DREDHULA LETRARE
KOLEC TRABOINI
nga libri "Bukuri shkodrane" 2007
Mungesa e modestisë së autorëve është një çeshtje jashtëletrare dhe nuk meriton të merret në konsideratë në analiza poetike, mirëpo në qytetin metropol të Nju Jorkut shqiptaro-amerikanet, të cilat pretendojnë të quhen intelektuale (ashtu qofshin), u ndodhën përpara një rasti letrar unikal. Autorja, për librin e saj të parë të organizojë dy promovime, (siç u quajtën në shtyp), një në Tiranë, në Qendrën e Kulturës- Piramida dhe tjetrin në Nju Jork, gjë kjo, fort e rrallë, jo vetëm në letërsinë shqiptare, por edhe në atë botërore. Edhe autorët e mëdhej e të përbotshëm, nuk besoj të bëjnë dy promovime të njëtit libër, e jo më në dy kontinente.
Paradoksi pseudoletrar shqiptaro-amerikan, poezi denglash I mikluar nga ky rast mesa duket, një tjetër autor, por në prozën e shkurtër, pasi kish bërë në verën e vitit të kaluar promovimin e librit të vet, në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë dhe që e shiti si veprimtari të Lidhjes, por në të vërtetë ai pagoi paratë e lokalit, më pas sapo kaloi Atllantikun, bëri promovimin e dytë të librit të tij të parë në Nju Jork.
Kështu dy rishtarë në letërsi, me këtë rast u gjendën edhe në qendër të mediave, me fotografi e shkrime në faqet e gazetave (16 fotografi vetëm në një faqe gazete), sikur Shqipërisë t’i kishin lindur dy gjeni në një ditë të bukur njujorkeze
Kaq e trishtueshme është kjo lloj fryrje e fillestarëve, sa shkrimtarët e vërtetë që janë të përgjegjshëm për misionin në letërsi e që djersijnë natë e ditë mbi dorëshkrime, kanë prej natyre fort droje të paraqiten para lexuesve, por ama, kur shohin bujën që bëjnë fillestarët me kësisoj promovimesh, atyre ju veleritet dalja publike. Kësisoj manifestimesh me ngarkesë llakrash kozmetike dhe ondulacione flokësh të fryra, ju shfaqen si dita e balonave tabake e tauke, që organizonte dikur piktori Zamir Mati, në fushën e aviacionit, diku pranë Zogut të Zi në Tiranë, ku gjithesesili kish veç merakun e ngjyrave dhe kush e kush ta fluturonte balonën më lart.
Është e natyrshme që rishtarët, të cilët ende nuk e kanë mësuar letërsinë e vërtetë, e kanë atë privilegj, t’i çojnë balonat lart e më lart.
Por, e keqja e tërë të këqijave nuk janë rishtarët në ambicjen e tyre pa fre, por se sot vlerat e dyshimta dikush po i propogandon si vlera të mirëfillta, e kjo mënyrë është një sfidë e dëmshme, madje dhe vrasëse për poezinë në veçanti, por edhe letërsinë në përgjithësi. Dëmi që i sjellin kësisoj autorësh, e euforia që i shoqëron mediokrritetet, jo vetëm që plogështon krijuesit e vërtetë, por në të njëtjën kohë përpunon tek publiku shijen vulgare. Një blerës që është mësuar t’ia shesin verën të përzier me ujë, nuk është çudi që kur të bjerë në verë të vërtetë të patrazuar, të protestojë me të madhe, se kjo nuk është vera e shijes së tij dhe se e kanë mashtruar.
Shkuar pas kësaj shëmbëllese, le të sjellim vargje nga një poezi të autores, që siç thamë, ka bërë dy promovime të të njëjtit libërth dhe është mikluar nga njerëz të caktuar, si një talent i vërtetë.
Shkronjat e shqipes aty i gjej,Në Ftesë studiosh, a pallatë ëndërrash,Luftuan pashallarë të të gllabëronin,Po kuja e Nicës, i shqyente denglash.Me të drejtë Zef Luca nga Kanadaja i bëri vrejtje autores, se jo çdo vargëzim fjalësh mund të krijojë poezi. Por e keqja është se ky lloj vargëzimi që shitet për poezi, nuk ka as logjikën e një proze të thjeshtë. Shpesh fjalët përdoren përdhunshëm. Çfarë logjike ka në fjalët “Eleganca e vargut ngjall të vdekurit”...
