25 March 2014

🟣 Kur shpresa s’është veçse një kurvë - nga K. P. Traboini


KUR SHPRESE S'ËSHTË VEÇSE NJË KURVË

Në përpjekje për të spjeguar çfarë është shpresa në këtë Zulullandin tonë Konician, ku shumëkush vuan e vajton e ndërkohë 700 dreqen hedhin valle.

 
Nga K. P. TRABOINI

Qytetarët shqiptarë në përditshmëri dëgjojnë lajme që ua shkallojnë trurin. Lajme që të krijojnë sindromën e njerëzve që jetojnë jo në Europë, por nëpër fiset e xhunglave të Afrikës ku ca janë me fatin e luanit e të tjerët të presë, të viktimës së përjetshme. Kësisoj ata që kanë arritur të zënë një vend në bazë të lidhjeve fisnore, klanore, politike, tarafit e interesave mafioze ndjehen të plotfuqishëm, ndërkohë që të tjerët në fat të zi e me shpresë të vdekur sa  nuk u mbetet tjetër; o ikja nga sytë këmbët prej këtij vendi të vetmallkuar ose të bëjnë vetvrasje si i vetmi shpëtim i sigurt prej kësaj katrahure ku kurrkush nuk e ka sigurinë e të nesërmes. Rrugë tjetër nuk ka në këtë trishtim shqiptar.
Edhe shpresa se ndërrimi i qeverisjes do të lëvizte ujin e qelbur në pushtet e administratë, sa vjen e po flashket sepse sikush po mendon të rregullojë të vetët, pra familjen, rrethin, fisin. Lexova një shkrim dhe m’u nxinë sytë, të gjithë fëmijët e deputetëve të dy krahëve të politikës, pozitë e opozitë  ishin punësuar e me rroga të majme, të gjithë vëllëzerit e motrat e deputetëve, ministrave, funksionarëve të lartë janë të punësuar në vendet më të mira. Ndërkohë ata që për 8 vjet i mbajti qeveria e shkuar në papunësi ani pse të kualifikuar, vazhdojnë të jenë po ashtu të papunë, sepse edhe kur bëhet ndonjë konkurs, gjejnë një shkak a sajojnë një të tillë, që të vendoset ai që duan, ai për të cilin kanë bërë kompromis pas kuintave të dy palët,  ata që kanë qënë e mbeten zotër të këtij vendi pavarësisht rotacionit të pushtetit. Kaq shumë është konsoliduar mendimi se pushtetet ndërrohen, por ne të tarafit e miqësive jemi po këta, se armiq jemi në foltore të parlamentit, por në interesa jemi aleatë, sa nuk jam çuditur aspak kur pasi e shkarkuan drejtoreshën e Arkivit të Shtetit (e njohur kjo si pjesë e strukturës politike që populli me verdiktin e vet e rrëzoi), doli në median vizive ku denoncoi me ashpërsi shkarkimin e saj e foli kundër qeverisë së sapozgjedhur. Dhe e dini çfarë ndodhi? Në pseudokonkursin që u zhvillua për administratën e Parlamentit, në sektorin shtypit, doli fituese pa konkurim, pra u emërua, pikërisht ish-drejtoresha  e Arkivit të Shtetit. Tashmë ajo nuk del në TV të kritikojë qeverinë.
Nderkohë ata që votuan për rotacionin dhe shpresën, hanë veten me dhëmbë tek vazhdojnë të rrinë të papunë e pa asnjë të ardhur, shohin gjithashtu, për ironi të kohës mizore ku i ka sjellë rasti të jetojnë, që të emërohen nëpër funksione e zyra po ata që deri më dje bënin ligjin e Maliqin.
Këta që sot kanë shumicën mesa duket kanë menduar se më mirë t’i japin vendin e t’i mbyllin gojën sesa ta lënë të flasë e të prish punë në Media në mënyrë të përnatshme. Mbase me kësisoj zgjidhjesh e kanë mirë për veten e tyre politikanët në pushtet, larg sherrit,  por për ata që me votën e vet i sollën në pushtet kurrsesi  jo.  Kemi parasysh efektin domino që vjen prej shëmbujve të tillë që nuk ikin pa lënë gjurmë tek njerëzit.  Ka një të vërtetë publike tashmë, kudo ka nisur të shfaqet zhgënjimi.
