25 April 2012

DENIMI ME VDEKJE I FAN NOLIT

Pergatiti: K. Traboini

 

Historia siç ka qënë dje e jo siç e kullandrisin sot:
DENIMI ME VDEKJE I FAN NOLIT

(Në shtypin amerikan 1927)

“The Harvard Crimson”
Fan Noli, ish-Kryeministri shqiptar, dënohet me vdekje.

Publikuar: e premte 7 tetor, 1927

Fan S. Noli, i lauruar ne Universitetin e Harvardit1912, autor, përkthyes, prift ortodoks, peshkop, liberal, dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, eshtë i dënuar me vdekje. Ky dënim i është dhënë atij dhe tetë të bashkatdhetarëve të tij kohët e fundit për nënshkrimin e një manifest protestuar kundër regjimit të Ahmed Zogut, i cili kreu një grusht shteti në dhjetor, 1924, duke rrezuar qeverine e kryesuar nga Fan Nolit. Dënimet kanë qenë ne mungese, sepse, që të gjithë burrat qe janë të dënuar jetojnë jashtë vendit.
Fan Noli ka qenë i shquar në çështjet politike shqiptare për një numër vitesh. Ai ka nderin për të qenë delegati i parë shqiptar në Lidhjen e Kombeve. Përveç punës së tij politike ai ka përkthyer vepra të Longfellow dhe Shekspirit në gjuhen amtare.

“The Harvard Crimson”
FAN NOLI , EX-ALBANIAN PREMIER, SENTENCED TO DIE
Published: Friday, October 07, 1927

Fan S. Noli ’12, Harvard graduate, author, translator, orthodox priest, bishop, liberal, and former premier of Albania, has been sentenced to death. This sentence has been given him and eight of his compatriots for recently signing a manifesto protesting against the regime of Ahmed Zogu, who executed a coup d’etat in December, 1924, ousting Fan Noli from the Presidency. The sentences were by default, however, since all of the condemned men are living abroad.
Fan Noli has been prominent in Albanian political affairs for a number of years. He has the honor of being the first Albanian delegate to the League of Nations. In addition to his political work he has translated Longfellow and Shakespeare into the native dialect.

🔴 MARRËVESHJA PASHIÇ - A. ZOGU PËR ANEKSIMIN E SHQIPËRISË

Pashiçi i Serbisë dhe renegati Ahmet Zogu

Historia siç ka qënë dje e jo siç po e kullandrisin sot:

MARREVESHJA PASHIÇ -  A. ZOGU PER ANEKSIMIN E SHQIPERISE

Nikolla Pashiç - Ahmet Zogu
          Gusht, 1924...

1.🟥Shqipëria impenjohet t'i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.
2.🟥 Kryetari shtetit shqiptar do të jetë AhmetZogu, që më vonë do të njoh dinastinë Karagjorgjeviq.
3.🟥 Qeveria Jugosllave, megjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njoh Ahmet Zogun si kryetar shteti...dhe i atribuon menjëherë një kontribut vjetor të shtetit.
4.🟥 Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.
5.🟥 Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.
6.🟥 Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rus të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.
7.🟥 Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyere dhe oficerët jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve.
8.🟥 Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganornë bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve.
9.🟥 Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të sajajashtështetit.
10.🟥 Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.
11.🟥 Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe të bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare do të varet nga ajo Jugosllave.
12.🟥 Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.
13.🟥 Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendevetë tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.
14.🟥 Nëqoftëse Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë,Qeveria Jugosllave,do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25mijë vullnetarëshme qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t'i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.
15.🟥 Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.
16.🟥 Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve"


Nje nga veprimet e para pas ardhjes se Ahmet Zogut ne pushtet me bajonetat serbe, armiqeve te Shqiperise, ishte ekzekutimi i kundershtareve, nder keto edhe nje prift atdhetar qe nuk e duronte despotzmin anadollak zogollian, Dom Gjon Gazulli te cilin e vari me 5 mars 1927. Se sa demokrat ishte Ahmet bej Zogolli e tregon kjo pamje renqethese qe e tmerroi dhe e stepi popullin shqiptar.

