18 August 2024

Të papërgjegjshmit - nga Ismet Toto



LUFTËTARI I MADH I DIJES DHE I PËRPARIMIT KOMBËTAR, ISMET TOTO
(Heshtje e turpshme ndaj kujtimit të tij)

ISMET TOTO (1908-1937), i lauruar nga Universiteti Sapienca Itali, u ekzekutua nga mbreti sharlatan e karagjoz i përparimit Ahmet Zogolli me varje në litar në burgun e Gjirokastrës ende pa mbushur moshën 29 vjeçare, më 12 korrik 1937.
Në gjyqin zogist nuk u vërtetua asgjë nga veprimtaria kryengritëse e tij. I vëllai Ethem Toto, që udhëhoqi kryengritjen e Delvinës që ishte ministër i Brendshëm, vrau veten ose e vranë zogistët. 
Ismet Toto ishte gazetar, një nga intelektualët e rinj më me influencë në rininë shqiptare. Kishte shkruar plot shkrime me frymë përparimtare, kish botuar librin biografik për Mustafa Qemalin, kish përkthyer Platonin dhe një libër i mbetur në dorëshkrim, por i zhdukur nga vandalët e pushteteve. Ismet Toto shkruante se Shqipëria kishte dy alternativa: me neoshqiptarizëm, kulturë e dije përëndimore të bëhet Zvicër ose me mentalitet orjental të kthehet në Afganistan. A nuk vazhdojmë të jemi me këtë dilemë edhe sot pas afro 100 vjetësh?
E çuditshme është se ndaj komunisteve Zogu u suall butë ndërsa intelektualin e shquar I. Toto e ekzekutoi në litar. Urrejtja ndaj dijeve e dritës ishte e lemeritshme.
Ismet Totos, frymës së tij për një Shqipëri të mendjeve të ndritura e jo anadollake, Zogolli ja kishte frikën më tepër se komunistëve që më pas do ti bënin gjëmën e gjakut Shqipërisë. Pa mbushur ende 29 vjet të jetës, pamëshirë e vuri në litar në burgun e Gjirokastrës. Në letrën e lënë para ekzekutimit Ismet Toto shkroi:
"Bota është e atyre që digjen e jo atyre që ngrohen".
Një mendje e ndritur si Ismet Toto meriton një monument si luftëtar i madh i dijes dhe përparimit të Kombit, po kush t'ia bëjë, zvarranikët historikë që i ngrejnë monument vrasësve?
Rrëzuam Enver Hoxhën, ndërsa të tjerë që ja kishin me hile demokracisë ngritën Ahmet Zogun. Nga 4 vëllezrit Toto, 2 vrau palo Mbreti dhe dy të tjerë Enver Satani. 
Dy monstra në historinë e Shqipërisë, e mjerisht ka ende turkokallë e trushkalë që frymëzohen prej këtyre dy kriminelëve.
Jemi nisur diku, por nuk e dimë ku vemi.

Kolec P. Traboini
 
🔻◾◾◾◾◾◾◾◾◾◾🔻

TË PAPËRGJEGJSHMIT
Nga ISMET TOTO

Njerëzit që përbëjnë një shoqëri njerëzore, një popull dhe mbasandaj një shtet, ndahen në shumë klasa e kategorira. Një nga këto ndarje është dhe kjo: Njerëz që ndiejnë përgjegjësira dhe njerëz që nuk ndiejnë përgjegjësira.
Të parët kanë një kuptim të thellë të historisë, kanë një shqetësim për të ardhmen dhe veprojnë tërë jetën e tyre si misionerë të ndritur për respekt të vlerave të ndryshme që u janë lënë trashëgim nga të parët dhe për të krijuar kondita më të bukura, më fisnike dhe më të shëndetshme për brezat që vijnë. Këta e kuptojnë jetën si një vazhdimësi të pambaruar dhe jetën e tyre personale si një nyjë të ndërgjegjshme në këtë zinxhir të gjatë. Veprojnë paprerësisht duke pasur paprerësisht në mëndje të shkuarën dhe të ardhmen në një përfitim tërësor. Shpesh herë ndjenja e përgjegjësisë së njeriut historik arrin lartësirat e frikshme të heroizmës, faza më e shenjtë dhe më shkëlqyer, që dallon qënien njerëzore nga qënie të tjera.
Në kundërshtim të madh me këtë lloj njeriu vjen ai që s'ndien përgjegjësira. Ai rron një jetë të thjeshtë biologjike, si çdo qënie. Si çdo qënie tjetër e gjallë, ai kujdeset vetëm e vetëm për "krodhën e bukës", për "strehën”, për "veshjen” të shumtën për shëndet abondant. Jashtë këtyre gjërave nuk i intereson gjë, përveç disa dëfrimeve, të cilat i kërkon çdo gjë e gjallë, sipas natyrës së saj. Ky lloj njeriu rron në shoqëri, i adaptohet çdo situate që krijojnë të tjerët, paguan, mundohet të përfitojë me mënyra të ndryshme dhe mjaft. Nuk nxier zë, nuk interesohet çdo të ngjasë nesër dhe as e kupton rrezikun, ngjersa i ka dalë aktualisht përpara syve të tij. E kupton jetën personale, të shumtën, brënda katër mureve të familjes së tij. Shoqëria jashtë shtëpisë ekziston vetëm për t'ia bërë të mundur që ai të punojë dhe të fitojë ç'i duhet.
Gjithë kjo është fare natyrale për shumicën dërrmonjëse të turmës së pa zhvilluar dhe primitive. Foshnjëria e mendjes së saj, instiktet shtazarake të pa punuara fare, ngushtësia tmerronjëse e pikëpamjeve të saj egoiste, janë mjaft që ta justifikojmë tërë këtë papërgjegjësi që tregon kundrejt jetës shoqërore.
Po kur hedhim një vështërim në mes të klasës së zhvilluar të shoqërisë sonë, në mes të atyre njerëzve, që kanë mbaruar nga një shkollë, që dinë të jetojnë, që dinë se çështë shoqëria dhe qytetërimi dhe kur shohim se 90% e kësaj klase është e përbërë nga njerëz fare të papërgjegjshëm, nuk mund të mos tmerrohet njeriu.
Avokatë, mjekë, inxhinierë etj., kemi plot të tillë që jashtë punëve të zyrës së tyre as duan të dinë se ç'bëhet, ose që dhe tregojnë një farë interesimi nëpër bisedat e kafeneve, e bëjnë vetëm për të mbuluar skandalozitetin e sjelljes së tyre, ose për të kritikuar ndonjë tjetër që vepron!!!
Kur u plak Shqipëria kaq shpejt? Kur u fyshkën ndjenjat e atdhedashurisë? A kaq shpejt u tha dhe u zhduk dhe pika e fundit e gjakut të dëshmorëve tanë? Apo u bë kaq e fortë Shqipëria, sa mund të mos kujdesemi më për të? 
Turp dhe turp i madh t'u vijë të papërgjegjshmëve intelektualë!!!
Dikush do të paguajë një ditë dhe kurrkush më fort se të papërgjegjshmit, që fryhen e majmen në këto çaste me rëndësi të jetës sonë kombëtare!

"Illyria", 15 korrik 1934