02 August 2009

Trishtimi dhe përbuzja e Bodlerit - nga Kolec Traboini




TRISHTIMI DHE PËRBUZJA E BODLERIT
esè nga KOLEC TRABOINI

Pas studimeve të panumërta në të gjithë botën, nuk di çfarë mund t`i komentohet më tepër Bodlerit në raport me kohën e tij, shekullin dhe shoqërinë franceze ku jetoi e që tashmë është pak e vëshirë ta njohim. Shpirt i pikëllimit, tribun i përbuzjes, urrejtës i shoqërisë të cilën e shihte të shpërfytyruar, i pakuptuar në kohën e tij, me vepër të ndaluar, gjyqe, por edhe absolut në ndikimin e tij në mbarë poezinë botërore, pra tepër vështirë të merremi me të, veç të përvijojmë faktin se sa gjejmë në jetën tonë të tilla motive dhe sa të tilla fenomene ende e gërryejnë shoqërinë njerëzore, por edhe i sfilitin jetët individuale. Parë në këtë këndvështrim, e shoh më aktual se kurrë Bodlerin në Shqipëri, ku dita i zbulon poshtërsitë e jetës e nata dosido i mbulon ato, ndaj tingëllojnë aq thellë në shpirtrat tanë fjalët "...Si ecë e ëmbël nata!".
Tek dita, Bodleri, nuk shihte asgjë, ose të paktën shihte vetëm të këqjia, ndaj dhe titulli i vëllimit të tij qe "Lulet e së keqes". Si në poezitë e tij, nuk gjen dot vepër e autor tjetër bashkkohës, por dhe më pas të kenë përbuzuar veset shoqërore ( që mbase në ato kohë, a ende edhe në kohën tonë, nga mediokrit cilësoheshin e cilësohen si virtute). Është krejt e natyrshme që poetët e poezinë e revoltës ta lindë koha, në një lindje të vështirë sigurisht, të detyruar, si një shpërthim i stresit të përgjithshëm shoqëror. Në një shprehje të tij Bodler thekson: "E keqja shkaktohet pa u sforcuar, se është vepër e faktit.", ndërsa më tej " E mira është gjithnjë një art.".. Pra e thënë hapur, sot që arti në përgjithësi është në pikë të hallit, thuaj pa asnjë peshë në jetën shoqërore, ku në modë është politika mediokre, fare pak ka edhe të mira, madje mirësia është krejt e përjashtuar si term social. Përdoret fjala bamirësia si term, por në fakt lakohet për qëllime më tepër religjioze,ose më e keqja nga ekstremistët e kamufluar nga bota arabe e bashkpunëtorët tyre vendas, që kërkojnë vënien e shoqërisë civile nën tutelën e frymës së tyre talibaniste.
A kanë lidhje këto me Bodlerin, mund të pyes ndonjë lexues i i pavëmendshëm, i mësuar ky me mëmëligën e shtypit shqiptar, që është thjeshtësuar jo vetëm në këndin e trajtimit të problemeve, por edhe në përdorimin e frazeologjisë shterpë e pa ngjyrim fjale të një gjuhe komunikimi që është varfëruar skajshëm. Them se kanë lidhje, sepse në kohën që shoqëria shqiptare ka strese të mëdha, individi ndjehet i braktisur në aspektin e trajtimit social, shumë pak apo aspak nuk ndjehet zëri i protestës për gjëndjen mizerabël të pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare. Gjithkush e di si është rrethuar Tirana, në pikëpamje të migrimit të popullsisë. Dikur me përbuzje përdornin fjalën çeçenë, tani për të qënë brënda( se duhen edhe votat e çeçenëve) e kanë harruar këtë etiketim përbuzës, ani pse periferia ka mbetur Çeçeni e shkuar saj, në pikëpamje të kushteve të jetës, varfërisë së skajshme, shto mentalitetin që mbartin me vete duke u zhvendosur nga krahinat më të largëta, në rrethinat e kryeqytetit ku janë të vetizoluar e ku shpesh kanë vazhduar të bartin mentalitetin krahinor, përdorimin e dhunës në zgjidhjen e problemeve brënda e jashtë familjes, mosnjohjen e moszbatimin e ligjeve dhe plot të tjera.
Natyrisht kjo nuk është pjesë e vështrimit tonë në këtë shkrim, por duam ta përdorim si sfond për problemet e reflektimit të ndërgjegjes shoqërore ndaj fenomeneve që ndodhin në shoqërinë shqiptare. Në një vend ku mbizotëron në tërë qelizat e jetës politika, një vend tmerrësisht i varfër, me udhëheqës që mendojnë se bëjnë politikë të madhe në një vend të vogël e për fat të keq të papërfillshëm. Tërë media e shkruar dhe vizive merret me shkëlqimin e politikës, kur në të vërtetë ajo që shitet si shkëlqim është kurrgjë tjetër veç një lëtyrë, një manipulim politik. Dhe ata njerëz që shtiren si politikanë të mëdhenj, nuk bëjnë kurrgjë tjetër, por veç masturbohen nëpër media të shkruar dhe të folur( mitingje, foltore, parlament, TV Show-politik).
Pra, ka dy segmente që e përshkojne tërë jetën shqiptare, fort të dukshme këto, varfëria e gjendja pa rrugëdalje e ekonomisë dhe e dyta, demagogjia e pompës politike, sikur çdo gjë e mirë këtij populli i vjen nga fjalët pa fund e pa sens të politikës që vazhdon të ligjëroje si në kohë të Hoxhës, se gjoja mendojnë e punojnë për popullin. Veç duhet thënë se i kanë shtuar demagogjisë politike edhe nocionin Komb dhe Europë, për t`u bërë më sportivë në pelivanllëqe në tele-shtyp, por në të vertetë gjej pak apo dhe aspak ndryshime në demagogjinë e foltoreve të dy kohëve që pretendojnë, po me llafe ere, të jenë të kundërta.
