🟢 ËNDËRRIMET E 22 MARSIT 1992(Gazeta “Egnatia” mars 1995 f.5 & 11)
Nga KOLEC P. TRABOINI
Kush po e shet e kush po e blen ekonominë shqiptare?
Kryepyetja duhet të jetë kush e shkatërroi atë që me mundin e gjakun e popullit ishte krijuar, por meqenëse për këtë politikanët akuzojnë njëri-tjetrin për oratori, duhet ta anashkalojmë. Edhe pyetja e shtruar në titull mund të përballohet me një përgjigje të koncentruar: E shesin dhe blejnë parallinjtë. Se kush; punëtorët e papunë apo inxhinierët e pastrehë, ish të burgosurit apo pensionistët që mezi mbajnë frymën gjallë, funksionarët e lartë apo artistët e mbetur rrugëve pa shprese, ballistët apo legalistët që, megjithëse dolën të mundur nga lufta, ju doli për hair ajo punë, sepse u kthyen nga bota si bosë. Kush e blen pra Shqipërinë, ata që bënë pare të madhe me trafikun e drogës në Zvicër apo emigrantët që flinin deri vonë nën urën e Larisës apo në malin e Varit përball detit? Në sytë e kasapëve të ekonomisë kjo mund të duket një retorikë e mërzitshme e pa rëndësi, se në fund të fundit, në plan historik, të mirë a të këqij, të ndershëm apo matrapazë, burra të urtë apo mëndje çartur, nëpunës korrekt apo të korruptuar deri në palcë, të gjithë këta shqiptarë janë. Prandaj edhe përgjigja e rrumbullakosur gjendet: Shqipërinë po e blejnë shqiptarët (ndërsa populli saktëson: kusarët). Por ndoshta edhe populli gabon!!!Dhe akoma më pak rëndësi ka një vend tepër të varfër si ky i yni, që gjëja e parë që bëjnë funksionarët kur vinë në pushtet është të korruptohen. Është krejt e natyrshme. Historia edhe me parë, por edhe tani, na ka treguar se sa më patriot shiten politikanët në rrugë, kafene e mitingje, aq më shumë i bëjnë hyzmet kolltukut. Pastaj, gjithsekush ka të drejtë të quaj veten patriot duke rrahur gjoksin deri në rraskapitje. Politikanët natyrisht kanë një arsye më shumë. Nga ana tjetër duhet marrë në konsideratë se pushteti, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën e qytetëruar dhe paqytetëruar, është si ai kali gërmuq që pjell flori për të zotin.E pse ne duhet të bëjmë ndryshe nga të tjerët? Prandaj dhe pyetja që shtron gazeta “Demokracia”, se, «ku shkuan 20 miliard dollarë, vlerë me të cilën në vitin 1994 u shitën 2500 ndërmarrje në Shqipëri, të deklaruara nga ish-zëvendëskryeministri Bashkim Kopliku?» na duket disi pa vend. Ose e thënë saktë gjysmake, se pyetja mund të bëhej: Ku i morën shqiptarët varfër 20 miliardët që ja dhanë Qeverisë? E sa për atë se ku shkuan, nuk ka rëndësi. Qeveria ka xhepa boll, edhe thesin e ka të shpuar, të pafund. Prandaj parat andej nga erdhën, andej shkuan. Si në motivin poetik «Nga luftërat vijmë - në luftëra shkojmë!», por në këtë lojë parash, duku- zhduku, nuk ka asgjë poetike.Nga ana tjetër, kurrkush të mos ketë iluzionin se Shqipëria po shitet e ato para do ti ndajmë në mes të shqiptarëve vëllazërisht. Edhe staticienët e ekonomistët e së ardhmes të mos presin bilance, llogari e hyrje-dalje financiare, sepse me një qeveri që krasitet e shartohet me ministra të rinj vazhdimisht, me funksionarë zyrash që ndërrojnë sipas padronsisë politike e tarafit të shefave në kabinet, kurrgjë e dokumentuar nuk mbetet. A nuk po vihet vërdallë si miza në qyp, me muaj e vite, për 1 milion e 500 mijë dollarë që kanë dalë nga Banka për në xhepat e Nikolla Arsidit. Rrinë