DËMTUESIT E ARTIT POETIK NUK JANË VETËM
AUTORËT MEDIOKËR...
-
- Përkitazi
me shkrimin "Poezia vdiq!....Rrofshin poetët!" –
Nga
KOLEC TRABOINI
Padyshim
që pikënisja dhe shqetësimi që mbartet në shkrimin e Sokrat Habilaj
"Poezia vdiq!....Rrofshin poetët!"
është i drejtë dhe për çfarë është trajtuar mbetem në një mendje, sepse ka
mediokritete të shumta, ka gjithfarë lëtyrash që na shiten me emrin poezi dhe
plot autorë mediokër që në mënyrën më skandaloze i shtojnë emrit të tyre edhe
epitetin poet apo poete. Që këtu
kuptohet se krejt qëllimi është të dukurit e jo krijimi i vlerave. Thashë jam i
një mendje me kritikat në shkrimin e cituar, po pikërisht tek njëmendësia qëndron
dhe i gjithë problemi. Se mundet të kesh dy-tre pesë apo njëqind autorë me njëmendësinë
tënde, por ata që kanë mendje tjetër janë shumë e më shumë. Mund të themi një
mijë apo dhjetëmijë, por ka edhe më. Nëse keni dëgjuar në Tiranë janë mbledhur
një herë në një sallë të madhe si stadium me lajtmotivin "100 mijë poetë
për ndryshime". I kishte a s’i
kishte autorë seriozë sa gishtat e njërës dorë tërë ai tubim gjigant. Pyeta një
herë se për kë flitet në këto 100 mijë poetë për ndryshime. Dikush më tha për
poetë nga gjithë bota dhe se paska një degë edhe në Shqipëri. Atëherë unë
u thashë se gabim e kanë ata të botës, se "100 mijë poetë” i ka vetëm
Shqipëria, sepse të gjithë shqiptarët dinë të vargëzojnë. Që kur u kanë kënduar
nënat ninullat, ata janë mësuar me vargjet e matura dhe tërë jetën këngëzojnë.
Pra ne kemi bejtexhinj të lindur në superprodhim. Dhe askush në botë nuk mund t’i
ndalojë këta zë qyqesh që thonë jemi bilbila. Por unë nuk e shoh problemin tek
ata që këngëzojnë e thurin shporta fjalësh, se ata ashtu janë mësuar e ashtu do
të bëjnë tërë jetën, por diku tjetër. Pikërisht tek ajo pjesë që nuk e di pse
nuk është prekur në shkrimin "Poezia vdiq!....Rrofshin poetët!". Pse pra
është anashkaluar vëmendja që i kushton Media kategorisë së atyre që po t’i
quash bejtexhinj i bën nder të madh. Është shkuar në analizë deri tek botimi i
vargëzimeve bajate nga Shtëpitë Botuese, por nuk janë prekur asnjëra prej tyre.
A mund të thotë dikush se a ka gazetë në Shqipëri që të japë një honorar për shkrimet
e botuara? Nuk ka. Asnjë nuk paguan. Demokracia e pasur nuk ka këllqe të bëjë as atë që bënte monizmi i varfër: të paguajë
honorare për shkrimet. Më thoni a ka Shtëpi
Botuese që ta merr librin e shikon në një ekip ekspertësh letrarë e të thotë
se, po, këtë vëllim me poezi do ta botoj
dhe ta botoj me shpenzimet e veta. Jo nuk ka. Asnjë. Kësisoj përgjegjësia e
tyre në
afirmimin e vlerave kombëtare në fushë të poezisë është zero me xhufkë.
Kësisoj këto Shtëpi Botuese janë matrapazët e parë dhe kryesorë të antivlerave.
Po pse e heshtin pikërisht këtë procesi
që është më domethënësi për përcaktimin e vlerave letrare. Të paktën Shtëpitë Botuese do të ishin si një sitë që vargëzimet
e thata e retorikat boshe t’i kalonin në një anë e nuk do t’u afronin lexuesve marrëzi
të botuara në libra. Madje këtyre marrëzive të pseudo Shtëpitë Botuese u vënë edhe ISBN, që surrogatot
të zënë edhe sirtarët e Bibliotekës Kombëtare e t’i ketë historia e letërsisë.
Pra ka një vend ku mund t’i thuhet ndal marrëzive e ky është pikërisht sistemi
i botimeve. Në kushtet kur Shtëpitë Botuese janë kthyer në shtypshkronja që
mbledhin para, është e kotë t’u kërkosh kualitete letrare. Ashtu do vazhdojnë dhe
poezia do të vazhdojë të përdhunohet publikisht. Veç kësaj ka edhe një hallkë
tjetër që nuk e di pse është anashkaluar edhe ajo, e këto janë Media e shkruar
dhe vizive. A nuk e keni vënë re se gazetat në faqet e tyre letrare po botojnë
gjithë plehrat e Facebook-ut, çdo lloj marrëzie e shterpësie në cikle vargjesh.
Po këto po na i mbledhin edhe nëpër botime të përmbledhura dhe aty do gjesh
shoqërinë e facebook-save. Mirë u botua si u botua libri, po pse dalin ca
recensa budallaqe e ngrejnë në qiell antivlerat, pse i botojnë gazetat? Apo pse
duhet të dalin këta pseudo autorë Facebook-sa edhe në rubrika në Televizonin
Publik, por edhe në televizione të tjera, ku madje ndonjëri a ndonjëra duhet t’u
thotë edhe teleshikuesve budallaqe se çfarë na qenka poezia. Kjo është sikur të
dalë një përdhunues apo pedofil të na tregojë në televizion se si kryhen përdhunimet.
Në të vërtetë e njëjta gjë është po kush do t’i thotë ndal kësaj pune? Si mund
t’i thuash ndal kësaj batërdie, kur tërë sistemi punon me antivlerat. Bëjnë
ministër një njeri që nuk ka asnjë përvojë dhe asnjë kontribut për këtë vend e
këtë popull, bëjnë deputete një të re që ka mbaruar vetëm shkollën e mesme(kujt
i duhet kjo dhe a është Parlamenti një kamping për piknik rioshësh?!), kemi një
Ministri Kulture që nuk mbështet artistët e shkrimtarët por kompanitë, ta zëmë japin 200 mijë dollarë për dy net
festë të dritave, kur nuk të mbështesin as për një libër me poezi, apo
antologji poetike, nuk të japin asnjë
qindarkë që të ketë një gazetë apo
revistë letrare serioze në Shqipëri. Nuk e di pse shpesh po kërkohen ekzigjenca
tek ata që nuk kanë pikë talenti dhe vargëzojnë e botojnë me paratë e
tyre, kur ka një shtet mediokër në
pikëpamje kulturore që shpenzon paratë tona, të taksapaguesve shqiptarë, për një festë dritash. Ne bëjmë mirë që
flasim, por kur të marrim përsipër një problem ta përballojmë në tërësi pa
anashkaluar dëmtuesit e vërtetë të artit në përgjithësi apo artit poetik në veçanti,
qofshin këto edhe vetë hallkat e
pushtetit që kanë një përgjegjësi të madhe për përkrahjen e zhvillimin e artit
e të kulturës kombëtare.