- Një poet që shkruan
libra, i boton dhe i dhuron? Përse kjo zgjedhje?
Përveç
mundimit për ti krijuar, librat kanë edhe një kosto për botimin e tyre. Para
vitit 1990 librat i botonte shteti, privatizimi solli të mira por edhe të këqija.
Sot botuesit shqiptar nuk janë botues të tipit klasik si ta zëmë Ismail
Mulosmani (1920-1983) të viteve 30-40 të shekullit të kaluar, por janë
katandisur në shtypshkronjës që nuk financojnë e mbështesin autorët shqiptarë në
botime, por u marrin parat e u rrasin librat në dorë e ti çojnë ku të duan.
Kështu botimet janë në kaos, librat autorëve të lirë u mbetën në shtëpitë e tyre,
libraritë nuk i marrin pa pasur NIPT pra një licencë për të shitur, në këto
kushte libri nis e qarkullon duke u falur. Në panair lulëzon libri i huaj dhe
të vjen turp te shkosh atje ku ku 80 % e librave të paraqitur janë të huaj,
shto dhe botimet fetare. Letërsinë shqiptare po e vdesin. Libri botohet për tu
lexuar. Ca pseudo krijues që thonë se botojnë e fitojnë me libra, gënjejnë edhe
veten edhe lexuesin. Për të thyer këtë izolim të librit shqip, për të cilin izolim
japin ndihmesë negative si botuesit por edhe shteti, unë personalisht kam zgjedhur
rrugën e dhurimit të librave. E kam bërë këtë nëpër vite. Po ju referohem vetëm
viteve të fundit. Kam organizuar paraqitje (nuk më pëlqen fjala promovim) në
Tiranë, Prizren, Tuz, në Traboin të Hotit dhe i kam dhuruar libra
pjesëmarrësve. Por kam përdorur edhe forma të tjera si takime e biseda. Kështu bashkë
me kolegë kemi shkuar në Shtëpinë e Fëmijëve Jetimë në Tiranë dhe në qendrën e
fëmijëve në fshatin SOS, në Institutin të Miturve ne Kavajë, në shkollën “Betim
Muco” Kombinat, Tiranë dhe bashke me krijues të tjerë kemi dhuruar libra. Unë
bej kujdes të dërgoj libra në Bibliotekën e Prishtinës dhe në Bibliotekën
“Marin Barleti” Shkodër për çdo botim të ri.
- Çfarë doni të
tregoni ju me këtë? Çfarë mesazhi synoni të përcillni?
Për
krijuesin është fatkeqësi e madhe që të botojë libra dhe të mos i qarkullojë.
Përpara alternativës që libri të rrije stok, autori në këtë izolim të madh siç
e thamë, duhet të gjejë mënyrën që libri të shkojë tek lexuesi. Kjo është me e
rëndësishme se sa çdo lloj që mund të dalë prej shitjes tyre pak e nga pak apo pse
jo dhe aspak. Në kushtet edhe të varfërisë së njerëzve, dihet pamundësia për të
blerë libra, madje ka familje që e kanë problem edhe blerjen e librave të shkollës
për fëmijët e tyre. Po a duhen përjashtuar nga leximi këta fëmijë apo dhe të
rritur? Pra në këto kushte autorët duhet të luftojnë të shkojë te lexuesit produkti
i tyre intelektual pa marrë parasysh koston. Kjo kohë apatike në të cilën
krijimtaria artistike konsiderohet një handikap shoqëror, duhet përballuar duke
mos i humbur lidhjet me lexuesit me çfarëdo çmimi që të jetë.
- Në këndvështrimin
tim për ju është më e rëndësishme të lexohen krijimet tuaja sesa ju të fitoni
para. A kam të drejtë në këtë që them?
Padyshim.
Ka krijues që shkruajnë për para por ka edhe nga ata që shkrimin e kanë pasion
të jetës. Nëse në mes krijuesit e veprës letrare është pasioni, aty nuk mund të
flitet më për para. Nuk ka rëndësi fare paraja. Kjo nuk do të thotë se e
nënvleftësojmë paranë sepse ato na duhet për të prodhuar libra të tjerë, por të
tilla janë kushtet e tranzicionit të vonuar dhe të varfërisë së përgjithshme,
shkrimtarët dhe artistet dalin humbësit më të mëdhenj. Në këtë mes duhej që si
rregullator të hynte shteti për të stimuluar krijimtarinë letrare që para se
gjithash është pjesë e kulturës kombëtare.
- Për kë shkruani në
librat tuaja?
