08 December 2018

Shenasi Rama: Mbi protestën e studentëve:qorrsokaku dhe rrugëzgjidhja


MBI PROTESTËN E STUDENTËVE TË UNIVERSITETEVE SHTETËRORE: QORRSOKAKU DHE RRUGËZGJIDHJA

Nga SHENASI RAMA

Ka shumë kohë që kam ikur nga rrjetet shoqërore dhe nuk kisha asnjë dëshirë që të kthehem e të humb kohën me politikën shqiptare. Atë që kam pasur për ta thënë e kam thënë në kohën e në vendin e duhur. Kur më është dhënë mundësia kam bërë atë që është dashur. Mirëpo, këto ditë kam ndjerë shumë presion që të shprehem në lidhje me atë që po ndodh me studentët në Tiranë. Dhe mendoj se, pavarësisht se nuk kam asnjë dëshirë me u marrë me këtë punë, duhet folur sepse nuk kemi kushte për të përsëritur gabimet e mëparshme dhe për të shkarë në qorrsokakun e pritshëm dhe në kurthin që ka përgatitur paria e Tiranës.
Studentët e Universiteteve Shtetërore në Tiranë kanë lëvizur dhe po protestojnë. Protestat e tyre janë intensifikuar këto ditë dhe duket se do të ketë vazhdimësi edhe në ditët e ardhshme. Pavarësisht heshtjes formale qeveritare, thashethemnajës së ndyrë militanteske, dhe bashkëfajësisë së mediave të shkruara dhe pamore që janë shndërruar në vegla të hapura të parisë së Tiranës, jehona e protestave studentore është e jashtëzakonshme. Prandaj, kjo ngjarje duhet trajtuar me seriozitetin e duhur dhe me vëmendjen që meriton. Në këtë kontekst duhen përmendur dhjetë elementë shumë të rëndësishëm që do të përcaktojnë në se do të shkohet në qorrsokakun e pritshëm apo në një rrugëzgjidhje të dobishme për të gjithë shoqërinë.

SË PARI, gradualiteti në rritjen e kërkesave tregon praninë e mendjeve të matura dhe që dinë se cfarë duan e cfarë mund të merret. Teknika e organizimit të protestave të tilla është që duhet shkuar nga një lëshim i pushtetarëve në një lëshim tjetër. Kërkesat nuk mund të jenë maksimaliste që në fillim. Protesta të tilla thyhen dhe e humbin fuqinë kur kërkohet e pamundura. Suksesi krijon mbështetje dhe e rrit fuqinë dhe kohezionin e masës. Prandaj, kërkesat që u paraqiten sot tregojnë se mund të shkohet në qorrsokak duke kërkuar përfaqësim vendosës në përzgjedhje dekanati e rektorati (interes i qartë pedagogëve), apo financim të doktoratës (interes i asistentëve). Rrugëzgjidhja do të ishte formulimi i kërkesave që janë jetike për studentët sic janë, bie fjala, kushtet e jetesës, garancia e punësimit përmes konkurimit, praktika profesionale, mbështetja për të varfërit por edhe të talentuarit, eleminimi i korrupsionit universitar, krijimi i një sistemi anonim vlerësimi të profesoratit nga studentët, e me radhë. Pra, kështu si është nisur puna, mund të shkohet në qorrsokak, dhe po u bënë gjërat e duhura, mund të shkohet në rrugëzgjidhjen e duhur.

SË DYTI, të gjithë ne që merremi me problemet shqiptare, të paktën në kohën tonë të lirë, e dimë që rinia studentore është përdorur sistematikisht për të ncjerrë nga zjarri gështenjat e një pale ose të një pale tjetër të parisë. Për Lëvizjen Studentore Shqiptare, mund të them se kam qenë nga të vetmit që nuk e kam lejuar këtë gjë me ndodhë ashtu si deshën udhëheqësit e parisë. Por mbas nesh, rinia studentore u përdor nga PS (FRESSH) në periudhën 1992-1994, nga PD (në protestat e vitit 1998), nga të huajt me MJAFT, dhe ky është një moment tejet kritik në këtë vazhdimësi. Problemi është se po u përdor për qëllime jo fisnike rinia studentore atëherë edhe një brez i tërë diskreditohet bashkë me lëvizjet e gabuara. Prandaj, të gjithë ata që merren me ketë protestë duhet të jenë të vetëdijshëm se çfarë barre kanë marrë përsipër. Në se nuk bëjnë gjënë e duhur, ata do ta zgjasin agoninë edhe një brez, por po bënë gjënë e duhur, e afrojnë zgjidhjen me një brez.

