11 May 2020

🟪 Mësuesi ynë i filmit Kristaq Dhamo - nga K.P. Traboini

Regjisori Kristaq Dhamo dhe autori i shkrimit Kolec Traboini

Nga K. P. TRABOINI

Në biseda të thjeshta, në komunikim njerëzor, duke na trajtuar si të barabartë, me një modesti të admirueshme Kristaq Dhamo na mësoi të bëjmë filma. Ai ishte dhe vazhdoi të jetë derisa Kinostudio u rrënua nga vandalët politike të kulturës, mësuesi ynë model në kinematografi! Dua të sjell një ngjarje të veçantë për të pohuar se megjithëse drejtues Kristaq Dhamo nuk ishte njeri skematik, as i ngurtë, as i sertë, siç kishte shumë të tjerë në atë regjim imponues. Ruaj në kujtesë një ngjarje që kurrë nuk e harroj.  Kryeredaktori i gazetës "Drita" Duro Mustafaj kishte bërë një kërkesë që të më merrte në redaksi si sekretar i kolegjumit, me që e hoqën Abdyrrahim Myftiun për "Pashallarët e kuq" të Ismail Kadaresë. Atë kohë isha redaktor në sektorin e filmit kronikal por redaksinë e kishim të përbashkët me filmin artistik. Më thirri në zyrën e tij Kristaq Dhamo, udhëheqësi artistik, e me mirësjellje më tha. Ka një kërkesë emërimi për ty, të shkosh sekretar kolegjiumi në gazetën "Drita". Çfarë mendon, me pyeti. Ngrita supet. Nuk e di, u shpreha. Por, vazhdova,  ma prish mendjen rritja e rrogës se kam dy fëmijë për të rritur. Sapo e kuptoi se kisha  një mendim të luhatun më tha: Mos shko. U çudita, se Kristaq Dhamo kishte marrë përsipër të më komunikonte e jo të më thoshte mos shko. E pa që unë po dyshoja e buzëqeshi. Je i ri - më tha, atje është një çerdhe grenzash, do të hanë. U topita. Ato fjalë nuk guxonte ti thoshte askush në atë kohë. Po ai e tha hapur e pa as më të voglin hezitim. Në do këshillën time, vazhdoi me ton solid Kristaq Dhamo, mos shko. Më bindi. Pastaj shtoi. Për rrogën mos u bëj merak. Do të bëjmë një ndarje në redaksi, ty do të propozoj në drejtori si përgjegjës i redaksisë së filmit dokumentar. Këtu do të jesh më mirë.
Jo vetëm me bindi, por edhe më shpëtoi nga ndonjë situatë e vështirë që mund të më ndodhte në çerdhen e grenzave të Lidhjes se Shkrimtareve ku i hanin kokat njeri-tjetrit. E falënderova për sinqeritetin dhe për këshillën. Ai më buzëqeshi e më rrahu krahët. Je më mirë e më i sigurtë këtu në Kinostudio, më tha dhe u ndamë.
Nuk shkoi gjatë dhe më emëruan përgjegjës i Redaksisë së filmit dokumentar dhe për 10 vjet e kreva atë detyrë që nuk ishte e lehtë, por sa kohë kisha udhëheqës artistik Kristaq Dhamon, falë fantazisë së tij krijuese mbresëlënëse,  gjithmonë gjendeshin zgjidhjet artistike. Mësova shumë prej tij sidomos në aspektet e dramaturgjisë dhe regjisurës, por edhe ai kishte besim tek krijuesit e rinj. I përkrahte pa kursim. Më kujtohet se kur më miratoi për realizim skenarin e filmit "Dëshmi nga Barleti", (me operator Ibrahim Kasapi), më tha "është shumë i vështirë, nuk e di si do t’ia dalësh, por duke parë pasionin tënd për këtë realizim kam besim të plotë se do të bësh diçka të mirë.". Kur mbarova filmin dhe e ia paraqita para se ta shfaqnim në kolektivin krijues, na shtrëngoi dorën e tha: keni bërë një film shumë të bukur, madje më të mirë nga se e mendoja. I tillë ishte udhëheqësi artistik Kristaq Dhamo. Edhe pse në fillim mund të kishte rezerva, duke parë pasionin e krijuesve të rinj,  i motivonte e përkrahte ata pa kursim. Atë vit filmi "Dëshmi nga Barleti" u shpall realizimi më i mirë dokumentar i vitit 1990 dhe mori shpërblimin e caktuar në vlera monetare. Po ky është vetëm një episod i vogël që ka të bëjë me mua, por ai ishte mësues e udhëheqës artistik për një plejadë artistësh të rinj që ruajnë një mirënjohje të madhe për të. E vërteta është se Kristaq Dhamo na konsideron si shokë e miq, si kolegë, por ai ishte e mbetet gjithmonë mësuesi ynë i filmit!
Nga ana profesionale thjeshtë dua të vë në dukje se Kristaq Dhamo, ky krijues e modest i madh, mban mbi shpatulla meritën më të jashtëzakonshme në kinematografi, është regjisor i të parit film artistik të plotë shqiptar "Tana" përuruar më 17 gusht 1958,  i cili, pa as më të voglin dyshim është shkolla e filmit shqiptar.