Nga libri me ese "Zhgënjimii Ambasadorit Amerikan" Kolec Traboini, Pantheon Books Edition 2012,f.40-41, ADA, ISBN 978-99956-99-69-7




03 December 2011

KUR FLET PER TE TJERET POHON VETVETEN



KUR FLET PER TE TJERET POHON VETVETEN

Meditim tek “E për7shtatshmja”

Ishte një mbrëmje shumë e bukur fillimdhjetori dhe ndjeva kënaqësi kur pashë se lexues me fytyra të reja e të bukura, studentë apo dhe profesorë, lexonin poezitë e 40 poetëve nga libri “Kujto poetin” në mbrëmjen poetike tek kafe-libraria e admirueshme “E përshtatshmja”. Ishte një akt mirënjohjeje për çfarë kanë shkruar poetët që nuk jetojnë më, për çfarë kanë ndjerë, për çfarë kanë sakrifikuar në një kohë të tmerrshme mbytëse të lirisë e të shpirtit krijues....
U fol në takim për Lazër Shantojën, Trifon Xhagjikën, Havzi Nelën, Vilson Blloshmin e Genc Lekën, u kujtuan Lasgush Poradeci dhe Martin Camaj, Arshi Pipa dhe Ndoc Gjetja, Bilal Xhaferri dhe Viktor Qurku, Zef Zorba dhe Agim Spahiu, Ali Asllani, Lame Kodra, Nexhat Hakiu, Azem Shkreli, Enver Gjergjeku, Murat Isaku, Vehbi Skenderi, Din Mehmeti, Dalan Luzaj dhe Vorea Ujka e plot të tjerë, për të veçantën Drita Çomo, për poetin tragjik dhe impresionant Ilir Belliu si dhe Anvi Mulaj që ndrroi jetë në Amerikë. Por edhe për një poete që botohet për herë të parë Suzana Selenica (falë kujtimeve të Roland Gjozes), e cila u masakrua nga diktatura për shpirtin e lirë.
Eshte për t`u falenderuar përkushtimi (në këtë kohë paradoksale antiart) i organizatores së mbrëmjeve të përjavshme poetike, Elvana Zaimi, dhe mjedisin e ngrohtë që krijoi Agron Tufa, i cili e drejtoi aq bukur atë mbrëmje poetike ku folëm si autorë të albumit “Kujto poetin” Iliriana Sulkuqi edhe unë, që kam patur fatin e madh që disa prej poetëve të këtij Albumi, si Dodë Kaçaj, Frederik Rreshpja, Tonin Shtjefni, Pirro Kuqi, Zyhdi Morava, Jamarbër Marko i kam patur shokë fëmijërie, rinie, në bankat e Universitetit apo kolegë pune.
Qenka shumë herë më bukur kur mblidhesh e flet për krijimet e miqve sesa për vete, aq më tepër kur këta miq poetë nuk mund t’i shohim e takojmë më si dikur. Duke ma ditur këtë natyrë, është kjo arsyeja që kur po hyja në një emision Albanin Screen TV për një intervistë mbi krijimtarine time filmike dhe poetike, mikja ime poete Luljeta Lleshanaku më tha:- "Kolec, fol për vete se ke çfarë thua." E unë i thashë mikes sime të mirë: "Ah sikur të dija të flisja për vete", dhe në emisionin “Orkidea” me Ema Andrea nisa te flas për Hotin-përndryshe, shkatërrimin e një miti... Sepse kam mendimin, se duke folë për të tjerët, për shokët e miqtë, për prindërit, qytetin, fshatin, prejardhjen e historinë, kemi folë shumë më mirë e shumë më bukur edhe për veten...

KOLEC TRABOINI

Fotografia një montazh grafik nga fondi i aktiviteteve poetike të Elvana Zaimit tek e Për7shmja.



24 November 2011

QE TE JEMI TE LIRE SOT DUHET TE KUJTOJME TE DJESHMEN....

QE TE JEMI TE LIRE SOT DUHET TE KUJTOJME TE DJESHMEN....

Një film dhe një intervistë per masakrimin e Klerit katolik Shqiptar nga diktatura
bashkë me librin "Kujto poetin".



Kineasti dhe poeti Kolec Traboini dha një shfaqje filmash dokumentar ne AQSHF, nder te cilet terhoqi vemendje filmi i shkurter dokumentar "Martiret", realizim i vitit 2011. Ai dha gjithashtu intervistë per Televizionin ABC News dhe aktivitetin e shfaqjes se filmave te tij e pasqyruan mediat ne Tirane duke përfshire gazetat dhe televizionet.