SË TRETI, është problemi ideologjik që lidhet direkt me zgjidhjen e duhur. Ideologjia të tregon ku je, pse duhet ndryshuar dhe ku duhet të shkohet e pse. Në kushtet dhe në momentet e tanishme, ka vetëm e vetëm një zgjidhje që iu shërben shqiptarëve: ndërtimi i shtetit-komb. Dalja në krye të protestave e shumë vetëve që identifikohen ose si anarkistë, ose si marksistë në vetvete nuk është problem. Ne shqiptarët, dhe pakicat që jetojnë me ne, gjatë viteve të sundimit të shtetit nga Enver Hoxha, kemi zhvilluar një varësi të madhe nga shteti dhe një vetëdije të thellë për natyrën e sistemit kapitalist që aq shumë u propagandua në shtetin shqiptar. Mirëpo në këtë pikë, si për shqiptarët, ashtu edhe për pakicat që jetojnë me ne, zgjidhja e vetme që mbron popullin nga egërsia e sistemit është shteti. Enver Hoxha e coi këtë konceptim në ekstrem, por në thelb kuptimi i rolit qëndror të shtetit si mbrojtës i të varfërve e të pamundurve ishte relativisht i saktë. Prandaj, ndryshe nga ideologjitë që lindin, si kundërvënie e sistemit oligarkik që sundon në Tiranë, ajo që duhet është një vetëdije e thellë kombëtare në këto protesta. Marksizmi është I dobishëm sa kohë që formulohet si demokraci shoqërore, me një shtet solidar, në shërbim të shoqërisë që e mban gjallë.

SË KATËRTI, është udhëheqësia dhe problemi i saj. Deri në këtë pikë, duket se pedagogët dhe profesorati luajnë një rol më të madh se sa duhet e se sa është e dobishme në këto protesta. Këto janë momentet kur të rinjtë e të rejat formësohen si udhëheqës dhe si karaktere. Dhe në këtë farkë përplasjeje me pushtetin do të lindin ata që mund të bëjnë ndryshimin sot dhe nesër. Pedagogët duhet të mbështesin studentët e tyre dhe të ndihmojnë ne ngjizjen e karaktereve që do të jenë drejtuesit e ardhshëm të shoqërisë. Herët ose vonë, edhe ky brez do të gjejë vendin e vet në konstelacionin e politikës shqiptare. Nuk duhet që ky brez të mendojë se janë përdorur si mish për top për interesat e pedagogëve apo të atyre që i financojnë apo që fshihen mbas tyre.

SË PESTI, rinia universitare e universiteteve shtetrore nuk duhet të ndahet nga katër elementë që janë jetikë për atë vetë: a- studentët e universiteteve private; b- universitetet jashtë Tiranës; c- të shkolluarit jashtë; dhe d- qytetarët e gjithë shtetit shqiptar. Korrupsioni, paaftësia, krimi moral dhe ekonomik, qelbësia njerëzore dhe të tjera dukuri të errëta dhe të papëlqyeshme ndikojnë njëlloj në të gjithë këto shtresa. Prandaj, me kujdes, por me këmbëngulje, kushdo që del në krye të protestatve duhet të mbajë parasysh se lufta bëhet për të gjithë e jo vetëm për ata që janë në universitetet shtetërore.

SË GJASHTI, ndyrësia politike ka shkuar thellë shumë thellë, dhe për një kafshatë buke njerëzit janë gati të bëjnë cdo gjë. Prandaj ruajtja nga provokimet e partive të oligarkisë së parisë dhe të rinjve që militojnë në to, ose që kanë qënë në akademitë e kampet e frikshme ku i rekrutojnë (PS, LSI, PD, PDIU e me radhë) është një domosdoshmëri. Nuk ka asnjë dyshim që këto ndyrësira të të gjithë kohëve që kanë bërë krime të pallogaritshme do të kërkojnë të ndyejnë edhe këto protesta. Vetë do të kisha thënë se zgjidhja është parashtrimi i kërkesave të duhura duke shmangur këto vegla të parisë politike dhe ekonomike. Vetëm e vetëm në se bëhen pjesë e strukturës si individë atëherë edhe mund të ndryshojnë.

