12 January 2008

NUK ËSHTË KOHA E NGUJIMEVE....





NUK ËSHTË KOHA E NGUJIMEVE


- por e investimeve -

Nga KOLEC TRABOINI

Kam mbetur si i shushatur prej do lajmeve internetike për një grevë 24 orëshe të do shqiptarëve emigrantë ekonomik nga Kosova, të tubuar diku andej nga kërthiza e Europës, në Bruksel. Ish grevë thjeshtë urije thonin, por vija re se do zëra vetmitarë, korespondentë vullnetarë që nuk i njeh kurrkush, e vlerësonin si një ngjarje të rëndësishme mbarëkombëtare. Kam bubërrue në ekranin e kompiuterit por nuk gjeta kurrkund në asnjë agjensi serioze lajmesh CNN apo Euronews ndoca fjalë, në anglisht jo që jo, por as dhe në shqip për këtë grevë. Po çfarë ishte kjo grevë? Kujt i duhej kjo grevë? Sa jehonë do të kishte kjo grevë? A ishte në të mirë apo në bezdi të proçeseve që po ndodhin në Kosovë në formimin e qeverisë së re dhe bisedimeve e marrveshjeve të pashpallura me aleatët tanë amerikanë, për veprime të zgjuara që duhet të ndërmerren në të ardhmen e afërt. Jo për këto nuk flitej në njoftimet e korespondentëve vullnetarë që e kishin përqëndruar vemëndjen për të njoftuar orë pas ore në internet, kinse çfarë po ndodhte me ata vetmitarë të ngujuar si qëmoti, por fort larg prej kohës së Oso Kukës në kullë të barotit, sepse këta të ngujuarit tonë të kërthizës së Europit ishin në mes të mirave e miradirave të mbarë globit.

Çudia që çudit çdo kureshtar të kësaj ndodhie të pazëshme, është se kjo qe grevë urie 24 orëshe, çfarë do të thoshte që për 24 orë nuk do të drekohej as në restorant e as në shtëpi, nga asnjë prej pjesmarrësve në këtë ngjarje të çuditshme. E çuditëshme, se çfarë trimërie është kjo soj greve kur ka plot njerëz në këtë botë që ju qëllon të mos hanë në kufijt e një dite, e cila, pasi ti heqësh 7 apo 8 orë gjumë, mbetet të jetë jo më shumë se 16 orë tundim urie. Lexuesi i vemëndshëm i internetit Mark Shkreli shtroi pyetjen:

“ Si do ta ndihmojë çeshtjen e Kosovës kjo grevë. Nuk i marr vesht këto gjëra. Grevë urije 24-orësh? Unë e bëj këtë gjë shpesh, nuk ha gjë për 24 orë.”

Kishte shumë të drejtë ky lexues për sa shkruante për çeshtjen e të ngrënit që, këtu në Amerikë se paku, është problem i madh se ka të bëjë më superdhjamosjen e qytetarëve, burim i të gjitha sëmundjeve. E verteta ime e vogël, rrethanore, është se ngaqë hamë përditë e shtojmë shumë në peshë, shpesh i them gruas, moj zonja ime, po sikur të mos hamë fare sot...se edhe prej të ngrënit lodhesh ndonjëherë. Kur shpreha heren e fundit këtë mendim, po ndodhte greva e shqipove në Bruksel. Gruaja u tregua e një mendje me shqipot e Brukselit, për shëndetin siç tha por, duke qënë se është gjinokastralia (me dy qofte shtrojnë sininë- thoshte Noli i madh) edhe anën ekonomike duhej ta kishte në vemendje. Një rrugë e dy punë.
Në këtë kuptim edhe unë këtej Atllantikut u gjenda në “grevë“ urie krejt pakuptuar e pa njoftuar njëri, për më tepër i pa programuar nga ndonjë pseudoshoqatë nga ato që janë bërë si miza lisi e kërpudha passhiu. Korespondentët vullnetarë internetikë as që denjuan të më intervistonin. Ishin të zënë si kronikan të historisë duke e ndjekur greven e urisë së pa uritur, minutë pas minuti.
Duke parë këtë koiçidencë hapsinore nderkontinentale, më erdhi disi për të qeshur e thashë me vete:
Mor vëllezërit e mi shqiptarë grevanjarë, që keni kaq ditë që trumbetoni për një të vetmen ditëz uri, a ka mundësi, meqë Këshilli i vetëshpallur i grevës po jep lavdërime pa hesap e pa qitap për gjithë katundin e ngujuem, të më falënderoni publikisht edhe mua që kam qëndruar stoik me dëshirë e kënaqësi( madje edhe me këshillë mjeku) plot e përplot 24 orë, a ndryshe 1440 minuta, alias 86400 sekonda pa ngrënë...Po kështu vlerësim ( po të jetë e mundur edhe dekorim)meriton edhe gruaja ime e cila, pa qenë fare poete me bollëk sipror Diaspore, është shfaqur solidare në këtë grevë urije familiare... punë diete...por edhe hesap xhepi.
Bëja hoka, me këto hamendësime por, meqë ata të Këshillit e kishin marrë seriozisht punën e tyre, nisa dhe unë të mendoj më seriozisht, me dëshiren e mirë që ti bëj të arsyetojnë: Na është dashur një shekull gjak i derdhur për të ardhur në kohë ku gjallojmë, në këtë gjëndje, ku Kosova gjithësesi është e lirë. Atje nuk ka serb pushtues por ka forca ndërkombëtare siç ka patur historikisht edhe në Shqipëri. Punët janë në udhë të mbarë. Ka një Amerikë, fuqia më e madhe e botës që ka deklaruar nëpërmjet presidentit Bush që çeshtja e Kosovës është e zgjidhur, punë kohe, muajsh...Tani si po tingëllon kjo grevë me nja 10 a më shumë vetë të ngujuem krye në vedi...Sot Kosova nuk ka nevojë për asisoj grevash që shuhen si flluckë sapuni, pa kurrfarë jehone në botë. Sot Kosova ka nevojë për një program strategjik afatmesëm e afatgjatë, kërkon që, të gjithë shqiptarët që kanë përparuar ekonomikisht nëpër botë, ti kthejnë sytë pas tek mëmëdheu( tashmë mëmëdheu është Shqipëria e Kosova bashkë), e të investojnë. Kosova ka nevojë për para e jo për përralla më ujq, shqiponja e dhelpra “ndërkombetare“, siç u tregohen fëmijëve pas darke për ti zënë gjumi, duke harruar se kështu më shumë i llahtarisim se sa i qetësojmë. Edhe me grevën e shqipove të Brukselit e njëjta alegori.
Jo atdhetarizëm folklorik me berihaj e pasthirrma duke i rënë teneqeve e burive, por punë të mënçur e të zgjuar! Mundësisht në heshtje. Le të mësojmë pak nga izraelitët. E kanë bërë tokën e atdheut te vet perlë e jetën e njerëzve të begate. Kush ka shkuar e nuk ka mbetur i mahnitur. Ish shkretira arabe është kthyer në Kopshti i Edenit... Po kush i pa a dëgjoi izraelitet të tubohen nëpër metingje e të superflasin me megafonë në duar, a të grevojnë e ngujohen në kërthizë të Europës?! Kurrkush. Po ne ku jemi ne krahasim me ata?... Kurrkund!
Kurrkund, sepse nuk është koha e ngujim-grevimeve por e investimeve!