Kolec Traboini gjatë intervistes me gazetarin e televizionit ABC News Enkel Demi.



Kolec Traboini paraqiti para shikuesve edhe librin e tij të fundit me bashkautor "Kujto poetin".


KOLEC TRABOINI, PORTRET ARTISTIK NE ARKIVIN E FILMIT

E kanë menduar si një takim ekspoze nga krijimtaria e Kolec Traboinit. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit (AQSHF), më datë 23 nëntor 2011, organizoi një takim-ekspoze nga krijimtaria e Kolec Traboinit, gjatë së cilës do u shfaqen filmat: “Dëshmi nga Barleti”- dokumentar historik, realizim i vitit 1990, “Martirët”, realizim i vitit 2011, që ka si subjekt masakrën që është bërë në vitet e diktaturës ndaj klerit katolik shqiptar, ku u ekzekutuan 32 meshtarë, njerëz të kulturës dhe të dijeve, poetë, studiues dhe folkloristë. Traboini paraqiti gjithashtu edhe dhjetë etyde filmike të realizuara prej tij vitet e fundit si sintezë poetike e krijimtarisë së vet si poet dhe kineast.
Kolec Traboini, autor i 16 librave me poezi, prozë dhe esè, u lind në Shkodër dhe është i biri i patriotit të njohur Palok Traboini - mësues, publiçist dhe sekretar i Dedë Gjo Lulit, Flamurtar i Deçiqit më 6 prill 1911, pjesmarrës në dy luftëra kombëtare, ajo e Pavarësisë dhe Lufta e Koplikut 1920.
I mbetur jetim në moshë të vogël, jetoi për disa vite në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Ka ndjekur për dy vjet shkollën Pedagogjike "Ndrec Ndue Gjoka" në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Tropojë, ka punuar rreth 4 vjet në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Më pas ka vazhduar studimet në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari. Gjatë kohës që ishte student botoi librin me tregime "Petalet e bajames së hidhur" 1973, i cili u vlerësua me çmim inkurajues në konkursin Kombëtar të Letërsisë dhe Arteve.
Pas mbarimit të studimeve është emëruar redaktor-skenarist në Kinostudio, Tiranë, ku punoi 16-të vjet, ndërsa për një dekadë drejtoi redaksinë e filmit dokumentar. Është fitues i kupave për filmat dokumentarë në dy festivale kombëtare të filmit shqiptar: "Asdreni" 1976, "Kështjella e këngëve" 1990. Filmi "Dëshmi nga Barleti" me skenar e regji të K. Traboinit u vlerësua si filmi më i mirë i Kinostudios për vitin 1990. Eshtë autor i mjaft filmave të vlerësuar, si "Kol Idromeno", "Hasan Prishtina", etj, si dhe skenarist edhe i disa filmave vizatimorë ndër të cilët "Portreti" me regji të Artan Makut, film i cili stigmatizonte me guxim megallomaninë e udhëheqësve të kohës së diktaturës. Eshtë skenarist i filmit dokumentar "Përse kështu"(Estetika e veshjeve) që kritikonte të metat e dobësitë e sistemit të prodhimit konfeksional në kushtet e mekanizmit të vjetëruar të ekonomisë së ngecur shqiptare(1989-1990), film që u ndalua të qarkullonte sepse organet e nomenklaturës komuniste e konsideruan nxirje të realitetit socialist (Gazeta Mapo, 17 mars 2011).
Situatën e krijuar në 1990, Traboini e priti me entuziazëm dhe mori pjesë gjallërisht në veprimtarinë demokratike. Në 16 janar 1991 boton në Gazetën "RD" shkrimin me titull "Vlera e simboleve kombëtare", ku kërkonte publikisht heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar. Eshtë nisiator dhe organizator i të parit tubim të krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike, e cila u kthye në një demostratë të fuqishme antikomuniste.
Traboini largohet nga Shqipëria në 28 shkurt të vitit 1991 dhe vendoset si emigrant jo legal në Athinë. Kjo gjendje pasigurie nuk e pengoi atë që më 10 Prill 1993, të krijonte e të shpërndante ndër emigrantë, të parën gazetë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia”. Në Greqi bashkëpunoi me presidentin e arvanitasve të Greqisë, studiuesin e publiçistin e madh, Aristidh Kola (1944-2000). Gjatë viteve të jetës si emigrant në Athinë botoi tre libra midis të cilëve “Balada e largësive” - i pari libër në gjuhën shqipe i botuar në Greqi, një album me poezitë e emigrantëve shqiptarë.
Në gusht 1995, Traboini me status legal emigroi në SHBA dhe u vendos në qytetin e Bostonit. Në Amerikë shkroi e botoi rreth dhjetë libra me poezi, prozë e publicistikë ndër të cilët: “Katërkëndëshi i mundimeve”-prozë, “Mos vdis dashuri”- poezi, “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias”-esè, “Requiem për një gjethe”-poezi, “Lufta e Maleve-Palok Traboini”-letërsi dokumentare, “Koha e prostitutave”-lirika&etyde. Në vitet e fundit ka botuar "Itaka grua"-lirika, “Kujto poetin”, një album poetik për 40 poetë që nuk jetojnë më, në mes tyre pesë të ekzekutuar nga diktatura si dhe përmbledhjen e fundit me lirika “Lule Pellazgjike”. Së shpejti sheh dritën e botimit libri i tij me shqipërime nga poezia botërore “Nga Safo tek Bukowski”.
Në dekadën e fundit ka realizuar mbi pesëdhjetë krijime filmike të metrazhit të shkurtër, duke përfshirë filma dokumentarë si “Martirët”, realizim i vitit 2011, që ka si subjekt masakrën e bërë në vitet e diktaturës ndaj klerit katolik shqiptar, ku u ekzekutuan 32 meshtarë, njerëz të kulturës dhe të dijeve, poetë, studiues dhe folkloristë. Traboini është autor i dhjetra etydeve filmike - poezia në ekran, të realizuara prej tij si sintezë e krijimtarisë së vet si poet dhe kineast.
Për veprimtarinë poetike dhe esèistike është vlerësuar me çmimin e përvitshëm letrar “Pena e Artë-Kadmus” 2008 nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita” Athinë. Në vitin 1994, Kolec Traboini është pranuar anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, me qendër në Bruksel, ndërsa në nëntor 2001 nga Kongresi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në Prizren, është zgjedhur anëtar i këshillit drejtues të LSHB-së. Eshtë ndër krijuesit shqiptaro-amerikanë më aktiv në shtypin e Komunitetit Shqiptar në Amerikë dhe Diasporë.

