![]() |
| Aristidh Kola, Nderi i Kombit dhe gazetari K. P. Traboini, Athinë 1995 |
TITO I ATHINËS ANTAR NDERI I AKADEMISË SË TIRANËS
Çfarë më tha Aristidh Kola për antishqiptarin Tito Johalas në 1994, që Akademia e Tiranës e mban si antar nderi?
Nga KOLEC P. TRABOINI
Nuk e dinim e as nuk do ta mësonim kurrë se greku Tito Johalas është antar nderi i Akademise se Shkencave të Tiranës, sikur në korrik të vitit 2024, ne miqt e Aristidh Kolës të mos e organizonim përvjetorin e lindjes se arvanitasit të madh, Nderi i Kombit Aristidh Kola, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë në Tiranë. Meqë isha ndër organizatorët shkova më heret në Akademi dhe kisha kohë të shihnja fotografitë e akademikëve, që ishin vendosur, ku me piktura e ku me fotografi. Mjaft prej tyre që nuk jetojnë më i kisha njohur, por ndërsa po kaloja me veshtrim nga një kuadër në një tjetër sytë mu ndalen tek një figurë që nuk e njihja e që poshtë saj shënohej emri Tito Johalas, antar nderi i Akademise së Shkencave të Shqipërisë.
Sikur të mos kisha dëgjuar kurrë për këtë Titon e Athinës, do kaloja pa i vënë rëndësi, por u stepa se mu kujtua biseda që në vitin 1994 kisha bërë me Aristidh Kolën, i cili po dihet se është helmuar e vrarë nga qarqet shoveniste greke, siç dhe vetë Aristidh Kola e ka pohuar në shtratin e vdekjes "Ju lutem mos ushqeni asnjë iluzion. Mua më vranë dhe kështu kanë vepruar edhe me dy presidentë të tjerë të Shoqatës së Shqiptarëve “Marko Boçari”, të cilët vdiqën, edhe këta nga "leuçemia". Këto fjalë ua kam thënë edhe miqve të tjerë të mi"... "
E kishte fjalën për Anastas Kulluriotin dhe Jorgo Marugën, dy arvanitas të helmuar nga ekstremistët grek.
Aso koha nxirrja gazetën “Egnatia” dhe ndiqja të gjitha lajmet mbi ngjarjet në Athinë. Ishte zhvilluar një përurim i një libri të Tito Johalas për Arvanitët ku kishin shkuar tërë kastat greke duke përfshirë dhe vajzën e kryeministrit grek Konstandin Micotaqi, që ne emigrantët e stigmatizonim si person me fytyrë njeriu, por me shpirt djalli. Ishte urdhëruesi i arrestimeve masive të shqiptarëve dhe pjellësi i makabritetit antishqiptar “Skupa- Fshesa” për arrestimin dhe debimin e shqiptareve me dhune. Mbi 100 mijë shqiptarë u keqtrajtua, u lidhën me hekura dhe u zbuan si të ishin keqbërës. Madje ndër kërkim-arrestime u bënë edhe vrasje.
I thashë Aristidh Kolës se a bën ky lajm për Tito Johalasin për gazetën tonë "Egnatia". Ai më pa me kujdes e me qetësi më tha."Na luftojnë egërsisht, por meqë me përballje nuk ja dalin dot përdorin kuazi-intelektualë që merren me arvanitët për qëllime politike. Sa kohë që ata rrinë pranë qeverive qëndroju larg tyre".
E kuptova mikun tim në çdo domethënie të fjalës së tij. Qarqet duke përfshirë edhe këtë Titon e Athinës ishin pjesë e konspiracionit që çeshtja arvanite dhe shoqata "Marko Boçari" në pamundësi të shkatërrohej, të kapej e manipulohej prej atyre që të mund të përdoreshin si marioneta duke trumbetuar se arvanitet nuk ishin shqiptarë e nuk kishin asnjë lidhje me Shqipërinë. Apo të ardhur vonë nga shekulli 15-16 çfarë ishte në kundërshtim me të vërteten historike. Kur erdhën turqit e parë dhe zunë Peleponezin aty rreth vitit 1420 apo me pas, bënë regjistrimet e popullsise dhe atje ne regjistrat e ruajtuara në arkivat osmane dalin 40% e popullsisë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër me vllahë, sllavë e grekë, por pjesë më të vogla. Mbizotëronin shqiptarët. Ndër këto zëra bashkë me Titon e Athinës ishte dhe një grua studiuese me emrin Marie Dede që kish botuar libra folklorikë për arvanitët dhe deklaronte hapur se arvanitët nuk janë shqiptarë ndryshe nga se thoshte Aristidh Kola dhe prifti arbëresh, studiuesi dhe miku më i madh i Aristidh Kolës, At Antonio Bellushi, të cilët edhe ngulmonin se arvanitet ishin shumë më të hershëm në Peleponez, Evia e mbatë brigjeve të Egjeut, me atribute autoktone.
