12 February 2018

Sofizma greke për detin - nga Kolec Traboini



SOFIZMA GREKE PËR DETIN
Zë sirenash athinjote në “Panorama” dhe “Top Channel” TV

 Nga KOLEC TRABOINI 

Ama lajme nga Athina që po na sjellin "Panorama" dhe televizioni “Top Channel”. Kalin e Trojës po sjellin. Shkruajne tituj shkrimesh të fryra si tollumbace pranvere "Zbulohet marrëveshja me Greqinë, Shqipëria rifiton hapësirën që humbi ne 2009". 
Shqipëria more myteberrët e medias së shkruar dhe vizive, në 2009 nuk humbi asgjë sepse marrëveshja u anulua. U prish. Zyrtarisht konsiderohet inekzistente. Pikërisht për këtë nuk ka bazë krahasimi aq më tepër të që konsiderohet fitim. Nuk bëhet krahasimi me një objekt që nuk ekziston sepse ajo Marrëveshje e 2009 nuk u zbatua kurrë dhe nuk merret në evidence siç përrallis Athina dhe kasnecët saj në Tiranë "Panorama" dhe "Top Channel" .
Atë marrëveshje e asgjësoi, pra e bëri të paqenë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. I lumtë asaj se mbrojti të drejtën e shqiptarëve që po cënoheshin nga dinakëria e grekëve dhe qorrollisje mediokre e diplomacisë shqiptare. Si gjithherë.  Por nuk ka bazë krahasimi. Ajo është një marrëveshje e vdekur. Dhe i vdekuri nuk mund te konsiderohet i gjallë pa qenë diplomacia nekrofage.
Mirëpo grekëve u intereson të thonë se në çdo marrëveshje Greqi -Shqipëri fitojnë shqiptarët. Madje edhe kur humbin (si në rastin e varrezave të ushtarëve pushtues greke në trojet tona) shqiptarët na qënkan të  fituar. Fitore si e Pirros. 
Problemi more mediatikët tanë që na sillni broçkulla greke për ti shitur në Tiranë është se, fitoi apo humbi Shqipëria nga ato që kishim deri në 1990 kur dhisë greke që mbante lart bishtin e vet të zgjebosur, shqiptarët i treguan shkopin tek thana.
Në të drejtën zakonore ndërkombëtare nuk bëhet krahasimi me një objekt që nuk ekziston sepse e përsërisim ajo Marrëveshje e 2009 nuk u zbatua kurrë dhe nuk merret në evidencë siç po na përrallisin dhe zografisin Athina dhe përcjellësit e dinakërive të saj në Tiranë, gazeta "Panorama" dhe televizioni “Top Channel”. 
O po kjo logjike absurde tregon më shumë se dinakëri. Të ngop me lugë zbrazur. Pa le, të thotë edhe  "të bëfte mirë o lal, o lol, o kaqol". Shqiptarët pra na fituakan gjysmën e asaj që humbasin. Fitimtarë u thënçin! Me një fjalë fitojnë lesh me qimet e çiftit diplomatik Koçia – Bushati në kulisat e Kretës. Tradite e partisë postkomuniste socialiste. Edhe Fatos Nano me Sllobodan Millosheviçin në Kretë u takuan. Dhe shiti çfarë kish për të shitur Nano në një takim tet a tet me krye kasapin e Ballkanit. Pra vetëm për vetëm. Fytyrë për fytyrë si dy faqezinj e aventuriere ballkanikë.  
Kësaj që bëjnë edhe kësaj herë këta shitblerës të interesave kombëtare i thonë sofizëm i kulluar dhe buron si nocion filozofik nga greqishtja e lashtë.
Mos e hani sapunin grek për djathë feta, o shqiptarë."


11 February 2018

Tre shqiptarë në Eurovizion: Ermal Meta. Eleni Foureira, Eugent Bushpepa - nga K.Traboini


Ermal Meta
(https://youtu.be/R0NF8BZlH4I)

TRE SHQIPTARË NË EUROVIZION 2018:
Ermal Meta, Eleni Foureira, Eugent Bushpepa.

