31 May 2024

Ne e kemi mbretëreshën ilire dhe e mohojmë - nga K. P. Traboini

 


NE E KEMI MBRETNESHEN ILIRE DHE E MOHOJMË

Pinjollët e sotëm nuk duan t'ia dinë për Rozafë e Teutë e rreken pas çelsave të shtrëmber që nuk ka Viagra që i drejton. Teuta, Genti, Bato, Barleti, Marin Beçikemi, Dasho Shkreli e Oso Kuka,  Gjergj Fishta e Kol Idromeno dhe lavdia historike nuk ka fund.Që në krye po ju bëj thirrje: mos u bëni plangprishës të indentitetit shkodran, zhytun në mosdije se koha nuk ka mëshirë për mediokrët, Servantesi i ka djegur në Mançë të gjitha historitë me aventura të çakërrdisura. Këtë fat u ka taksur skrapaxhinjëve edhe sot e kësaj dite. Kjo Teutë në foto është diku në Europë, atje ku nuk pinë ujë gozhdat e ndryshkura të Lei Fenit. E quaj Teutë, anipse gjermanët i thonë Nëna Gjermani. Ka ndonjë që pakuptueshëm më heq vërejtje se kjo shtatore nuk është Teutë e as Rozafë por Elbë në Dojçland: Eja merru vesh me miletin. Jo po nuk është Mrika, por është Marika.  Nëse doni të më kuptoni, ju shpjegohem, dua të them se skulpturat në vende publike janë simbole që shprehin një realitet të largët, një indentitet, histori apo personalitet. Nuk janë autentike se askush nuk e di portretin real të Teutës apo Zhan D' Arkës, por vënë në punë imagjinatën. Kjo skulpturë në Gjermani buzë lumit Elba ka një domethënie, përftyrim njerëzor siç kemi ne për Rozafën. Por ama nuk është një çelës i ndryshkur, i shtrembër,  që vlen veç për skrap. I vë emrin Teutë asaj skulpture fantastike në Gjermani se ashtu është përftyrimi im mbi mbretreshën ilire, në qëllimin e përftyrimin e bëmave historike.  Statuja e Lirisë në Amerikë është përftyrim njerëzor e jo të një sendi utilitar, portreti i një femre franceze kthyer në simbol lirie e jo një gozhdë, apo çekiç, as uturak e as brisk berberi!  Nëse e kuptoni domethënien e problemit send apo njeri, raportet e tyre, realitetit me përftyrimin, personalen dhe publiken, krijimin dhe surogaton, OK, përndryshe mos na lodhni me komente që nuk thonë asgjë. Për të çakërrdisurit dua t'ju sjell një shëmbellësë që përket me këtë gjënë prej ndryshku që ju imponua Shkodrës. Kush ka pak gramë e përvojë, siç di të lexojë në mes të rrjeshtave di të deshifrojë veprimet në prapaskenë. Populli thotë  "Fshati që duket nuk do kallauz" në këtë kuptim Shkodrës po i imponohet dhunshën simboli i eunukut dhe impotencës. Një piktor i madh francez Gustave Courbet realizoi një pikturë që e titulloi "Origjina e botës", pjesën intime të një femre. E sjell në vemendje për të treguar se jo çdo art, çdo krijim ka atributet të vendoset nëpër sheshe publike. Mos vallë e vendosi Bashkia e Parisit organin femëror si simbol i qytetit. Jo, sepse ata nuk janë të marrë. Marrëzinë na kanë e lënë ne me një çelës të shtrembër që simbolikisht shpreh organin mashkullor në kohë të kryer, ose që mund të merrej mirëfilli si reklamë për shitjen e Viagrës. Për të saktësuar mendimin shtoj se bota e qytetruar, nuk ka vënë si emblemë të indentitetit të një qyteti një partallë, çelës të ndryshkur, një bravë a shul, a vrimë, por një njeri, figurë a eviniment historik. Skulptori i njohur e i respektuar shkodran Ferid Kola ka realizuar disa vepra shumë të bukura që i kanë mbetur në studio. Dy të rinj që kanë ndaluar biçikletat e bisedojnë. Një mrekulli për një shesh publik. Në atë grup skulpturor frynë erë lirizmi, tipike për Shkodrën. Ka realizuar gjithashtu një projekt monument madhështor për Mbretin Gent, simboli historik i Shkodrës që mbarë bota e njeh,  por edhe për Kol Idromenon. Por jo, le të rrinë në studio këto vepra të mëdha se nuk i do Padishahu i Tiranës. Nuk duket, nuk ka ndonjë urdhëresë me shkrim, por është i lexueshme ky imponim. Që që të kthehemi aty ku e nisëm, figura që shoqëron shkrimin simbolizon vertetë  Gjermaninë, anipse kjo skulpturë ka fare pak lidhje me prusianët historikë sepse duket si mesdhetare. Por artistët krijues dhe princër të artit ngulmojnë për më të bukurën. Ndaj dhe unë e përftyroj, në të drejtën time, më shumë si një mbretreshë historike të ngrohtë se sa një femër prusiane diku andaj nga fjordet e Veriut të Ngrirë ku bukuria është e ftohtë. Mos u lodhni të më bindni për të kundërten, unë këtë e përftyroj si Mbretreshen tonë Ilire që kalimtaret e kësaj bote as që e përfillin. Por nuk ka dert. Koha është një dimension i madh. Mizat, ani pse jetojnë veç një ditë, bash në atë të voglën ditë ju duket vetja zot, por sado e gjatë të jetë nata, nesër dielli lind përsëri.

