Filmmaker, Journalist and Author of 47 books of which 30 with poetry. / Kineast, gazetar dhe autor i 47 librave nga të cilët 30 me poezi.
29 May 2009
Një film për Shtrausin
NJË FILM PËR SHTRAUSIN
nga K.TRABOINI
Ndoshta e kam marrë vesh përpara shumë të tjerëve për vizitën që do të bënte Franz Josef Shtrausit(1915-1988) në Shqipëri. Në mes të gushtit 1984 më thirri në zyrë drejtori Vangjush Zallëmi e më shumë seriozitet më komunikoi një detyrë të vështirë, siç e cilësoi ai, për faktin se duhej kujdes i madh se me 21 Gusht do vinte në vendin tonë për një vizitë të shkurtër Shtrausi. Emrin e gjermanit bavarez Shtraus e kisha dëgjuar prej vitesh, sepse gjithnjë kur gazetat e asaj kohe i referoheshin lajmeve të jashtme nga Europa, përmëndej emri i tij si ministër i Budesverit gjerman.
Përgatituni për një xhirim arkival, por... do të shohim pastaj se si do të bëhet, vuri në dukje drejtori e shtoi, jo më shumë se një akt film bardh e zi.
Duke qënë pjestar i grupit të filmit e kam ndjekur gjithë vizitën e Shtrausit në Shqipëri. Dihet se ai ka bërë dy vizita, por bëj fjalë për vizitën e parë. Është xhiruar sipas mundësive në të gjitha vendet që vizitoi në Shqipëri, ndërsa në kryeministri na lanë vetëm sa u shtërnguan duart e pastaj dyert u mbyllën. Flitej se do të takohej me Enver Hoxhen, e nëse ndodhte kjo të përgatiteshim të dërgonim për xhirim vetëm një operator, por kjo nuk ndodhi.
Filmi është bërë urgjent dhe i është dërguar Shtrausit në Gjermani. Mendohet se në landin e Bavarisë filmin ja ka dorëzuar Shtrausit në një koktej një titullar i lartë shqiptar, por nuk e di sa e është sakte kjo. Nga Komiteti i Mardhënieve me Jashtë, ka ardhur njoftimi se Shtrausi e ka parë filmin dhe e ka pëlqyer.Kopja e vetme e prodhuar i është dhënë si dhuratë. Ai film nuk ka qarkulluar në Shqipëri nëpër ekranet e kinemave, por negativi duhet të jetë ruajtur në arkivë.
Gjatë udhëtimit pati dy incidente. Një makine Benz e parkut të delegacioneve nuk i hëngri dot të përpjetat e kthesat e Llogorasë dhe nxorri tym, sa u vu alarmi. U shqetesuan së tepërmi shoqëruesit që kishin frikën se mos ndodhte ndonjë aksident me gjermanët, por vumë re edhe shqetesimin e drejtorit të Benzit që nuk e priste që makinat e tij të shitura në Shqipëri të ishin aq të dobëta. Atëhere na thanë se Drejtori i Benzit dhe vetë Shtrausi u kishin thënë shoqëruesve se shqiptarët i kishin porositur makinat gabim, se këto tipa ishin vetëm për rrugë fushore.
Incidenti i dytë, ku ne të Kinostudios desh lamë kokën ishte në hyrje të një fshati të Bregut që nuk ja di saktë, mund Qeparoi, kur ne ishim në bisht të kolonës. Kish rënë një vese shi dhe makina jonë BÇ bëri një rrethrrotullim rreth vetes dhe përfundoi rrëzë një hendeku ku vinte një pjerrtesi nga ana perëndimore, në të djathtë të rrugës. Sikur të kishte marrë makina rrëpirën për ne do të ishte katastrofale. Mbaj mend operatorin Rakip Zeneli që tha, me siguri kemi bërë ndonjë të mirë që shpëtuam, ndonjë nga ne i ka falë ndonjë fukaraje ndonjë 5 lekëshe.
Shkaku ishte një vesë shiu përzier me një shtresë vaji. Ose dikush kishte hedhur vaj në rrugë ose nga ndonjë makinë kishte rrjedhur e ky ishte shkaku, siç përcaktuan ata të qarkullimit rrugor që vinin pak pas nesh. Fatmirësisht nuk i kishte ndodhur kjo makinave ku ndodhej Shtrausi, i biri dhe drejtori i benzit.
Mbresë më kanë lënë dy rrethana. Kur hyri në Han të Hotit, Shtrausi ishte me pantallona të shkurtëra, tip gjahtari kolonial. Rrobat e tij ishin ngjyrë kaki, me shumë xhepa. Makina që e drejtonte personalisht ishte e hapur, benz ushtarak, makinë tepër e fuqishme, e lartë. Por me të hyre këndej kufirit, Shtrausin e vendosën një një makine Bens të zi të drejtuar nga shofer shqiptar dhe nga shoqërues që ne nuk i njihnim.
Në Dhërmi mbaj mend i sollën fruta të cilat ua serviri vetë drejtori i Fermës, një specialist i njohur që ndërkohë u prezantoi begatinë e bregdetit shqiptar, brezaret të cilat Shtrausi i pelqeu shumë. Thonë se ai u ka sugjeruar turizmin në këtë perlë shqiptare, por me kot lodhej gjermani me këshilla miqësore sepse nuk e kishin thirrur t'a dëgjonin, por thjeshtë të bënin adetin. Mysafiri gjerman i rangut të lartë u la në det bashkë me djalin e dhëndrrin e tij. Ne përfituam dhe e xhiruam nga larg, sepse nuk na linin të afroheshim. Më pas ai ka kaluar në Greqi ku shkonte në Igumenicë ku, siç u tha, Kompania Benz kishte filialin e vet të shitjes së veturave.
KT 2009
www.traboini.com
Subscribe to:
Posts (Atom)