Gazeta "Metropol" 23 nëntor 2011 Nr. 2521 f.22
gjithashtu në "Telegraf"22 nëntor 2011 Nr. 282(1832) f.18, "Shqip" 23 nëntor 2011,Nr.320 f.29, "Shekulli "23 nëntor 2011, Nr. 3516 f. 19.







14 November 2011

Presidenti Arvanitas Jorgo Jeru në Tiranë



JORGO JERU & KOLEC TRABOINIPresidentin e Arvanitasve te Greqise studiuesin JORGO JERU ishte ne Panairin e Librit Tirana 2011. Studiuesi shqiptar Niko Stillos kishte hapur nje stende te veçante me libra te tij studimore per etrusket dhe pellazget, kishte vendosur gjithashtu edhe mjaft botime te studuesve arvanitas.

12 November 2011

RRENACAKE ME FLAMUR

RRENACAKE ME FLAMUR

Shkruar nga Kolec Traboini

Përtej populizmit pragmatik nuk di tjetër ku po rreh kjo lëvizje politike me Flamur. Fort po drue se atë të shkretin flamur, me të cilin ka një shekull që po tregtojnë laskandraqët e historisë, e kanë veç si strehë. Nuk e kam të qartë asprogramin e tyre. Më shumë më duket si bashkim fansash të ekipit kombëtar të futbollit. Ata që e komandojnë në prapaskenë apo dhe në tribunë, nëse kanë ambicje politike së pari duhet të jenë të qartë në programin e tyre.
E them këtë sepse të gjitha grupimet në Shqipëri, që kur mbahet mend historia,i kanë shërbyer kryetarit të fisit, të klanit, Njëshit, me Zog e me Enver, me dhelpra e sorra, e me të gjithë ç’kanë ardhur më pas.
Mjerisht ndër shqiptarë ideal është kulti. Ende nuk jam i qartë se kush do të jetë kulti i këtij pështjellimi pa formë. Nuk besoj se mund të dalë prej rrjedhave historike për të qënë ndryshe. Sepse edhe kur thonë sot ndryshe ata janë kurrgjë më shumë se kopja e së djeshmes.
Në Shqipëri kur je nr.1 i një partie ke si platformë dy qëllime, të jesh absolut dhe i përjetshëm. Dhe prezenca e numrit 1 të partisë të jetë në plan të parë kahmos.
Ne jemi një vend i vogël, aq i vogël sa konsiderohemi të papërfillshëm në hullitë e zhvillimet historike të kësaj bote. Mirëpo kemi nja 100 liderë partish që janë prezent kudo, sa na kanë mbirë në sy deri në shpifje.
Në Amerikë askush nuk e di kush është lider i partisë Republikane apo i Partisë demokrate. Ejani e më thoni kush janë liderët e partive të shtetit më të fuqishëm në botë. Nuk i dini me shkakun e thjeshtë se nuk i shihni të dalin kurrkund në Median e shkruar e vizive. Ja që nuk i njeh kurrkush as në Amerikë e as në Shqipëri....
Pse duhet të ndodhë ndryshe tek ne? Pse duhet që Pinxho Kapella i partisë lëng groshe të njihet nga kushdo dhe të llomotisë në TV sa të çajë menderen.
Sa për Kreshnikun e vogël kaçurrel të lëvizjes populiste për t`u bërë parti e për të kërcyernë kolltuk e qeveri, do të thosha se kam një përvojë të hidhur të hipokrizisë së këtij udhëheqesi të ri të Aleancës Kuqe Zi.