Kolec P. Traboini

30 May 2024

Matteo Hamzai - fitues i Constitution America 2024


 13- VJEÇARI MATTEO HAMZAI NËPËRMJET NJË KËNGE FRYMËZUESE FITON KONKURSIN CONSTITUCION AMERICA 2024

Në një arritje të paprecedentë, 13-vjeçari Mateo Hamzai ka fituar Constitution America Contest 2024 në kategorinë e këngës. Pavarësisht se konkursi zakonisht rezervohej për studentët e kolegjit, talenti dhe pasioni i Mateos për parimet e Kushtetutës së SHBA shkëlqeu, duke i dhënë atij nderime të larta. Hamzai, me origjinë shqiptare, mahniti gjyqtarët me këngën e tij origjinale kushtuar Kushtetutës dhe parimeve të demokracisë që mbështesin Shtetet e Bashkuara. Teksti i këngës dhe performanca e tij e përzemërt rezonuan thellë, duke shfaqur një kuptim të jashtëzakonshëm të vlerave qytetare të pazakonta për dikë të moshës së tij. Konkursi i Kushtetutës Amerikane synon të angazhojë të rinjtë me parimet themelore të Kushtetutës së SHBA përmes zhanreve të ndryshme krijuese, duke përfshirë esetë, artin dhe muzikën. Fitorja e Mateos është veçanërisht e dukshme duke pasur parasysh moshën dhe nivelin tipik arsimor të pjesëmarrësve të tjerë. “Doja të shprehja vlerësimin tim për liritë dhe të drejtat që kemi në këtë vend”, tha Mateo në një intervistë. “Prejardhja dhe përvoja e familjes sime më kanë bërë të vlerësoj demokracinë dhe kushtetutën edhe më shumë.” Kënga e Mateos jo vetëm që nxjerr në pah talentin e tij të jashtëzakonshëm muzikor, por edhe zotërimin e tij të thellë të koncepteve kushtetuese, një frymëzim si për bashkëmoshatarët e tij ashtu edhe për studentët më të vjetër. Fitorja e tij ka sjellë krenari për komunitetin dhe familjen e tij, duke theksuar kontributin e pasur të emigrantëve në shoqërinë amerikane.

