VARRE DHE ZJARRE
Përndryshe, Neronët nuk dinë tjetër të krijojnë veç varre dhe zjarre.
Nga K. P. Traboini
Jo pa qëllim e kam bërë këtë selfie - fotografi kur Teatri ishte ende në këmbë. Me dukej monstruoze që një Teatër të ishte kaq pranë e përballë një Ministrie të Brendëshme. Andej aktorë, lirizëm, këndej policë të armatosur e të murrëtyer me egërsi rregjimesh të paskrupullta. Përballë Davidi dhe Goliathi. Dikur, tek e fundit, një përplasje e ndeshje do të ndodhte. Diçka ogurzezë pritej.
Teatri Kombëtar i qëndronte krenar asaj monstre që ndodhej përballë, ndërtesës hijerëndë e të frikëshme të Ministrisë së Brendshme. Një Ministri e Brendshme në qendër të kryeqyteti ishte pjellë mizore e Diktaturës, por meqë edhe në postdiktaturë (që disa mashtrojnë ta quajnë tranzicion), vazhduam të udhëhiqemi nga ish komunistët karrieristë të paskrupullt, apo pjellat e tyre bastarde, kësisoj kjo ndertesë krimesh që duhet të ishte transformuar në nje objekt kulturor, në një ndërtesë ku të gjallërohej mendimi i lirë e krijues, vazhdoi të qëndronte si një lubi ogurzezë. Erdhi një kohë që lubia e shkatërroi ndërtesen e lirë, të lehtë në koncept, të bukur në shfaqje dhe një natë të zezë e shëmbi me egërsi të pashoqe Teatrin, simbolin e lirisë së shpirtrave njerëzore. E ky monstëër shëmbës e ka një emër që të ngjall neveri. U përsërit viti 1944-45 kur hordhitë e Enver Hoxhës rrafshuan çdo gjë të bukur e të mirë që kishte krijuar kultura shqiptare dhe dijetarët e mendimtarët, mendjet më të ndritura, të cilët i pushkatuan rrezë mureve të Rrmajit në Shkodër. Sepse ata, mizorët, kërkonin të ndërtonin një botë të re nga asgjëja, nga pluhuri e hiri, ata e urrenin Shkodrën se ishte një qytet 2500 vjeçar, më i vjetër se Parisi, Berlini e Londra, ndërsa vetë këta mizorë që na u shfaqën në tokën shqiptare, kishin zbritur si hordhi e kuqe gjaku me krrabë e zhgun të dhirtë nga shpellat. Tani ndodhën përballë lubia e zezë, Ministria e Puneve të Brendshme e Neronit në pushtet me rrënojat e institucionit të kulturës që të kujtojnë një muranë, një varr, sepse neronët nuk dinë tjetër të krijojnë, veç varre dhe zjarre.