Duke parëse tërë shtigjet ku mund të kërkonte drejtësi, në këtë vend ku korrupsioni merret si virtyt, i kishte të mbyllura, i kam këshilluar gruas së një komandanti të UÇK-së të vrarë në luftën e 2001 në trojet shqiptare, Dëshmor i Atdheut, (kur e nxorrën në rrugë me dy fëmijë jetimë nga gjykata mediokre e Tiranës dhe deputeti i lëvizjes “Vetvendosja” F.K., një ish-spekullator në New York me paratë e fondit"Vendlindja thërret"), të shkojë pra tek dera e zyrës së Kreshnik Spahiut, që është nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, t’ikërkojë drejtësi sepse gjyqi, si palë epaditur që ishte, i kish zhvilluar seancat e nxjerrë vendimin pa i lajmëruar dhe pa praninë e tyre. Pra të kërkonte prej Kreshnik Spahiut, nën/kryetar i KLD-së së këtij vendi që drejtësia të bëhej drejtësi e jo lesh e li në Gjykatën e Tiranës.
E çfarë bëri ky burrë i vogël që kërkon të bëhet politikan i madh....Nuk e priti.
Sekretari që rrinte në portë të tij tha se nuk qe në zyrë, por në të vërtetë Kreshnik Spahiu ishte në zyrë ku në vend të drejtësisë merrej me politikë të madhe. Edhe të nesërmen e njëjta skenë. Kreshnik Spahiu gjoja nuk gjendej në zyrë. E megjithatë aty ish. Një hipokrizie gjallë dhe e paprinciptë për një njeri që pretendon të mbikqyrë drejtësinë shqiptare.
Si nuk i dhëmbi shpirti për dy jetimët e Dëshmorit të Atdheut që edhe sot e kësaj dite vuajnë për faktin që një gjyqtar mediokër apo një gjykatë e kopromentuar i la pa strehë, kur ata i kanë dhënë këtij kombi jetën e babain e tyre, i cili kurrë më nuk mund t’u kthehet.
Nëse të vdekurit ndjejnë, çfarë torturë është për Dëshmorin e Atdheut, Komandant Teli, kur fëmijëte tij janë braktisur e lënë pa strehë pikërisht prej këtij shteti që duhej të shfaqej si prind e jo si despot mbi ta. Faqja e zezë. Turpi i të gjallëve.
Mjerimi i mjerimit për një popull është kur harron bijtë e vet që kanë sakrifikuar jetën që ai të gëzojë dritë e liri. Mosmirënjohja në këtë rast konsiderohet si shkatërrim i vlerave mbi të cilat ngrihet një shtet.
Si e ndjejnë veten sot dhe si do ta ndjejnë në të ardhmen këta fëmijë të braktisurnga drejtësia shqiptare, të anashkaluar nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. E si mund të kemi besim që ky farë burri me kaçurrela përmbi hundë se mund të bëjë diçka për Shqipërinë e shqiptarinë. Jo more jo. Nëse nuk bën dot asgjë për Njerinë, asgjë nuk mund të bësh për Shqipërinë. Ndaj i kam hequr vizë se është një kameleon i ngjyer kuq e zi, por shpejt do t`i dalë e kuqja e do të shfaqetsi fundi i tenxheres...
Kështu përshtypja ime për Kreshnikun e vogël që kur i vura shënimin në faqen e tij internetike për serbët që u shfaqën si nëpër tymra mesjete tek Pallati i Kongreseve, u kujtua që të nesërmen të shprehte një qëndrimme dy rrjeshta (më ka çue nana me la gojën) kur tregtarët serbët po iknin, pa harruar të hiqte shënimin tim, se mos i binte reputacioni njeriut që i mbeti dora në shkop të flamurit. Kështu doli në skenë si kofini pas të vjeli beniamini i ri i politikës në skenën zhurmëmadhe shqiptare ku yjet veç lindin e kurrë nuk shuhen.
O Zot, deri kur do të fahemi me kësisoj rrypash e qypash, kësisoj rrenash e kësisoj rrenacakësh kësulkuqë.
Tanimë edhe rrenacakë me Flamur!