Gazeta "Panorama"

Tiranë 21 maj 2024

-------------------------------

VETPARAQITJA E MATEOS

në Konkursin Constitution America

Përshëndetje, emri im është Matteo Hamzai dhe jam 13 vjeç dhe jam një nxënës i klasës së tetë në shkollën e mesme në Virxhinia. Unë kam lindur në Boston, MA, por familja ime është me origjinë nga Shqipëria, i njëjti vend i origjinës si Nënë Tereza dhe jam shumë krenare për këtë fakt. Unë e konsideroj Bostonin qytetin tim të lindjes dhe vizitoj familjen time që jeton atje disa herë në vit. Shumicën e stinës së verës e kaloj në plazh, në Cape Code, MA. Në kohën time të lirë, më pëlqen të lexoj, të luaj dhe të shikoj sporte ose të dëgjoj muzikë. Dëgjoj një shumëllojshmëri të muzikës, kryesisht country, hip hop dhe disa muzikë klasike. Më pëlqen të lexoj libra për Luftën Civile, Luftën e Dytë Botërore dhe disa romane artistike. Lëndët e mia të preferuara në shkollë janë Historia, Shkenca dhe Matematika. Gjithashtu merrem me sporte si basketboll dhe futboll. Unë luaj për ekipin e basketbollit të shkollës sime dhe luaj futboll jashtë shkollës. Një tjetër nga hobet e mia të preferuara është të krijoj video. Më pëlqen të xhiroj video me miqtë, kushërinjtë e mi dhe më pas t'i montoj ato. Preferenca ime muzikore përfshin violonçelin që kam luajtur prej disa vitesh. Më pelqen shumë instrumenti dhe shpresoj të luaj në shkollë të mesme. Mësova për Kushtetuten e Amerikës dhe konkursin kur grupi organizator vizituan shkollën time për një takim.   Jam jashtëzakonisht mirënjohës për mundësinë që më dhanë organizatorët, mësova shumë për Kushtetutën nga konkursi dhe shpresoj që edhe ju të mësoni më shumë për Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

‐--------------------------------

Intervista Komisionit Organizator me Matteon


🔸️ Ishte kjo hera e parë që hyre në konkurs?

 ✅ Po

🔸️️ Si keni dëgjuar për konkursin?

✅ Erdhën në shkollën time dhe bënë një takim.

🔸️️Çfarë e frymëzoi punën tuaj?

 ✅Nuk isha shumë e sigurt se çfarë doja të bëja në fillim, por provova një sërë gjërash dhe kuptova se duhet të paraqitesha me një këngë.

🔸️️ Çfarë mësuat gjatë kohës së krijimit tuaj?

 ✅Mësova shumë më tepër për lirinë e shprehjes sesa në të kaluarën.

🔸️ Si planifikoni t'ua përhapni fjalën bashkëmoshatarëve tuaj këtë vit për rëndësinë e Kushtetutës së SHBA?

✅ Do të përpiqem t'i mësoj njerëzit që takoj për rëndësinë e Kushtetutës, sepse nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë se vendi ynë është themeluar dhe rrënjosur prej saj.

🔸️ Si i përgjigjen miqtë tuaj historisë apo bisedave për Kushtetutën?

 ✅Kur mësuam për Kushtetutën, unë dhe miqtë e mi ishim shumë të prirur për të mësuar rreth Kushtetutës dhe ndikimin e saj në historinë amerikane.

 🔸️Çfarë ju pëlqen për historinë e SHBA-së dhe formimin e qeverisë sonë?

 ✅Më pëlqen se si kemi kaluar nëpër shumë beteja dhe luftëra si vend dhe ende jemi bërë kombi i madh që jemi sot.

🔸️ Cilin vend historik të SHBA-së do të dëshironit të vizitonit?

 ✅Do të doja të shkoja në Ellis Island në Nju Jork

 🔸️Cila figurë historike amerikane është më me ndikim frymëzues për ju?