Ermal Meta është lindur në Fier, me 20 prill 1981, në moshën 13 vjeçare ikën familjarisht emigrant në Itali bashkë me vëllanë, motrën dhe nënën. Në kujtesën e tij e mbresëlënie nga vendlindja ka mbetur ashpërsia e babait por edhe butësia e mirësia e nënës së vet shkodrane, pianistja Mira Borova. E paharruar i mbetet një këngë e kompozuar në moshën 12 vjeçare në atdhe kushtuar një vajzë bashkëmoshatare që donte.
Nëna e Ermal Metës është nga rrethi familjar i muzikantit të shquar shkodran Luan Borova. Por edhe në lidhje familjare me këngëtaren e madhe Meliha Doda që ka lind ne Shkodër dhe në moshën 22 vjeçare ka shkuar në Vlorë dhe njihet si shkodrania interpretuese e shquar e këngës qytetare vlonjate. 
Duke pas parasysh gjithë këtë rreth muzikantesh (edhe babai i tij ishte muzikant)  tashmë e dimë se nga buron gjeni muzikor i artistit të madh shqiptaro-italian Ermal Meta.
Le të shpresojmë të ketë të njëjtin sukses edhe në festivalin europian - Eurovizion që zhvillohet këtë vit në Portugali ku do të kemi tre shqiptarë protagonistë; Ermal Meta i Italisë, vajza shqiptare që përfaqëson Qipron, Eleni Foureira, natyrshëm dhe Eugent Bushpepa, që përfaqëson Shqipërinë me këngën "Mall" .
Eleni (Entela) Foureira
(https://youtu.be/j38oAewmWEA)
Po kush është këngëtarja qe përfaqëson Qipron ne Eurovizion 2018 në Portugali?
Eleni Foureira (emri i saj i vërtetë është Entela Fureraj) ka lindur në Fier më 7 March 1987 dhe ka jetuar familjarisht si emigrante në Greqi. Ka filluar karrierën në 2007 me grupin e vajzave greke “Mistika” por me prishjen e grupit ajo filloi karrierën individuale në 2010. Eleni-Entela është aktore, balerinë dhe stiliste mode. Është vlerësuar duke u quajtur si mbretëresha e pop artit muzikor grek. Shumë kohë ajo e ka fshehur identitetin e vet si shqiptare nga frika e një diskriminimi që do ti rrezikonte karrierën muzikore në Greqi.
Që në albumin e saj të parë në 2010 ajo fitoi Çertifikatën e Platintë në Greqi.
Në 2012, dhe 2014 nxjerr nga enti diskografik “Minos EMI” dy disqe të reja "Ti poniro mou zitas (Çfarë dinakërie më kërkon)" dhe "Anemos agapis (Era e dashurisë)". Të dy albumet qarkulluan me sukses në Greqi dhe Qipro. Në 2017 në entin diskografik “Panikos Rekord” nxori albumin e saj të katërt “Vasilica”( Mbretëresha)".
Eleni (Entela) Foureira, është sot këngëtarja më e shquar dhe e suksesshme në Greqi, por tashmë përfaqëson Qipron. Popullaritetin e saj e tregon fakti se në një nga koncert përformimet e saj është ndjekur në You Tube nga më shumë se 100 milion shikues.

Kolec P. Traboini
11 shkurt 2018
Eugent Bushpepa
(https://youtu.be/DocjosVM5cU)




25 January 2018

Protokolli i Gjenevës për viktimat e luftës, 1977- nga Kolec Traboini


PROTOKOLLI I GJENEVËS PËR VIKTIMAT E LUFTËS
- Nuk ka formë detyrimi dhe nuk është pranuar nga fuqitë e mëdha rajonale-

Nga KOLEC TRABOINI

 Protokollet që kanë të bëjnë me viktimat e luftës (ku përfshihen ushtarët e vrarë) janë trajtuar në Marrveshjen e Gjenevës në dy protokolle që mbajnë datën 8 qershor  1977, për të cilat nuk kemi dijeni nëse Shqipëria i ka firmosur. Por edhe nese i ka firmosur(çfarë nuk ka gjasë sepse qeveria komuniste nuk lejonte krijimin e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri) ato nuk kanë fuqi ligjore ndërkombëtare. Pra nuk janë të detyrueshme për tu zbatuar. Pra kemi dy protokolle.
1- Protokolli Shtesë lidhur me Mbrojtjen e Viktimave të Konfliktit Ndërkombëtar të Armatosur, Gjenevë, 8 qershor 1977.
2- Protokolli Shtesë lidhur me Mbrojtjen e Viktimave të Konflikteve të Armatosura jo Ndërkombëtare, Gjenevë, 8 qershor 1977.

Shënimi informues në Wikipedia në gjuhën italiane që i shoqëron këto dy protokolle ështe si më poshtë:

Meqenëse nënshkrimi dhe ratifikimi i këtyre dy protokolleve ka ndeshur kundërshtime të forta, sidomos midis fuqive të mëdha dhe fuqive rajonale evropiane, rregullat e përfshira atje për momentin nuk kanë marrë vlerën e së drejtës zakonore ndërkombëtare.

Atëherë (pyesim ne Ministrin tonë të Jashtëm) mbi çfarë baze bëhen varrezat e pretenduara të 12 mijë ushtareve greke që erdhën si pushtues në Shqipëri në një luftë që kishte me Italinë, përderisa Konventa e Gjenevës per Viktimat (të vrarët) e Luftës nuk është e detyrueshme në të drejten zakonore ndërkombetare?
A nuk mjaftojnë që ti lemë ti mbledhin e ti varrosin në atdheun për të cilin luftuan apo i duan si mercenarë të vdekur për misionin e Megalidhes, prej të cilës kurrë nuk hoqën dorë shovinistët grekë.
Pse Qeveria jonë bëhet bashkëpunëtore e këtij qëllimi manipulues që mund të ketë pasoja tragjike për kombin shqiptar në rast të një konflikti ballkanik,  sepse i lë Greqisë mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në territorin shqiptar nën pretekste për të mbrojtur varrezat e grekëve të rënë në luftën e tyre pushtuese dhe jo çlirimtare. 
Dhe derën e kanë të hapur sepse ende mbajnë në fuqi Ligjin grotesk dhe absurd të luftës me Shqipërinë që tregon në çfarë marrëzish dhe deliresh jeton politika greke.Por jo vetem ajo, por edhe këta marrokët tanë që nuk dinë të qeverisin dhe as të mbrojnë interesat kombëtare të shqiptarëve dhe shfaqen në fushën e diplomacisë si nul, apo kashtë e byk siç thotë populli.

https://it.wikipedia.org/wiki/Convenzioni_di_Ginevra