Të thuash se shkohet sipas motivit popullor, “Hanko mos kalo mbi varre, se të vdekurit i ngjalle, e të gjallët në varr i kalle”, kurrësesi. Sepse në rastin e motivit popullor kemi një pasthirrmë emocionale të një dashnori të zjarrtë pas bukurisë së Hankos së Tepelenës, e njohur për bukurinë e saj. Ndërsa në rastin e vargjeve të kultivuara që cituam më sipër, ngjallja e të vdekurve i blatohet elegancës së vargjeve të një shkrimtari. Apo më tej “e gdhendë eposin me romane kështjellash”... Si u gdhendka eposi me romane kështjellash?!!! Eposin e kanë gdhendur shekujt, mijëra e mijëra shpirtëra artistësh popullor, të cilët kanë lënë tek ai kush një varg e kush një fjale, duke e çuar deri në përsosje. Eposin nuk mund ta gdhendë një shkrimtar i sotëm, sepse historia nuk mund të kthehet pas, e një shkrimtare nuk mund të bëhet një rapsod. Tek e shumta eposi mund të shfrytëzohet prej shkrimtarëve për të krijuar vepra në frymën e tij, duke shfrytëzuar elementet e veçanta, por jo ta gdhendë edhe më tej, sepse Eposi është një korpus historikisht i përfunduar. Ashtu siç janë mbyllur e përfunduar epokat historike.
E më tej thuhet: “lahutë zjarresh/ luftuan pashallarët të të gllabëronin/ po kuja Nicës i shqyente denglash”... Se si mund ti shqyente plaka Nicë denglash pashallarët, vetëm autorja e këtyre vargjeve e di. Në vazhdim: “çmimi Nobel endet si Laokonti / e vërteta e madhe me metastaza prekur “, janë shprehje jo vetëm apoetike, por madje edhe me mungesë llogjike. Për të përfunduar deri në absurdin:
“Lirinë hyjnore në Bibël shkruar/ me gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Nuk besoj se ky vargëzim bajat ka nevojë për koment.
Si ja vjedhin “Paradokset” Amerikës - jo vetëm shkruesit e papërgjegjshëm në Itali, por edhe gazetat qendrore në Tiranë. Diku më tej, në internet lexojmë një çudi tjetër që fandaks çdo lexues. Një autore emigrante nga Italia, që ka botuar disa vëllime, por që gjithnjë ngutet, pa u ulur për të redaktuar sadopak krijimet e veta, dërgon një vjershë të gjatë që nuk është gjë tjetër veç një përkthim i keq i një origjinali që i gjendet në internet. Mesa duket për rishtaret, apo ata që e kanë marrë poezinë si diçka të lehtë, u mjafton një hyrje e kërkim në Google, ku mund të marrin çfarë të duan e pasi t’i sheqerosin, t’i botojnë edhe në libra. E thënë ndryshe, interneti është bërë një lumë i turbullt ku mund të peshkojë gjithkush. Ka që nuk duan ta dinë për të drejtë autori. Ka që ta marrin poezinë tënde dhe pasi që i kanë bërë një shartesë fort të keqe i gjejnë vend në librin e vet.
Plagjiatura për të cilën flasim është një ese e Dr. Bob Moorehead, ish-pastor i kishës së krishterë në Overlake Seattle, i cili ka dalë në pension në vitin 1998, pas 29 vitesh në shërbimin kishtar. Eseja e tij “The Paradox or our age” është nxjerrë nga koleksioni i vitit 1995 të Dr. Moorehead, ku përfshihen lutje, biseda dhe monologje të përdorura gjatë shërbesës dhe emisioneve fetare në radio. Dikush që ka qënë dëshmitar i masakrës në shkollën Columbine High School, në Kolorado të Amerikës, më 20 Prill 1999, ku u vranë dymbëdhjetë nxënës me mësuesin e tyre, e rimori dhe e përcolli në internet mesa duket, si aktualizim i ngjarjes tragjike. Titulli i “The Paradox of our Age”, në internet është përcjellur me një ndryshin fare të vogël në titull, nga ‘Age’, në ‘Time’. Pra, nga Paradokset e shekullit tonë në Paradokset e kohës tonë. Kjo ese është mjaft e popullarizuar, megjithëse një autor ekcentrik si Xhorxh Karlin thotë se, nuk është kurrsesi poezi, por një jashtëqitje. Po sjellim të shqipëruar këtë ese:
