09 June 2016

Esè per Ndoc Gjetjen


POETI ME FYTYRË KRISHTI 
( 9 mars 1944 -7 qershor 2010)
  nga KOLEC TRABOINI

Ndoc Gjetja është një prej poetëve më pranë shpirtrave njerëzore në poezinë shqipe bashkëkohore, apo siç e ka cilësuar një studiues, poeti që di me çdo varg ti bjerë bukur tastierës së humanizmit. Ai këtë frymë e timbër të zërit të vet kurrë nuk u rrek t’a tradhtonte. Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta, si një orakull, ai vazhdon të shkruaj edhe sot e kësaj dite me atë sinqeritet siç u shfaq aq i befasishëm kur ishte veç se një gjimnazist në Lezhë. Poezi e thellë, e ndjerë, poezi në të cilën rrëfehet bota e njeriut, intimiteti, marrëdhëniet njerëzore, madje edhe me sendet rreth e rrotull. Ardhja e tij në letërsi shënoi disi rënien morale të shkëlqimit të improvizuar të poetëve që përbënin triumviratin monist të letërsisë, të cilët, vërtetë dinin të thurnin vargje, i kishin dërguar edhe jashtë për studime zhdanoviane, për të qenë kështu “poetë oborri”, siç i klasifikonte Frederik Rreshpja, por këtyre të kreut u mungonte sinqeriteti poetik. Shkruanin ca poema për ca shqiponja që fluturonin lart, kur shqiptari zvarritej si krimb baltave herë mbi dhè e herë nën dhè. Shkruanin për ca ugare e baltëra krenare, për ca qytete industriale, për çelik, hekur e beton, e këto i shpalosnin në faqe gazetash me një krenari të shpifur, ndërkohë poetët që revoltoheshin si ndaj sistemit të dhunës por dhe imponimit krijues, përgjunjshin, dhunoheshin, madje edhe pushkatoheshin si Trifon Xhaxhika, Vilson Blloshmi, Genci Leka dhe Havzi Nelaj. Ata, të mëdhejt e dikurshëm, edhe sot e ruajnë xhelozisht prijtarinë fodulle në poezinë shqipe me patericat e një të huaji që e njeh gjysëm globi larg poezinë shqipe, kritik që ka bërë ri-klasifikimin e poetëve elitare konformist krejt ngjashëm me çfarë e shiste si lakra tregu i realsocit. Po fundja le ta falënderojmë edhe për këtë, kritikun e huaj, se po na i mban me berihaj rosinantët e poezisë së monizmit, kasnecët letërsisë së diktaturës që sot kanë dalë në publik me një luk të ri. Por më kot. Se vërtetë njerëzit e shihnin Konstandinin që ja kish shaluar rrasës së varrit si kalë, por edhe erën e baltërave të varrit ja ndjenin.Dhe thonin, ky kalorës egërshan nuk është i gjallë, është i vdekur, shkon i vdekuri me të gjallë, shkon i gjalli me të vdekur.
Natyrisht, kushdo që ka patur ambicjen për të fituar emrin poet asokohe të përdhunshme, ka paguar haraçin e konformizmit. Keq apo mirë, me dashje apo pa dashje duhej ti këndonte një këngë lavdëruese tiranisë çdo autor, por këtu nuk është fjala për haraçin që paguhej me imponim, por për përjarget e atyre që nën shëmbëllesën e diktatorit të madh, si të ishin marioneta teatri kukullash, bënin diktatorin e vogël në koperativën e shkrimtarëve bolshevikë.
Edhe Ndoc Gjetja e pagoi haraçin e vet historik. Por ndërkohë ai në tërësinë e tij mbeti poet i vërtetë. Poezia e tij qytetare, ndryshe prej poezisë marciale të krerëve të letërsisë, kërkonte tek njeriu, tek përjetimi, tek intimiteti, tek ndjesitë e mira e të bukura. Ajo poezi u bë fort e dashur për lexuesit. Falë kësaj, Ndoc Gjetes i mbetën nga koha e krijimtarisë nën regjimin monist, shumë më tepër poezi se sa atyre që prodhonin me shumicë për të mbushur depot e propagandës komuniste me vepra që i imponoheshin popullit brenda dhe, falë parave pa kursim që jepte regjimi, tollombacja e kuqe fryhej edhe jashtë shtetit, paçka se deri me sot, askush nuk ka marrë përsipër të bëjë një hulumtim se sa para janë vënë nga regjimi monist që letërsia real-socit të “çante bllokadën” imperialisto-revizioniste.
Me gjithë fryrjet që u bëheshin agjitatorëve të letërsisë së partishme, të cilët zinin vend në tribuna, kongrese e kuvende krahas krerëve të diktaturës, ata nuk i shpëtonin dot sfidave nga brenda. Një sfidë ishte Kasëm Trebeshina. Nuk e lanë një çast të lirë por e kalben burgjeve e veprat ja dogjën me vendim të gjykatave të ashtuquajtur popullore.
Se të gjitha, edhe mbjellja e tokave me kokalla, në emër të popullit bëhej. U shfaq si meteor Bilal Xhaferri. Plasën ta hiqnin nga udha e letërsisë, ku dikujt i bënte hije mesa dukej, sa një Fadil Paçrami që bënte edhe partinë edhe letërsinë (por e pësoi nga të vetët), e anatemoi Bilal Xhaferrin publikisht, sa e degdisi të arratisej. Por edhe atje larg në Çikago e gjetën në vitin 1987 - vdekja enigmë që pikëlloi artdashësit por gëzoi hierarkët e letërsisë moniste, që vollën vrer ndaj tij.
Krijimtaria e Frederik Rreshpës e Ndoc Gjetjes bashkuar me atë të Jorgo Bllacit e ndonjë tjetër, ishin gjithashtu sfida që ju bë poetëve të elitës së diktaturës. Frederikun pesimist e të zymtë që guxoi të flasë, e burgosën, Jorgo Bllacin e Sadri Ahmetin po ashtu. Ndocin që këndonte për njeriun e “vogël”, rrethanorin, e mbajtën pranë duke e konsideruar një poet provincial i parrezikshëm. Por duhet thënë se Ndoc Gjetja, pavarësisht një farë konformizmi, për shkak të fatalitetit të lindjes nën diktaturë, kurrë nuk e kishte toleruar kërkesën ndaj artit të vërtetë. E vunë të drejtonte një revistë të vogël me titull “Ekran” rreth të cilës mblidheshin më së shumti krijuesit e filmit dhe teatrit. Kështu poeti lezhjan, por i lindur në B