                                                             *      *      *




Në kushtet e një shoqërie kaotike, harraqe, ku në biseda televizive apo në shtyp për kinematografinë dalin e flasin soj-soj njerëzish që nuk dinë asgjë si ka proceduar filmi shqiptar, duke lënë e mënjanuar krijuesit e mëdhenj të filmit, mendova se dy fjalë duheshin folur që të mos ngrejnë idhuj të rremë duke i quajtur madje koka të mëdha të kinematografise edhe ata që ishin më të zakonëshmit. Gjithashtu desha që themeluesi i filmit artistik shqiptar Kristaq Dhamo të ndjejë e të kuptojë se tek njerëzit, bashkpunëtorët e kolegët, tek nxënësit e tij ka lënë përshtypje të mira dhe të mirat që ka bërë nuk kanë humbur. Por nuk u nguta të shkruaj biografi për Kristaq Dhamon. Nuk më takon mua. Por thjeshte të jap impresionin tim. Do të desha që edhe të kineastë të tjerë të shkruanin mbresat e tyre, se të jenë të bindur që për Kristaq Dhamon do vijë koha për tu shkruar edhe libra. Brezat e të ardhmes askush nuk i pengon dot të përceptojne me vërtetësi e pa manipulime atë çfarë historia tashmë e ka regjistruar.

Maj 2020


Pllakati i filmit të parë shqiptar "TANA"


09 May 2020

Requiem per poetin Tonin Shtjefni/ nga Kolec Traboini

  REQUIEM PËR POETIN TONIN SHTJEFNI
 
”Ku shkove kështu,/ cilat zemra të mbuluan e më nuk të pamë,/ si një dashuri mes dashurive në qiej të hapur,/ ikën e ikën e asnjë fjale s’të thamë.”/

