TOLLOVIA NDJELLAKEQE
🔻--> BESA BESË NUK JANË SHQIPTARË!
Shkruar nga K. P. TRABOINI
Një tollovi ogurkeqe, një erë plot re të zeza, një stuhi fjalësh të vrazhdëta shpellore që dalin jashtë kontekstit të artit, letërsisë, kulturës e traditave shqiptare më shtyn të ulem e të shkruaj këtë reagim e thirrje për ti qëndruar larg tundimeve ndjellëse të atyre që në barqet e veta si kazana të pistë gatuajnë gjellën e shtrigave.. Nuk mund të jem i qetë, kur shoh se ajo luftë marroqe me mullijë e erës që është shpifshpallur nëpër faqe të tjera elektronike, a në shtyp në Prishtinë, po don shesh për mejdan edhe tek forumet mediatike në Internet.
Mirëpo Zemra e mirë nuk i duron tollovitë e ndjellakëqeve. Zemra është vendi i mirësisë, burim jete e jo errësire, prej zemrës buron dashuri e jo urrejtje. Ndaj mbetem pa mend kur shoh këtë agresivitet të atyre që këto Media shqiptarësh, që duhej të ishin për dije e kulturë, me pseudonime e komente lloj lloj, duan ti kthejnë në fushbeteje për të larë hesape e për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit. U marrofshin!
Ndonëse kam patur njoftime prej miqëve të mi se edhe emri im është lakuar mbarë e mbrapsht prej do xhagajdureve, që nuk dinë gjë tjetër të bëjnë veç luftë, grindje, çpifje krejt rrallë kam reaguar. Për më tepër nuk kam hyrë në atë qorrsokak ku të grishin injorantët dhe fanatikët fetarë sepse e di që debatet e do shqiptarëve janë si të pallmat e gomarëve.
Askurrë më pak e asqysh më shumë, kjo sepse ne nuk respektojmë rregullat e bashkbisedimit në debate e polemika. Sa herë nisim një diskutim serioz, dalin ca tipa-rripa, kryesisht anonim dhe bëjnë sulme personale. Nuk na i kursejnë me të shame as robtë e shtëpisë, çfarë ne, malësorë më origjinë, e kemi fort të rëndë psikologjikisht.
Nuk i shahet nana tjetrit, nuk bën kurrë ti shaj nanën e motrat shqiptari shqiptarit. Mirëpo ky atavizëm jeniçerësh anadollakë, në këtë kohë zhburrnimi me përmasa katastrofike si komb, po ndodh edhe në parlamentin shqiptar. Sikur të jemi ende në kohën e mesjetës kur beu i fushave fuste në shtrat tërë nuset e reja të fshatarëve, duke i zhburrëruar deri në shpërftyrim e brirëzuar sa as fëmijët nuk i kishin më të vetet të mjerët fshatarë të varfër , por të beut që ish bërë bej pasi kish shërbyer vite luftrash në ushtrinë osmane.
Të mos po biem viktimë të dhunës e perversitetit të pinjollëve të jeniçerëve, të cilët, gjëja e parë që bënin pas pushtimit të trojeve të vendeve tjera ishte, të digjnin e shkretonin, të vrisnin burrat e të përdhunonin gratë për të tjetërsuar genet e atij populli? Ndryshe si mund të spjegohet ky shpërthim verbal dhune e perversiteti në tërë shkallëzimet e shoqerisë shqiptare, por deri dhe në Parlament. Me kësisoj incidentesh me ndyrësi fjalësh që lë pa gojë jo vetëm popullin tonë në dy shtetet, por edhe mbarë Europën, kjo ka të drejtë të na shohë ende me skeptiçizëm për kah civilizimi, se për nga ekonomia nuk dimë ku kemi kokën, s'ka rul e shul që e vë ekonominë tonë në shina sa të jenë Ali Babat e Al Kaponet në qeverisje të shqiptarëve.
Këta gojëpistë sikur mos me qenë shqiptarë, por pjellë e egersisë që u dynd nga Mongolia duke shkatrruar kulturën europiane të lindjes si dhe shkretuar Ballkanin. Se si shkojnë debatet ndër shqiptaret e di fort mirë edhe kurrizi im. Madje edhe prej ndonjërit që sot shfaqet predikues (ashtu qoftë) për paqe e miqësi, (mirë bën që predikon) dikur kanë qënë promotor të tinëzive e thikave pas shpine nga pozita fanatike fetare, kamufluar kinse pas ca partive levozhgë. Mbështjellur dhe pas një lloj kinse nacionalizmi por fetar (anipse fetë rallë i njohin kombet) që e kanë zanafillën tek Haxhi Qamili dhe Beqir Grebeneja me Bab Sulltanin në zemer se mendje nuk kishin.
