24 January 2018

🟦 A kanë grekët ligj lufte me Italinë?- nga Kolec Traboini




A KANË GREKËT LIGJ LUFTE ME ITALINË?
Çfarë duan varret e pushtuesve grekë në Shqipëri?

Nga Kolec P. Traboini

Një takim tre ditor i mbyllur u zhvillua në Korçë në mes të dy ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë. Duke e marrë me mend se ministri që përfaqëson Shqipërinë në këto bisedime nuk ka nxjerrë zë sa i përket të vërtetave të dhimbshme historike, do të kishim dashtë që ministrit grek ti shtroheshin disa pyetje. Ta zëmë: A kanë në agjendën e vet politikanët e Greqisë ligj lufte me Italinë? Po me Gjermaninë, se me ata kanë bërë luftë. Meqë e paskan ende ligjin e luftës me Shqipërinë që kurrë nuk ka bërë ndonjë luftë pushtuese në histori.
Si mund të ketë ende në fuqi ligj lufte në mes të dy vendeve të Natos, të Bashkimit Europian do të ishte pyetja tjetër? Si mendoni se ka akoma ligj lufte në mes të Francës dhe Gjermanisë....Bah....Grekët me të vërtetë janë të çmendur, ndërkohë që politikanet tanë janë debila. Me plot kuptimin e fjalës.
Ne vërtetë u këndojmë trimërive e legjendarizojmë historinë, por nuk besoj se ka një komb tjetër të ketë pasur politikanë e shtetarucë më tradhtar të poshtër se kjo e mjera jonë Shqipëri. Prandaj jemi humbës në histori. Cili vend në Europë ka humbur më shumë territore se Shqipëria dhe cili vend tjetër ka pushtuar më shumë territore të tjera se sa Greqia. Territore shqiptare sigurisht.
Pse vazhdojmë të jemi humbës edhe sot e kësaj dite? Në Kosovë do ti japin troje shqiptare Malit te Zi me të ashtuquajturin demarkacionin i vijës së kufirit. Veç për ca viza në pasaportë. Mjerim. Por edhe turp gjithsesi. Politikanet europianë këndellen. Këndej do ta mbushim Shqipërinë me varre greke. Na u shpifën me këto varre ne këto dy pëllëmbë tokë që na kane lënë si Atdhe pasi na gjymtuan e grabitën gjysmën e trojeve shqiptare. Po fundja le ti marrin kockat e të vrarëve të vet në tokën e vet se nuk kanë rënë për Shqipërinë e shqiptarët po për Greqinë në atë kohe lufte, duke e bërë Shqipërinë e pushtuar fushëbeteje për interesa e veta shovinistë. Pse nuk e dimë ne që çakejtë e Athinës kërkonin Vorio Epirin, kur Epiri i Jugut ishte territor historikisht shqiptar. Ndërkohë viktimat e Çamërisë nuk kanë varr në trojet e veta të lashta. Pse nuk e ngremë zërin për Gjenocidin grek ndaj shqiptareve. Për masakrimin e burrave e grave, fëmijëve e pleqëve. Nuk dinë të flasin diplomatët tanë?
Por heshtin si mumie? Kjo se në Shqipëri ka ndodhur e paimagjinueshmja. Postkomunizmi ishte e vazhdon të mbetet një komunizëm i kamufluar aq ligsht që i shet interesat kombëtare fare hapur. A mund të mendohej në 1991 se i biri i kuadrit të lartë të Enver Hoxhës, Sulejman Bushati, do të bëhej Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe do të kishim kryetar parlamenti ministrin e brendshëm të diktaturës. Interesat e kujt do të mbrojë ai ministri pinjoll i Sulejman Bushatit?! Jam i bindur se në takimin 3 ditor në Korçë ky pinjoll i komunizmit vetëm ka dëmtuar interesat e Shqipërisë e shqiptarëve pa asnjë përfitim veç atij personal të klanit qeverisës. Padyshim sepse varret e ushtarëve pushtues greke anë e mban tokave shqiptare janë shitje të interesave kombëtare, një plan dinak afatgjatë brenda strategjisë shoviniste greke.
Po, po, këtu ka ndodh e paimagjinueshmja.  
I shkreti popull në çfarë mjerimi ekonomik dhe intelektual ka rënë, një popull që edhe kur e rrahin edhe kur e poshtërojnë nuk e ngre zënë. Ja venë varrin e grekut që erdhi si pushtues si monument tek dera dhe shqipua hesht. 
Sa shumë po nguten brenda e jashtë Shqipërisë për ta shkatërruar e poshtëruar këtë komb. Këtë komb që ka zgjedhur si mjet lufte heshtjen pa e ditur se heshtja është humbësja më e madhe tragjike në histori.

