistan. Dhe një pjesë e parave të fituara me drogë në një mënyrë a në një tjetër pastrohen duke kaluar edhe në favor të njëqind partive politike që mjerisht e për fatin tonë të keq i kemi. Ndaj dhe partitë kujdesen për darovitësit e tyre nën moton “puna mund të jetë e zezë por paraja është e bardhë”. Akoma më tepër me shkakun se  Shqipërisë po i del tymi ngaqë  vitin në vazhdim do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare që duan miliona dollarë. E ku ti gjejnë tjetër?!
Ndaj, për të gjallëruar ekonominë e qarkullimin te drogës që në rrugë tokësore po gjejnë belanë, se ka edhe policë e shefa “kokëkrisur” që zbatojnë detyrën,  lind nevoja e stimulimit te  transportit me det..
Prandaj na duhen Gomonet ...