19 June 2008

SI I MUNDA NEKROFAGËT....


SI I MUNDA NEKROFAGËT....

Letër kolegut Aleko Likaj

O mik i dashur e njeri i mirë, mos u shqeteso se shëndosh e mirë jam, ka dashur Hyji!
Le të gazmenden me veten ata njerëz që u sjell kënaqesi hartimi i nekrologjive, që lumturohen me idene e vdekjes së tjetrit që gjallnon më tepër se ata. Ai është qëllimi i jetës së tyre, të cilën e jetojnë se prapthi si gaforret e kuqe. Grryerja e eshtrave është pasioni e ankthi i nekrofagëve të errësirës, dënuar me anonimitet të përjetshëm, ndaj endërrojnë sa të jetë e mundur më shumë kufoma. Por sido t’a kenë dëshirën, babëzinë e makuterinë e tyre e mund mirësia dhe drita, e mund virtuti njerëzor. Do sjell një rrëfim se çfarë ndodhi me mua, kur u ndodha para lajmit të stisur të vdekjes sime prej ca shqiptarëve mizorë, që them se gjithçka mund të jenë, por jo shqiptare. Mund të jenë atavizma biologjike të barbarëve që na kanë mbajtur nën zgjedhë si komb e si popull qindra vjet. Kur e lexova lajmin e stisur kobëzi, në mbrëmjen e datës 16 qershor, në ora 11 të natës, e kuptova se nekrofagët, duke parë humbjen e vet përpara të vertetave që kam kurajo t’i them a t’i mbroj, thirrën në ndihmë Vdekjen. E kë mund të thërrisnin tjetër, kur ata nuk i përfill kurrkush, veç ndonje zë minor marroq. Natyrisht u inatosa, pastaj i thashë vetes, është rasti më ideal të gjej forca në vetvete të qetësohem. Jeta është provë për karakterët e fortë. Po si të qetësohem?! Pyeta veten e vetja m’u pergjigj: duke bërë një të mirë! Po unë jam i varfër e bamirës nuk bëhëm dot, se kush në botë e pranon dhuratë varfërinë e poetëve? Atëherë më shkoi mendja të sajoj ndonjë faqe elektronike për ndonjë kolegun tim poet.
Mund që kjo nuk ka ndonjë vlerë materiale, por lë përshtypje të mirë tek njeriu, autori, për përkujdesjen ndaj veprës e tij. Kësaj radhe zgjodha poeten Luljeta Lleshanaku, sepse e kam dobësi si krijuese. Poezia e saj më impresionon, më fisnikëron, më bën të ndjehem me një dimension tjetër. Me këtë ndjenjë shkrova dhe esènë për këtë poete “Luljeta-poezi”.
Punova tërë natën deri sa u gdhi. Si krijova Blogun poetik e ndjeva veten të qetësuar e plot vitalitet... E kisha mundur vdekjen me bukurinë e jetës. E kisha mundur vdekjen me poezitë e Luljeta Lleshanakut. Kisha mundur vdekjen dhe nekrofagët me fuqinë që të jep akti i krijimit, ndaj shkova të fle me një ndjenjë lumturie.
I qetë " si çdo njeri që ka kryer detyrën e tij thotë Ricosi i madh. Telefonat e alarmuar të miqëve e të mikeshave të mia të artit të krijimit binin pa pushim. Ishin Merita, Iliriana e të tjerë por unë nuk i ndjeja se kisha rënë në një gjume të butë, e zilet me vinin si rrjedhjet e currilave te shiut mbi parvaz, me atë shushurimen magjindjellëse, që të tret e harron ndër enderrime.
Ajo cfarë perjetova atë natë në vetmine time pa vetmi, ishte se kish peshen e vet edhe ajri që thithja. Më lumturonte ideja e të qenurit pjesë e jetës e jo e vdekjes... Është kënaqesi të jetosh. Të jesh, anipse një qelize sado e vogël e kesaj botë njerëzore, pjesëz krijuese e jo shkatrruese e saj.
Ne ato çaste, ne mes te krijimit dhe vdekjes, e ndjeva vehten për herë të parë si një Budë e nxorra mësimin e mënçur se e keqja mundet prej të mirës. Thyhet e shkërmoqat siç bëhet fir errësira kur lind dielli e zgjon gjithësinë ne ripërtritje. Më erdhi ndër mend Krishti e thashë, tërë madheshtia e tij ndër shekuj qëndron më shumë tek fjala se tek ringjallja. Ringjallja si akt është mrekullia e kthimit, por fjala është magjia çudibërese e shërimit. A nuk i tha Krishti një të verbëri, pasi i preku me duar zgavrrat e syve, “shiko” dhe ai shikoi...Magjia e fjalës është e gjithëpushtetshme në këtë botë, ndaj dhe poeti nuk vdes.

poeti nuk vdes

jetoj tragjikomiken që dhjetë vjet
njëri me ngjall e tjetri më vret
më vrasin armiqtë e më ngjallin miqtë
çuditen njerëzit "si u ngjall e si vdiq!"

e unë vazhdoj të rivdes çdo pranverë
pa mundur të më varrosin as dhe një herë

tre herë m’a shpallën vdekjen nekrofagët
ata që më duan tre here më ringjallën!

por me kot lodhën të dy palët
poeti veç lind, as vdes e as ngjallet.

KOLEC TRABOINI
18 Qershor 2008


BLOG-PORTAL