Paradoksi i kohës sonë në histori është se, kemi ndërtesa të larta, por kemi edhe ndjesinë e shtypjes po aq; me rrugë krejtësisht të lira, por me pikëvështrime të ngushta, harxhojmë pa hesap, por kemi shumë humbje; blejmë më tepër, por shijojmë së paku, kemi shtëpi të mëdha dhe familje të vogla, më shumë komoditet, por kohë s’kemi fare, kemi më shumë tituj, por më pak sens, më shumë dije, por më pak gjykim, shumë specialistë, por më shumë probleme: më shumë ilaçe, por më pak shëndet..... Tymosim shumë, pijmë shumë, shpenzojmë të shkujdesur, gazmojmë më pak, udhëtojmë më shpejt, zemërohemi menjëherë, qëndrojmë deri vonë, zgjohemi më të lodhur, lexojmë më pak, shohim TV më shumë, e lutemi gjithnjë pak e më pak. I kemi shumëfishuar pasuritë, por pakësuar vlerat e shpirtit. Flasim tepër, duam rrallë dhe urrejmë shumë shpesh. Ne kemi mësuar të krijojmë mjedisin, por jo jetën. Ne i shtuam vitet jetës, por jo jetën viteve. Ne udhëtuam në hënë dhe u kthyem, por kemi droje të kalojmë rrugën për të takuar fqinjin e ri. Jemi pushtues të hapsirave të jashtme, por jo të hapsirave të brendshme. Ne kemi bërë gjëra të mëdha, por jo gjërat më të mira. Ne e pastrojmë ajrin, por fëlliqim shpirtin, ne e zotërojmë atomin, por jo paragjykimin. Ne shkruajmë shumë, por mësojmë pak, Ne thurim shumë plane, por realizojmë pak. Ne kemi mësuar të ngutemi, por jo të presim. Ne krijojmë shumë kompjuter, i mbushim plot informacione, prodhojmë më shumë kopje se kurrë, por veç komunikojmë pak e më pak... Kjo është koha e ushqimeve të shpejta por e tretjeve të ngadalshme: burrave të mëdhej dhe e karaktereve të vogla, përfitimeve të mëdha dhe marrdhënieve të cekta. Këto janë ditë të dy rrogave në familje, por më shumë divorce, godinave të hijshme, por familjeve të prishura. Këto janë ditët e udhëtimeve të shpejta, hedhjes së pelenave, braktisjes së moralit, një nate qejfi dhe aq, mbipeshës së trupit, e tabletave që mund të bëjnë gjithçka nga harendjellja, të heshtin, të vrasin. Eshtë koha kur ka aq shumë në vitrinën e mallrave e gjë prej gjëje në magazinë nuk ka. Mos harroni, kaloni ca kohë me të dashurit tuaj, sepse ata nuk do të jenë përrreth përgjithmonë. Jeta nuk matet me sasinë e frymëve që marrim, por me çastet kur fryma ikën prej nesh. dhe ja poezia që përcillet gjoja si origjinale (citojmë vetëm hyrjen):
Sot kemi rrugëkalime të gjera,
por pikëpamje të ngushta!
Shpenzojmë shumë, por kemi pak!
Blejmë shumë, por pak kënaqemi!
Kemi shtëpi të mëdha, por familje të vogla!
Kemi shumë lehtësira, por përherë e më pak kohë!
Diploma e grada të shumta kemi, por hiç ...pak ndjenja!
Kemi më shumë njohuri, por më pak gjykim!
Më shumë eksperiencë, por më shumë probleme!
Më shumë mjeksi, por më pak shëndet!...Natyrisht të dy variantet janë më të gjata, ato vazhdojnë kontekstualisht. E vetmja gjë e krijuar nga autorja janë ca vargje të fryra e pa lidhje, alogjizma, që i shtohen poezisë origjinale në mënyrë përçudnuese:
Sot derdhemi si spermë kozmike / në qendër të tokës për të krijuar akoma lindje djajsh / Pa prekur shirat universal / Çfare udhëtimi!!! / me te njejtin stacion FINAL!
Pra, me shkak të këtyre katër vargjeve në tym, eseja e pastorit Dr. Moorehead vendoset në krijimtarinë e kësaj autorje, sikur të ishte një vepër origjinale, e pa dhënë kurrfarë spjegimi.
Por, për të shkuar më tej në këtë vështrim, “Koha jonë”, e boton më 30 prill 2006 këtë essè pa autor. Mund të shihet në faqen e saj në internet, pa kurrfarë reference e kurrfarë autori. Kështu edhe gazeta hyn në vallen e skandaleve letrare krejt pa logjikë e pa nevojë. Ajo çfarë shfaqet si fenomen i kësaj kohe (The Paradox of Your Age), për ne shqiptarët e kam fjalen, sa i përket të drejtave të autorëve është se përvetësimi i hapur e pa kurrfarë droje, madje edhe duke bërë karrshillëk, bëhet jo vetëm nga autorë të veçantë, por edhe nga gazetat, për të shkuar deri dhe tek librat. Kujtoj këtu fjalorin frengjisht që ju vodh hapur autorit Vedat Kokona, apo hajnija që iu bë përkthyesit Blendi Kraja, fakt që e denoncoi hapur në shtypin shqiptar vitin e kaluar. Ana më groteske është se përkthejnë paradokse për tu bërë moral qytetarëve e vetë shfaqen si paradoks i gjallë, sepse vjedhja institucionalizohet, jo vetëm ndër individë të papërgjegjshëm, por edhe në median shqiptare. Ndërkohë që në Kuvendin e Shqipërisë shtrohet me të madhe e drejta e autorëve, mbrojtja e tyre me ligj, mirëpo kjo mbrojtje ligjore mesa duket ka të bëjë veç me autorët që jetojnë brenda vendit dhe jo të atyre të huaj, se me ata mund t’u veproka kaçakshe.