e merren me thërrimet e tryezës se Arsidit, që qenkan kthyer prap tek funksionarët tanë «bujarë» Hoti, Tartari, Saliu, Xhyheri dhe një tjetër. Te krij0het përshtypja se këto janë gjyqe spektaklesh televizive që televizioni ynë (Tele Blu) i ka fort për hosh, se kështu realizon planet partiake e shtetiake të partisë mëmë. Edhe gjyqi i deputetit adoleshent, që hyri në politikë si të hynte në valle, Arben Lika, të duket fare qesharak. I qenka bërë hataja ekonomisë shqiptare se s' paska paguar doganat Beni. Merru me merlucat kur peshkaqenët shqyejn rrjetat. Gjithkush e di se Ben Lika nuk është dopio gjashta, guri më i rëndë i dominosë së korrupsionit. Me siguri ndonjë bos i madh ka thënë që të hedhim me jek-e-jek në tavolinë për të mashtruar partnerët në lojë. Ndërkohë hidhet dritë e dyshime për cigaret, armët në Bosnjë, e kushedi sa të tjera që u përket e nesërmja. Nga ana tjetër, për zhvillimin mund të flasësh me gjuhën e shifrave sepse janë ngritur punishte pastash, floktore moderne grash e kozmetikë bukuria, kioska. Mund të flitet me shifra gjithashtu për 17-20 mijë makina të amortizuara, që po i hanë kokën njerëzve nëpër rrugët që janë për të qarë hallin, makina këto të sjella nga emigrantët, si dhe mijëra e mijëra thasë me plaçka të vjetra, që kanë kaluar në doganën e Kakavijës. Ndërkohë që “dallëndyshja e parë e ekonomisë kapitaliste shqiptare” siç u tha me pompë në inaugurim, po siguron prodhim të bollshëm Koka-Kole. Kur dallëndyshja ka mbetur e trishtuar, pa qiell e pa shoqe, njerëzve s' u mbetet veçse te pinë një Koka-Kole nën hije të manit dhe ti bien mandolinës për ti thurur këngë ekonomisë që po vendnumëron. E megjithatë (o zot, si nëpër përralla) ajo na paska ritme më të larta zhvillimi se tërë Europa Lindore, madje se Polonia e Çekia. Dhe propagandistët e rinj nuk e vrasin mendjen për të gjetur ndonjë shaka tjetër më pak të hidhur se sa kjo për ekonominë tonë.
Kriza e moralit politik e qytetar
Padyshim që morali shoqëror është ai që ka pësuar persekutimin
më të madh në epokën e demokracisë. Mund të shihet në shumë plane e mund të nxirren
shkaqet e pashmangshmërisë së këtij fenomeni të shëmtuar. Sidoqoftë, e vërteta
mbetet ajo që është: ish të persekutuarit stimulohen, ndërsa morali shoqëror
persekutohet. Mund të na lehtësojë disi barrën e përgjegjësisë historike fakti
se këto shëmtime i sjell tranzicioni, se janë pjellë e një pjelle të dikurshme,
të kaluar (Edhe Hoxha akuzonte të kaluarën e hidhur zogiste), qelbëzime të plagëve
të mbyllura me zor që në kushte të reja shpërthejnë si epidemi. Mund të shpjegohen
si revoltë e instinkt çlirimi nga çdo gjë që e frenonte dhe e shtypte njeriun në
monizëm e diktaturë, si dalje nga një moral bajat e hipokrit e nga një
ideologji shterpë që përpiqej të kalçifikonte mendjen e njeriut. Ka edhe më për
të justifikuar marrinë e shkatërrimit moral e që ata që merren me sociologji e konsiderojnë si kriza
e moralit. Të ndodhur në një boshllëk
shpirtëror, të ardhur prej diku ku e dimë çka ishte dhe duke rendur pas asaj që
nuk e dimë çka do të jetë, çdo marri e çdo shpërfytyrim i cilësive të njeriut
gjen shkaqe, gjen motive gjen justifikime. Kështu tragjedia e Pukës (para 22
Marsit) kishte në thelb marrinë e njerëzve, që ishte marria e marrisë se një kryeministri,