Po kush e beson dhelprën se ka vendosur të heqë dorë nga gjuetia e pulave?! Me se do të rrojë e zeza dhelpër?! E për të dalë aty ku ishim, aq më tepër kur politika është bërë bisnesi më fitimprurës në Shqipëri, kjo politikë prodhon para me thasë, si të ishte ky Atdheu i Ali Babës e 40 hajdutëve të përrallave persiane. Këto janë fenomene që i shohin e i konstatojne të gjithë, por më e pakta i prekin Mediat. Mirë Mediat, po ku është arti, ku janë artistët, ku është shpirti i tyre i ndjeshëm. A nuk u rreh zemra ndopak këtyre njerëzve që quhen Ajka e kombit, përpara kësaj katrahure në tërë segmentet e shoqërisë. A nuk e dinë se ende mentaliteti shqiptar vazhdon të sundohet, më keq se në çdo vend tjetër në Europë, apo pse jo edhe në Azi, në idenë e ikjes nga sytë këmbët. Në Shqipëri trumbetohet me të madhe për nacionalizmin, spekullohet me nacionalizmin, tregohen përralla të bukura me nacionalizmin folklorik, ndërtohen kështjella në erë me nacionalizmin primitiv, kur e verteta është se më shumë se kurrë ka humbur interesi i njerëzve për fatet e kombit. Vetmashtrohemi me fjalë, cyrle, tollumbace me ngjyra, por realiteti është krejt ndryshe. Bëjmë koncerte me çifteli e sharki në segmentin Tiranë-Prishtinë, hedhim valle me kostume popullore e qeleshe, vëmë parulla të mëdha festive, mbajmë fjalime për suksese të mëdha, por realiteti nuk është tek fasada, por përtej fasadës.
Realiteti është trishtues e pesimist, vazhdon të dëgjohet fjala se ky vend nuk bëhet, se po të linte kufijtë e hapur Europa, këmbë shqiptari nuk do të mbetej në këtë vend. Ah, po! Do të mbeteshin llafazanët politikë të cilët do të sillnin ca ujgurë e ca kinezë që të krijonin sërish popullin e ri, se me ato që do të mbeteshin nuk do të sajonin dot as një tabor luftarak për mbrojtur këtë vend shqiponjash të ikura.
Kështu në të vërtetë janë punët tona. Ndaj them se Bodleri është më aktual se kurrë në këtë vend ku lulëzojnë lulet e së keqes. Edhe frutat të zeza i bëjnë ato lule. Se ua dëgjojmë zërin përditë në stacionet televizive të Europës, ku sa herë flitet për një prostitute të rrahur a përdhunuar rrugëve, a vrarë e hedhur në pyll pa indentitet, është e sigurtë se ajo do të pasohet me fjalën "shqiptare". Sa herë që vidhet një shtëpi në Itali a Greqi... thuhet, e kanë bërë shqiptarët. Sa herë bëhet një krim prapë shqiptarët. Ne shqiptarët që jemi futur në NATO - dhe shkalafitemi nga qejfi skur Nato do t'i japë bukë e punë këtij populli. Përralla të bukura politike. Karamele limonatë, që i mbllaçisin edhe ata që duhet të ishin në anën e trishtimit dhe përbuzjes, në anën e frymës së Bodlerit. Artistët pra. Ku janë. Çfarë bëjnë. Përse shkruajnë? Cilat janë temat sociale? Ku është nervi migjenian, ky gjeni, ky Bodler me gjak e shpirt shqiptar? Kur dihet se po të jetonte Migjeni në këtë kohe, po aq do ta shkruante "Kangën e mjerimit". Artistët tanë as nuk ndjehen. Madje edhe lihen të manipulohen nga politika dhe i gjen madje edhe ambasadorë. Shkruajnë ende për kohën që ka vdekur këtu e 20 vjet më parë. Kur fëmija që ka lindur atë vit tani është njëzetvjeçar, i papunë, kalon ilegalisht kufijtë në rrezik jete. Propaganda punon në invers. Siç bënte monizmi me zogizmin, bën koha jonë me enverizmin. Mallkime pa fund për një kufomë të kalbur të komunizmit, kur trupat e gjallë në jetën shoqërore vinë erë kërmë ideologjike, e ka njerëz që janë më shumë të vdekur se të gjallë. Po marrin dhe çmime këta artistë. Pse jo!? Çmime të mëdha për vepra që nuk kanë në qendër kurrgjë nga realiteti bashkëkohor social shqiptar. Fryjnë emrat e mëdhenj në letërsi, por realiteti mbytës që ka rrethuar Tiranën dhe e ka ngërthyer jetën në qytete të tjera në tragjedi njerëzore, kur njeriu vetvritet se nuk ka me se të ushqejë veten e familjen, ku gjendet në këtë letërsi e në këtë art? Kurrkund.
Bodleri vazhdon të trishtohet atje në Montparnas. Trishtohet për ne, për Shqipërinë e shqiptarët. Se ne nuk kemi as dëshirë e as fuqi shpirtërore të trishtohemi e ta përbuzim këtë realitet të zymtë e të pistë siç bënte ai. E sikur na thotë:
"Që të mos ta ndjeni veten skllevër martirë të kohës/ dehuni/ dehuni pa pushim me verë/ me poezi/ me virtyte/ sipas dëshirës ../."
Thënë shul shqip, larg retorikash poetike:
Ne jemi kthyer në një art të tredhur nga politika...
Dua ta mbyll këtë shkrim me vargjet po të Bodlerit të madh:


Rri urtë o Brenga ime dhe falmë qetësinë
Ti mbrëmjen e kërkoje, ja tek po zbret tani
Pëlhurën mbi qytet të mugëtit po e shtrin
Disave u sjell paqe, të tjerëve mërzi
Kur turma e ndyrë e njerzve, që veç dëfrime dinë
Të fshikur nga kamxhiku i Epshit në gosti
Të poshtër zhgrryhen krejt ndërsa pendime u vinë
O Brengë, nëma dorën, me mua eja e rri.


__________________________


Charles BAUDELAIRE
Biografi nga Vikipedia

Charles Baudelaire (Sharl Bodler) lindi më 9 prill të vitit 1821 në Paris dhe vdiq më 31 gusht të vitit 1867, ishte poet, kritik dhe përkthyes i njohur francez. E ëma e tij, pas vdekjes të së shoqit, u martua me një kolonel i cili duke qenë shumë i ashpër nxiti e provokoi urrejtjen e të birit. Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fort të mira dhe ky faktor shkaktoi tek ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën. Në 1833 njerku regjistroi në Kolezh Ruajal. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat, kështu që njerku i zemëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharl: e njohu me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotismin, që duket më së mirë në kryeveprën e tij "Lulet e së Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit. Në 1842, njohu poetët Gerard de Nerval dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilën pati një marrëdhënie shumë pasionale. Ndryshe nga zakonisht lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim te Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se çfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet t`i kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej..Në 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: "Arti romantik" e "Kuriozitete estetike". Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij "Lulet e së keqes", që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për imoralitet ndërsa botuesi detyrohet të censurojë disa prej poezive. Bodleri ra në depresion të thellë. Në 1861 u përpoq të vetvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akadèmia franceze, u largua nga Parisi për të shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.
I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkoli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 44-vjeçare. Heshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut. Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge.
Veprat: "Lulet e së keqes"(1857), "Parajsat artificiale"(1860), "Rrënojat"(1864), "Prozat poetike"(1869).

