10 May 2024

Deri kur me rroga kaq të vogla, z. Kryeministër? - nga K. P. Traboini



DERI KUR ME RROGA KAQ TË VOGLA, z. KRYEMINISTËR?

Nga KOLEC P. TRABOINI

Populli më i varfës në Europë me taksat më të larta. Për të vënë duart në kokë. E pastaj pyesin djallëzisht "Pse ikin shqiptarët?" Dhe politikanët në oratori bajate i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit duke dalë vetë si lugë e lame.
Kush ka qenë ajo mendje diabolike që pas vitit 1992 i ka venë taksat e mallrave ushqimore e të konsumit për popullin 20 % askush nuk e thotë. Aleksander Meksi dhe ca injorantë që na u shpifën si ministra, bëjnë sikur nuk dinë asgjë dhe thonë se i kanë shërbyer popullit (lexoni rjepur).
Po fol diçka edhe ti, o Sali Berisha si orator që je, se ti je ideatori dhe ekzekutori i kësaj masakre mbi të varfërit. Kinse nuk e dinit se shqiptarët të paktën taksa ushqimi nuk duhej të kishin fare. Jemi populli më i varfër në Europë me taksat më të larta. Kjo e bën jetesën të pamundur në Shqipëri dhe e motivon qytetarin të braktisë Atdheun si të ishte tokë e shkretë ku nuk jetohet.
Po le të lëvizim pak në krahët e politikës.
Pse kjo parti e majtë në pushtet me gjasë më shumë se 12 vjet nuk ka në programin e saj uljen e taksave dhe rritjen e mirëqenies së popullit. Ata nuk po kompensojnë qytetaret as sa vlera çdo vit e inflacionit të lekut. Nuk bëjnë as indeksimin. Guvernatori i Bankës së Shtetit del e flet për forcimin e lekut kur leku është në inflacion galopant. Mishi, djathi, qumështi, e plot ushqime të tjera janë dyfishuar në çmim, çfar një logjikë normale të thotë se leku ka inflacion 50-100 %. Ku e gjejnë këta forcimin e lekut? Mos vallë këta e konsiderojnë popullin shqiptar budalla.
Shtrohet pyetja a kanë partitë ekonomistë të cilët të hartojnë programe reale zhvillimi, se me fjalime idiote e me referenca historike për lavdinë e krahinave veç rrahin ujë në havan. Nuk bëjnë një premtim real, nuk thonë një shifër të mundëshmë për tu realizuar.
E dini sa janë taksat në Amerikë ku të ardhurat janë deri 20 herë më të mëdha se të shqiptarëve?
Ushqimet nuk taksohen. Mallrat e konsumit taksohen 5.75 %. Të pakten në Washington DC dhe Virginia rreth kësaj shifre vërtiten, ju paraqesim faturat e disa blerjeve me veshmbathje dhe ushqime. Që të mos duket se po bëjnë lojra fjalësh siç bëjnë palo panelistët, kasnecët e politikës në emisione televizive.
Si është e mundur të mos flasin për këtë politikanët, deputetët, dhe as populli të mos protestojë kundër varfërisë. Jemi kthyer në një popull mjeran. Që nuk kemi zë të kërkojmë trajtim human, heshtim edhe kur na vjedhin. Ministrat na dolën hajdutë me thes dhe askush në popull nuk bzanë. Pa le sindikatat servile pushtetesh dhe shoqatat që janë kthyer në çerdhe zhvatësish e ju lakadredhen qeverive si prostituta për ca para të qelbura. Nuk janë të qelbura mund të thotë ndokush sepse kryetaret e shoqatave kanë të paktën nga dy vila të ndërtuara pas vitit 1990 dyqane dhe parkingje. Dhe as nuk marrin guximin të kërkojnë të ulin taksat katastrofike për qytetarët shqiptarë që janë më mjeranët në Europë.
Pse atëherë u dashka që këtyre politikanëve mashtrues tu japim votën e të bëhen deputetë e ministra.Keni dëgjuar të flasë ndonjë deputet për problemet e popullit? Pyeteni veten "Pse?". Keni dëgjuar ndonjë deputet kukull në Parlament ti ngrejë si problem taksat 20 % të ushqimit të popullit me të varfër në kontinent? Jo, sepse ato taksa që mblidhen vlejnë për luksin e tyre.
Se me ato taksa me vendim Qeverie me firmë e vulë të kryeministrit, deputetëve e ministrave ju rriten rrogat sa 10 herë rroga e një punëtori. Është rasti të kujtojmë pensionet 150 dollarë në muaj që mezi embajmë frymën të mjerët njerëz.
Desha të kujtoj një thënie të poetit të madh Lasgush Poradeci. I madh poeti, por rroga në ekstremin tjetër. E panë një ditë të kalonte i menduar në rrugën e Kavajës dhe e pyetën me nderim se ku po shkonte.Lasgushi nuk ja zgjati e u tha:
"Po shkoj të marr roçken time."
Fjala u përhap e ra në vesh të kuadrove të Lidhjes së shkrimtarëve. Një nga ata të kryesisë që kishin rrogë të majme e pyeti se pse i thua roçkë e jo rrogë? Lasgushi që nuk ja përtonte sarkazmës ja ktheu duke i treguar dorën ku kishte ca pak para:
"Pse more, rrogë i thua ti kësaj?"
Ai i kryesisë së Lidhjes, që merrte disa herë më shumë se i madhërishmi Lasgush Poradeci, mbeti si guak.
Dhe unë desha të pyes: "Deri kur me rroga kaq të vogla, z. Kryeministër?"


©️ K. P. Traboini