KOLEC TRABOINI
DJEMT E UÇK-së
- Djemtë e UÇK-së janë Dankot e popullit shqiptar -
(Publikuar më 31 mars 1998)
Çeshtjet e Atdheut janë
kardinale. Perpara interesave të larta nuk peshon as një rrëke e as një
lumë gjaku - po të mendonin ndryshe të parët tanë, nuk do të kishim as
histori, as Shqipëri, do të ishim mbuluar nga pluhuri i harresës, do të
ishim tjetërsuar. Është e natyrshme se mjaft shqiptarëve që rrojnë vetëm
për dyshekun e ngrohtë dhe rehatinë e stomakut - si në të kaluarën por
edhe tani, u vjen për hosh ky tjetërsim. Mirëpo asnjë komb e asnjë
popull nuk mbështetet tek renegatet e tij por tek bijtë më të devotshëm.
Me ketë vlerësim nuk dua të aludoj për asnjeri - kur analizojmë
fenomene nuk flasim për njerëz konkret. Duhet kuptuar se kanë ardhur
kohra dramatike, të nderlikuara dhe për fat të keq, kohës nuk i
pergjigjen dot brezat e sotëm, nuk dalin dot forca udhëheqëse dhe
organizuese, nuk dalin dot figura me potenciale të mëdha organizimi për
realizimin e qëllimit kombëtar- përkundrazi vëmë re se kush e kush po e
largon sherrin nga vehtja. Vetëm një Abaz Ermenji, figura e vetme e
brezit të luftës që merr pjese aktive në jetën e vendit - është bërë i
gjallë dhe ka shprehur angazhimin e tij. Të tjerët fjalë në erë. Pra në
këto kushte të një fryme gjoja pacifiste, por që në thelb është
disfatiste - a duhet ne të tregohemi nihilistë me ata të cilët kanë
marrë përsipër një rrugë me qellime të larta e për të cilën kanë vënë
kokën në torbë. E kam fjalen pikërisht për antarët e UÇK-së, organizatë
emri i të cilës po lakohet mbarë e mbrapsht. Dikush kapet pas asaj që ka
thënë Rugova si "segment serb"- mirëpo një mendje e kthjelltë e kupton
mirëfilli se kjo është një diplomaci e Rugovës e jo një vlerësim real i
kësaj organizate. Ndërsa në luftë ndiqet parimi kush t’ja ngeci tjetrit
plumbin, në politikë kush t’ja ngeci njeri-tjetrit mbrapshtitë, prandaj
Rugovës i interesonte si më parë dhe tani që t’ja vesh Sllobodanit e jo
politikës se vet( gandiane- paqësore), radikalizimin e gjëndjes. Fakti
është se deri në masakrën e Drenicës, Rugova si dhe Sllobodani kanë
ndjekur politikën e mosndryshimit të gjëndjes, statukuos - pra të dy
figurat toleronin me njëri-tjetrin. Rugova nuk bëri madje as dhe një
demonstratë të vetme, nuk mblodhi parlamentin, e tërë lufta e tij u bë
foltorja javore në ca konferenca shtypi prej të cilave ferrë në këmbë
nuk i hyri Sllobodanit. Nga ana e tij Sllobo e toleroi Rugovën duke e
lejuar të bënte paradat e shtypit si dhe të varavingove nëpër
kancelaritë e pothuaj tërë botës - rezultati i të cilave ishte një hiç
mos këput- kurrkush dhe kurrkund nuk e përkrahu as Qeverinë e Kosovës e
as e njohu si Republikë e as si shtet. Në këto kushte dolën forca nga
gjiri i popullit shqiptar të Kosovës që kërkonin me insistin prishjen e
gjëndjes së statukuose dhe këta janë UÇK-ja - pra Ushtria Çlirimtare e
Kosovës. Mirë keq, fakti është se statukonë e prishi kjo e vetëm kjo. Me
parullën "koha punon për ne", Rugova e politikanë të tjerë do të
vazhdonin deri në pafundësi një gjendje shtypje e pa rrugëzgjidhje. Kjo
që themi nuk është gjë e re, e thonë dhe e pranojnë të gjithë analistet e
huaj. Në këtë situatë ne kemi dy rrugë, ose do të shprehim simpatinë
për Djemt e UÇK-së, ose do të jemi indiferent ndaj tyre duke u
distancuar për të mos thënë më shumë. Gjithësesi, çdo shqiptar me
kombësi dhe me shpirt, i rrugës pacifiste apo luftarake, apo dhe ata me
të mefshit, duhet ta kenë të qartë se nëqoftë se ne nuk jemi të zot të
bëjmë atë që bëjnë të tjerët - pra të jemi në kry të atyre që venë
zemrën e vet në altarin e kombit,- të paktën të mos i pengojmë ata që
kanë një tjetër vizion - që kanë aspiratën e lartë për tu bërë Danko për
popullin e vet.
Të gjithë e dinë se sipas legjendës, Danko nxorri zemrën e tij nga gjoksi e me të në dorë çau errësirën e pyjeve dhe udhëhoqi popullin e vet drejt dritës - mirpo jo të gjithë mund ta bëjnë këtë sakrificë vetmohimi. Në Kosovë këtë po e bëjnë djemtë trima të UÇK , të cilët sot janë Dankot e popullit shqiptar në tërë trevat tona të Ballkanit.
Ata po shkruajnë histori - ndersa ne për fat të keq po zhagitemi! Deri kur?!
Të gjithë e dinë se sipas legjendës, Danko nxorri zemrën e tij nga gjoksi e me të në dorë çau errësirën e pyjeve dhe udhëhoqi popullin e vet drejt dritës - mirpo jo të gjithë mund ta bëjnë këtë sakrificë vetmohimi. Në Kosovë këtë po e bëjnë djemtë trima të UÇK , të cilët sot janë Dankot e popullit shqiptar në tërë trevat tona të Ballkanit.
Ata po shkruajnë histori - ndersa ne për fat të keq po zhagitemi! Deri kur?!
Nga arkivi i botimeve internetike:
From: TRABOINI
Date: Boston, Tue, 31 Mar 1998
From: TRABOINI
Date: Boston, Tue, 31 Mar 1998