Ata që votuan për rotacionin, që pritën me shpresë, vazhdojnë të jenë kontigjenti i të dënuarve të përjetshëm. Dhe nuk ka asnjë garanci që kjo masë njerëzish që përbëjnë qindra e mijëra të jenë edhe më tej besnikë të verbër të shpresës së thyer. Partitë nuk duhet të mendojnë se njerëzit janë budallenj dhe se votojnë për sytë e bukur të ndonjë politikani a ndonjë deputeti,  që mjerisht vazhdojnë të zgjidhen me listë si në kohën e diktaturës. Asnjë ndryshim nuk ka. Jetojmë në një demokraci të dhunuar që ta kufizon lirinë e zgjedhjes.
Ndaj dhe shumë zhurmë për asgjë e demostrime minore që bëhen nga opozita se gjoja na i kanë pushuar nga puna itharët tanë partiakë nuk është se ka ndonjë të vërtetë shqetësuese. Madje edhe kur mund të pushohet nga puna ndonjë për shkelje apo paaftësi, ai merr menjëherë pozën e opozitarit dhe del e bën zhurmë, duke harruar se janë mijëra të tjerë të papunë anipse të kualifikuar që as nuk guxonin të protestonin në 8 vjet pushtet arbitrar e të dhunshëm. Kjo kategori të privilegjuarish që edhe zhvatën sa mundën në këto vite,  as duan t’ia dinë se edhe ata, të tjerët pra, duhet të punojnë, duhet të  jetojnë. Por kjo kohë me paradokse ka nxjerrë edhe një praktikë të re. Atyre që u ka kaluar mandati në një funksion dhe ka ardhur koha të lëvizin dalin me bujë në media e thonë nuk ikim. Këta edhe sfidojnë shtetin siç bën një zonjë që pa asnjë meritë(veç si veprimtare politike) ka vite që drejton një institucion rregullator të medias vizive dhe kur mandati i ka përfunduar ligjërisht, deklaron se nuk e lëshon vendin për një tjetër. Tani na del edhe një gjeneral që na përfaqësonte në NATO dhe thotë se anipse me mandat të tejkaluar, nuk e lë vendin që kam dhe nuk i zbatoj urdhërat e ministres apo shefit të Shtabit të Ushtrisë. Çfarë po ndodh në këtë vend që na janë bërë nënpunësit e shtetit  nga shërbyes të tij në padronë e uzurpatorë të funksioneve të larta, sikur të ishin senatorë të përjetshëm të kolltukëve. Po nuk kanë faj se kur shohin se një kryetar partie mbetet i tillë me vite pa iu dridhur qerpiku(aty rri kryetar se mirë je, muri lu e burri s’lu), krijohet lehtësisht mendësia e të përhershmit e të përjetshmit, psikologjia e të fortit, pra e xhunglës. Ndaj kur i thonë të lërë detyrën sepse për këtë është emëruar një tjetër, bëjnë të çuditurin....e ndoshta kanë të drejtë.
Si more të ikin...Çfarë është kjo pyetje marroke në Shqipëri. Ku ka shqiptar që ikën nga posti. E shoh se shoqëria shqiptare shumë shpejt e paska harruar Namik Fadile Hotin, të ndjerin, që duke tipizuar shqiptarin e politikës dhe kolltukëve, thoshte "pa i ra plumbi në lule të ballit nuk rrëzohet Bali nga kali"...
Prandaj gjenerali i NATOS, ajo zonja e kryetare e AMA-s profesore e asociuar, një titull ky që një Zot e di ku e ka marrë, ai ambasadori i klanit familjar politik, ai Avokati gjoja i Popullit(pif-puf) që bën politikë financiare korruptive për  italianen e vet, ai tjetri më tej, ambasadori që ende e quan vetën poet, që ka pasuri pafund të padeklaruara(ku i mori, nga dolën, si u vunë?) e plot matrahulë të tjerë në këtë vend të rrinë aty ku janë.  Aty të rrinë edhe të tjerët, fshatarë, krahinarë, kushërinj, farefis, ish të dënuar për drogë në Itali e funksionarë në Shqipëri, mafiozë të gjithçfarë soji, të gjithë që i ka vënë regjimi taliban shkuar ose dinë të ndrrojnë lëkurë e të infiltrojnë në regjimin e ri,  sepse or miq, kush më mirë se ofiqari i qeverive (as mos pyet çfarë ngjyre kanë)  e di atë  këngën me të hipur e të pazbritur : “ato maja rripa rripa, një herë ma hipe e një herë ta hipa, por kur ta hipa më s'ta zbrita....”
Prandaj edhe sot e kësaj dite hyjmë e dalim nëpër zyra e shohim të njëjtët fytyra si kurva te vjetra.
Me pak makiazh pink e blu sigurisht.