Ani. Fali zot. Kurrë nuk është vonë për t’u kthyer në udhën e mirësisë, por në qoftë pendimi i rremë, ai është më i rrezikshëm se sa mospendimi. Kam qënë viktimë e fjalëve e shpifjeve deri në atë shkallë sa për 4 vjet ka qëndruar në internet nekrologjia e sajuar për vdekjen time, kinse nga droga e marrëzira të tjera, katranosur nga një skuthe e një skuth interneti në Nju Jork, që i kam epitetuar publikisht si Gaforrja e Kuqe dhe Kapterri i Benxolit. Pasi i kam indentifikuar (shiten kinse si shkrimtarë që të dy këto shkarpa interneti), i kam shumëzuar me zero, sepse janë njerëz të cilët as nuk ja vlen ti llogaritësh se rrojnë në këtë botë, sikurse nuk e vrasim mendjen për krimbat e dheut e brumbujt e llomit të bajgave.
Të tillë ka plot. Të shumtit janë me pseudonime. Janë nofka, skutha, braca, kulima. Nuk kanë karakter, nuk janë njerëz që dalin hapur. Se po të dalin hapur me emrat që kanë të paktën je më i qetë sepse ke përpara një njeri që e di se ekziston. Ata më së shumti përpiqen ta kruajnë qerosen e vet me duart e të tjerëve.
Keq të vjen që disa kosovarë, me t’u çliruar Kosova nga pushtimi serb prej aleateve tanë Amerikanë (pa mohuar luftën e djemve trima të UÇK-së), nxorrën pallat e vjetra anadollake e filluan të luftojnë njeri-tjetrin me egërsi bishe. U bënë trima ca Lavderima, sa shkuan deri në Siri për të prerë koka me shpatë. Allaraxolla! Për pira u qoftë e për koka të veta që i lanë si mercenarë të së keqes dhe errësirës. Por veç “trima” me vra e prè njeri-tjetrin e me ja ba zemrën mal armikut, është si me ba vetvrasje si popull e si komb. Mirë e kish Konica, shqiptari armikun më të madh ka veten. Boll u kam bërë thirrje palëve t’i përfundojnë këto beteja sharlatane, por nuk ka qënë e mundur që të arsyetojnë e ftohin gjakrat.
Të dy palët duke përfshirë profesorë dhe nënpunës biblotekash, shkrimtarë e publiçistë kosovarë, sulmojnë njeri-tjetrin madje edhe në gazeta si ajo "Express", në Prishtinë, me të njëjtën akuzë të rendë, agjentë të UDB-s. Tash del edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj si kofini pas të vjeli dhe na thotë "mrekulline" groteske se paska zbuluar që Albin Kurti ka qenë agjent i Serbisë. I kisha thanë Ramush Hajradinajt, e ke mbush plot kovën me tamël e tash mos e derdh. Ke ditë me ba luftën e nuk po di hiq me ba politikën. Je krejt amator në politikë, ndaj nuk kupton gja prej gjaje nga politika që ban Albin Kurti, i cili nuk don t'i leje marre vedit siç bane ti kur i dhe Çakorret shtetit fqinj si të ishin arat e tua e jo të popullit.
Por akuzat që sjellin e mbështjellin janë të vaketa e jo bindëse, veç fjalë e pa asnjë dokument arkival. Tani këtu ka një konfuzion në akuzat ndërmjetëse, ku të gjithë akuzojnë të gjithë. O kanë qënë të dy palët agjentë të UDB-së, o s'ka qënë asnjëra veç bëjnë bla-bla pa bereqet për interesa politike. Veç këta njerëz akuzues duhet të mos spekullojnë me ca mikrofakte, se gjithësecili duhet të gjykohet nga rrethanat dhe pasojat që ka sjellë veprimi i tij. Ndokush mund të jetë kompromentuar, tu jetë nënshtruar presioneve të dhunëshme psikologjike dhe fizike burgjeve, por mund të mos ketë bërë kurrfarë krimi ndaj bashkqytetarëve të vet. Kosova ka qënë nën pushtim dhe pushtimet nën shtete shovene si Serbia, dihet se sa të rënda janë. Sa të frikëshme aq shtypse për personalitetin njerëzor. Ndaj nuk i shoh serioze akuzat e bëra publike, por vetëm si qëllim për të poshtëruar njeri-tjetrin dhe për të fituar diçka politikisht nën moton shpif, shpif, se diçka do të mbetet.