Shqiptarët nuk qenë përhapur gjatë historisë, përkundrazi ishin rrudhur.
Këto pretendime antiarvanite i duheshin qeverisë greke, por edhe qarqeve ekstremiste për të mos u njohur shqiptarëve arvanitë asnjë të drejtë.
Antonio Bellushi, që nxirrte gazetën “Lidhja”, nga Italia shkonte shkonte shpesh në Greqi dhe bashkë me Aristidh Kolën bënte kërkime nëpër fshatrat arvanite, por kudo u nxirrnin pengesa, me pretekstin se Antonio Bellushi ishte italian e i duheshin leje të posaçme. Ajo që dihet ishte se këto pengesa i organizonte Titua i Athinës sepse të gjitha problemet e arvaniteve i mbikqyrte ky i lidhur me segmentet e qeverisë greke. Vetë Antonio Bellushi e ironizonte në shtyp si "shkencëtari" politik.Madje ky Titua i Athinës shkruante librushka ku teorizonte se arvanitët nuk kishin gjak shqiptar, ai ishte zëri më i egër kundërshtar i veprës së Aristidh Kolës, madje edhe kundër Antoniu Bellushit, i cili u detyrua që ti përgjigjej sulmeve të Tito Johalas me një letër botuar në revistën e vet arbëreshe “Lidhja”. Pavarësisht kurtheve të Titos së Athinës dhe nënpunësve qeveritarë grekë, Aristidh Kola dhe Antonio Bellushi, më 1988 udhëtuan në Bruksel dhe prezantuan kauzën e shqiptarëve të Greqisë duke dokumentuar praninë e 2 milion shqiptarëve dhe 695 fshatra shqipfolëse në shtetin grek.
Për te plotesuar portretin e Titos se Athinës na vjen ne ndihme edhe nje shkrim e studiueses se jetes e kultures arbereshe, Ornela Radovicka, e cila ka qenë ndihmëse në punët kërkimore të At Antoniu Bellushit.
“Tito Johalasi ishte akademiku që ka kundërshtuar Atë Belluscin në hulumtimet e tij, por Atë Bellusci iu përgjigj me një letër, të publikuar në revistën e tij "Lidhja" me titull "Shkencëtari në shërbim të politikës Tito Johalas". Duke e lexuar këtë letër që e kemi në dorë, kuptohet shkaku i kundërshtive. Në vitin 1988, Tito Jahalas kishte botuar një librushkë 84 faqe ku stigmatizonte Antonio Bellushi dhe Aristidh Kolën për kërkimet e tyre në folklorin arvanitas, duke pretenduar se është sajesë fakti se kishte 2 milion arvanitas në Greqi dhe se ata nuk ishin arvanitas të hershëm por refugjatë të vonë deri aty nga shekulli 16. Ndërkohë që Aristidh Kola dhe Antonio Bellushi ngulmonin në studime serioze se arvanitet ishin popullsi autoktone mijëra vjeçare dhe nuk ishin ardhacakë të vonë, pra nuk ishin në tokë të huaj por në tokë të vet. Qeveria e Athinës që i mbështet e stimulon pseudoshkencëtaret si Tito Johalas i intereson të konsiderohen arvanitët siç mund të konsiderohen greket e Dropullit që erdhën si argatët e kadilerëve të Libohovës të cilët ishin pronar të tokave të Dropullit.
Antonio Bellushi në fund të letres së vet vendos në greqisht shkrimin origjinal të Aristidh Kolës botuar në revisten "Besa". E kemi përkthyer këtë leter të cilën po e paraqesim që të kuptohet më mirë kush është antishqiptari Tito Johalas:
Shkrimi i Aristidh Kolës ka titullin "Rënia e një "shkencëtari". Le ta lexojmë:
"Ekziston një i vetëshpallur albanolog madje botëror Titus Giochalas, i cili e konsideron këdo që merret me kërkimin e gjuhës arvanite jo vetëm të paaftë, por edhe të dyshimtë kombëtarisht. Ai ushqen një urrejtje të pashuar kundër arvanitasve, të cilët herë i konsideron të paqenë si me magji, herë grekë të shqitarizuar, herë përpiqet t'i minimizojë në numër alkimikisht, herë përpiqet të provojë se gjuha arvanite është e paqenë, herë se është greqisht e korruptuar, herë një "fosil toskan" etj.
Ky burrë shkroi së fundmi një libër në të cilin përpiqet të korrigjojë tekstet e regjistruara të botuara në revistën "Lidhja" nga prifti arbëresh Antonio Bellusci, të cilat janë marrë nga turnet e tij në Arvanitokhori të Greqisë. Korrigjimet bëhen shoqëruar me komenteve ironike.
Pa dashur të mbroj Belluscin, jam i detyruar të theksoj se zoti Giochalas po bën një tjetër gabim shkencor duke këmbëngulur në korrigjimin e këtyre teksteve, të cilat pasqyrojnë situatën aktuale gjuhësore në Arvanitokori, ku arvanitikishtja është e përzier me greqishten dhe shumë elementë kulturorë për fat të keq janë harruar.