19 March 2014

Precedenti Krimea dhe Kosova - nga Kolec Traboini



PRECEDENTI KRIMEA DHE KOSOVA

 Nga Kolec TRABOINI

Janë hapur kapakët tashmë. Është krejt e kotë të jetohet me iluzione se gjërat janë të pandryshueshme në Europën e dy luftrave botërore aq më tepër të propogandës false për bashkjetesë të lumtur në shtete shumëkombëshe në këtë Europën tonë plot trauma lufte e padrejtësish në kurriz të popujve të vegjel. Mesa duket që pas Luftës së Dytë Botërore Europa ka jetuar me frikën e një procesi zinxhir nëse shtrohet çeshtja e shteteve etnike.  Akti i Rusisë tregon se ajo e ka psikologjisur mjaft mirë frikën e Europës, ndaj ka avancuar dhe do të avancojë më tej nëse Europa nuk lëviz më parë që të tregojë se është një forcë që nuk mund të mospërfillet.
Me Krimenë, Rusia sfidoi Europën e cila bën një politikë të vjetër,  pa rezultate, aspak bashkohore që ti paraprij zhvillimeve në hapsirën e saj e përqark saj. Se çfarë ishte Europa u pa në Bosnjë, në Srebenicë, ku u tolerua masakrimi i mijëra njerëzve mbi baza fetare e raciste dhe për këtë u dënuan vetëm dy a tre vetë në Gjyqin e Hagës, një ironi kjo sepse shteti serb as që u dënua qoftë edhe moralisht.  E njëjta gjë edhe në Kosovë,  e cila u ndryshua në rrjedhën e historisë në saj të këmbënguljes amerikane. Edhe sot Europa ndjek një politikë qorre me shtetin e sajuar të Bosnje Hercegovinës. Ahtisari ishte tipik europian dinak, vuri klauzolen që Kosova të mos bashkohet me shtete të tjera(në fakt ndalohej bashkimi me Shqipërisë se më kë do bashkohej Kosova, me Zanzibarin?), pra vazhdoi kësisoj me politikën europiane të frikës nga efektet që do të krijonte ideja e shteteve me etni të përbashkët, duke i privuar shqiptarët nga e drejta ndërkombëtare e referendumit, e vetvendosjes. Pra shqiptarët gjithnjë në kufizim si të ishin qytetarë të dorës së dytë të kësaj hapsire ku jetojnë, që quhet Ballkan e më gjërë Europë.  E gjithë kjo politikë frike tregon se Europa është më e dobët se kurrë. E gërryer ekonomikisht, e drejtuar keq prej qeverish të prekshme nga korrupsioni, të paafta të dalin në funksion drejtues si një bashkim i fuqishëm jo vetëm ekonomik e politik  por edhe ushtarak, ajo tashmë është veç një hije e vetvetes. Presidenti Putin, sepse gjithçka eshtë sajesë e tij nga pozita e të fortit,  gllabëroi pjesë të shtetit të Ukrainës, sepse e dinte mirë se Europa nuk ka asnjë fuqi të ndalojë Rusinë, së pari se nuk ka vullnetin e duhur e së dyti se Europa jeton me frikë dhe gjithçka e ka mbështetur tek Amerika. Por kjo nuk mund të shkojë deri në pafundësi. Nuk mund të shkojë në pafundësi me shkakun se Amerika ka plot halle të tjera dhe nuk mund ta mbajë mbi supe tërë problematiken europiane.
U lodh diplomacia europiane duke thënë se Kosova ishte një rast i veçantë, por Rusia nuk e mori në konsideratë dhe krijoj një precedent të ri që e tejkaloj problematikën e Kosovës. Me një referendum aneksoi Krimenë e brenda  dy ditëve i paisi tërë qytetarët e Krimesë me pasaportë Ruse. Tashme Krimea Ruse është një fakt i pakthyeshëm në histori, nuk mbetet veç llomotitje diplomatike e oratori boshe të atyre që drejtojnë shtetet por nuk kanë asnjë fuqi për të vepruar. Deklarata e Julia Timoshenkos se Krimea do të jetë gjithmonë e Ukrainës janë thjeshtë oratori sofiste politike për të kapur kolltukun. Edhe marrja e disa masave, jo llogari bankare apo ndalim pasaportash për rusët  janë qesharake. Ka një shprehje të  urtë populli ynë, që mënçuria  mbas kuvendit e trimëria pas lufte nuk kanë asnjë kuptim. Europa është tkurrur e në vend të bëjë veprime që e fuqizojnë dhe e sfidojnë Rusinë, përkundrazi zhutet thellë e më thellë në konservatorizmin e saj shtërp.  