RËNIA E MARKO BOÇARIT, NJË TRAGJEDI
NDËRSHQIPTARE
Nga K. P. Traboini
Piktori gjerman Peter Von Hess
(1792-1871) është i njohur për punimet e tij ku pasqyrohen ngjarjet e luftës
për pavarësinë e Greqisë. Vihen re se luftëtaret janë pothuaj të gjithë arvanitas,
çfarë e përcakton veshja por edhe emrat e tyre si Marko Boçari, Andrea Miauli,
Laskarina Bubulina e tjerë. Vërehet se, ndryshe nga studiuesi tjetër gjerman Jakob Philipp
Fallmerayer qe vinte ne dukje
kontributin shqiptar dhe vinte në dyshim lidhjet e grekëve të rij me ata të
lashtë, ky piktor nuk shënon përkatësinë e luftëtarëve, por thjeshtë i
konsideron grekë. Mesa duket pikturat e tij nuk kanë lidhje dhe aq shumë me realitetin e kësaj
kryengritje. Në një pikturë ka venë shënimin "Palikarët grekë" kur në
të nuk ka asnjë grek e asnjë palikar tjetër veç shqiptarëve veshur me
fustanellat e tyre të bardha karakteristike. Pra tjetër ishte realiteti e tjetër
interpretimi. Dëshira për të lidhur grekët
e rinj me të lashtit ishte një aventurë e iluministëve europianë dhe një
grotesk i vërtetë, siç e cilësonte
Fallmerayer. Mjafton të përqendrohemi në një prej punimeve të tij për të
kuptuar se ai nuk kishte njohje të thella për çfarë kishte ndodhur në luftën për
pavarësinë e Greqisë dhe cilët ishin forca kryesore dominuese në ato luftëra. Dihet se rënia në betejën në
Karpenisi të Marko Boçarit është bërë subjekt i shumë punimeve të piktorëve
europianë. Edhe Peter Von Hess ka një të tillë. Kuptohet se figura e Marko
Boçarit është trajtuar realisht me veshjen e tij karakteristike shqiptare. Por
ai që qëllon mbi Marko Boçarin nuk është i përcaktuar saktë. Mesa duket piktori
gjerman më shumë është mbështetur në tregimet e të tjerëve apo në shkrime të
asaj kohe duke marre prej tyre njoftime që nuk përkonin dhe aq me realitetin
apo ai i ka keqkuptuar ato. Në pikturën që e bashkë shoqërojmë
me këtë shkrim vihet re se ai që qëllon mbi Marko Boçarin është një luftëtar zezak.
Kjo nuk është e vërteta historike. Dihet, dhe shkruhet gjithashtu, që Marko
Boçarin e ka vrarë në betejë shqiptari Lleshi i Zi, luftëtar nga Mirëdita.
Duket se të dhënat që ka marrë piktori Peter Von Hess kishin të bënin me një
luftëtar të zi dhe jo një luftëtar që kishte epitetin të tillë. Nga ky
keqkuptim ai ka realizuar në pikturë një luftëtar zezak që qëllon mbi shqiptarin suljot
Marko Boçari, çfarë nuk kishte të bënte me realitetin, as në pamje e as në
veshje. Duke mos e njohur historinë e
vërtetë të kryengritjes është e natyrshme që ta pasqyronte atë jo krejt saktë,
prandaj nuk gjendën të shënuar në asnjë vepër të tij arvanitët-shqiptarët, për
të cilët historianët seriozë me të drejtë thonë se, 95 për qind të heronjve të
luftës për pavarësinë e Greqisë ishin shqiptarë. Por mjerisht një pjesë e
shqiptarëve ishin të rreshtuar në anën tjetër të frontit nën shërbimin e
ushtrisë pushtuese turko-osmane. Ndaj në shumë luftëra vramë njeri-tjetrin,
derdhëm gjakun tonë në beteja që shkonin në favor të shteteve të tjera
ballkanike. Kjo ishte një tragjedi të cilën e kemi vuajtur thellë si popull,
por edhe e kemi paguar shumë shtrenjtë në histori.
______________