08 January 2018

🔴 Rrëfimi i Faik Konicës për Ahmet Zogun

 
RRËFIMI I FAIK KONICËS PËR AHMET ZOGUN
Një barbar i paqëndrueshem e bukëshkalë, gjysmë hero e gjysmë karagjoz.- shkruan Konica. Shkrim që nuk botohet askund. Pse e fshehin e dinë ata që ende ëndërrojnë mbretëri në Teatrin e Kukllave të Tiranës.

Nga FAIK KONICA

Të premten e zezë, më 7 prill 1939, ndërsa mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë ishte e sëmurë në shtrat, pasi dy ditë më parë kishte lindur një djalë, fashistët pa asnjë provokim të dukshëm dhe pa shpallur luftë, pushtuan Shqipërinë, një vend të paarmatosur, pothuaj pesëdhjetë herë më të vogël sesa agresori.
Kjo bëmë e lavdishme ngjalli xhelozinë e mbretit Zog të Shqipërisë, i cili nga dëshira për të hyrë në garë me një heroizëm kaq të madh, ua mbathi me të shtënën e parë dhe i la atdhetarët shqiptarë të luftonin të vetëm kundër forcave me epërsi dërrmuese.
Përbuzja e botës së qytetëruar qe madje më e madhe se tmerri për agresorët fashistë, ndërsa sa për të kapërcyer ato momente në mënyrë të mëshirshme, ajo e përmbajti opinionin e saj për dezertorin shqiptar.
Ndodhi që në atë kohë unë isha përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Uashington, ku isha vendosur që më 1929 si i dërguar i vendit tim, për rilindjen e të cilit kisha punuar që në rini. Qeveria amerikane duke iu përmbajtur politikës së vet për të mos njohur ndryshimet tokësore të bëra me “metoda gangsterësh”, vijoi të më quante si përfaqësues ligjor të Shqipërisë. Për më tepër, ky vendim lidhur me gjendjen time u bë më i lehtë nga fakti se fashistët, në fillim duke e paraqitur veten në mënyrë mjaft të çuditshme si “çlirimtarë” të Shqipërisë dhe jo si dhunues të lirisë së saj, u kujdesën që të ngrinin një qeveri shqiptare të rreme, që e mbajti shërbimin diplomatik. Por italianët, të cilët në kundërshtim me vendin e tyre madhërisht të shquar në historinë e kulturës, disa herë na shfaqen më të zgjuar sesa inteligjentë dhe që gjithmonë kanë qenë të përmendur për padurimin e tyre, nuk mund ta mbanin më në këmbë një mashtrim që ishte i leverdishëm për prestigjin e tyre duke i hedhur një vello, sado të hollë, dhunës së tyre, kështu që nga mesi i korrikut qeveria – kukull e Tiranës mori urdhër të mbyllte legatat dhe konsullatat shqiptare jashtë shtetit. Njëkohësisht të dërguarit e vendeve të ndryshme, duke përfshirë edhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të vendosur në Tiranë, u informuan në mënyrë mjaft të papritur se statusi i tyre diplomatik nuk do të njihej këtej e tutje. Shumë shpejt pas kësaj, që të jemi të përpiktë më 24 korrik 1939, Sekretari i Shtetit më thirri në Departamentin e Shtetit dhe më njoftoi se, mbi bazat e reciprocitetit, ai ishte i detyruar ta quante se misioni im kishte marrë fund. Zoti Kordel Hall, i cili u bë edhe më i