29 May 2009

Një film për Shtrausin


NJË FILM PËR SHTRAUSIN

nga K.TRABOINI

Ndoshta e kam marrë vesh përpara shumë të tjerëve për vizitën që do të bënte Franz Josef Shtrausit(1915-1988) në Shqipëri. Në mes të gushtit 1984 më thirri në zyrë drejtori Vangjush Zallëmi e më shumë seriozitet më komunikoi një detyrë të vështirë, siç e cilësoi ai, për faktin se duhej kujdes i madh se me 21 Gusht do vinte në vendin tonë për një vizitë të shkurtër Shtrausi. Emrin e gjermanit bavarez Shtraus e kisha dëgjuar prej vitesh, sepse gjithnjë kur gazetat e asaj kohe i referoheshin lajmeve të jashtme nga Europa, përmëndej emri i tij si ministër i Budesverit gjerman.
Përgatituni për një xhirim arkival, por... do të shohim pastaj se si do të bëhet, vuri në dukje drejtori e shtoi, jo më shumë se një akt film bardh e zi.
Duke qënë pjestar i grupit të filmit e kam ndjekur gjithë vizitën e Shtrausit në Shqipëri. Dihet se ai ka bërë dy vizita, por bëj fjalë për vizitën e parë. Është xhiruar sipas mundësive në të gjitha vendet që vizitoi në Shqipëri, ndërsa në kryeministri na lanë vetëm sa u shtërnguan duart e pastaj dyert u mbyllën. Flitej se do të takohej me Enver Hoxhen, e nëse ndodhte kjo të përgatiteshim të dërgonim për xhirim vetëm një operator, por kjo nuk ndodhi.
Filmi është bërë urgjent dhe i është dërguar Shtrausit në Gjermani. Mendohet se në landin e Bavarisë filmin ja ka dorëzuar Shtrausit në një koktej një titullar i lartë shqiptar, por nuk e di sa e është sakte kjo. Nga Komiteti i Mardhënieve me Jashtë, ka ardhur njoftimi se Shtrausi e ka parë filmin dhe e ka pëlqyer.Kopja e vetme e prodhuar i është dhënë si dhuratë. Ai film nuk ka qarkulluar në Shqipëri nëpër ekranet e kinemave, por negativi duhet të jetë ruajtur në arkivë.
Gjatë udhëtimit pati dy incidente. Një makine Benz e parkut të delegacioneve nuk i hëngri dot të përpjetat e kthesat e Llogorasë dhe nxorri tym, sa u vu alarmi. U shqetesuan së tepërmi shoqëruesit që kishin frikën se mos ndodhte ndonjë aksident me gjermanët, por vumë re edhe shqetesimin e drejtorit të Benzit që nuk e priste që makinat e tij të shitura në Shqipëri të ishin aq të dobëta. Atëhere na thanë se Drejtori i Benzit dhe vetë Shtrausi u kishin thënë shoqëruesve se shqiptarët i kishin porositur makinat gabim, se këto tipa ishin vetëm për rrugë fushore.
Incidenti i dytë, ku ne të Kinostudios desh lamë kokën ishte në hyrje të një fshati të Bregut që nuk ja di saktë, mund Qeparoi, kur ne ishim në bisht të kolonës. Kish rënë një vese shi dhe makina jonë BÇ bëri një rrethrrotullim rreth vetes dhe përfundoi rrëzë një hendeku ku vinte një pjerrtesi nga ana perëndimore, në të djathtë të rrugës. Sikur të kishte marrë makina rrëpirën për ne do të ishte katastrofale. Mbaj mend operatorin Rakip Zeneli që tha, me siguri kemi bërë ndonjë të mirë që shpëtuam, ndonjë nga ne i ka falë ndonjë fukaraje ndonjë 5 lekëshe.
Shkaku ishte një vesë shiu përzier me një shtresë vaji. Ose dikush kishte hedhur vaj në rrugë ose nga ndonjë makinë kishte rrjedhur e ky ishte shkaku, siç përcaktuan ata të qarkullimit rrugor që vinin pak pas nesh. Fatmirësisht nuk i kishte ndodhur kjo makinave ku ndodhej Shtrausi, i biri dhe drejtori i benzit.
Mbresë më kanë lënë dy rrethana. Kur hyri në Han të Hotit, Shtrausi ishte me pantallona të shkurtëra, tip gjahtari kolonial. Rrobat e tij ishin ngjyrë kaki, me shumë xhepa. Makina që e drejtonte personalisht ishte e hapur, benz ushtarak, makinë tepër e fuqishme, e lartë. Por me të hyre këndej kufirit, Shtrausin e vendosën një një makine Bens të zi të drejtuar nga shofer shqiptar dhe nga shoqërues që ne nuk i njihnim.
Në Dhërmi mbaj mend i sollën fruta të cilat ua serviri vetë drejtori i Fermës, një specialist i njohur që ndërkohë u prezantoi begatinë e bregdetit shqiptar, brezaret të cilat Shtrausi i pelqeu shumë. Thonë se ai u ka sugjeruar turizmin në këtë perlë shqiptare, por me kot lodhej gjermani me këshilla miqësore sepse nuk e kishin thirrur t'a dëgjonin, por thjeshtë të bënin adetin. Mysafiri gjerman i rangut të lartë u la në det bashkë me djalin e dhëndrrin e tij. Ne përfituam dhe e xhiruam nga larg, sepse nuk na linin të afroheshim. Më pas ai ka kaluar në Greqi ku shkonte në Igumenicë ku, siç u tha, Kompania Benz kishte filialin e vet të shitjes së veturave.