SË SHTATI, duhet kërkuar ndihmë materiale e financiare, jo nga të huajt, por nga shqiptarët. Nuk ka pse pritet që materialet, sic janë kërkesat të shkruhen me dorë, kur me pak lekë edhe shtypen kudo. Anteu mori forcë nga dheu, edhe studentët nuk duhet të kenë fare frikë të kërkojnë mbështetjen nga njerëzit. Dje një nën shpërndau bukë. Nesër shqiptarët do ju mbrojnë me jetë. Kush e humb besimin tek populli i vet nuk e arrin kurrë atë që duhet në politikë. Hapni zemrat për njerëzit dhe njerëzit do ju kenë në zemrat e tyre.

SË TETI, është domosdoshmëri krijimi i një strukture authoritative e drejtuese që të jetë si përbashkuese ashtu edhe e mencur deri në atë pikë sa të mund të vendosë për ecurinë e proceseve dhe të protestës. Le të jenë një pjesë profesorë e pedagogë, por mbi të gjitha, le të jenë studentë e studente, të pastra e pa të shkuar të dyshimtë. Këta do të jenë e ardhmja dhe e ardhmja është e tyre. Ata që e kanë pasur shansin në jetë duhet të jenë themeli mbi të cilin duhet të ngrihen brezat e rinj, ashtu si na duhen e me mendësinë që duhet.

SË NËNTI, pushteti në Tiranë është në dorën e një grupimi tejet të korruptuar që nuk njeh as komb, as atdhe, as fe, as njerëzi e as ndershmëri. Kjo pari kaq kozmopolitane dhe globaliste do të bëjë çdo gjë që të shkatërrojë edhe me tej kombin shqiptar. Le të mos ketë kush dyshim se ata do të bëjnë çdo gjë që të shkatërrojnë studentët deri në fund e pamëshirë, duke përdorur çdo instrument në duart e tyre. Shteti ka shumë instrumente dhe shumë prej tyre, që nga dhuna tek zvetënimi janë shumë efikase në arritjen e qëllimeve të parisë që sundon. Dhe kjo pari që sundon nuk ka asnjë moral, asnjë vlerë, as ndjenjë apo besim, përveç parasë. Dhe ka shumë skllevër që janë të shitur për bukën e gojës.

SË DHJETI, ruhuni nga të huajt e nga veglat e tyre të shumta. Ai shtet që na duhet ne, ku studentët të mund të jenë qytetarë normale e njerëz si duhet, nuk është ai shtet që iu duhet atyre. Ka zgjidhje që iu shërbejnë shqiptarëve e vetëm shqiptarëve dhe ka zgjidhje që iu shërbejnë atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve. Vorbulla e pastron ujin e lumit, por edhe të mbyt prandaj edhe duhet pasur kujdes kur njeriu e dëshiron një gjë të tillë.
Në përfundim, do të thoja se po të kisha mundësinë me u folë studentëve të këtij brezi do të këmbëngulja se vetëm ata që e kuptojnë si duhet përgjegjësinë historike e bëjnë ndryshimin që duhet. Me një komb të shtrirë përtokë, me një shoqëri të rrjepur e të vjedhur deri në palce, me një pari të degjeneruar deri në ekstrem, me një oligarki kriminale e mafioze, me një shtet të kapur nga mafia e sindikata ndërkombëtare e krimit, me një administratë të korruptuar e pa karakter, me çdo parametër moral, njerëzor e kombëtar në nivelin më të ulët, është detyrë e juaja, e të gjithë atyre që duan të jenë shqiptarë që të kërkojnë që të nxjerrin kombin e tyre e tyre nga llumi ku po vdes dhe të kërkojë me ia dhanë atë dinjitet që meriton midis kombeve të tjera. Në çdo shoqëri këtë detyrë fisnike, dhe në dukje të paarritshme e marrin përsipër ata që kanë rini e dëshirë, vullnet e pastërti, studentët si ju.
Pyetja për mue shtrohet, a do të jeni ju në atë nivel vetëdije politike e qytetarie, kombëtarizmi e morali ku kam qenë unë por edhe ata pak shokë të mi që, pa u thye, dhe me karakter, ndërruam pa mendue dy herë për jetën një sistem që dukej i pathyeshëm?? Koha ka me e tregue, por ju keni me ia tregue si kohës, ashtu edhe ne shqiptarëve se sa vleni si brez, si studentë si njerëz, dhe për ata që janë shqiptarë, çfarë lloj shqiptarësh jeni ju sot. Sepse ashtu si të silleni ju sot, do të jetë edhe brezi i ardhshëm nesër. Dhe kombet nuk kanë kurrë luksin me humbë një brez studentor pa bërë atë që duhet në shërbim të kombit, të shtetit, dhe të atyre që nuk kanë as mendjen, as fuqinë, as guximin me e luftue të keqen pa asnjë kompromis.