mirësjellshëm sesa ishte zakonisht, me sa duket e kuptoi habinë time të pashprehur për diskriminimin e dukshëm kundër Shqipërisë në krahasim me trajtimin që i ishte bërë Çekosllavakisë, i dërguari i së cilës vazhdonte të njihej si përfaqësues ligjor i kombit të vet. Zoti Kordel Hall më shpjegoi se ndryshimi në trajtim vinte për shkak se “ndryshimi i Çekosllavakisë ndodhi brenda një nate”, ndërsa në Shqipëri ndryshimi ishte bërë shkallë-shkallë. Unë nuk kam dyshim se ky shpjegim ka baza mjaft të shëndosha, por më duhet të pranoj se unë nuk arrita ta kuptoja. Megjithatë nuk e ndieja se kisha të drejtë të kërkoja shpjegime. Pasi dëgjova që në fillim pa e hapur gojën, e falënderova Sekretarin e Shtetit për shumë qëndrime të mirësjellshme gjatë misionit tim dhe u largova.
Është e tepërt ta them se isha i hidhëruar për gjithçka nënkuptonte ky epilog i trishtuar lidhur me të ardhmen e vendit tim, por njëkohësisht më duhet ta pranoj se pata një farë ndjenje të lehtësimit vetjak. Është e qartë se pozita e një njeriu, që pranohet si i dërguar i ligjshëm i një kombi dhe megjithatë nuk përfaqëson dot një qeveri reale, është e hapur për shumë gjëra të pakëndshme. Kjo më kujton një aktor të Shopenhauerit, i cili vijon të luajë pasi ka mbaruar shfaqja dhe është ulur perdja. E ndieja veten edhe më të çliruar megjithatë, sepse lidhja ime me Zogun ishte shkëputur përfundimisht.
Asnjëherë Zogu nuk ka qenë një sundimtar me të cilin mund të merreshe vesh, por në vitet e fundit ai ishte bërë i padurueshëm. Nga natyra ai kishte disa cilësi të shquara dhe në fillim kishte zotësinë t’i maskonte të metat që i kishte më të shumta, derisa një ditë suksesi në rritje e shtyu të hiqte maskën dhe doli siç ishte: një barbarë i paqëndrueshëm dhe bukëshkalë. Por edhe për ata që u pëlqen, edhe për ata që nuk u pëlqen, ai mbetet një karakter enigmatik interesant, një përzierje e papajtueshme kontradiktash, gjysmë hero e gjysmë karagjoz, i cili për shumë kohë do të tërheqë si mbledhësin e çudirave të historisë, edhe studiuesin e psikologjisë. Disa herë më kanë kërkuar të shkruaj një libër të shkurtër për këtë personazh kureshtar. Kam qenë në mëdyshje për shumë kohë, kryesisht sepse jam zënë prej disa vjetësh me planin për një histori të Shqipërisë, të mbështetur në kërkime të mundimshme, që përfshijnë studimin e dorëshkrimeve të pabotuara në bibliotekat e Evropës. Megjithatë, në çastet e çlodhjes, duke shfletuar faqet e ndonjë autori të kohës së Elizabetës siç bëj herë pas here, më duket se kam parë ndonjë fanepsje të Zogut në pjesën e Shekspirit për mbretin Xhon dhe Dogberrin ose në veprat e Marlout për Mortimenin e Ri dhe Çifutin e Maltës. Shkurt, Zogu që nuk më ka interesuar asnjëherë si sundimtar, më në fund më preku fantazinë si subjekt anatomie. Zaret u hodhën. E ndieja se duhej të shkruaja diçka për të.