Të gjithë vetëshpallen poetë, 95 përqind shgarra-shkruajnë pa ditur të lexojnë… Na vjen keq ta themi, por kështu nuk shkruhet poezia, as nuk bëhet arti, madje as publiçistika e gazetaria. Kështu masakrohet poezia e arti përçudnohet. Një autor që ka botuar një, dy, a më shumë libra, nuk mund ta lejojë vehten të bjerë deri në trajtime të tilla pa asnjë vlerë e një gazetë serioze nuk mund ta lejojë vehten të botojë shkrime autorësh të huaj, së pari pa kurrfare leje dhe së dyti pa emrin e autorit.
Ne nuk mund të japim receta, se ka apo jo talent ky, kjo apo ndonjë tjetër autor, por ajo që mund të thuhet është se autorët, fillestar qofshin këta edhe në moshë të madhe, ka rrezik që, të përfshirë nga euforia, ta quajnë vehten shkrimtarë dhe të harrojnë të shkruajnë. E natyrisht shterrja do të sjellë tundime për të botuar me çdo kusht, madje deri edhe në akte të tilla të dëshpëruara që kurrsesi nuk janë reminishenca, por plagjiatura me ndërgjegje të plotë. Potencialisht të gjithë shqiptarët kanë një dell vjershëtari, por poezia e vërtetë, si art sublim, e tejkalon vargëzimin, nuk ka të bëjë fare me bejtet, me pasthirrma si “ditët lëpijnë njëra tjetrën”, apo ca folklorizma të ndonjë pseudo-poeti, i lauruar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane, që këndon për thëllëza e trëndelina, si në kohët e qëmotit.
Poezia është diçka tjetër që nuk ka të bëjë me zhurmat, pasthitrrmat, lëpirjet, gromësirat e klubeve e shoqatave që të kujtojnë Klubin e Selanikut. Eshtë diçka tjetër shumë më (fine), shumë me fisnike e shumë më e zgjuar, shumë më emocionuese. Njeriu mund të shkruajë tërë jetën e në fund të kuptojë se nuk ka bërë kurrgjë në letërsi, se këto janë kapriccot e krijimtarisë, prandaj çdo rrokanisje e bujshme me promovime librash fillestarësh në dy kontinente, më shumë se sa një stimul është një pozitë tepër groteske, ku autorët e kanë lënë vehten të bien. Tregues i këtij realiteti janë vargëzimet pakuptim që nuk të ngjallin kurrfarë emocioni, madje i sugjeron lexuesit mendimin e gabuar se kur kjo qenka poezi, atëherë poezia qenka arti më i rëndomtë e më pa vlere i kësaj bote, kur në të vërtetë është krejt ndryshe. Poezia është mbretëresha e arteve, me të ka lindur letërsia dhe letërsia pa poezinë nuk ka kuptim. E jo vetëm letërsia, sepse poezia hyn në të gjitha artet, madje deri edhe tek kombinimi i ngjyrave në telajo, fryn nëpër tastat e pianos, tretet e shkrihet me lëvizjet e harmonishme të balerinës në skenë. Poezia fryn si erë në të gjitha zhanrret e artit, ndaj është krim që me vargje të rëndomta të masakrohet. Prandaj u duhet thënë rishtareve që e mbajnë kokën lart si në sfilata mode, mos shkruani pa finesë, pa figura, pa ide e pa filozofinë e jetës dhe kurrë mos shkruani pa dhembje, sepse dhembja është ajo që e ngjiz artin e fjalës dhe e bën atë magjiplotë. Krye se gjithash, poezia është një amalgamë dashurie, ajo shfaqet herë si një drithërimë rrufeje , herë si një yll që këputet, një zog që vdes në qiell, një shpirt që ringjallet; është pshërtima e nënës, është puthja e zjarrtë e vajzës; është feniksi që del nga zjarri, e që dy herë njësoj kurrë nuk shfaqet, i shto kësaj përdorimin e përsosur të gjuhës së nënës që të ka lindur. Por, në këtë duhet të kemi mirëkuptim, çdo lloj klasifikimi që i bëhet poezisë është relative, sepse ajo ecën bashkë me kohën dhe jetësohet përmes zhvillimesh të reja. Por gjithmonë, gjithkund e gjithëherë mbetet poezi. Një drithërimë që të përshkon shpirtin, të prek në zemër e të vë në lëvizje mendimet. Poezia është katarsis më i mrekullueshëm; është solucioni më çudibërës; është ajo hapsirë e ai dimension ku njeriu edhe në çastin më të trishtueshëm e në terratinën më të thellë, gjen shtegun e dritës.