z. Ylli Bufi, që mesa dimë rri i qetë në shtëpinë e vet pa i dhënë llogari as
gjyqit publik, por edhe as ndërgjegjes së vet, megjithëse në me natë të hidhur
kombëtare u dogjën të gjallë rreth 70 shpirtra njerëzorë. Klithmat e tyre Ylli
Bufin duhet ta ndjekin edhe në varr, e megjithatë, meqenëse jetojmë në një
epokë kur përgjegjësinë për ndërgjegjen e moralin tonë ja lëmë gjysmën të
kaluarës e gjysmën tranzicionit, mund të shpëtojmë lehtësisht edhe nga
gjyqësia, por edhe nga vetëgjyqësia. Harakiri për skandale në këtë epoke nuk
mund të ketë e as mund të mendohen. Këtu nuk është fjala për të hyrë në
labirintet e shpirtit të njeriut, por për at që ka duk në mjedisin shoqëror, në
pushtet, në politikë, në masmedian tonë. Sot thuhet hapur e pa kurrfarë droje
se nuk gjen një pushtetar a një
politikan të cilit nuk mund ti vihet damka e skandalit (Xhevdet Shehu - Zëri i
Amerikës). Ajo që tha Zef Brozi, Kryetari i Gjykatës se Kasacionit, para se të kërkonin
ta gozhdonin në kryq, se ai nuk vinte dorën në zjarr për kurrkënd nga
gjyqtarët, ishte shprehje sintezë e një realiteti shoqëror. E pikërisht ky
realitet ju kthye titullarit të drejtësisë trajtën më të egër e më
të paskrupullt, pikërisht se
guxoi thotë një të drejtë. Kur me një të rënë mund të shembësh tempullin
e drejtësisë, çfarë mund të presë njeriu i shkrete, ai i thjeshti, i panjohuri,
i rrugës?! Kur kurrkush nuk ve dorën në
zjarr për gjyqtarët, si mund vihet dora në zjarr për të tjerët, që nga shtetasi
anonim e deri tek qeveria. Kur e shkreta
perëndeshë gjokszbuluar e symbyllur, simbol i drejtësisë, shihet nga shtetasit
si një femër rrugësh, me një trup të kolme ku mund të shuajnë epshet të gjithë
ata që luajnë gishtin, atëherë merret me mend morali i perëndive të tjera, që
nga Marsi i Luftës - i Mbrojtjes e deri tek Dionizi i Qejfit - i Turizmit.
Nëpër këto labirinte shkallësh ngatërrohet e shkatërrohet morali shoqëror i një
vendi. Morali politik ka të veçantën e vet. Ai nuk është statik. Ai vazhdimisht
luhatet. Ai më shumë i ngjet lavjerrësit të një ore muri e cila punon vetëm kur
lavjerrësi përshkon harkun e tij. Nuk e di pse gjithmonë më ka pëlqyer që
politikën ta krahasoj me atë që bën akrobati duke ecur në tel. Ai e ruan
ekzistencën e tij atje lart në tel, nën vështrimin e një publiku në ankth. Sa
më shumë pehlivanllëqe të bëjë aq më i dashur është. Por ndryshe nga pehlivanët
e telit, të cilët pas fitores i pret të nesërmen një ankth tjetër, pehlivanët e
politikës, mbas fitores, ulen në
kolltukun e butë dhe shohin me qetësi e nge pehlivanllëqet e krahut tjetër, që
u rrezikon qëllimin e jetës se tyre, KOLLTUKUN. Mihal Grameno ashtu i
quante-Kolltukofagë. Megjithëse morali i politikanëve është një spektakël i
pranueshëm, argëtues për publikun, edhe ata kanë “rrethin e djallit” të cilin
nuk mund ta shkelin sepse mund të pësojnë fiasko. Pa e shkelur këtë rreth,
mjaft politikane arritën të shkëputen nga baza fillestare e të krijojnë aleanca
e parti të reja (Ceka, Kalakula, Bushati e tjerë), por nuk ndodhi kështu me
politikanin Laço, i cili e shkeli rrethin e djallit dhe bëri atë që populli e
klasifikon si “politika është kurvë”. Ndryshe nga të parët, të cilët nuk e
humbën reputacionin, ish socialdemokrati Laço dha shembullin më të shëmtuar të
pelivanit politik që sakrifikon çdo gjë, edhe reputacionin e vet, për një