Shkruar nga KOLEC TRABOINI
 
Në rininë tonë në Shkodër, Tonin Shtjefni konsiderohej si një nga poetët e rinj më të talentuar dhe me një të ardhme të padyshimtë. Ishte një lirik i spikatur dhe ne fillestarët në fushë të letrave e ndiqnim me admirim krijimtarinë e poetin të ri gjimnazist. Në atë kohe në Shkodër shkruanin autorë tashmë të njohur Frederik Reshpja, Aleksandër Gera, Fadil Kraja, si dhe disa të tjerë që nomenklatura i imponoi përdhunshëm, por u harruan shpejt.
Nga autorët fillestarë binin në sy grupi i Profesor Hasan Lekaj, i cili drejtonte rrethin e letrarëve të rinj para e pas vitit 1970, ndër të cilët ishin Tonin Shtjefni, Alfred Çapaliku, Riza Lahi, Fluturak Gërmënji, Mehmet Gucia e tjerë. Binte në sy dhe studenti i Institutit të Lartë Petagogjik Dodë Kaçaj, që bëri karrierë në politikë, u zgjodh deputet demokrat, ndërroj jetë në moshë relativisht të re dhe një shkollë në Malësi të Madhe mban emrin e këtij mësuesi e poeti.
Siç kishim të njëjtin pasion për letërsinë, rasti e solli që të studionim në të njëjtin fakultet, atë të gazetarisë, në Universitetin e Tiranës. Pas librit per femije “Endrra të këputura” do te botonte dy vellime publicistike. Tonin Shtjefni krahas studimeve do të bënte punën e kryeredaktorit të gazetës universitare "Studenti". Mbas mbarimit të studimeve do të punonte në disa organe shtypi si "Zëri i Rinisë" dhe revista “Ylli" dhe më pas mjaft vite si punonjës aparati. Gjatë kësaj kohe boton edhe dy libra të cilat nuk i takojnë sferës së letërsisë artistike.
Në vitet të demokracisë, kur ishte me detyrën e drejtuesit të Bibliotekës së Universitetit Politeknik të Tiranës, tashmë me fytyrë të kthyer nga letërsia, botoi dy librat: "Krishti e ka fajin", impresione personale, 2003; si dhe vëllimin me esè në vargje "Filozofia e jetës".
Të dy këto botime me sasi faqesh modeste, por me mendime të thella reflektive, spikasin si arritjet më të mira në krijimtarinë e Tonin Shtjefnit. Ndersa “Shtegtarët e Velushit” dhe “Pallati i miqësisë”, të botuar në 2007, ishin punime të viteve `80, ndoshta për këtë, nuk shënojnë ato arritje përkundër dy titujve që cituam.,
Në librin "Krishti e ka fajin" ka vëzhgime të imta të ngjarjeve të vitit 1990 dhe më pas, në ato mjedise ku ai ishte dëshmitar autentik. Si leitmotiv ka vënë vargjet sinjifikative: "Pse ngecëm në mes të ferrave/ ku jemi /na ndihmo o Zot, na ndihmo Shën Mëri. /Ja kryqin e ngritëm të lodhur, të djersitur /por robër të mëkatit mbetëm përsëri."
Që në krye të librit "Filozofia e jetës" Tonini Shtjefni shkruan, "…Vendosa ta botoj këtë libër i shtyrë jo vetëm nga malli për vitet e largëta, atëherë kur mendoja se poezia ishte gjithçka....". Mesa duket autori e pranon se prej poezisë kishte hequr dorë shpejt e me ndërgjegje dhe iu kthye asaj vetëm në fund të jetës, por pa marrë guximin ta cilësojë librin e tij poezi, anipse ato janë poezi të mirëfillta dhe vende-vende shumë të realizuara artistikisht. Le të citojmë:
"Kam parë yjet që binin nëpër qiejt e Europës/kam kujtuar shumë gjëra/dhe kam harruar shumë/ nëpër këtë lotim qiejsh kam kërkuar vetveten/dhe kam thirrur me forcë:/ Kush jam unë?”
Në faqet e librit gjen vargje të goditura që të vënë ndër mendime:
“Ne dëshmitarët e kësaj bote çdo të kujtojmë nesër? / Nesër, kur bota më e bukur do të jetë/do i themi njeri-tjetrit/si në një marrëveshje të heshtur/rob të kujt ishim/dhe rob të kujt kemi mbetë.”
Dhe ja një fund i trishtë, i rënduar tej mase në një ecje të autorit që meditonte në të gjallë për fatin e të shuarve, shpesh herë të harruarve:
“Unë ecja në trotuar/sipër kokës sime degët e thata kërcitën dhe ranë/unë i shkela me këmbë/por ato sikur pëshpëritën./ Kështu vitet e tua kanë filluar të thyhen/dhe kur ti të biesh i gjithë përtokë/dikush mbi to do të ecë rëndë-rëndë.”
Nuk e dimë se cilat ishin shkaqet e brendshme që e shtynë autorin në konkluzionin se “në rini mendohet se poezia është gjithçka”, apo kur shkruan: “Në këtë shekull erdha/asnjë gjurmë për të mos lënë/në mes të miliona anonimëve për të mbet anonim/fletoren e bardhë e mbylla/ për ta dorëzuar ashtu/me fletë të bardha, pa asnjë shënim./Ndonëse gjysma ëndërr më thoshte / shkruaj diçka/gjysma tjetër më thërriste “JO””.
Ishte kohë antipoetike. Tonin Shtjefni e dinte këtë më mirë se kushdo, sepse koha në invers, aty nën hijen e Piramidës, i vuri talentet të hartonin raporte, analiza, të shkruanin për një dritë që nuk shihej kurrkund, vetëm në kokën e ideologëve të demagogjisë. Ja si e shtjellon më tej mendimet e dilemat e tij tek “Filozofia e jetës”: “Ndonëse kisha shumë gjëra për të thënë/si në një morg të rëndë/unë vetëm heshta/gjersa në një mëngjes si somnambul/ në trotuar, mes njerëzve/veten gjeta./ Po qenka shumë vonë /më kuptoni miq më ndjeni shokë/gjysëm zgjuar, gjysëm ëndërr/ përsëri do të vazhdoj të endem nëpër botë.”
Poezia në të vërtetë është gjithçka, por ajo kërkon hapësira lirie, është e vërteta më pranë diellit, në kuptimin e artit të arteve, gjithdimensionale, që shkruhet e pëlqehet pa dallim moshe apo profesioni, poezia është gjithëçka për ata që i përkushtohen asaj dhe nëse i jep poezisë shumëçka nga jeta jote, ajo ta kthen madhërisht përkushtimin.
Ndoshta kthimi i vonuar i Tonin Shtjefnit përkah poezia ka qenë një pendim i thellë, një dramë personale për pasionin e harruar të rinisë, të cilën nëpër vite si punonjës i një strukturë hijerëndë kish patur frikë t`ia zinte në gojë edhe emrin, sepse mentaliteti kuadrovik të gjykonte… si mund të merrej me poezi një punonjës aparati?!
Sa e vërtetë është kjo e thotë vetë poeti në vargjet e tij si testament poetik: “Ju të gjithë më shikoni të çuditur,/ku shkon ky nëpër muzg,/nëpër natë,/pa e ditur se ç’bren e ç’gërryen një njeri, /memecllëku i gjatë.”
Drama e mospohimit të vetvetes në kuadrin e përgjithshëm të sistemit,  ka peshën e saj emocionale në mesazhin poetik të Tonin Shtjefnit. Ajo është e vërteta e dhembshme që na bën ta sjellim në kujtesë si një autor premtues që e bëri harakiri talentin e tij apo se ndoshta nënvleftësoi vetveten si letrar, se harroi nëpër vite se veprat krijuese janë jeta e dytë e njeriut në art. 
Të gjitha harrohen, edhe ato të cilat i konsiderojmë aq të qenësishme në jetën tonë, por ato pak çfarë shkroi me dashuri e dhembje një autor, i kujtojmë dhe i rilexojmë me endje edhe atëherë kur emri i tij të jetë kthyer në një kujtim.
Ikja e Tonin Shtjefnit kaloi në heshtje. Nuk lexuam kurrkund dy fjalë për këtë autor kur në kryeqytetin tonë dalin vandakë gazetash e revistash e ku shkruhen marrëzira të pafund, perversitete politike, llafeollogji mjerane dhe servilizëm i shpifur partiak, ndaj dhe e shohim me vend ta mbyllim këtë Requiem për një mik të rinisë, një talent që heshti pa arritur të thoshte deri në fund fjalën e vet, t`i drejtohemi pra Tonin Shtjefnit me vargjet që ai vetë shkroi nga fundi i jetës : ”Ku shkove kështu?/Cilat zemra të mbuluan e më nuk të pamë?!/ Si një dashuri mes dashurive në qiej të hapur /ikën e ikën e asnjë fjalë s’të thamë.”