✅ Abraham Lincoln ishte një personazh shumë frymëzues për mua pasi ai ishte një person shumë i zgjuar, merrte vendime të mira dhe ishte një udhëheqës i shkëlqyer.

 🔸️Kush është modeli juaj më i madh?

✅ Modeli im më i madh është Michael Jordan që kur u shkëput nga ekipi i shkollës së mesme si student i vitit të dytë e vazhdoi karieren sportive, dhe tani konsiderohet si një nga atletët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

 🔸️Për çfarë jeni më i apasionuar në jetën tuaj?

 ✅Më pëlqen të bëj muzikë dhe tekst, prandaj vendosa të bëj një këngë

🔸️ Si e kaloni kohën tuaj të lirë?

✅ Më pëlqen të lexoj, të luaj sport dhe të dëgjoj muzikë.

 🔸️Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

 ✅ Vertetë nuk jam i sigurt akoma. Jam ende një fëmijë dhe dua ta shijoj sa të zgjasë këtë moshë.

 🔸️Nëse do të mund të bënit një gjë me shumë ndikim për të ndihmuar njerëzit, cila do të ishte ajo?

 ✅Vetëm për të qenë ndihmues dhe për të kontribuar për njerëzimin. Unë dua ta bëj familjen time krenare dhe ta ndihmoj botën të përparojë.

️🔸️ Pse Kushtetuta është e rëndësishme sot?

✅ Ajo ende sherben për jetën e përditshme dhe në thelb vendos rregulla që të mund të jetojmë në një vend të sigurt.

---------------------------

🟥 Padyshim që edhe gjyshi është krenar. Kënga në Rab Stile në këtë link:

 https://youtu.be/ljvbeZgGcbw?si=N4YADOWdZ4yG2-Ug

Përg. Kolec P. Traboini






10 May 2024

Deri kur me rroga kaq të vogla, z. Kryeministër? - nga K. P. Traboini



DERI KUR ME RROGA KAQ TË VOGLA, z. KRYEMINISTËR?