Bashkimi Europian sot është më i brishtë se kurrë, është kthyer në një monopol i  disa drejtuesve pa vizion që formojnë Klubin  e Brukselit e që varavingen  sa në një vend në një tjetër pa kurrfarë rezultati. Mediokriteti europian ka arritur deri aty sa, ndërkohë që ushqejnë zvarraniken ekonomike, Greqinë, me miliarda euro, bllokojnë hyrjen e Turqisë në Bashkimin Europian. Thjeshtë se është vend mysliman. Kjo tregon se Europa jeton me mentalitete të vjetra  mesjetare. Turqia në Europë do të ishte një fuqi ekonomike më tepër, një mundësi më tepër për të shtrirë Bashkimin Europian në jug të Rusisë. Europa ka frikë nga sfidat  dhe kjo frikë po e gërryen nga brënda duke e treguar të pafuqishme për misionin për të cilën është themeluar.  A mos do të çojë kjo në një shpërbërje të Bashkimit Europian? Veprimi  i Moskës zyrtare tregoi se Europa nuk ka potencialin për të përballuar Rusinë, Europa shfaqet si një mëndësi e vjetër dhe e pafuqishme për të përballuar sfidat e reja, ndryshe prej amerikanëve që mbeten përherë të fuqishëm e të kudondodhur per interesat e tyre vitale. Mirë u tha Bushi i ri europianeve kur nisi sulmi mbi Irakun e Sadamit, me duhet vetëm emri juaj në listë,  se luftën e bëjnë ushtarët amerikanë. E vërteta është se europianet edhe në këtë rast hodhën vickla sepse kishin interesa me Sadamin. Amerika bëri atë që bëri pavarësisht se gjërat në Irak kanë shkuar keq e më keq e gjasat kështu do të shkojnë edhe në Afganistan,  sepse janë popuj të prapambetur, të pazhvilluar dhe as që e kuptojnë demokracinë. Duhen shekuj të arrihen në ato nivele për të cilat u pretendua se do të ndryshonte jeta e popujve arabë.
Në këto kushte, kur në shqiptarët ndodhemi në një vatër zjarri ballkanik, çfarë duhet të bëjmë? Të rrijmë duarkqyq? T’i mbulojmë thëngjinjtë me hi për të krijuar iluzionin se nuk ka më rreziqe për ne? Të bëjmë servilin e kuintave diplomatike europiane, të squllurin, mediokrin, injorantin që pret t’ia zgjidhin punët të tjerët apo të ndërtojmë strategjinë tonë kombëtare dhe të kemi guximin të veprojmë?
Nuk kishte e as nuk ka asnjë arsye të shëndoshë (veç mediokrritetit) që diplomacia jonë në segmentin Tiranë–Prishtinë  të ngulmonte e të ngulmojnë edhe më tej se gjoja populli i Krimesë nuk ka të drejtën e referendumit. Po pse nuk paska të drejtë?  Edhe sikur të mos ketë të drejtë, të paktën ne shqiptarët të heshtim.
Amerika vertetë i dha lirinë Kosovës, mirënjohje të përjetshme kemi për të,  por ama nëse do të vazhdohet kështu me këtë shtet  të Kosovës pa simbole e indentitet kombëtar shqiptar, as në qiell e as në tokë, asgjë nuk është e garantuar për shqiptarët të cilëve u është mohuar vetvendosja nga pakoja Ahtisari sajuar ligsht e jo pa qëllim nga diplomatët europianë.