ërdicë të Shkodrës mbijetoi.
Në verë të vitit 1993, Ndoc Gjetja u gjend në një kurs në Athinë dhe me të thuajse takohesha përditë. Koha kish bërë të vetën, tranzicioni në vend që ta shpëtonte po e shkatërronte njeriun. Poetët e ndjenin vetën të braktisur. Shoqëria shqiptare në një marramendje prej të dehuri, nuk donte të dinte në kishte shkrimtarë. Shteti i shkërmoqur nuk merrej as me poetët e as me lypësit e, çfarë është më e keqja, i konsideronte të një rangu të dy palët, sepse rëndonin buxhetin qeveritar me asistenca sociale.
Një punonjës administrate mund të bridhte gjithë botën, politikanët i bënin pushimet në Dubai, ndërsa poetët thuajse vdisnin për bukë. Të shisje banane e paketa cigaresh nëpër rrugë ishte e zakonëshme për krijuesit. Kohë tranzicioni, kohë e pamëshirshme e mizore. Ndoc Gjetja fliste me vete i tërhequr në botën e tij,... e shkruante. Poezia merrte tone proteste. Trajta dhembje. Dhembje njerëzore, siç gjithmonë i kish ndjerë e vuajtur në shpirtin e tij. Ja si u rrëfehej lexuesve të vet: Tridhjetë vjet e shtrydha talentin/ në një nga zyrat e shtetit monist/me këpucë të vjetra e përshkoja qytetin/ dhe gjithë njerëzit i doja si Krisht.
Kohët ishin diametralisht të kundërta, por thelbi i vuajtjes njerëzore mbeti, veç në trajta e forma të reja: O koha tranzicioni, kohë bishtdhelpre!/Si të ranë brekushet kështu poshtë këmbëve!/Unë po shkoj të mbyllem në Monastirin e Vetes/derisa të kryesh jashtëqitjen tënde.
Tek bisedonim në një kafene verore, pranë sheshit "Omonia" në Athinë në një ditë të bukur qershori, i shpreha dëshirën t’i bëja një cikël fotografish për fondin tim fotografik,por edhe për ti botuar në gazetën “Egnatia” bashkë me poezitë e tij. Kështu kam vepruar me miqtë e mi gjat
ë viteve të mërgimit në Greqi: Aristidh Kolia, Ndoc Gjetja, Robert Alia- Dragot, Mimoza e shoqja, Gazmend Kapllani, Zhaneta Ogranaj, Pilo Zyba, Genc Çobani, Englantina Kume, Marita Vuksani, Rajmonda Diamant. I fotografoja, i botoja në gazetë si dhe në albumin poetik të emigrantëve por edhe i ruaja në arkivin tim. Vjen një kohë që edhe fotografitë si verë e vjetër çmohen, marrin vlera të reja, sepse janë imazhe të një kohe që kurrë nuk kthehet më. Po a do të më nxjerrësh mirë, me pyeti Ndoci, tek pinte cigare i menduar. Atëherë ju ktheva e i thashë, se në mbetët i kënaqur Poeti, e në mos e nxjerrsha në portret si Krisht, do ta thyeja aparatin fotografik që sapo e kisha blerë në Monastiraq.
Fotografitë dolën të bukura e Ndoci i pëlqeu ato. Madje njërën nga fotot e vuri në kopertinën e librit të vet me poezi.
Që nga 1993 e sot kanë kaluar mjaft vite. Për Ndoc Gjetjen vazhdoi kalvari i mundimeve që e bëri fytyrën e tij akoma më të përvujtun. Ata që e patën pasuar në Lezhë e që përbënin të ashtuquajturën “shkolla poetike lezhjane”, njëri i hyri politikës, tjetri diplomacisë e një tjetër atë të këshilltarit të kryeministrit të vendit, duke e lënë disi nën hije veprimtarinë poetike, për t’i bërë vend karrierës që sjell mirëqenie dhe famë publike në media. Ndërsa Ndoci po ai. Madje akoma më keq, u largua nga Tirana e u kthye në vendlindje.
Kam dëgjuar prej miqve tanë të përbashkët si Elinda Marku e Pjeter Jaku, të cilët patën mirësinë të më dërgonin vëllimin poetik të Ndoc Gjetes “Dhjata ime” botim i vitit 1998 të cilit ja kushtonte me pikëllim të birit të vet Renit.Edhe shkrimtari Kujtim Dashi me ka folur për fatin e trishtueshëm të Ndoc Gjetjes.
Tragjedia në jetën e poetit është kryer e kjo ndjehet jo vetëm në tërheqjen e tij jashtë vëmendjes publike, por edhe në poezinë e tij me tone pikëllimi. Artistet e mëdhenj edhe tragjeditë e dhembjet i kanë të mëdha, ndaj dhe veprat e tyre janë aq mbresëlënëse dhe tronditëse, sepse artistet nuk qajnë me lot, qajnë me shpirt e qajnë me art, me një art që e tejkalon jetën e një njeriu, për tu rrokur në shpirtrat e brezave të tjerë.
Mortja s’ka çfarë u bën poeteve, artistët e mëdhenj kanë lindje, por vdekja u harrohet. Ndaj them se, kushdo që e ka njohur poetin dhe poezinë e tij, e di mirëfilli se Ndoc Gjetja, si me par
ë edhe më pas, mbeti poeti që shkroi poezi për botën shpirtërore të njeriut,… dhe vetë ai ishte dhe mbeti njeriu i përvuajtur, i thjeshtë, i vërtetë, poeti me fytyrën e Jezus Krishtit në poezinë shqipe.
Ajo fytyrë Krishti e mbuluar me një dhembje hyjnore, jetonte i harruar në Lezhë, diku pranë vendvarrimit të kryetrimit Gjergj Kastrioti, qëndronte mes njerëzve të thjeshtë, të cilët mbase nuk e dinin se ai ishte një prej poetëve më në zë të letërsisë së sotme shqipe, zëri më njerëzor.


