05 October 2014

Poetika e Dritëro Agollit- nga Kolec Traboini

POETIKA E DRITËRO AGOLLIT

Nga Kolec TRABOINI

Poetika si dimensioni më i madh i krijimtarisë së Dritëro Agollit është e mirënjohur tashmë, është pjesë e traditës, ajo ka në tërësi tendencen ose prirjen e frymës popullore, jo vetëm në tematikë por edhe subjekte e strukturë. Ajo është zgjedhja e tij si autor, ashtu si dhe Fishta bëri zgjedhjen e vet si në sistemin metrik por edhe frymën e vargjeve,  anipse e njihte me rrënjë poezinë moderne europiane. Gjithësesi zgjedhjet e autorëve duhet të respektohen ato mbeten pjesë e synimeve dhe talentit të tyre. Çdo autor preferon ato forma e struktura poetike, ato metoda që i japim më shumë mundësi të shprehen artistikisht e ku mund të japin maksimumin e vet. Kulmin poetik në këtë lloj mënyre klasike, gërshetuar me një frymë popullore, në shprehjen e individualitetit të vet poetik e ka arritur Esenini i cili për shkak të gjenialitetit nuk mund të tejkalohej prandaj dhe shumë autorë  janë përpjekur të ndjekin rrugë të tjera me prirje për ta reformuar poezinë duke gjetur mënyra të reja në strukturimin e krijimeve te veta. Ndonjëherë edhe me tendenca formaliste deri në absurd. Vetë Majakovski ishte një reformist me futurizmin e tij në pjesën para revolucionit bolshevik, por më pas ngeci në një mënyrë pllakateske e qëllime populiste, sa arriti ti kthejë krijimet e tij në shfaqje për shtresat e gjëra që ishin larg elitave poetike, ndikimi i tij do të vinte deri tek ne me skematizmin e letërsisë së partishme.
Gjithësesi poezia e Dritëro Agollit konsiderohet pjesë e letërsisë moderne shqiptare, ajo mbetet po ashtu në frymën e vargun tradicional e klasik të rilindësve e nuk shkon shumë larg prej tyre ndaj dhe kuptohet popullariteti i tij në shtresat e gjëra me një nivel mesatar të kulturës. Sot jetojmë në kohën e post modernizmit dhe as që mund të kërkohet që një autor si Dritëro Agolli të krahasohet apo të përqafojë këtë mënyrë të konceptimeve poetike. Ai përfaqëson një kohë të caktuar kur letërsia shqipe ani pse arriti një modernizim të saj me Migjenin,  mbeti në një ngecje të gjatë afro gjysmë shekulli si haraç i një sistemi të ngurtë dhe mbytës. Në vitet ‘60  të shekullit të kaluar pati një tendencë dhe një vërshim të strukturave poetike të ndryshme ndër autorët e rinj,  por gjithë frikë se fare lehtë mund të akuzoheshe si formalist e të persekutoheshe.
 Mendoj se Dritëro Agolli si autor nuk duhet denigruar si përfaqësuesi autoritar i letërsisë së realizmit socialist, sepse krijimtaria e tij nuk është e gjitha e nënshtruar ideologjikisht, por njëkohësisht as nuk duhet glorifikuar. Një soj mendimi me pretendime estetike por pa taban, shprehet kësisoj: “Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.”. Ky soj thënësi  mesa duket as që i shkon mendja se letërsia jonë  ende sot e kësaj dite nuk po e arrin nivelin e gjeniut tonë të letrave, Migjeni, që e modernizoi letërsinë dhe e çliroi atë prej skemave të ngurta klasike.  Migjeni me guxim  të pakrahasueshëm në botën e letrave shqipe preku deri në inde shoqërinë, arti i tij hyri në çdo skutë të shpirtrave njerëzore ndaj u reziston të gjitha kohëve dhe mbetet ende i pakalueshëm.
Vërtetë poezia nuk mund të matet me parametra ideologjike pa e dëmtuar e dënuar atë,  por as me populizmin nuk matet e as vlerësohet, apo me tej me frymën e tendencën e saj pop folk.
Në rastin e Dritëro Agollit kemi të bëjmë me një autor me një krijimtari të gjerë, por jo një gjeni siç e përmendin këtë fjalë vend e pavend ca njerëz që shkruajnë, por nuk kanë vështrim të plotë e as njohje të thellë të fenomeneve letrare në vend e në botë. Gjeniu krijues e lëviz përpara dhe e reformon artin duke hapur shtigje e mundësi të reja. Ndër ne ky nder i takon Migjenit e askujt tjetër. Dimensionin lirikës shqipe e zgjeroi dhe e thelloi Frederik Rreshpja. Autorë të tjerë shprehin vetveten dhe e pasurojnë letërsinë me individualitete por reformatorë që krijojnë shkolla apo  tradita të reja letrare në poezi ende nuk kemi.
Nëse flasim për mangësitë e dëmet në pozicionin politik si udhëheqës i Real-Soc-it të këtij autori apo dhe të autorëve të brezit të tij, është një çështje tjetër dhe nuk ka pse t’i hyjmë kësaj teme sepse prioriteti i diskutimeve tona është arti në shërbim të humanizmit. Si krijues ne flasim për poezinë e Dritëro Agollit, ndërsa idetë e autorit në jetën e përditshme janë çështje të tij. Për politikën e tij si kuadër në shërbim të sistemit të mbyllur monist le të flasin e shkruajnë të tjerë që nuk kanë as dhuntinë e as ndjesinë të merren me artin poetik.
Në thelb të mendimit mbi krijimtarinë e këtij autori  me individualitet të fuqishëm do të thosha se në aspektin e vlerave, në shumëçka,  poetika e mund politikën e Dritëro Agollit,  jo vetëm në jetë,  por edhe atje  ku gjen shfaqje në vargje.

© Kolec  Traboini
6 tetor 2014