Por ndodhi Krimea tashmë. Mirë keq nuk na takon ne shqiptarëve të ngutemi e të dalim si gjeli majë plehut për të kënduar e për të thënë se nuk e njohim referendumin e popullit të Krimesë. Përkundrazi të mos ndjehemi,  të mendojmë e t’i themi  vetes se ndodhi një precedent, Krimeja na dha rastin fatlum të bëjmë edhe ne të njëjtën gjë, të bëjmë një referendum në Kosovë për bashkimin me Shqipërinë. Kësisoj  të vëmë diplomacinë e përgjumur europiane para faktit të kryer. Me europianët vetëm kështu punohet, vetëm kështu binden.  E kjo mund të bëhët sakohë që janë te pranishëm amerikanët në Kosovë, sepse me ikjen e amerikanëve është krejt e qartë se nuk ka më shtet të Kosovës. Rusia nuk besohet se do të ndalojë me Krimenë. Krimeja është vetëm fillimi.  Shqiptarët dalin zbuluar sepse Europa e shet Kosovën veç për një afrim të Serbisë drejt perëndimit.
Ata që sot janë në pushtet e qeverisje në të dy anët e kufirit artificial Kosovë-Shqipëri duhet të zgjohen nga gjumi e deliret, nuk mjaftojnë ca takime folklorike në Prizren e në Vlorë, ështe koha për veprim kombëtar e nëse nuk janë të zotët të përballojnë sfidat le t’i lëshojnë kolltuket. Nuk të zgjedh populli të bësh koncerte apo ekspozita, apo të dërdëllitësh fjalime pa bukë gjimnazistesh,  por të marrësh vendime e të veprosh me guxim në interes të kombit. Ka ngjarje në histori që të krijojnë shanse që nuk t’i japin shekujt. Ato duhen shfrytëzuar. Kosova këtë pranverë a e shumta në verë, me hir apo pahir të Europës dhe mikes sonë Amerikës duhet të bëjë Referendumin e Bashkimit. Ndoshta miqtë tanë përtej Atlantikut nuk do ta miratojnë në aparencë, por ama do ta miratojnë në heshtje sepse është në interesin e tyre gjeostrategjik  një Shqipëri e fuqishme në Ballkan, një aleat i sigurtë e i përjetshëm, e për më tepër fakti i kryer nuk mund të zhbëhet më. Prandaj jo të anatemojmë Krimenë e të merremi pafundësisht me ligjerata shterpë, por të veprojmë sepse falë precedentit të krijuar, Krimeja na zgjoi nga gjumi. Jo të qajmë për ukrainasit,  por të mendojmë e punojmë për shqiptarët e shqiptarinë. Nëse presim të na zgjojnë,  presim të na thonë, të na japin leje, presim të na e sjellin bashkimin të tjerët, jemi të humburit e historisë e nuk e di a meritojmë  edhe më tej emrin e madh që kemi krijuar në histori me Gjergj Kastriotin. Nëse squllemi e zhagitemi,  i tregojmë popujve, miqve dhe armiqve tanë historikë se ne nuk jemi tjetër veç një amalgamë pa indentitet, pa ndërgjegje e pa forcën e duhur për të marrë në dorë kauzën e Bashkimit Kombëtar. Në Kosovë shqiptarët duhet të binden përfundimisht se është sajuar një shtet artificial  e si çdo gjë artificiale e pret zhbërja, prandaj kërkohet në mënyrë imediate bashkimi natyral i Kosovës me Shqipërinë.
Çdo rrugë tjetër ka vetëm një emër: - humbje, bjerrje por edhe diç më të rëndë e diç më të hidhur: tradhti kombëtare.
 Gjithësesi mendoj, shpresoj e ngulmoj se është koha e shqiptarëve.


Shkrimi është botuar në gazetën "Tirana Observer", 22 mars 2014.
Gazeta Sot, e diele 23 mars 2014 f.18.
 NEXT: Katedralja e Tiranës Kishe Bizantine apo Greke?
http://traboini1.blogspot.com/2014/02/katedralja-e-tiranes-kishe-bizantine.html