Për
krijues të lirë nuk ka receta. Krijimet shprehin ndjesitë dhe reflektimet ndaj
realitetit që na rrethon. Nëse flasim për poezinë, krijimi është pjesë e jetës
se krijuesit, mendimeve, ndjenjave, emocioneve dhe e veçanta e poezisë është se
nuk rend autori pas temave e subjekteve siç bën ta zëmë gazetari, nuk i ndjek,
ato vinë vetë sa në koshiencë apo subkoshiencë. Autori realizon krijimin e vet,
përshtypjet e tij për jete e marrëdhëniet njerëzore, botën, natyrën, historinë
e gjithçka për të cilën ka interes si qenie njerëzore. Mbase proza e gjatë ka synime
me të qëndrueshme por unë më shumë shkruaj poezi dhe eseistikë.
- Keni jetuar në
Greqi dhe SHBA, dua t’ju pyes, me aq sa keni parë ju, a e trashëgojnë gjuhën
shqipe dhe zakonet emigrantët shqiptar te fëmijët e tyre?
Kemi
humbje të mëdha jo vetëm të mendjeve intelektuale me këtë mërgim të madh pas
viteve 1990, por edhe humbje brezash të vazhdimësisë. E vërteta është se
shumica e familjeve shqiptare e ruajnë të folurën shqip në shtëpitë e tyre,
përpiqen tua mësojnë fëmijëve, ka edhe qendra te ndryshme ku shqiptarët kanë
krijuar klasa që fëmijët të mësojnë shqip. Por duhet pranuar se ka edhe shumë
familje që nuk i lënë fëmijët të flasin shqip për shkak të bëmave të zeza të një
pjese të vogël të mërgimtarëve shqiptarë. Kështu në Greqi, Itali, Angli por
edhe në Amerikë, madje vetë Hillari Klinton në një takim me shqiptarët në New
York u tha se duhet të bëni shumë kujdes se u ka dalë nami ju shqiptarëve. Dalja
e emrit të keq i bën shumë familje shqiptare të thonë që sa me larg shqiptarëve
aq më mirë është, e kur e themi kështu vete çfarë pritet të thonë të tjerët. Pra
faktorët më dëmtues janë shpesh brenda komunitetit shqiptar, ndaj gjen shqiptar
në Amerikë, në Boston e Filadelfia këtë e kam konstatuar vete, që shqiptarët lidhen me grekët, shkojnë në
kisha greke dhe një ditë ndjehen grek. Nisin dhe krushqit dhe fillon humbja e identitetit.
Flas për mërgimtarët nga Shqipëria. Kemi shumë bjerrje në diaspore.
- A është e vështirë
të jesh shqiptar larg kufijve të Shqipërisë?
Është
relative. Për brezin e vjetër, kur shkon në mërgim në një moshe të pjekur është
e vështirë të përshtatesh e të gjesh veten. Por fëmijët e shqiptareve të
shpalosin një pamje tjetër optimiste, jo vetëm që përshtaten por edhe kanë
ecuri. Dhe vihet re se fëmijët shqiptarë për shkak të inteligjencës natyrore por
edhe vullnetit kanë sukses. Po marr shembull veten. Të dy fëmijët e mi kanë
mbaruar universitetet, djali inxhinier kompjuterik dhe vajza art-komunikim,
djali punon në Boston e vajza sapo është ngarkuar me detyrë në një institucion
të shtetit amerikan në Washington DC. Unë kur gjendem atje e u mësoj nipave të
mi të folurën shqip dhe vjersha që i përshtaten moshës. Tomi është 4 vjeç dhe
unë me të flas shqip, ani pse ai nuk ka ardhur kurrë në Shqipëri. Këtë mendoj
se e bëjnë shumë familje shqiptare të Amerikës.
- Teksa gërmoja në
internet për ju dhe punën tuaj pashë se profesioni juaj është gazetar. Më
lejoni t’ju pyes si e vlerësoni gazetarinë në Shqipëri?
-
Më vjen keq se kuptimi i fjalës gazetar ka edhe pakëz grotesk. Dikur në monizëm
e quante veten gazetar edhe ai që shpërndante gazetat në fshat. Tani quajnë gazetare një vajze të re që veç
artikulon dy pyetje dhe mban mikrofonin në dorë nëpër ca intervista në lëvizje.
Mirëpo nuk shkruajnë qoftë edhe një artikull serioz në jetën e tyre. Aq me
tepër gazetaria ka humbur shumë sepse nuk njeh llojshmërinë brenda zhanrit të
gazetarisë. Askush nuk shkruan fejtone, nuk dinë çfarë është reportazhi, ku
dallon nga përshkrimi, apo çfarë është skica, vëzhgimi, pamfleti, grotesku. Kësisoj
konstatohet se gazetaria ka humbur shumëçka nga pikëpamja cilësore. Ndoshta
ndikon edhe përzgjedhja jo e mirë e studentëve apo dhe niveli i dobët i
mësimdhënies, por gjithsesi qoftë gazetaria sot lë për të dëshiruar.
Tirane
3 nëntor 2017.