KRISHTI ËSHTË DASHURI
- Reflektim –
Nga Kolec TRABOINI
Ky shtjellim është një bisedë me një mike që është më pranë engjëjve
të qiellit se sa unë mëkatari i dashurisë tokësore, që ndjek më së shumti atë
udhë të Hyjit që quhet revolta hyjnore e Jezu Krishti ndaj sarafëve dhe
mashtruesve në tempuj.
Fjala besim është shumë planesh. Nuk ka vetëm kuptimin e bindjes
së verbër. Nuk ka vetëm kuptimin e mosvënies në dyshim të koncepteve që kemi
trashëguar brez pas brezi, por ka edhe kuptimin e humbjes së baraspeshës të
emocionit e mendimit brenda vetes, ku ti nuk flet me priftin, por flet në një
intimitet të thellë me Atë që në çdo hall e nevojë i drejtohemi me fjalën,
"O Zot!". E kam lexuar Biblën me mendje të kthjellët. Atje veç
mësimit të besimit e përkushtimit, ka edhe katrahurën njerëzore, dënimet që Zoti,
para se të trupëzohej e shfaqej si Krisht, i jepte njerëzimit sepse ai ,
njerëzimi, kish shkuar tepër larg e në tjetër shteg e jo në atë që krijuesi
kish parathënë, ndaj më duket mbrapshti tinëzare kur për çdo marrëzi e ligësi
që bëjnë njerëzit të themi "Kështu desh Zoti."
Jo ashtu nuk desh Zoti i vërtetë, por zoti i rremë, vetë njeriu,
sepse Zoti i vërtetë, sipas asaj që kam lexuar e kuptuar, ka hequr dorë prej
njeriut me shkakun se mori udhë për skajore që nga momenti i ngjizjes. Sepse
Zoti e ka krijuar njeriun për ta bërë botën të bukur brenda dhe jashtë tij! E
ne që tashmë e lexojmë historinë ungjillore të botës, e dimë se ndër dy
pinjollët e parë që lindën në këtë dhè, Abeli dhe Kaini, ndodhi një
vëllavrasje. I dyti e vrau të parin pa dhembje e pa mëshirë. Pas mëkatit të
prindërve Adam dhe Evë, ndodhi krimi i parë i botës që do të për shumohej me
një vrasi marramendëse deri në ditët e vona.
Ndaj për ta ndaluar rrjedhën e gjakut u shfaq Krishti, fryma e
Zotit e mishëruar në trajtë njeriu, se ndoshta kështu do t’i bindte të ndërronte
udhën që kish marrë drejt greminave të shpirtit. U shfaq për ta shpëtuar
njerëzimin. Por ndodhi ajo çfarë nuk mund të mendohej. Njeriu kish shkuar aq
larg në shtigjet e errëta të së mbrapshtës sa ishte gati të vriste vetë
Krijuesin brenda trupëzimit si Krisht. Dhe e vrau trupin, por në të vërtetë
njerëzimi bëri vetëvrasjen më të madhe në tërë historinë e ekzistencës së vet,
mëkat që nuk është shlyer kurrë , ndaj dhe të gjithë qeniet njerëzore
konsiderohen si pjesëz e botës mëkatare. E kështu na quajnë, madje edhe ne
vetë, vetëquhemi mëkatarë.
Që nga momenti që u shfaq në tokën e Izraelit, Krishti është Zot
për ne katolikët, tek ai sendëzohet gjithçka, me atë ne e perceptojmë jetën në
cikle të ripërtërira në breza të pafundmë. Misioni ynë ndaj tij është para se
devocioni, ripërtëritja, çfarë nënkuptoj se popujt janë grigja e Krishti,
pasuria e vetme e tij si Zot, sepse çdo gjë tjetër e gjithësisë që shkon në
skaje të pa matshme e të pafundme, është veç gur, zjarr e shtjella gazi e
yjesh, vrima të zeza thithëse të gjithësisë që përpijnë e shuajnë planetë.
Misioni i çdo ardhësi në këtë botë është devocioni e ripërtëritja, të cilat
mishërohen në atë që quhet dashuri. Çdo lloj dashurie së pari lind të Krishti,
tek dashuria e sakrifica e tij për njerëzit, e pastaj kjo dashuri e madhe e
zemrës së tij shumohet në miliona njerëz që përfytyrohen si një pishtar që
kurrë nuk duhet shuar. Këtë pishtar e mban gjallë dashuria. Ajo që vret është
urrejtja, smira, ligësia, pasioni i egër për karriere, egoja për lavdi
tokësore. Ajo çfarë në dukje ndodh në jetën e përditshme e marrëdhëniet
njerëzore, dashuria, martesa, lindja, është vetëm një shkak për të mbajtur
ndezur pishtarin e Zotit në tokë. Ndaj gjithnjë kam thënë e them se Krishti
është dashuri. Ndjej ta dua Krishtin shumë e shumë më tepër se ekipet e
kuadruara e të veshur bukur të klerikëve, të cilët vërtetë përkushtohen, por më
së shumti këtë e bëjnë për interesa vetjake profesionale apo sepse janë me
profesionin klerik dhe është një lloj përkushtimi i kushtëzuar. Mbetëm me
mendimin se Krishti është dashuri, e kurrsesi allçi, parafinë, statuja të
rëndomta nga artistë gjysmakë nëpër hije e skuta monastiresh, të cilat të
largojnë aq shumë nga e vërteta hyjnore, trupëzojnë hyjninë në objekte materiale
e fare pak e shpirtëzojnë atë tek qeniet njerëzore, mesa duket shpesh e
harrojnë se Krishti është pjesë e jetës dhe jo e vdekjes. Kalvari dhe vdekja në
kryq nuk shënon largimin e Zotit nga njeriu, braktisjen e tij, por shënon
katarsis, mësimin nga mëkati, çfarë do të thotë se që nga shfaqja e Krishtit e
përkëtej, Zoti më shumë ka hyrë tek njeriu. Përjashto këtu shfaqjet e rrema,
kur njeriut i duket vetja si zot, vendos pushtetin e tij të egër mbi të tjerët,
kur në të vërtetë ai është një Luciferr a Kryedreq.
Sa më përket mua mund të them se, i përqasem asaj pjese të
grigjës që ndjek me dëshirë e vullnet e pa ndikimin e askujt udhën e Hyjit, në
aspektin që quhet revolta hyjnore e Jezu Krishtit ndaj sarafëve dhe mashtruesve
në tempuj. Të jesh në paqe e harmoni me vetën dhe hyjninë, nënkuptoj të
shfaqësh bukurinë njerëzore të shpirtit e cilësive të larta të mirësisë e
dashurisë, sepse për këtë shfaqje në eterniti e ka krijuar Zoti njeriut.
Krishti është dashuri!
Dashuri dhe dritë! Love & Light! Amen!