Harla-hurla internetike - bufonada e modernitetitShpesh herë përcillen shkrime nëpër gazeta, apo faqet e internetit me plot pretendime në tituj, por që mbeten në konturet e një informacioni të cekët. Për më tepër bëhen shkak për debate në mes të autorëve krijues. Një shkrim i kësaj natyre u bë nxitës i një diskutimi se a mund të quhet poet a poete një autor a autore kur boton veç dy libra... Pa hyrë në të drejtën që gjithsekush të intërpretojë sipas dëshirës emërimin poet, mund të them se poet mund të quhet një autor që e ka treguar me punë këmbëngulëse e kualitative, se është mjeshtër i vargut dhe zotëron teknikën artistike, sjell risi dhe ka përpjekje për të qenë origjinal, falë talentit, por edhe falë punës së palodhur me vargjet, figurat dhe idetë. Ka autorë, të cilët edhe pse i kanë e i shprehin këto cilësi, e kanë bezdi po ti quash poet. Në Amerikë përdoret shprehja “Free Lunch Author”, çfarë në esence shpreh pasionin për të krijuar edhe kur nuk je profesionist. Pra, je krijues i lirë që i përkushtohesh me pasion krijimtarisë, pavarësisht se tërë jetën bën punë tjetër. Mund t’ju kujtoj se një poet i madh amerikan, i përkthyer në shumë vende të Europës, Sharl Bukovski tërë jetën ka bërë një punë të thjeshtë. Në Francë e admironin si një prej poetëve më të mëdhej të kohës, ndërsa në qytetin ku jetonte e respektonin si një nënpunës i sjellshëm i zyrës postare prej ku doli edhe në pension. Kush e di mbase edhe nuk e dinin famën që kishte bashqytetari i tyre në Europë edhe për faktin se njerëzit në Amerikë janë të përzemërt me fqinjët, por krejt indiferent, atje nuk të pyet kurrkush ku shkon e nga vjen dhe më se merresh. Nga ana tjetër edhe shkrimtarët nuk nguten të ekspozohen si të tillë dhe janë modestë.
Ndërsa ne ngutemi të cilësojmë poet, një njeri qe sapo ka nisur të shkruajë, apo qoftë të ketë botuar një libër, apo dhe dy. Vëmë epitete të larta, saqë ndonjëherë bëjnë efektin e kundërt. I përkëdhelim sedrën autorit edhe kur shihet hapur se vargjet e tij janë më se te zakonshme. Ndokush i përdor miklimet jo pa qëllim, mpleksen disa interesa që nganjëherë është e vështirë të dallohen.
Ka që nxitojnë nga dëshira për të thënë fjalën e tyre mirëpo marrin përsipër shumçka kur shprehen me tone të larta, se vjershat e iks-autori janë arritje në letërsinë shqipe. Për të ardhur keq është kur këtë e thonë edhe persona që kanë një farë autoriteti dhe flasin në emër të shoqatave të krijuesve, mirëpo nuk bëjnë kurrfarë analize, a ti hedhin një vështrim për të parë ku është niveli dhe e veçanta e krijuesve emigrantë në Amerikë, në çfarë stadi është poezia që ata krijojnë, a ka art të mirëfilltë, apo fjala harliset në erë; a kemi të bëjmë më shumë me folklorizma, apo frymën e poezisë së kohës së tanzimatit. Aq më tepër nuk thonë se çfarë vlejnë konkurset letrare ku çmimet ndahen nder vedi, akoma më tepër kur nuk kanë kurrfarë stimuli material. Me një fjalë, konkurse për fjalë, për bla-bla-bla nëpër takime, gjoja poetike. Merrni e lexoni librat që janë çmuar si “Pena e artë” e shqiptaro-amerikanëve. Një mjerim i gjallë, ndërkohë qënuk gjejmë të çmuar autorë të tillë seriozë e të njohur në artin e vështirë të poezisë si, Anton Çefa, Roland Gjoza, Iliriana Sulkuqi, Luigj Çekaj, Vaid Hyzoti, Pjeter Jaku, Elinda Marku, Maksim Zotaj e ndonjë tjetër.
Kam lexuar kohët e fundit një libër poetik “ Vargje shtegtimi” të piktorit Zoi Shuti dhe jam befasuar për kulturën e tij poetike, imazhet e freskëta që sjell, emocionet që transmeton, meditimet që të çojnë në kohëra e hapsira të ndryshme me dritë e hije, me dhembje e gëzim. Zoi Shuti m’u shfaq piktor në vargje, ashtu sikurse në telajo është poet dhe me kryesorja arti poetik i këtij autori është shumë më lart se tërë taboret e librave, për të cilat shkruhet aq shumë e aq pa takt.
Gjithsesi dëshira për të shkruar, për të afirmuar një koleg a një mik, është e mirë, por nga ndonjëherë nuk mjafton vetëm dëshira. Një analizë që merret me artin, aq më tepër me artin e vështirë poetik, nuk mund të mbetet vetëm në fjalë të përgjithshme amatoreske që krejt pa shkak krijojnë edhe euforira si në një rast, kohët e fundit, kur një zonjë shprehej në mënyrën më paradoksale, duke e cilësuar një autore fillestare në Detroit, që ka botuar vitin e kaluar në Tiranë një vëllim tepër modest, si një nga poetet e zgjedhura të letrave shqip, që po i çon këto letra (shqipe) lart e më lart. Po ku? Vetëm pupla zogjsh mund të gjesh në qiell (nuk po them për gjë tjetër, se zogjtë bëjnë edhe të pabëra kozmike ndonjëherë, të pabëra që graviteti më së shumti ua hedh zhgarra-shkruajtësve si dhuratë apoetike mbi kokë).