31 October 2011

Vitori Çeli - regjisorja e parë e montazhit të filmit shqiptar.

Vitori Çeli - regjisorja e parë e montazhit të filmit shqiptar.
U lind dhe ndërroi jetë në New York

Këto ditë fundtetori kineastët kanë humbur një prej kolegeve më të vjetra në profesion, regjisoren e parë të montazhit të filmit shqiptar, Vitori Çeli. Mbase sot shumëkush në moshë të re nuk e ka dëgjuar emrin e saj sepse ajo prej dy dekadash jetonte në Amerikë. Ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare New York, në qytetin ku kishte lindur në një familje emigrantësh shqiptarë më 24 maj të vitit 1928. Prindërit e saj janë kthyer në Shqipëri kur ishte në moshë të vogël dhe studimet e shkollës së mesme i kreu në Liceun e Tiranës.
Nevoja për kuadro të profilizuar në kinematografi, arti i shtatë që sapo kishte nisur të zhvillohej në Shqipëri me krijimin e Kinostudios në vitin 1952, bëri që ajo të dërgohej në Moskë për t`u specializuar në montimin e filmave. Me t`u kthyer nisi punën në montimin e filmave kronikalë, i vetmi zhanër që zhvillohej në atë kohë. Kështu me punën e saj, u bë regjisorja e parë e montazhit të filmave shqiptarë. Në vazhdimësi ajo bëhet edhe regjisorja e montazhit të filmave të parë artistikë shqiptarë, “Fëmijët e saj” 1957 me regjisor Hysen Hakani dhe “Tana” 1958 me regjisor Kristaq Dhamo. Gjithashtu bashkautore në montimin e filmit shqiptaro-sovjetik “Furtuna”1959, si dhe regjisore montazhi në filmat “Debatik”1961, “Toka jonë”1964, “Vitet e para”1965, “Përse bie kjo daulle” 1969. Realizoi edhe film artistik si regjisore, por ajo që e bëri emrin e saj akoma më të njohur ishin 35 filmat dokumentarë dhe kronikalë që realizoi si regjisore e filmit dokumentar ndër të cilët “Asdreni” me të cilin fitoi kupën e festivalit të parë të filmit shqiptar në 1976, “Vëllezërit Topulli”, “Bekim Fehmiu në Shqipëri”, “Pr. Dr. Aleksandër Xhuvani”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, “Prite, prite Skënderbenë” e tjerë.
Vitori Çeli ka qënë një shkollë e vërtetë e kineastëve të rinj shqiptarë, veçmas në vitet `70-`80, kur prodhimi kinematografik u shtua deri në 10-14 filma artistikë dhe rreth 50 filma dokumentarë në vit.
Ajo ishte nga ata njerëz që ia kushtojnë jetën e vet artit. Filmi ishte çdo gjë në jetën e saj. Nuk krijoi familje. Fëmijët e saj ishin dhe mbetën filmat që krijoi të cilët nga ana profesionale(nëse mund t`i përjashtojmë imponimet ideologjike që sillte koha e regjimi) ishin të një niveli shumë të lartë. Ajo e vlerësonte montazhin art dhe bënte që ekrani të ndjehej sa më afër lëvizjeve dhe atmosferës së realitetit. Kjo u theksua edhe në mars të këtij viti, kur kineastët u mblodhën e folën për krijimtarinë e saj në Arkivin e Filmit Shqiptar, i cili bën një punë shumë të mirë në ruajtjen dhe afirmimin e traditave në artin e ekranit të madh në të cilin Vitori Çeli ka lënë punën, pasionin dhe emrin e saj të merituar. E të vjen keq se ndërsa bëhen dekorime e vlerësime, emri i ndokujt me ose pa dashje harrohet, çfarë nuk duhet të ndodhë sepse pa ato kuadro të xhiruara të arkivës së filmit, ku tjetër mund ta shohin brezat që vijnë të shkuarën, që për mirë apo për keq ajo ishte një pjesë e jetës së popullit shqiptar.