kolltuk ministri. Atë kolltuk që më së fundi, me shumë zor dhe mbasi e lodhën
dhe e rraskapitën, e braktisi megjithatë me nder ministri Anagnosti. Dhe më e
keqja e të gjithë të këqijave është se të gjitha këto, ky soj politikanësh me
papion e syze të errëta, u servir si Moral i Ri, kur ky nuk është gjë tjetër
veçse moral i ri i imoralitetit politik. Laço sot është me një emër që nuk ka
kurrfarë peshe e rëndësie në jetën politike të Shqipërisë (ndoshta nesër për të
lind dielli), por gjithsesi meriton vëmendje se është një fenomen i ri. Po vjen
epoka e dhelprave në politikë. Është e natyrshme që në këtë sfond të krizave
politike e të skandaleve në ekonomi, të shfaqën edhe kriza të tjera në shoqëri
e të cilat kanë në bazë jo ambiciet pushtetore, por varfërinë e tejskajshme dhe
shkatërrimin ekonomik. Kështu më shumë se urrejtje ndien dhembje për ato vajza
shqiptare që kundër moralit të popullit të vet shesin trupin e tyre nëpër
bordellot e Romës, Brindisit dhe Athinë. Sipas shtypit shqiptar, në Itali zënë
vendin e dytë për nga sasia në raport me prostitutat e ardhura nga vendet e
tjera, ndërsa në Greqi zënë vendin e parë për nga intensiteti i punës dhe
pronarët e shtëpive publike i konsiderojnë si miniera floriri. Ndoshta ndonjë
politikan në kolltuk do të ngutet duke u justifikuar se, në të kaluarën morali
ka qenë fals. Po tani mos është i vërtetë?! Po merr përmasat e një tragjedie kombëtare hakmarrja,
vëllavrasja. Shqiptari vret shqiptarin pa ju dridhur dora e qerpiku. Me keq se
në fillim të shekullit. Bëhet vrasja politike e një të riu, Gjovalin Çekinit në
Shkodër, në mes të qytetit dhe policia, hetuesia, gjyqet, qeveria dhe vetë
shteti nuk janë të zot të gjejnë fajtorët. Fundja a njihet fenomeni dorëheqje
në Shqipëri? Lajme tronditëse në veriun e Shqipërisë, ku po kthehet jeta në
mesjetë e me forcë dramatike e tragjike si tek “Prilli i thyer” i l. Kadaresë.
Me qindra e qindra familje në kulla të ngujuar, me mijëra njerëz, me dhjetëra e
dhjetëra fëmijë kanë drojë me shkue në shkollë se i vrasin dhe ata!!! Mesa
duket, të nxirë nga sytë e nga mendja, njerëzit nuk po respektojnë as Kanunin e
Lek Dukagjinit. Dhe as atë të Enver Hoxhës që është në fuqi edhe sot e kësaj
dite, vetëm e vetëm se dikujt i pëlqen me luejt cic-micin parlament-referendum.
Kjo kokëfortësi kushtetuese po i jep me kuptue popullit se dikush po do me e
pas Kushtetutën ligj personal, dhe Shqipërinë bahçen e vet. Për fatin tonë të
keq a të mirë nuk e dimë, por Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar Ali Pash
Tepelenat.E sa për fytyrën që po lemë sot në botë kjo të le me
dyshim. I dëgjohet krisma e armës se bashkëkombësit tonë në mes pazarit të
Frankfurtit, ku shqiptari vret shqiptarin si me vra një qen duke lemerisur mijëra qytetarë
gjermanë. Kuptohet se ç' mendojnë e ç' thonë ata për ne. Në Zvicër drogaxhijtë
më të mëdhenj janë bashkatdhetarët tanë. Në Greqi vrasim njeri-tjetrin për
kurrgjë, për një grindje, për një dorë pare. Në Shën Thanas të Selanikut shoku
vret shokun me të cilin kish marrë rrugën e kurbetit e kish qarë hallet, vetëm
për ti marrë rrogën e një muaji e pastaj
trupin e 17-vjeçarit pa jetë e hedh në një kanal, e mbulon me gurë të rëndë,
duke menduar se sa më e rendë të jetë pesha mbi varr, aq më i lehtë është
ankthi i krimit e barra e turpit.