Ndoc Gjetja lindi më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Kur ishte shtatë vjec, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë, ku jeton edhe sot. Në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para. Merret vetëm me poezi. Eshtë autor i disa vëllimeve poetike.

NDOC GJETJA
AUTOPORTRET

Vendbanimi:
Ne lezhe me trup dhe mendjen emigrante ne yje.
Profesioni:
Thures enderrash dhe mbrojtes besnik i tyre.
Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administrates shteterore
se nuk diti t'u jape perkuljet e duhura eproreve.Gjatesia:
E majftueshme per te arritur nje dite mollen e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thene dhe e shkruar.
Shenja te vecanta:
Nje pentagram rrudhash me nota trishtimimi ne balle
dhe nje mjeker e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Syte:
Kafe me nuanca te turbullta pasionesh te djegura.
Ngjyra:
E erret per fshehjene skuqjes nga faje te lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh ne diten e lindjes nga Nena.
Bindjet:
Njeriun ne jete e ben te lumtur vetem njeriu.
Antipatite:
Burrat me grada, grate me shume tule dhe miu.
Simpatite:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mances dhe Buda.
Frikerat:
Shendoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Ne kryqin e tij qe e mban perdite ne shpine.
Pasuria:
Drita e mendjes me te cilen fitoj varferine.



KOLEC TRABOINI
DAVID E MOISI
Mikut tim poet Ndoc Gjetja

Heu Ndoc Gjetja, ku ka mbrrit burri
me pa gjoksin lakuriq të një grekje të bukur
si një skulpturë e Fidias- e vehtja me ju duk
si me kene vetë lakuriq në mes njerëzve.

Paj burri, kur nuk asht David lakuriq i Mikelanxhelos
duhet me kenë Moisi i menduem
tash kurrsesi nuk po di çka po ndodh me shqiptarin
David pa kokrra e Moisi pa tru...

Thonë, çdo gja për Davidin e kurrgja për Moisiun
mjer mishi që s'ha mish thotë njeriu...
si nuk u gjend një gjeth fiku a degë dafine
me mbulue çka të lbyr sytë ne marramendje.

Heu Ndoc Gjetja miku im në Athinë
Evropa po të këndell gjoksjashtë kah vehtja
ty tash po të zgjohen shtatëqind dreqen nën lekurë
e je tuj e fut në shtrat si ta kishe grua.

KOLEC TRABOINI
Athinë, 12 Qershor 1993