Kolec Traboini
kineast

Regjisorja Vitori Çeli me skenaristin Kolec Traboini dhe operatorin Niko Theodhosi, fitues të kupës së Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar 1976.

01 September 2011

PER NJE GOTE BIRRE STRUGANE


PER NJE GOTE BIRRE STRUGANE

Më pëlqeu shumë shkrim yt se si e shite darkën e poezisë strugane për një gotë birrë, o Kalosh Çeliku. Ja vlen ndonjë herë të shesësh jo veç darkën por edhe shumë e shumë më tepër për një gotë birrë.



KOLEC TRABOINI

Më pëlqeu sidomos ajo puna e mbretërve të poezisë nga nahija e Shqiperisë së vitit 1913, sepse vërtetë në hapsirën vjershëtare shqiptare 1913 ka mbretër, por ka edhe feudalë, po ka edhe veqilë e taksidarë, po ka klane, po ka edhe politikë, ka edhe parti në poezi. Të gjitha i ka.
Problemi është se çfarë soj mbretërish ka këtej kufirit, o i nderuar Kalosh Çeliku matanë kufirit, se ka mbretër e mbretër. Ka mbretër me gjak blu por edhe të vetshpallur e vetkurorëzuar. Dihen mirë këto punë ndër ne.
Po këta mbretërit tanë janë as më pak e as më shumë por mbretër bërsish e jo poezish. Nuk ka nevojë ti them lexuesit se bërsitë janë mbetjet e rrushit pasi ti nxirret rakia. Ashtu dhe poezia. Fut një gotë në gurmaz e shkruaj dy rrjeshta. E me nder jush; shurrë dhe poezi. Të paktën qe pesëdhjetë vjet kjo ka funksionuar në Shqipëri. Se partia ka qënë kundër Lirisë por jo kundër rakisë.
Për të thënë të vërtetën e këtyre pesëdhjetë vjetëve të fundit, përveç Frederik Rreshpes, (dritë i bëftë shpirti poetit në atë botë të pasosun), që ishte i vërtetë si drita e diellit, përpara të cilit dukemi lakuriq edhe sot e kësaj dite, të tjerët veç shkruanin vargje të sforcuara, ku thonin shumë po nuk ndjenin kurrgjë e nuk ngurronin të ngrinin frone për të vënë vetën e sajesat e veta pseudopoetike ndersa Rreshpen( pra poezinë) e rrasnin dy herë në burg. Por edhe sot nga varri si dje nga burgu ky prap po i sfidon. Besa dikush shumë kish dashtë që ky poet të mos kish ekzistuar kurrë, sepse është as më pak e as më shumë por modeli i të vertetës në poezi, ai shteg që vështirë është të kalohet.
Të mos harrojmë se bëjnë edhe këndej nga 1913-ta festivale poezish ku u japin çmime njëri tjetrit. Apo ftojnë ca gra teveqele nga Italia apo gjetkë, i miklojnë e dorovisin me çmime me kusht që tua kthejnë nderin në vendin e tyre.E vërteta është se kjo marrveshje funksionon e pseudopoezia lundron në mes të dy brigjeve.
Edhe Struga nuk mendoj se shpëton nga këto simptoma se poezia e vërtetë kurrë nuk ka pritur ta vënë nëpër tribuna e as ti vënë kurora dafinash. Ajo është poezi pa patur nevojë të ketë kumbar e ti vënë një ëmër, a ta nxjerrin me xhingla mingla në pazar.
