21 November 2016

Tu shkreptë pushka në hale!- nga Kolec Traboini

TU SHKREPTE PUSHKA NE HALE, O KRYEMINISTËR!
Dikush nga brohoritësit e tij zulmëmëdhenj për qëndrimet e egra e aspak politike e diplomatike, po i thonë Kryeministrit: "Tu bëftë pushka top!". E unë po i them: "Tu shkreptë pushka në hale!", se vetëm atje nuk bën dëm.

Nga KOLEC  P. TRABOINI


Po more, pushka top, po kush i paguan kusuret e topit? Kemi një ushtri qesharake, si një batalion pune ndërsa Greqia është forca ushtarake më e madhe në Rajon. Nuk mund të luhet me fatet e popullit me retorika boshe qofshin nacionaliste. Tjetër është të shkruaj një qytetar i thjeshtë në media sociale internetike e tjetër kur shkruan e flet një Kryeministër. 
Në kushtet e mjerimit që kemi kujt i plasi trapi sot për Akropolin. Po zhduket gjysma e kombit. Pikë-pikë nëpër botë. Ikje si në tragjedinë e madhe pas vdekjes së Skënderbeut. Kurrë kaq shumë shqiptare nuk i kanë lënë trojet e veta për të marrë nga sytë këmbët. Po ti more demagog Kryeministër që na shet dëngla herë gjoja si nacionalist e herë si partizan komunist anti-ballist fanatik, nuk ftove një grup arvanitas apo arbëreshësh në Shqipëri e po më thua se Akropolin e shpëtuan shqiptarët në kohën e moskurrit, kur Shqipëria digjej e shkretohen nga turqit osmanë. Kësaj i thonë "Fshati digjet e kurva krihet", ani pse larg në histori. 
Po ç’na i kujton tani që bëmë botën e nuk bëmë dot veten. Se ishim më shumë mercenarë se atdhetarë në histori. Po nuk i di ato vargjet “Mjaft punove për të tjerët, o fatkeq, shiko vendin tek ke lerë e tek po heq, të ka bërë perëndia luftëtar, si s’të lodhi robëria shqipëtar?
Nëse i di këto çfarë na kujton tani se botën e kemi shpëtuar ne,  por veten e kemi varrosur. E di unë më mirë se ti Akropolin e lagjen Plaka, se e kam shkelur me këmbë gjysmë dekade si emigrant në kohën më të keqe të fytyrës së ligë antishqiptare të Micotaqit me Skupa ja ton alvanus" - fshesë për shqiptarët, po ne nuk mund të jetojmë me idiolatrinë e së djeshmes kur të sotmen e kemi të rraskapitur.  Po ne kemi në Greqi 750 mijë shqiptarë e jo ca gërmadha historike. Prej nesh presin të gjallët e merreni me artefaktet që qëndrojnë në muze si dëshmi e jo si aktualitet. Historia në të vërtetë bëhet përditë. Por historinë humbëse të së shkuarës le ta shkruajnë historianët. Ti je për të bërë politikën e ditës që të zhvillohet e përparojë Shqipëria. A nuk po e sheh, o njeri, se po bëhesh si Enver Hoxha në 1946 kundër amerikanëve. Je ti që del kundër Donald Trump-it të Amerikës, e asnjë reflektim nuk ke, kundër këtij e kundër atij. Lëre more shpatën e ndryshkur të Enver Hoxhës apo do ta vërtetosh edhe me vepra se kauzat e xhaxha Spiro Kolekës nuk kanë vdekur. Ka Akademi Shkencash për studime historike,  o Kryeministër,  që në orar të punës merresh me vizatime të lira si fëmijët e kopshteve të Erion Velisë. Mungesë totale përgjegjësie. Duke u marrë me gjithçka e duke mos bërë asgjë po shfaqesh krejtësisht i paaftë. E disa brohoritës delirantë, të raskapitur e të fiksuar ndër idhuj pa krena, po të thonë "Pushka top!" në raportet aspak politike e diplomatike me amerikanët e fqinjët ballkanikë ku nuk ka nevoje të tregohemi as raja kokëulur por as dhe gjela. 
E unë me mendje të kthjelltë po them: Tu shkreptë pushka në hale, o Kryeministër, se vetëm atje nuk bën dëm....

22 nëntor 2016

14 November 2016

Donald Trump për ndërhyjen në Kosovë 1999



DONALD TRUP PËR NDËRHYRJEN NË KOSOVË
- Ka thënë në një intervistë televizive në vitin 1999 - 

Do të veproja ndryshe, edhe pse e di se do të tingëlloj çuditshëm te shumëkush. Shiko kaosin që kemi shkaktuar në Kosovë. Unë mendoj që ne mund të themi se kemi humbur vetëm disa njerëz. Padyshim se ne ishim 10 mijë metra larg me aeroplanë prej ku po hidhnim bomba. Por shiko çfarë i bëmë atij vendi, atyre njerëzve; sa shumë vdekje dhe vuajtje u kemi shkaktuar. Ne do të duhej të shkonim atje me trupa tokësore, do të kishte vrasje edhe në këtë opsion por më pak. Nuk do të ishte situata kaq kaotike sa është tash. Njerëzit u përzunë nga tokat e tyre, nga territoret e tyre, çdokush po ikën kah po mundet dhe askush nuk po e di se çfarë po ndodh. Janë me mijëra të vrarë”.