Nga KOLEC P. TRABOINI

Populli më i varfës në Europë me taksat më të larta. Për të vënë duart në kokë. E pastaj pyesin djallëzisht "Pse ikin shqiptarët?" Dhe politikanët në oratori bajate i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit duke dalë vetë si lugë e lame.
Kush ka qenë ajo mendje diabolike që pas vitit 1992 i ka venë taksat e mallrave ushqimore e të konsumit për popullin 20 % askush nuk e thotë. Aleksander Meksi dhe ca injorantë që na u shpifën si ministra, bëjnë sikur nuk dinë asgjë dhe thonë se i kanë shërbyer popullit (lexoni rjepur).
Po fol diçka edhe ti, o Sali Berisha si orator që je, se ti je ideatori dhe ekzekutori i kësaj masakre mbi të varfërit. Kinse nuk e dinit se shqiptarët të paktën taksa ushqimi nuk duhej të kishin fare. Jemi populli më i varfër në Europë me taksat më të larta. Kjo e bën jetesën të pamundur në Shqipëri dhe e motivon qytetarin të braktisë Atdheun si të ishte tokë e shkretë ku nuk jetohet.
Po le të lëvizim pak në krahët e politikës.
Pse kjo parti e majtë në pushtet me gjasë më shumë se 12 vjet nuk ka në programin e saj uljen e taksave dhe rritjen e mirëqenies së popullit. Ata nuk po kompensojnë qytetaret as sa vlera çdo vit e inflacionit të lekut. Nuk bëjnë as indeksimin. Guvernatori i Bankës së Shtetit del e flet për forcimin e lekut kur leku është në inflacion galopant. Mishi, djathi, qumështi, e plot ushqime të tjera janë dyfishuar në çmim, çfar një logjikë normale të thotë se leku ka inflacion 50-100 %. Ku e gjejnë këta forcimin e lekut? Mos vallë këta e konsiderojnë popullin shqiptar budalla.
Shtrohet pyetja a kanë partitë ekonomistë të cilët të hartojnë programe reale zhvillimi, se me fjalime idiote e me referenca historike për lavdinë e krahinave veç rrahin ujë në havan. Nuk bëjnë një premtim real, nuk thonë një shifër të mundëshmë për tu realizuar.
E dini sa janë taksat në Amerikë ku të ardhurat janë deri 20 herë më të mëdha se të shqiptarëve?
Ushqimet nuk taksohen. Mallrat e konsumit taksohen 5.75 %. Të pakten në Washington DC dhe Virginia rreth kësaj shifre vërtiten, ju paraqesim faturat e disa blerjeve me veshmbathje dhe ushqime. Që të mos duket se po bëjnë lojra fjalësh siç bëjnë palo panelistët, kasnecët e politikës në emisione televizive.
Si është e mundur të mos flasin për këtë politikanët, deputetët, dhe as populli të mos protestojë kundër varfërisë. Jemi kthyer në një popull mjeran. Që nuk kemi zë të kërkojmë trajtim human, heshtim edhe kur na vjedhin. Ministrat na dolën hajdutë me thes dhe askush në popull nuk bzanë. Pa le sindikatat servile pushtetesh dhe shoqatat që janë kthyer në çerdhe zhvatësish e ju lakadredhen qeverive si prostituta për ca para të qelbura. Nuk janë të qelbura mund të thotë ndokush sepse kryetaret e shoqatave kanë të paktën nga dy vila të ndërtuara pas vitit 1990 dyqane dhe parkingje. Dhe as nuk marrin guximin të kërkojnë të ulin taksat katastrofike për qytetarët shqiptarë që janë më mjeranët në Europë.
Pse atëherë u dashka që këtyre politikanëve mashtrues tu japim votën e të bëhen deputetë e ministra.Keni dëgjuar të flasë ndonjë deputet për problemet e popullit? Pyeteni veten "Pse?". Keni dëgjuar ndonjë deputet kukull në Parlament ti ngrejë si problem taksat 20 % të ushqimit të popullit me të varfër në kontinent? Jo, sepse ato taksa që mblidhen vlejnë për luksin e tyre.
Se me ato taksa me vendim Qeverie me firmë e vulë të kryeministrit, deputetëve e ministrave ju rriten rrogat sa 10 herë rroga e një punëtori. Është rasti të kujtojmë pensionet 150 dollarë në muaj që mezi embajmë frymën të mjerët njerëz.
Desha të kujtoj një thënie të poetit të madh Lasgush Poradeci. I madh poeti, por rroga në ekstremin tjetër. E panë një ditë të kalonte i menduar në rrugën e Kavajës dhe e pyetën me nderim se ku po shkonte.Lasgushi nuk ja zgjati e u tha:
"Po shkoj të marr roçken time."
Fjala u përhap e ra në vesh të kuadrove të Lidhjes së shkrimtarëve. Një nga ata të kryesisë që kishin rrogë të majme e pyeti se pse i thua roçkë e jo rrogë? Lasgushi që nuk ja përtonte sarkazmës ja ktheu duke i treguar dorën ku kishte ca pak para:
"Pse more, rrogë i thua ti kësaj?"
Ai i kryesisë së Lidhjes, që merrte disa herë më shumë se i madhërishmi Lasgush Poradeci, mbeti si guak.
Dhe unë desha të pyes: "Deri kur me rroga kaq të vogla, z. Kryeministër?"


©️ K. P. Traboini




09 May 2024

Cila luftë na duhet? - Nga K. P. Traboini

  

K. P. Traboini  Arlington Virginia

CILA LUFTË NA DUHET?