Nga balli i Europës... në bisht të Orjentit.
Ëndrra jonë e madhe për oborrin e ndaluar të familjes sonë Europiane është thelbi i çdo gjëje për të cilën është ëndërruar e luftuar. Kjo ëndërr e vjetër zë fill herët në histori, ka taban në epokën e Skënderbeut, rrënjë e degë në Rilindjen Europiane, që nga Barleti, Beçikemi, Maruli, Viktor Karpaçi e tek L. Tomeo i madh, mësues i Kopernikut, të cilët kolltukofagët e sotëm a nuk i njohin nga mungesa e kulturës, ase, se e konsiderojnë veten pinjollë lindorë të ardhur nga shkretira aziatike. Edhe ashtu mund të jetë. Edhe pse kalojnë shekuj jo rrallë kthen gjaku tek gjaku i vet. Prandaj ndodh që gjen emra turqish (që na kanë mbajtur nën shpatë pesë shekuj), nëpër rrugë, sheshe e shkolla, ndërsa emrat e këtyre burrave që kishin prush në zemër për atdheun e vet, kurrkund emrin nuk u a gjen, Por s' ka gjë, historia nuk shkruhet vetëm sot por edhe nesër. Ëndrra europiane ka qenë e shumë brezave, ka qenë e zjarrtë tek Naimi i madh, tek njerëzit që shtypi e mbyti diktatura, por edhe tek ata që përpiqeshin të mbijetonin duke mos i rënë në thonj asaj. Ajo ëndërr na mblodhi të gjithëve në sheshin e përbaltur të asaj dite në Qytetit Studenti, ku e para dhe me e madhja parullë ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Po ja që u harrua shpejt, dhe për turp të tij dhe tonin, u harrua së pari nga Kryeoratori që thërriste e çirrej më shumë. Ishte ai që ëndrrën tonë e futi në kotec, në kotecin e Konferencës Islamike. A ka menduar ndonjëherë ai, apo ndonjë tjetër që e bën këtë krushqi djallëzore, se si do të shpëtonin nga linçimi i demonstruesve të zjarrtë, po të thërrisnin nga tribuna “E duam Shqipërinë si vendet islamike”? Natyrisht këtë nuk mund jo vetëm ta mendojnë, por as dhe ta shohin në ëndërr, sepse do të ishte një tmerr i vërtetë. Dhe kur (ky apo ai që i udhëhoqi Shqipërisë karvanin për orient), do të bëjë vetëgjyqësinë e do të shpjegohet para popullit? Do të ishte një tuafllëk i madh të mendohej se mund te kalohet pa dhënë llogari për këtë. Cili është motivi që u bë me akt, apriori, duke nëpërkëmbë dëshirën e ëndrrën e një populli. Në fund të fundit kush është Sovrani? Populli apo rrondokopet e historisë? Mos vallë sot në Shqipëri ka njerëz që e mendojnë veten me pushtet hyjnor dhe, kur e si te duan, heqin diellin dhe venë gjysmëhënën në qiellin e Shqipërisë. A nuk mendohet shija e keqe që kane lënë në opinionin europian aleancat tona me vendet islamike, në të cilat shtypet me dhunë, gjak, zjarr, çdo ide e lirë, ku rrafshohen me automatik gazetarët dhe u pritet koka në mes të shesheve poetëve. Si të mjerit poet të Arabisë Saudite, Sadok Melabah? (në një shkrim në faqen speciale të numrit të ardhshëm do t' ju sjellim një tabllo rrëqethëse të tragjedisë së iIntelektualëve në këto vende). Këto që po shkruajmë nuk janë një oratori nëpër mitingje, por një dhimbje, me ulërimë për atë që dikush e përdhosi ëndrrën tonë të bukur europiane.