KOLEC TRABOINI
Tiranë 2010
Copyright©Traboini 2010


Tonin Shtjefni, me profesion gazetar, ka lindur ne vitin 1949 dhe ka ndrruar jete ne vitin 2009. Pas mbarimit te studimeve universitare per gazetari ka punuar ne organe te shtypit, gazeta "Studenti" gazeta "Zeri i Rinise", Revista " Ylli". Mjaft vite ka qene punonjes aparati, ndersa mbas vendosjes se demokracise eshte ngarkuar me detyren e shefit te zyres se shtypit ne Kuvendin Popullor e pas kesaj drejtor i Bibliotekes se Universitetit Politeknik te Tiranes. Ka botuar shtate libra, poezi, publicistike dhe dy novela.


Drejtues i Bibliotekës së Universitetit Politeknik të Tiranës.

Tonin Shtjefni
FILOZOFIA E JETËS

Me këmbët e zbathura në rrathët e ferrit,
ecim dhe mundohemi
këtë shteg të kalojmë,
duke shtyrë njeri-tjetrin,
ne të burgosurit e lirisë në mëkatin tonë.
Jemi të gjithë këtu, me nga një kryq mbi supe,
duke u përgjakur mbi ferrat ku ecim,
duam të bindim vetveten se jemi të ndershëm,
Por ç’do të thotë ndershmëri,
pyesim dhe heshtim.
Përse ngecem këtu në mes të ferrave,
ku jemi,
na ndihmo Zot na ndihmo Shën Mëri,
Ja kryqin e ngritëm të lodhur, të djersitur,
por robër të mëkatit mbetëm përsëri.
Në këtë shteg të lodhshëm po na zë nata,
ditët po i presim në këtë shteg me rradhë,
duke urryer njeri-tjetrin,
duke e rrëzuar njeri-tjetrin,
njeri-tjetrin duke pështyrë dhe sharë.

* * *
Dje ishte një ditë me diell,
por kopshti i mendimeve kishte ngrirë nga ngrica,
unë shkela në truadhin që kërciste mjerueshëm,
shkela përdhunshëm,
dhe përdhunshëm ika.
Mu dhimbs kopshti im që e lashë në të ftohtë,
ktheva kokën dhe e pashë përsëri,
i bindur se një ditë prap këtu do të kthehem
kur të vijë pranvera e ngrica të shkrijë.

* * *
Një kalë trokon nëpër heshtjen time,
trokon,trokon e ikën papushim,
sa larg ai qënka,
sa kohë paska shkuar,
sa kohë paska shkuar,
duke trokuar në ditët pa kthim.
Ky kalë i vetmuar qënkam unë vetë,
i lodhur, i djersitur,
nëpër diell e shi,
njerëzit kthejnë kokën dhe I thonë njeri-tjetrit,
nga vjen e ku shkon ky kalë në vetmi.

Tonin Shtjefni, fragment nga libri “Filozofia e jetës”,
Enti botues “Gjergj Fishta” 2003