Luftrat nuk i sjellin asnjë dobi popujve. Njeriut i mjafton mundimi i përditshëm, ajo që një figurë humaniste me mendje gjeniale si Viktor Hygoi thoshte "Jeta është luftë". Edhe unë kësaj i përmbahem. Kësisoj tërë jeta ime ka qenë jo një, por disa lufta që nuk ishin të lehta për t'u përballuar. Përtej kësaj lufte njerëzore për të përparuar e mbijetuar, të gjitha luftrat e tjera janë vrastare. Secili të mbajë mendimin që ka për zgjidhjen e problemeve të mprehta shoqërore në mënyrë radikale a tjetersoj, ku përfshihen edhe te ashtuquajturat revolucione sociale, por unë kam disa parime e bindje te tjera. Luftat ne mes shteteve bëhen vetëm për pushtime dhe nga babëzia e kastave luftënxitës që kanë uzurpuar pushtete dhe e konsiderojnë popullin e vet si mish për top. Lufta e Dytë Botërore u bë nga Hitleri. Më thoni çfarë zhvillime solli. Gjysma e Europës e vu nën thundrën e muzhikëve të komunizmit. Asnjë përfitim veç tmerre. Lufta është mallëkim, një e keqe që bëhet kur nuk ka zgjidhje tjetër. Brenda shtetit veç kur bëhet për t'u çliruar nga pushtimi i huaj konsiderohet e dobishme. 

Për më tepër luftat civile brenda  një populli janë një mallëkim. Mjer kush i pëson travajat e luftës. Ndërrohen kastat sunduese dhe gjithherë ai që paguan, në luftë me gjak e në paqe me djersë, është populli. Ajo historia që keni mësuar në shkolla ka qenë demagogji e retorikë sofiste, përralla trimërore e jo realitet historik. 

Shoqëria moderne ka zgjidhur mjaft çështje historike e të mardhënieve shoqërore. E këto janë mekanizmi politik demokratik për ndërrimin e pushtetit. Ne duhet ti përmbahemi këtij mekanizmi dhe ta përsosim atë e jo ta thyejmë. Shteti na duhet, edhe qeverisja, Legjislativi dhe Ekzekutivi, por a punojnë hallkat e tjera të këtij mekanizmi, Drejtësia si dhe Shtypi e fjala e lirë? Çdo dobësi në këto dy te fundit sjell anomali tek dy te parat. Jo më kot Amerika insiston në reformimin e Drejtësisë Shqiptare që ka qenë vatër korrupsioni e jo drejtësie. Pa një drejtësi solide, të fortë e të pa korruptueshme, të pa ndikueshme nuk mund te kete një qeverisje të mirë. Pastaj ka një gjë, populli zgjedh një qeverisje, e nëse kjo nuk funksionon në rregull, të kemi kurajon të themi se edhe populli gabon. Po ama ajo aforizma qendron që populli ka atë qeverisje që meriton. Vetë e ka zgjedhur. Aktivistet politikë duhet te kenë durim sepse jeta e shtetit është më e gjatë se jeta e një njeriu. Kanë katër vjet një legjislaturë, kohë e mjaftueshme të bindin popullin se qeverisja duhet ndërruar. E kjo bëhet me bindje e me zgjedhje e jo me  luftë. 

Ka shumë erëra të verbëra e të marrëzishme që fryjnë e ndjellin zjarr. Unë jam kundër çdo lloj lufte revolucionare apo kundër revolucionare brenda popullit. Kulturimi, dijet, botëkuptimit, shkëmbimi i ideve në kushte lirie individuale e çojnë përpara shoqërinë njerëzore, këto e vetëm këto dhe asnjë mjet tjetër. Çdo lloj radikalizmi që na shfaq si një shoqëri vulgare me shenja primitivizmi bolshevik apo haxhiqamilizmi oriental shqiptar duhet përjashtuar. Ne e kemi lindjen në perëndim. Duhet të bëhemi dishepujt e kulturës dhe dijeve sepse vetëm ndriçimi i mendjes e çon përpara shoqërinë njerëzore. 


K. P. Traboini

Washington DC