Ndërsa Kryeministri shqiptar vazhdon të shpifë e mashtroje opinionin në mënyrë të paskrupullt edhe nga New Yorku, se gjoja Donald Trump ka qënë kundër ndërhyrjes në Kosovë. Po tani Edi Rama këto shpifje vazhdon ti këtë për kandidatin apo për presidentin e zgjedhur. Ku ja çon mushka drite këtij shpifësi, a ka njeri të na thojë? 

Kolec P. Traboini
14 nëntor 2016

09 November 2016

Kryeministri shpërndan njoftime të rreme për Flamurin e Deçiqit- nga K.Traboini



KRYEMINISTRI EDI RAMA SHPËRNDAN NJOFTIME TË RREMË PËR FLAMURIN E DEÇIQIT 1911.

Meqë e tjetërson historinë e Hotit, së shpejti do ti nis me postë librin “Flamuri në Deçiq” i Palok Traboinit (mësuesi e luftëtari,sekretari i Ded Gjo Lulit) që të mësojë historine e këtij flamuri që ai kërkon tua faturojë mërgimtarëve në Amerikë të cilët e paskan sjellë në Kosovë nëpërmjet permetareve Gore Dindit dhe Toke Pollos. Krejt pa lidhje kjo histori. Se ku i gjen kryeministri këto histori nuk e di por mua si i biri i Palok Traboinit me shqetëson tjetërsimi i historisë e shpërndarja e informacioneve të rremë aq më tepër kur shpërndarës i keqinformimeve është në një post të lartë qeveritar. Ai flamur z. Kryeminister është porositur në Vjenë dhe është paguar nga Alardo Kastrioti dhe për të shkuar për ta marr  e sjellë në Hot, është dërguar  Palok Traboini. Lexo librin e Petraq Pepos “ Kujtime veteranësh” 1962 dhe atje do të gjeni fakte në lidhje me këtë flamur.
Edhe me mua z. Edi Rama ka bërë te njëjtën gjë. Mitingun e organizuar prej meje në janar 1991, ku ka folur edhe ai për ca kinezë e arabe, ja ka faturuar Sali Berishës. Kam një shkrim të plotë për këtë miting, por mesa duket ai nuk lexon asgjë nga ato që shkruhen për të. E kur nuk lexon vështirë e ke të dish cila është historia e Flamurit të Deçiqit 1911. Dhe kësisoj të gënjehesh lehtë pas emrave të tillë Amarcord (titull i një filmi të Felinit)që ai e sjell si referencë në titull e që është një sajim i vonshëm që i është bërë fotos së Marubit, por në origjinalin që unë kam marrë në Fototeken Marubi që në vitit 1988, nuk ka asnjë shënim. Desha ti them Kryeministrit se malësorët e Hotit i dinë historitë e veta më mirë se sa informacionet e shpërndara andej e këndej pa asnjë kriter vertetësie.

Kolec Palok Traboini
9 nëntor 2016


Shkrimi i Kryeministrit Edi Rama
AMARCORD

Është e njohur kjo foto e Marubit që paraqet flamurin e shpalosur nga Ded Gjo Luli gjatë kryengritjeve të mëdha për pavarësi më 1911-1912. Çka dihet më pak, është se ky flamur mund të jetë pikërisht ai që sollën në truallin mëmë, me porosi të diasporës shqiptare në SHBA, dy patriotë përmetarë, Gore Dindi dhe Toke Pollo. Ata u nisen për të luftuar së bashku në Kosovë dhe për t'u pjekur me heroin kryengritës më 1911. Asnjë nga të dy luftëtarët toskë, të cilët rrugëtuan në Kosovë e Shqipëri, pa mundur ta takonin vetë gegun e madh Ded Gjo Lulin, nuk e morën kurrë vesh se çfarë u bë me flamurin pasi ja dorëzuan një emisari të tij.

Çka mund ta bëjë të besueshme tezën se bëhet fjalë për këtë flamur, nuk është vetëm cilësia e përpunimit të tij, por edhe dy fakte të tjera: Mbi flamur është vendosur një cohë ku shkruhet "Flamuri i Liris" mars 1911, vit që përkon me nisjen e dy patriotëve drejt Kosovës. Ndërkohë, në shtizën mbajtëse, shohim një shqiponjë njëkrerëshe, e cila është konform shqiponjës simbol të SHBA.

Flamuri paraqitet në formën e labarum-it, në stilin e legjioneve romake përfshirë edhe në kohën e Kostandinit të madh, gjë që të kujton strofën e famshme të himnit të flamurit të Imz. Nolit, "Flamur që lind Shën Kostandinin, pajton Islamn'e Krishtërimin, çpall midis feve vllazërimin, flamur bujar për Njerëzi" 🇦🇱