Eshtë për të ardhur keq se sa shumë e ccvlerësojnë fjalën disa njerëz, e jo pak njerëz që për shkak të mosdijes, të një euforie delirante, a të interesave të ngushta (ca thonë dhe parave nën dorë) ngulmojnë të shkruajnë me harla-hurla, aq më tepër kur kjo kategori njerëzish, s’e kanë për gjë të afishohen poshtë e lart, madje edhe si poetë...
Eufori raskapitëse...deri në neveriSi krijues që jetoj në Amerikë, më dhimbsen fjalët ndaj nuk i uroj gjë prej gjëje Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, që përbëhet kryesisht prej rapsodësh amatorë, njerëz jo vetëm të paaftë në krijimtari, por edhe fort të varfër në artikulimin e gjuhes shqipe. Të lexosh vjershat e këtyre antarëve të shoqatës që kanë si simbol e emblemë të tyre poemën “Bagëti e Bujqësi” e Naim Frasherit, në sfond dielli - si reliket e socializmit vulgar, që përdorin deklamacionin, pasthirrmat, retorikën e thatë, me një fjalor tejet të varfër, të cilët janë kujtuar të merren me letërsi tek të pesëdhjetat (në atë moshë kur Naimi vdiq)... të lexosh pra ato vjersha, se poezi nuk mund të jenë kurrsesi, të neveritet arti i të krijuarit.
Mirëpo ka ndonjë mik a mikeshë të kryesisë së kësaj shoqate që nuk përtojnë të qëndisin shkrime të trëndafilta dhe madje me mburrje, me fjalë të mëdha, retorikë boshe, me përkëdhelje sedre, dhënie e meritave të paqena, që nuk i bëjnë mirë askujt. Madje as vetë atyre të cilëve u dedikohen këto fjalë farfuritëse pa kursim. Që ushqejnë megallomani boshë. E vini re si vetësajohen deri në karikaturë ca njerëz. Në Itali është një zonjë e rëndë që mbiquhet e nënquhet ‘Nënë Tereza’, duke mos pasur aspak ngjashmëri as në të një miliontën e figurës së Gonxhe Kol Bojaxhiut. Një tjetër në Nju Jork, e cila shkruan vjersha mediokrre dhe që nuk u afrohet as bejtexhinjëve, na pozon si ‘Dora Distria’, akoma më tej një tjetër vetshpallet ‘Shota Galica’. Një ish-kryetar shkrimtarie miklohet pas idesë se është Çehovi shqiptar. O zot sa të etur për lavdi paskan qënë ca njerëz… Aq më tepër kjo kategori njerëzish as duan t’ia dinë që një artist i vërtetë nuk i pranon miklimet, ai është si kalliri kokulur tek i cili roitet pika e vesës, e jo bubullimat e vetëtimat. Ka ikur koha e poezisë me taramundane. Bam e bump këmborë e madhe, qumësht gjysëm okare.... Jemi në një kohë tjetër.
Kësisoj euforirash për autorë që sa kanë nisur të shkruajnë shpesh herë janë pa llogjikë. Shprehen tekstualisht …”autorja ka dhënë një kontribut të veçantë në letërsi”, apo marrëzi të tilla euforiko-përshendetëse “kollonë çeliku e letërsisë shqiptare”. Shprehje të tilla nuk duhen të përcillen në forume publike, sepse janë miklime krejt të papërgjegjshme, që mund t’i bëjnë vetëm ata që nuk kanë lexuar as dy libra që përmbajnë vlera të vërteta artistike.
Në fund të fjalës mashtrojnë publikun sepse, në rastin tonë, ato zonjat të cilave ju atribohen këto lavde nuk kanë dhënë kurrfarë kontributi të veçantë në letërsi. Madje njëra prej tyre, duke e ditur mirë këtë të vërtetë, tek Vikipedia e lirë në internet ka shkruar emrin e vet me një rezyme goxha me peshë për kontributin e vet si politikane e shquar shqiptare, por jo ama tek skedat e letërsisë.
I shkruaj me keqardhje këto radhë, jo për ndokënd në atë shoqatë e per atë kryesi për të cilën flitet e që nuk meriton kurrfarë vëmendje, por me keqardheje për letërsinë, e kryeradhë për poezinë... dashuria për të cilën duhet të jetë dhembje, e jo eufori trumbetuese e natyrisht tejet raskapitëse, si të gjitha euforitë...
