12 February 2024

Profesori i estetikës së filmit Gëzim Erebara - nga K. P. Traboini


PROFESORI I ESTETIKËS SË FILMIT GËZIM EREBARA

Kishim ardhur nga bangat e Universitetit dhe nuk dinim asgjë nga filmi. Literaturë nuk kishte. As kurs nuk bëmë. Filmin e mësuam nga praktika duke u nisur nga elementët më të thjeshtë, xhirimet e të quajturave suzhete. Pra një subjekt i vogël nga realiteti i përditshëm i fiksuar në celuloid. Ishte fat që ndër regjisorët me të cilët tashmë njiheshim e takoheshim përditë ishte edhe Gëzim Erebara.
Me bashkëstudentin dhe kolegun tim të Redaksisë, Luan Sadik Rama, rrinim shpesh me regjisorin Gëzim Erebara në oborrin e Kinostudios pasi pinim një kafe te klubi në mes të pishave. E pyesnim se ishim të etur për gjithë atë bagazh dijesh që Profesor Gëzimi kishte për Kinematografinë Botërore. Rene Clair, Renuar, Felini, Vitorio de Sika e tjerë emra të regjisorëve të mëdhenj francezë dhe italianë nga Profesor Gëzimi i kemi mësuar. Atë kohë përgatiti dhe dispencat për ngritje profesionale, ndër to Historia dhe Estetika e Filmit. Një punë voluminoze në disa vëllime. Ishte jo vetëm i ditur, por edhe shumë i dashur e miqësor. I urtë, i qetë, fliste qartë e rrjedhshëm. Kujtesa me sjell atë çast kur ai mori Kupën e Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar për një film me skenar të Peçi Dados. Operator ishte Faruk Basha dhe piktor filmi Astrit Tota. E kujtoj filmin "Në fillim të verës edhe për muzikën e bukur të Kujtim Laros, motivin e të cilës nuk e harroi kurrë. Të njëjtën Kupë për filmin dokumentar për "Asdrenin" e morëm edhe Vitori Çeli dhe unë.
U bënë vite që isha në Amerikë dhe në vjeshtën e vitit 2004, kur erdha në Shqipëri, rastësisht e takova diku aty te vila "Logoreci", pranë Radio Televizionit Shqiptar. Ndenjëm bashkë e biseduam për filmat, Kinostudion e kolegët. Kishin ndodhur shumë gjëra për të cilat ai nuk ndjehej mirë. Shqipëria ishte ende në kaos dhe tek çdo njeri reflektonte një gjendje lodhje. I fola plot respekt, i shpreha admirimin për punët e tij që pas kaq vjetëve akoma më shumë merrnin vlerë. E përcolla deri te shtëpija në rrugicë. Ishte një ndërtesë e madhe, vilë e bukur, që më së fundi i ishte kthyer familjes Erebara, por plot peripeci.
U përqafuam dhe u ndamë. Unë shkova në Amerikë sërish. Të mirin e të urtin, të diturin, profesorin tonë të estetikës së filmit Gëzim Erebara nuk e pashë më. Ai ishte lindur në Dibër më 19 maj 1929 dhe ndërroi jetë në Tiranë më 12 shkurt 2007. Sa herë me bie rruga nga shtëpia e tij, ndaloj pak çaste e më duket se shoh siluetën e profesorit, imazhi i një figure të ndritur e të paharruar.
Ngjitur me Kinostudion tonë, që tashme i ngjet një tubë zyrash të rëndomta e jo një qendre arti e kulture, është një rrugë me emrin e profesorit tonë të paharruar Gëzim Erebara, një nga krijuesit që nderojnë kulturën e kombit shqiptar.
 
©️K. P. Traboini
12 shkurt 2024