31 May 2024

Ne e kemi mbretëreshën ilire dhe e mohojmë - nga K. P. Traboini

 


NE E KEMI MBRETNESHEN ILIRE DHE E MOHOJMË

Pinjollët e sotëm nuk duan t'ia dinë për Rozafë e Teutë e rreken pas çelsave të shtrëmber që nuk ka Viagra që i drejton. Teuta, Genti, Bato, Barleti, Marin Beçikemi, Dasho Shkreli e Oso Kuka,  Gjergj Fishta e Kol Idromeno dhe lavdia historike nuk ka fund.Që në krye po ju bëj thirrje: mos u bëni plangprishës të indentitetit shkodran, zhytun në mosdije se koha nuk ka mëshirë për mediokrët, Servantesi i ka djegur në Mançë të gjitha historitë me aventura të çakërrdisura. Këtë fat u ka taksur skrapaxhinjëve edhe sot e kësaj dite. Kjo Teutë në foto është diku në Europë, atje ku nuk pinë ujë gozhdat e ndryshkura të Lei Fenit. E quaj Teutë, anipse gjermanët i thonë Nëna Gjermani. Ka ndonjë që pakuptueshëm më heq vërejtje se kjo shtatore nuk është Teutë e as Rozafë por Elbë në Dojçland: Eja merru vesh me miletin. Jo po nuk është Mrika, por është Marika.  Nëse doni të më kuptoni, ju shpjegohem, dua të them se skulpturat në vende publike janë simbole që shprehin një realitet të largët, një indentitet, histori apo personalitet. Nuk janë autentike se askush nuk e di portretin real të Teutës apo Zhan D' Arkës, por vënë në punë imagjinatën. Kjo skulpturë në Gjermani buzë lumit Elba ka një domethënie, përftyrim njerëzor siç kemi ne për Rozafën. Por ama nuk është një çelës i ndryshkur, i shtrembër,  që vlen veç për skrap. I vë emrin Teutë asaj skulpture fantastike në Gjermani se ashtu është përftyrimi im mbi mbretreshën ilire, në qëllimin e përftyrimin e bëmave historike.  Statuja e Lirisë në Amerikë është përftyrim njerëzor e jo të një sendi utilitar, portreti i një femre franceze kthyer në simbol lirie e jo një gozhdë, apo çekiç, as uturak e as brisk berberi!  Nëse e kuptoni domethënien e problemit send apo njeri, raportet e tyre, realitetit me përftyrimin, personalen dhe publiken, krijimin dhe surogaton, OK, përndryshe mos na lodhni me komente që nuk thonë asgjë. Për të çakërrdisurit dua t'ju sjell një shëmbellësë që përket me këtë gjënë prej ndryshku që ju imponua Shkodrës. Kush ka pak gramë e përvojë, siç di të lexojë në mes të rrjeshtave di të deshifrojë veprimet në prapaskenë. Populli thotë  "Fshati që duket nuk do kallauz" në këtë kuptim Shkodrës po i imponohet dhunshën simboli i eunukut dhe impotencës. Një piktor i madh francez Gustave Courbet realizoi një pikturë që e titulloi "Origjina e botës", pjesën intime të një femre. E sjell në vemendje për të treguar se jo çdo art, çdo krijim ka atributet të vendoset nëpër sheshe publike. Mos vallë e vendosi Bashkia e Parisit organin femëror si simbol i qytetit. Jo, sepse ata nuk janë të marrë. Marrëzinë na kanë e lënë ne me një çelës të shtrembër që simbolikisht shpreh organin mashkullor në kohë të kryer, ose që mund të merrej mirëfilli si reklamë për shitjen e Viagrës. Për të saktësuar mendimin shtoj se bota e qytetruar, nuk ka vënë si emblemë të indentitetit të një qyteti një partallë, çelës të ndryshkur, një bravë a shul, a vrimë, por një njeri, figurë a eviniment historik. Skulptori i njohur e i respektuar shkodran Ferid Kola ka realizuar disa vepra shumë të bukura që i kanë mbetur në studio. Dy të rinj që kanë ndaluar biçikletat e bisedojnë. Një mrekulli për një shesh publik. Në atë grup skulpturor frynë erë lirizmi, tipike për Shkodrën. Ka realizuar gjithashtu një projekt monument madhështor për Mbretin Gent, simboli historik i Shkodrës që mbarë bota e njeh,  por edhe për Kol Idromenon. Por jo, le të rrinë në studio këto vepra të mëdha se nuk i do Padishahu i Tiranës. Nuk duket, nuk ka ndonjë urdhëresë me shkrim, por është i lexueshme ky imponim. Që që të kthehemi aty ku e nisëm, figura që shoqëron shkrimin simbolizon vertetë  Gjermaninë, anipse kjo skulpturë ka fare pak lidhje me prusianët historikë sepse duket si mesdhetare. Por artistët krijues dhe princër të artit ngulmojnë për më të bukurën. Ndaj dhe unë e përftyroj, në të drejtën time, më shumë si një mbretreshë historike të ngrohtë se sa një femër prusiane diku andaj nga fjordet e Veriut të Ngrirë ku bukuria është e ftohtë. Mos u lodhni të më bindni për të kundërten, unë këtë e përftyroj si Mbretreshen tonë Ilire që kalimtaret e kësaj bote as që e përfillin. Por nuk ka dert. Koha është një dimension i madh. Mizat, ani pse jetojnë veç një ditë, bash në atë të voglën ditë ju duket vetja zot, por sado e gjatë të jetë nata, nesër dielli lind përsëri.

Kolec P. Traboini