Nuk e di nëse ka pasur ndonjë Yochalas tjetër në shekullin e kaluar që ka marrë tekstet e Makrijannis dhe i ka "korrigjuar", duke e rikthyer greqishten e tij "barbare" me "qartësi kristalore". Ai me siguri do të jetë i pari në histori... Bravo, shkencëtar.
Fatkeqësisht, përtej humorit të rastit, ekziston edhe vulgariteti i neveritshëm, pasi ky zotëri, me librin e tij dhe intervistat e "inskenuara", e fut shpifjen në shkencë, pasi ai e konsideron, siç thamë, çdokënd tjetër që merret me gjuhën shqipe dhe shkencën tonë politike popullore, si... të dyshimtë kombëtarisht."
Këtu përfundon shkrimi i Aristidh Kolës. Tani që as Aristidh Kola dhe Antonio Bellushi nuk jetojnë më dhe mjerisht ka triumfuar ligësia dhe antishqiptarizmi, vjen ky antiarvanitas e antishqiptar dhe na vendoset pupthi si antar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Si është e mundur të ndodh kjo?
Si është e mundur që Akademia e Shkencave e Tiranës me lekët e popullit i publikon veprat e këtij qytetari grek i cili nuk ka pranuar asnjëherë gjatë rregjimit të Juntës së Kolonelëve origjinen e tij si arbëror i Greqisë, madje i ka mohuar siç shkruan Antonio Bellushi.
Duke parë këtë gjendje ku Akademia i bën strehe antishqiptari, është krejt e kuptueshme qe në 80 vjetorin e lindjes së Nderit të Kombit Aristidh Kola, megjithë ftesën që u bëmë, nuk erdhi asnjë akademik e nënpunës, e ftuam Irakli Koçollarin personalisht por nuk erdhi. Të gjithë Mediet heshtën, vetëm televizioni i Gjirokastrës, Aristidh Petro u gjend dhe bëri emision të veçantë.
Si mund të vinin miqtë e antishqiptarit Titos Johalas. Punë që s'bëhej. Por këta palo akademikë që i kanë bërë strehe një greku antishqiptar, as dënjuan të dërgonin njeri në homazhet e varrimin e Antonio Bellushit. Si të shkonin kur miku i tyre grek, që bën shkencen e politikës se qeverisë greke e kishte anatemuar të madhin At Antonio Bellushi.
Tito Johala, ky renegat antishqiptar, është nga Çamëria, fshati Rrapëza. E shoqja është arbëreshe e Siçilisë. Mbiemri i tij është Gjokala. Po kush e zgjodhi dhe pse pikërisht Tito Johalasin. Kush ja ka bërë rekomandimin kryetarit të Akademisë zotit Skënder Gjinushi. Për çështjet arvanite dimë se në Akademi merret Irakli Koçollari, i cili ka botuar libër për Arvanitët në bazë të njohjeve kur ka qenë nëpunës i Sigurimit të Ambasadës Shqiptare para vitit 1990. Pse zotit Irakli, nëse propozimin e ka bërë ai, nuk i ka shkuar mendje të propozojë një studiues të madh të kulturës e gjuhës arvanite, por dhe mbarë shqiptare, Niko Stillo, që ka lindur në Prevezë dhe jeton e punon në fushën e studimeve në Gjermani. Ai është një albanolog i madh dhe me reputacion ndërkombëtarë. Pse zoti Irakli nuk ka propozuar studiuesin Jorgo Miha, një studiues i madh dhe ish president i Arvanitëve, bashkëthemelues e bashkëpunëtor i Aristidh Kolës. Jorgo Miha është një personalitet me reputacion të madh ndër arvanitët, që thënë hapur do ta nderonte Akademinë e Shkencave të Tiranës, por këta si të ishin myteberrë totorisen me një antishqiptar si Titua i Athinës. Mund ta ketë propozuar edhe akademiku filogrek, Anastas Angjeli që në popull është telendisur si Cac Nafta, por ne flasim për Irakliun se e njohim, por jemi krejt pa njohje e nuk i dimë mire se si punohet në skutat e fshehta të Akademise ku fryn erë grekofone, por që të fryjë edhe erë antishqiptare, këtë nuk e kishim menduar.
Thuhet se siç ka merita e lavdi të meritueshme, çdo popull ka edhe llomishten e vet, por ne kemi më shumë dhe kjo llomishte tek ne është e institucionalizuar, i kap të gjitha pushtetet dhe ndodh ajo që thoshte Konica i madh me fjalë profetike, Shqipëria u bë për tua plasur zemrën shqiptarëve. Mirë të gjitha këto llomishtet tona që na zënë sytë e na zënë hundët, po llomin e llomit e Greqise çfarë e duam?!
![]() |
| Titos Johalas |