Si tirret leshi i fjalëve në Shoqatën Shqiptaro-Amerikane të…rapsodëve?!Duke parë se përditë e më shumë mendimi i njerëzve për pseudo-krijuesit shqiptaro- amerikanë po bie poshtë e më poshtë, se e vërteta mbi ata që mburren me titullin shkrimtar e poet (e në të vërtetë nuk arrijnë të shkruajnë, as si Aleks Çaçi në vitet 50, me ashtu e kështu Myzeqe), po del në faqe, disa nga bajraktarët e shkrimtarisë mediokrre shqiptaro-amerikane, të cilët manipulojnë shoqatën për lavdiegon e vet, dhanë orjentimin për të publikuar diçka në sens pozitiv. Dhe servilat për këtë trumbetim të orientuar nga lart (si dikur nga Komiteti Qendror i Partisë) e mori përsipër një zonjë me dy libërtha, të cilat i ruan në sepetet e veta nga frika se mos ja shohin e lexojnë, e u del boja edhe librave edhe autores së sapozgjedhur në kryesi. I dha dum kjo poeteshë e stërvonuar për ta ngritur lart e me lart moralin e rënë përdhe e nën dhe të shoqatës, duke i mballosur një lustra-llustra në internet. Shkrimi i saj mbi një numër të fundit të revistës hije “Pena”, organit të ShShA, ngjalli një farë kureshtjeje, sepse shumkush nuk ia kishte idenë në se ekzistonte kjo shoqatë. Ndaj dhe kushdo që e lexon ate shkrim ilustrativ i lindën pyetja se si, ku botohet, çfare tirazhi ka, sa të abonuar dhe ku mund të gjendet Revista “Pena”, që paraqitësja në Internet e mbiquante “Pena ndërkombëtare!!!”. Sipas informacioneve, atë revistë e lexojnë (me syze të trasha) jo më shumë se 20 antarët e shoqatës, prandaj nuk mund ti besohet çudirave shkarrashkruajtse, sikur të flitej për një revistë me popullaritet të madh ndërkontinental?
Dikur në monizëm punonte mokra pa grurë, ndërkohë që thuhej me pompozitet se Shqipëria zinte vendin e parë në botë për ushqimin e popullsisë, e cila, jemi dëshmitarë të gjallë të faktit që sharrohej për bukë. Mbas këtij stili punohet çuditërisht edhe sot e kësaj dite...Madje e kemi mbart këtë stil edhe këtu në Amerikë, si breshka samarin... Edhe dy kokrra grurë në i paçim, humbasin në bykun e kashtën e fjalëve, se ja ku thuhet, e zeza mbi të bardhë:
“Revista “Pena”, numri i ri, dalë në pranverë të këtij viti, sapo iu shpërnda këtu në Nju Jork, më 4 Gusht...”
Vetvetiu lind pyetja, çfarë është kjo revistë që botohet në pranverë, shpërndahet në fillimvjeshtë dhe boton në faqet e saj reportazhe për evenimente të zhvilluara në vitin e kaluar, pra në verë 2006. Kush është ai person, emigrant shqiptar në Amerikë, që paguan 15 apo 20 dollarë për të tilla revista, ku botues-hartuesit janë jo vetëm të vonuar një vit, por përpiqen që artin ta vënë nën hijen e komercializmit. Se ja si shprehen:
“Zonja Kostanca Roka... është editore e tre antologjive, ku me dy të parat grumbulloi 200.000 dollarë.”
Ku është pjesa e artit në këtë sfidë 200 mijëshë?!
Më tej : “Turner është poeti që krijoi gjini...?!”
Po çfarë është kjo gjini e re që ka krijuar poeti Turner nga Teksasi nuk thuhet.
Për cilin lloj arti bëhet fjalë se, nëse është fjala për poezinë, vetë poezia në tërësi është gjini e letërsisë artistike. Merita e një poeti nuk është se krijon një gjini të re, pra gjini brenda gjinisë, mesa duket, por se sjell vlera të reja krijuese, subjekte e forma të veçanta që përcaktojnë individualitetin e tij si artist.
Gjinia në vetvehte nuk është vlerë. Ja çfarë në esencë është gjinia në aspektin e veprimtarisë krijuese:
...është nëndarja në letërsi e në art që përfshin vepra të cilat kanë një varg tiparesh dalluese të përbashkëta, si mënyrën e pasqyrimit të realitetit, stilin, gjuhën e tjerë. (referenca: Fjalori i Shqipes së sotme, 2002).
Le të lexojmë edhe një pasazh që vërtetë të trullos gjatë leximit:
“Sa fillon dhe shfleton faqen e parë menjëherë sytë shtangen me një thënie të Gëtes, njeriu i fundit universal i Gjermanisë..”
Nuk ka njeri në botë, sado profan që të jetë, që të shtanget para një citati. A e dimë fjalën shtang, apo e përdorim me qëllime efektuoze. Kushdo që merret me letërsi nuk mund të qorollepset me të tilla shprehje, të cilat po t’i përdorin shkollorët në hartime do të marrnin notë negative. Të shtangesh do të thotë të ngrish prej frikës, prej tmerrit... (gjithnjë sipas Fjalorit të Shqipes). Sa për hamendjen se Gete është njeriu i fundit universal i Gjermanisë, le tua lëmë gjermaneve të bëjnë klasifikime të tilla “universale” se nuk na mbeti ne shqiptarëve emigrantë në Amerikë, kjo barra e rëndë në kurriz.