Satiriku Niko Nikolla, që paska patur fatin të shkojë në Strugë, ka pas të drejtë kur ka thënë “Jemi popull shkrimtar”. Ai qerrata humorist ka imituar parullat e Enverit kur thoshte jemi popull ushtar. Po ne jemi edhe popull rapsodik e pse jo satirik.
Duke qënë se edhe vetë kam pas dëshirë të vjetër marr pjesë si çdo shqiptar tjetër andej e këndej vitit 1913 , kisha dasht me ditë se kush nga Shqipëria ishte ftuar dhe çfarë produkti poetik kanë sjellë me vete këtë herë. Them produkt se ka ardhë koha ti shohim gjërat siç janë. Se po ftohen më shumë do pseudopoete për kofshë e lezete se sa për poezi. Unë nuk kam ndërmënd t’u vë poezive pseudonine me emrin e ndonjë bukuroshje cicëmadhe tiranase që t’u ndezë fantazinë, të erektohen e zhulaten, që të kandisën të më ftojnë Abdylaqimat e poezise së netëve strugane.
Kam pas nëpër vite dyshimet e mia, por tani që mësoj prej teje se nuk i kanë dhënë kurrfarë çmimi një kollosi si Murat Isaku, krejt origjinal ky, modern e i papërsëritshëm në letërsinë shqipe, tani pra nuk kam më pse të çuditëm që punët kanë ardhur deri në atë zgrip me shit darkën festivalit të poezisë për një gotë birrë.
Nuk e di ku janë poezitë e atyre mizave, brumbujve a ndoshta gjenive që kanë marrë çmime, por di se poezia e Murat Isakut këtu është e pranishme, anipse Murati Isaku i madh nuk jeton më.
Poezia e tij, që po ta shënoj këtu më poshtë çarmatos tërë këta soj mbretërisht lakuriq që thurin shtëpi poezish me purteka ndersa Isaku i thurte me fijet e zemrës e të shpirtit të vet:


ARTA’ MBYLLE DRITAREN

Arta’ mbylle dritaren-me fytyrë në oborr
Se duhmë e të vdekurve vjen nga jug i largët.
Qindra vjet’e dashur’me plumba në kraharor
Trualli po vjell vetëm vrer e gjak....

Arta’ mbylle dritaren se drithmën ma ngjesin
të vdekurit’ që këmbët i lidhin mbi gur
Nga shtizat në grykë-shoqet e tua s‘dua të vdesin
bijë e dashur’
se e rëndë është vdekja me dhunë.

Arta’ mbylle dritaren’krisma zemrën ma shkund’
Prej vdekjes së dytë tremben të vdekurit gjithkund.


Që të davaris retë që lënë nën hije dyshimi mendimet e mia, të kisha lutë pra o Kalosh Çeliku, të më thuash se kush nga Shqipëria kish ardhë në atë kuvend poezie këtë vit në Strugë dhe për më tepër t’i pergjigjesh kësaj pyetje: Abdylaqimat e Maqedonisë që i organizojnë këto festivale a dinë kund ku bie me shtëpi poezia?
Se kush e di, mbase nuk e dinë e nuk kanë fa,j e ne veç po rrahim ujë në havan.
Po më pëlqen shumë shkrim yt se si e shite darkën për një gotë birre o Kalosh Çeliku por( se të gjitha dardhat e kanë një bisht apoetik nga mbrapa), t’i kishe ndrruar edhe Abdylaqimët e poezisë së rremë për një poezi të vërtetë nuk do të kishe bërë keq.
Por Abdylaqimët prap në skenë do të dalin, ndaj të bëjmë sabër deri vitin që vjen.

Shtator 2011