NJË VRASJE NË NEVADA
Nga KOLEC TRABOINI, Boston
Dëshira Selimaj është lindur me 19 qershor 1965, në Durrës. Ajo ishte më e madhja e 10 fëmijeve dhe i ra barra të punonte që në moshë të re për të ndihmuar familjen. U martua me Zyber Selimaj në vitin 1992. Të dy e kishin ëndërr të zjarrtë ta ndërtonin jetën në Amerikë. Kur kjo mundësi ju dha u vendosen në Dallas ku jetuan 2 vjet. Me pas shkuan në Henderson afërsi të Las Vegasit ku jetuan 8 vjet të tjera deri sa ndodhi tragjedia. Të dy u bënë qytetar amerikanë dhe linden tre djem. Pra Deshira Selimajn, 42 vjeçare, që një polic në Nevada e vrau dy ditë para Shën Valentinit në mes të rrugës, në prani të dy prej fëmijeve e të burrit të vet. Vrasje kjo me një pretekst banal “vetmbrojtje”, për të cilën edhe qytetarët amerikanë reagojnë e shkruajnë me indinjatë në gazetën e Las Vegasit. Shkruajnë e kanë dhimbje amerikanët, por heshtni ju gra shoqatash famoze të komunitetit shqiptar, kurrqysh pa ju vajtur mendja se ekziston edhe fjala ngushëllim për ata që mbetën gjallë, e çfarë përbën traditën e mrekullueshme shqiptare, që nuk e lënë njeriun ta përballojë vuajtjen në vetmi: “në dhimbje tjetrit t’i shkosh e sa për gëzime, si ta kesh punën”. Pse i them këto?Sepse bashkemigrabtja jonë Deshira Selimaj la tre fëmije nëpër këmbë, ende të parritur, një baba-burrë, Zyber Selimaj, që ka bërë 22 vjet burg politik nën diktaturë për një fjalë goje, e tash në moshën 65 vjeçare ai ka një tragjedi në shpirt, sa nuk u përmbajt e u tha gazetarëve të "Las Vegas Sun"( Dielli i Las Vegasit) se, "edhe në Shqipërine komuniste, polici nuk e vriste nënën në sy të fëmijëve të vet". E këto i thotë me dëshprim një njeri që ka qënë në burg, që nuk priste që një polic 23 vjeçar me emrin Luke Morrison, në këtë vend të lirisë së admirueshme, për çfardo shkaku e me çfardo arsyetimi, t’a bente këtë gjëmë mbi një nënë, duke lene jetim tre femije Arberin 5, Azbi 7 dhe Albanin 11. Të gëzojmë se jetojmë, sepse kemi plot shkaqe të gëzojmë në këtë vend lirie, por të kemi e të shprehim dhimbje për njëri-tjetrin. Ishte emocionues e dinjitoz ngushëllimi masiv i emigrantëve shqiptarë nëpër botë, për vdekjen e parakohëshme të gazetarit emigrant Lavdërim Terziu në Londër. Të jemi më njerëzor është ajo çfarë na kushton më pak e megjithatë është më e rëndësishmja, nëse e marrim si etalon për të përcaktuar shkallën e zhvillimit e të kulturës të një shoqërie njerëzore. Që të mos ndodhin tragjedira si ajo e Deshira Selimajt, është e nevojshme t’ua ushqejmë fëmijëve, nipërve e mbesave respektin e dashurine për jeten, jo vetëm të vetes por edhe të tjerëve. Apo e kam gabim, zonja organizatore festash, që shfaqeni edhe si gazetare të komunitetit shqiptar, jeni edhe nëna por në rastin e vrasjes së Deshira Selimajt heshtet? Mos vallë heshtja juaj ndaj kësaj tragjedie, e pangjarë në llojin e vet, është një llogari e ftohtë, me shkakun, ose nën mentalitetin se, të dënosh një akt vrasje të një emigrantje prej një polici amerikan, mund të keqinterpretohet si antiamerikanizëm. Kush e di çfarë sajon mendja njerëzore. Nuk dua ta besoj, por heshtja juaj, qoftë si organizata grash emigrante e qoftë si individ, mjerisht për këtë flet. Droja se… ! Por kjo nuk është shkak serioz. Nuk e bëri krimin Amerika, por një individ i veshur me një uniformë të nderuar e respektuar, por që për mendimin tim nuk e meritonte.
Çfardo të ketë qënë motivi i vrasjes, personalisht si qytetar i këtij vendi, Amerikës pra, por edhe si shqiptar, publikisht e dënoj vrasjen e një nënë emigrante në sytë e fëmijëve të vet. Eshte akt mizor, traumatik e me pasoja psiqike katastrofale për tre jetë fëmijësh. Është njësoj si të kesh vrarë edhe ata tre djem bashkë me nënën e tyre. Kurrkush nuk mund të vritet kështu. Asnjë nënë amerikane. Sepse Deshira Selimaj, pavarësisht se ishte shqiptare, po rriste fëmijë amerikanë, që i përkasin që në lindje këtij vendi e këtij populli, që lumturisht (e për këtë është i bekuar atdheu i Abraham Linkolnit), nuk di të bëjë dallime, të ardhurit i pret me dashuri, u jep strehe, punë, u jep mundësi të paimagjinueshme për përparim e shkollim e kurrë nuk i vështron me urrejtje.
Ndaj nuk gjej kurrnji motiv në heshtje tuaj, ju gra shqiptaro-amerikane që i keni dalë për zot punëve të komunitetit në tubime, veç drojen e frikën, që mbijeton tinëzisht si atavizëm i një kohe që historia ja dha varrit e ne, nuk kemi shkak ende të vuajmë në ndërgjegje prej saj, sepse… falë kësaj Amerike, që e mposhti komunizmin, u gremis një herë e përgjithmonë ngrehina shtypse e frikës në shpirtin e njeriu.
A nuk u përsqullëm deri në jargavitje shtypi e deklarimesh e përbetimesh publike besnikerie, madje edhe nga zyrtarë medioker shqiptarë, pse katër të çmëndur, fanatikë shqipo-maqedonas, deshën të hidhnin në erë gazermat e Fort Diksonit në Nju Xhersi. Mesa duket ndergjegja jonë ende vuan komplekset e imponuara të monizmit për fajin kolektiv.
Mos u kurseni të gëzoni, është e drejta legjitime e lumturisë së ekzistencës, por me pak dhimbje për tjetrën duhet pasur gjithësesi, se jeta vërtetë vazhdon, por veç fisnikërisht duhet vazhduar.
Boston, shkurt 2008
Familja Selimaj, babai Zyber me tre djemt Azbiu, Albani dhe Arbëri me portretin e nënës Deshira Selimaj( 19 qershor 1965- 12 shkurt 2008).