Të vazhdojmë më tej, për të parë se çfarë mishmashi bëhet në shkrimin prezantues për revistën “Pena”:
“Pra kjo thënie (e Getës - shënimi im KT) të ballafaqon me kualitetin, rritjen, format e lëvizjes, të të menduarit, që padyshim brenda revistës “Pena” gjen mozaikun e krijimeve nga shkrimtarët shqiptaro-amerikanë, por dhe më gjerë…”
Kam një jetë që merrem me lexime e shkrime, por të tilla fjali habitore, kacadredhëse, xhufkore, nuk kisha lexuar ndonjëherë.
Ata që pretendojnë të quhen shkrimtarë, të jenë zgjedhur në kryesi të shkrimtarllëkut, kurrsesi nuk mund të paraqesin në publik të tilla shkrime prolikse, për të mos thënë konfuze, të shkruara jo me penë e me kartë siç pretendojnë, por direkt në kompiuter e të përcjella taze në vitrazhet e internetit, pa u bërë kurrfarë redaktimi. Pra të shkruara në tym.
Në fjalë të fundit, ata zonja e zotërinj të SHSHA që e quajnë vetën shkrimtarë, aq më tepër kur kanë pranuar të zgjidhen nëpër forume drejtuese të shoqatës së ashtuquajtur të shkrimtarëve, duhet ta ndjejnë përgjegjësinë e të dalurit në publik. Shkrimet e tyre janë pasqyrë e nivelit e kulturës që kanë. Ata janë e vërteta që e tejkalon euforinë me të cilën shkrimtarucët miklojnë njëri-tjetrin, si macet e vogla tek këmbët e plakave që tjerrin lesh, të cilat, teksa lëpijnë njëra-tjetrën, mrekullisht i zë gjumi... Përralla në lesh e shëndeti prej nesh shoqata e pseudo-shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë!
Kjo eufori e kjo zhurmë, kjo prapësi e jo letërsi …Këto plagjiatura e jo krijime, kjo eufori kallijsh pa bukë që tunden në erë e që nuk e njohin modestinë, kjo garë e çmendur për të lartësuar idhujt e të sotmes (që ishin po aq idhuj edhe të së djeshmes) e për të shembur statujat e të kaluarës, disi të largët tashmë, kjo shkatrrimomani në të gjitha fushat e jetës, mesa duket, që nga fillimi i shekullit të kaluar e deri në prag e përtej pragut të shekullit të ri, vazhdon të jetë produkti ynë i veçantë shpirtëror e material. Tjetër gjë nuk dimë të prodhojmë, veç eufori e mllef, servilizëm deri në përjargie a urrejtje deri në tërbim. E kur shfaqemi kështu, sa nga një ekstrem në tjetrin, tepër të mangët në fushën e kulturës, etikës dhe estetikës, ku njerëzit bëjnë temena e peqe-lepe madhështive ende si në kohë të osmanëve, çfarë mendojmë, se duke fituar një tjetër ‘Nobel’ do të shlyhet e davaret tërë kjo ligësi që shfaqet sheshit. Po ne e kemi një ‘Nobel’ atë të Nënë Terezës që na nderon në mbarë botën, por prap se prap nëpër moçale amorale zhgrryhemi, madje edhe duke ja mohuar këtij “Nobeli” moral të drejtën për të qenë midis nesh. Se ju e dini çfarë u bë që të mos shfaqej kjo Shejteresh shqiptare në Shkodër, e çfarë nuk u tha që të mos ngrihej Katedralja me emrin e saj në Prishtinë. Dikush mund të thojë ç’në Nënë Tereza! Nene Tereza jo vetëm që ka shkruar poezi, por tërë jeta e saj është një poemë e vërtetë, poemë në të cilën dashuria, dhembja, mëshira, shpresa, drita mishërohen hyjnisht.
E megjithatë, kjo nuk na mjafton, vetsakrifikohemi për ta ngritur idhullin tonë në qiell, e sa ora pëlcasin deri sa ta rrëzojmë përdhè. Nuk e di nga na buron kjo dëshirë demoniake për t’i shaluar malet si kuaj. Prandaj shpesh herë edhe nëpër legjendat tona ( edhe realiteti ynë si legjendë shpesh na shfaqet) kreshnikët më së shumti përfundojnë në vetmi e fatkeq... Këta jemi. Veten nuk e mohojmë. Konica e dinte çfarë thoshte kur shprehej se, “na vjen e keqja nga vetja”. Por veç të mos përpiqemi të shfajsohemi, sepse kurrkush nuk na ka faj, se diku, prapa botës, gjithnjë mbetemi.
2007
www.traboini.com