KT 2009

www.traboini.com

27 March 2009

Dallkaukët me Flamur

Dallkaukët me Flamur

"Posi.... u ba Shqipnija. Dalin të marrët e vikasin rrnoftë Shqypnia! Ti i mençëm pergjigje tue bertit në kupë të qielles : Rrnoftë, po, e shpejt me porositë flamuj. Na shkyeju rrnoftë, e ti shit, ban pare tue tregtue mbi ndiesit tona." (Ernest Koliqi: Tregtar flamujsh).


Nga Kolec Traboini

Ka një dallgëdisje e tollovi të madhe nëpër festa kombëtare. Paraqiten në krye te festimeve ca njerëz për të cilët çfarë të flasësh, një tufë megallomanësh që atdhetarinë e kanë si disingtiv. Po kjo jo vetëm në Shqipëri ku parallijte, që i kanë mbushur xhepat me para droge, prostitucioni, kontrabandë e korrupsioni e kanë dyqane e hotele në çdo skutë, por edhe në Diasporë, ku emigrantët e nxjerrin jetesën me djersë e mundime, shfaqen ca individ që mbahen si të ishin bej katundi në kohë të Tanzimatit. Më bëj nënë që të ngjaj, tëpkë si në Shqipëri. Kur shoh se si spekullohet, se si organizojnë ca darka me nga 70-80 e 100 e kusur dollare për një këmbë pule në tryezë, sepse tre të katërtat e bilietës ja hedhin xhepit, vjen të pështirë, më kujtohet ai krijimi që s'ka vdekje i Ernest Koliqit "Tregtarë flamujsh" e u them sikter darkave me ahenxhe si në kohë Turqisë vjetër. Me mirë pi një gotë vere në familje, vë flamurin në balkon të shtëpisë time që është buzë një bulevardi në Boston dhe jam më i kënaqur edhe unë , edhe flamuri, por edhe bostonianët që kalojnë përkëtej dhe e përkedhelin me sy.
vinë një ditë nëntori me vranësira ca honxho bonxho, siç thoshte i madhi Mihal Grameno, që i kam quajtur përndryshe edhe takëm i ri në qytet të vjetër, patriot me bateri siç thonë në Prishtinë, e më thonë këta vurçanjarë që të vish në qender të Bostonit se do të ngremë Flamurin.
Unë në fakt mbaja një flamur të madh në dorë e do ta vija në balkonin e shtëpisë sime, siç bëj përvit, siç bën edhe miku im Sotir, që ngre Flamurin njëqindvjeçar të gjyshit të vet, të madhit Josif Pani nga Dardha, mikut me të mirë të Faik Konicës në Amerike. Mesa duket menduan se isha i përgatitur të shkoj pas tyre e të bëja rrumba tumba në Copley Square në mes të Bostonit.
- Po cilin Flamur?- i pyeta- Se Flamurin e ngre Bashkia, kryetari, italiani Tomas Menino siç bën për të gjithë komunitetet. Ju pse po doni ta personalizoni sikur e ngrini ju, si të ishit Ismail Qemalat e Amerikës?!
Ata nuk m'u pergjigjen veç rrinin si guakë, se mendjeshkurtër janë. Ju ka ba mendja dollarë. Ju ktheva:
- Shkojeni e ngrijeni se unë vijë pak më vonë se nuk më pelqejnë rrëmujat. Sa të ngre këtë Famurin tim këtu në ballkon.
- Të ndihmojmë ne - u ngutën, e zgjatën duart të më rrembenin Flamurin.
Por nuk i lashë. Sakën se ma prekni Flamurin me ato duart tuaja të fëlliqura, u thashe e bëra për më tutje.
- Ikni, se e ngre vetë, - vazhdova jo pa shpoti.- Në shtëpinë time Ismail Qemal jam unë e jo ju!
Thartuan fytyrën.
Kur e pashë se po ikin me bisht ndër shalë dhe seç mërmërisnin kundër meje, më hipi në kokë e u thirra:
- Unë nuk vij fare!
Në fillim u fandaksën. Si të mos veja fare kur ata ngrinin Flamurin. Bah! Pastaj si hilanjoz që janë, menduan se më zunë si miu në dhokan.
- Turp!-më thanë .- Je dhe bir patrioti që ka derdh gjak për këtë Flamur, që ka luftuar krah për krah me Ded Gjo Lulin. Po ti paske qënë tradhtarë i babës tend, more, po ne të dinim për atdhetar të madh, ndaj erdhëm.