Për t'ju shmangur konflikteve që mund të lindin prej kësaj folnaje gjigande mos ua vini veshin provokimeve, mos i dëgjoni e mos i lexoni, madje as ata që ju thurin lavde sot e nesër të thonë ke qenë spiun, a ke vjedhur veze në qymezin e komshiut kur kë qenë dhjetë vjeç. Kështu mu sul një këngëtar pordhshitës që miklohet politikisht, i cili më parë më kishte bërë lëvdata të mëdha "O poeti i fjordeve" se isha në Boston e ai në New York aso kohe, kur krejt e papritur u shfaq si gjeluc maj plehut duke vjell vrer e duke nxjerr zorrët e veta, por nuk ja vura veshin. Shumëzimi me zero është një medikament social i dobishëm, a thënë ndryshe një deodorant për heqjen e erës së keqe që prodhojnë kësisoj memurresh.
Duke kaluar një jetë plot trazime, por jo pak edhe më konflikte, kam mendimin se shpesh tollovia ndjellakeqe është ogurzeza dhe kërkon të terheq në vorbullën e vet të shpirtligësisë e konflikteve që mund të përshkallëzohen deri në hakmarrje primitive! Aq më tepër mos u armiqësoni me njeri për hir të një tjetri se kjo botë është më tepër se sa duhet tinzare. Mjerisht prapësite i bëjnë të liqtë, por e pësojnë të mirët. Shume djemte të rinj kanë humbur jetën e shumë plagë janë hapur prej ngatrresave që krijojnë njerëz të papërgjegjeshëm.
Duke kaluar një jetë plot trazime, por jo pak edhe më konflikte, kam mendimin se shpesh tollovia ndjellakeqe është ogurzeza dhe kërkon të terheq në vorbullën e vet të shpirtligësisë e konflikteve që mund të përshkallëzohen deri në hakmarrje primitive! Aq më tepër mos u armiqësoni me njeri për hir të një tjetri se kjo botë është më tepër se sa duhet tinzare. Mjerisht prapësite i bëjnë të liqtë, por e pësojnë të mirët. Shume djemte të rinj kanë humbur jetën e shumë plagë janë hapur prej ngatrresave që krijojnë njerëz të papërgjegjeshëm.
Një mësim urtësie ka dalë prej historisë se maleve tona, trimëria pa mençurinë nuk vlen kurrnji grosh. Ndaj pastrojeni haurin, fshini të gjitha debatet-helmet e ogurzinjëve gjëmësjellës e mos lini në faqet tuaja mediatike asnjë plesht ngatrrestar. Zbojini, i bllokoni duke shfrytëzuar mundësit teknike që ju jep elektronika e si gjyqe behari le të shkojnë t’i bëjnë vezët në ndonjë fole tjetër por jo tek ju. Kohët janë fort të pista, por veç edhe në llom bagtish ta futësh margaritarin ai prap në rreze të diellit vezullon. Koha grryen shkëmbin por jo karakterin e njeriut fisnik dhe të kulturuar.
Fola se nuk mund të rrija pa folë, fola se tash kudo nëpër Media po zien kuvendimi si në kazan shtrigash, me rend e pa rend, fola sepse po të mos flisja sot do të më randonte ndërgjegja nesër, por fola bash tash, kur punët ende nuk janë çatrafilue e kam shpresë në arsyen e shëndoshë se punët do të vinë për kah e mbara, për nga mbrothësia siç thoshte zemërzjarrti Naimi Frashëri.
Fola me mendimin t’i dal të keqes përpara sepse, trimëria pas lufte e mençuria pas kuvendit nuk vlejnë, hamadreq, kurrnji grosh. Do ta mbyll me fjalët lapidar të Gjergj Fishtës:
Por i urti kurrë nuk ngutet
Prej trimnisë e jo prej tutet!