18 August 2017

Kush ishte Fadil Paçrami dhe si i tha Bilal Xhaferrit armik - nga K. P. Traboini


KUSH ISHTE FADIL PAÇRAMI 
DHE SI I THA BILAL XHAFERRIT 
"TË KEMI PUSHKATUAR BABANË. EDHE TI JE ARMIK! "
- Një kujtim i padëshiruar-

Nga K. P. TRABOINI
 
Shkrimtaruci i komunizmit Fadil Paçrami
Shkrimtaruci Fadil Paçrami
 Atyre që kanë nostalgji për shkrimtarë komunistë mediokër si Fadil Paçrami ju kujtoj se diktatura kishte veç një aradhë me shkrimtarucë, të cilët po t'i mblidhje të gjithë së bashku e ti shtyllje, nuk do të nxirrnin dot asnjë gotë limonatë. Po si ka mundësi të ketë ende nostalgjira për këta limona të shtyllur e t'ia botojnë  lëtyrat që ata lanë, pas ikjes nga kjo botë? Ndoshta në trutë e njerëzve ende qëndron e hapur ndonjë dritëz shërbese, si reminishencë të asaj kohe kur frika ishte ulur galuc në trutë e njerëzisë. Ditirambet më të mëdha është e natyrshme t'ia thurte si "Papa i kulturës" një ish spiun i komunizmit që na u bë prej pushtave të politikës, ministër i demokracise. Pse vallë kësisoj?!Një dreq e di, se Zoti nuk merret me sherbestarët e diktaturave.



Veç botimeve edhe një portal i hallakatun i ka faqosur një shkrim në përpjekje për ta humanizuar figurën e kuadrit të lartë komunist Fadil Paçramit, për ta bërë gjoja më njerëzore këtë kuadrovik të ngulfatur, pjesë e strukturës shtypëse të diktaturës së Enver Hoxhës. I dhashë këtë gjegje portalit:
Për ta kuptuar se kush ishte Fadil Paçrami, mjafton të rikujtoni mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artisteve kur diskutohej romani i soc-realizmit skematik "Dasma", kur duke marrë në mbrojtje autorin, në mes të mbledhjes së hapur, ju vërsul shkrimtarit Bilal Xhaferri me këto fjalë:
"Të kemi pushkatuar babanë. Edhe ti je armik!".
Kjo shprehje e tij cinike, e egër, vrastare, ti thuash të birit të kemi pushkatuar atin, aty nga presidiumi ku tundej e shkundej si aga, e tregon më së miri çfarë njeriu i ulët e megalloman ka qenë Fadil Paçrami. Asnjë mëshirë njerëzore nuk kish në shpirtin e tij. Ai veç artist e shkrimtar nuk mund të ishte. Sepse arti fjalës nuk ka të bëjë në asgjë me hanxharin e kasapit.
E kam takuar rastësisht në Minierën e Tuçit, ku kisha shkuar për një shkrim në gazetën "Zëri i Rinisë" se e kisha punë praktike gazetarie në kohën që isha student në Universitetin e Tiranës. Mbaj mend te kem takuar aty teknikun Mitro Qeparoi me të cilin më pas do të ndanim fatin e emigrantit në Greqi.   Fadil Paçrami ishte tek gryka tunelit ku seleksiononte mineral. Më pa, po jo në sy. Mua afrua me një gur në dorë e më tha se çfarë kualiteti i mirë ishte minerali.
Mu zunë sytë kur mu kujtua Bilal Xhaferri, por nuk fola asnjë fjalë. Librin e Bilalit që ma kishte dhuruar bashkëstudentja Zenepe Çekrezi (Luka), i kisha grisur kapakun dhe emrin e Bilal Xhaferrit dhe e ruaja të fshehur në një valixhe druri të kyçur poshtë krevatit në Qytetin "Studenti" të cilën ma kishte punuar një komshi në Shkodër, Zefi, vëllai i Don Nikoll Mazrrekut, i njohur me pseudonimin e famshëm Nik Barcolla. Për mua që shkruaja tregime ishte një manual artistik për mënyrën se si duhej kërkuar e gjetur e bukura në jetë e si duhej mishëruar në art. E dija se po t'ma gjenin do të më përjashtonin nga Universiteti e madje punët do të venin keq e më keq.
Po vazhdoja ta ruaja si një relikë e çmuar. Ishte ushqimi im i përditshëm shpirtëror ashtu si "Vërshimet e lumenjve të Konstandin Paustovskit dhe tregimet me shi të Minelaos Ludemis. Atë çast kisha parasysh librin e fshehtë të Bilal Xhaferrit të arratisur në Amerikë. Kisha parasysh edhe persekutorin e atij që e adhuroja si shkrimtar. E kisha urryer kur anatemonte si të ishte një Zeus shkrimtarin Bilal Xhaferri, i rritur jetim e me sakrifica, talentin e madh, shpresën për një art të lirë e sublime që dilte nga shpirti.
Po të më zinte ky Fadil Paçrami në kohën e studimeve të mia universitare me librin me tregime të Bilal Xhaferrit në dorë, me siguri do të përfundoja në Spaç. Kaq fanatik komunist ishte.
 Tani ai, Fadil Paçrami, gjëmëmadhi, ishte kthyer në një grusht njeri në pritje të fatit të vet të gremisur. Atë çast e mëshirova shpirtvogëlsinë e tij sepse tashmë edhe ai ishte asgjë më shumë veç një viktimë e makinës shtypëse komuniste, të asaj monstre e cila, meqë nuk u ngop me gjakun e popullit, kishte nisur të hante edhe bijtë e vet.
I ktheva krahët Fadil Paçramit dhe ika. Ish kthyer në kufomë e gjallë ky njeri që kërkonte ti kthente në kufoma të tjerët. E pse duhet që për hir te faktit se “morën çfarë deshën” siç thotë Bukowski në një poezi, ne tani të thurim ditirambe nëpër portale e gazeta neokomuniste për Fadil Paçramin e banditë te tjerë bolshevikë si ai, këta persekutorë të shkrimtarëve.
Ky pra ishte intelektuali komunist Fadil Paçrami. Lyejeni me bojë sa të doni. I vjen erë...
I harruar qoftë kujtimi i tij!