Menduan se më groposen së gjalli dhe i lanë duart me mua.
- Po dale bre, mos u ngutni,- ua ktheva. - Unë nuk thashë që nuk vij fare në Copley Square.
- Atëherë do të vish? - ndrruan çeren atdhetarët me bateri duke u qetesuar.
- Do të vij për ta ulur!
Sikur ra bomba. U hodhën përpjetë sikur t'i kish pickuar zekthi në të prapme .
- Ti qënke çmendur fare - m'u hakërryen.- Ke rrjedhur!
- Nuk jam çmendur e as kam rrjedhur ore, jo. Por sikur unë të mos e ul, çfarë do ngrini ju vitin tjetër, pa më thoni!... Se Flamurin do ta grisë era, do t'a kalbë shiu e bora, se rrobë është de, jo shajak për gunë bariu. As për darkën qindollarëshe që keni sajuar mos më prisni, se nuk kam ndërmend të çpoj xhepat e mi për të mbushur të tuajat.
U skuqën si spec i kuq djegës e mu bë se Flamuri im që kisha në duar, u zverdh nga që nuk i duronte dot ata dallkaukë e delenxhinj që shtiren si flamurtar. Pa le kur do të shkruanin në gazetën e komunitetit se Dadani me Kamkamin e Zejnepja me Peqe Lepen e kanë ngritur Flamurin në Boston, në Nju Jork, në Detroit, në Çikago e kah mos. Por edhe në Vikipedia do të shkruajnë pa hesap që ta dijë historia e brezat që do vinë se kush janë Flamur- tartarët e Diasporës shqiptare të këtij fillim shekulli. Ja kështu shkruhet e përshkruhet historia nga llaskandraqët e etur për lavdi. Kështu shkruhen e përshkruhen edhe meseletë me Flamurin.

E kush e di çfarë dhëmbje ndjen i shkreti Flamur, kur bie në dorë banditësh, zuzarësh, mashtruesish, megallomanësh, në duart e kacabujve të atdhetarizmit, që gëlojnë si brumbuj bajge, që kanë krijuar tarafe, që e quajnë njeri tjetrin "burra të mëdhej", çfarë Nolit e Konicës me kursim ua thonë.

E po nuk bëre si thonë e si duan ata, egoistët lavdimëdhenj, të bëjnë gjëmën, të gozhdojnë si Krishti në ca hartime moralistike në gazeten e komunitetit, të shpallin armik, të nxjerrin edhe nga ato paloshoqatat te shpifura rapsodike që ka me vandakë në Amerikë, apo nga ca lista pseudogazetarësh ku neveritshem i përkëdhelin bishtin njëri tjetrit...

A nuk bënte edhe Enver Hoxha kështu?! Por Enver Qafiri i bënte bëmat e veta në Shqipëri ku nuk kish liri e as drejtësi, po këta kallam-kusur-kallamarët tanë i bëjnë në Amerikë.

Lum si kombi ynë që i ka lindur, por lum edhe Amerika, të cilës i polli groshi me dallkaukët, shoqatamaniakët dhe mashtruesit me flamur.


[shqiperiaeribashkuarindex1+ok.PNG]