29 July 2010

đŸŸ„Tre takime me Petraq Xhaçken - nga Kolec Traboini

TRE TAKIME ME PETRAQ XHAÇKEN

Nga KOLEC TRABOINI

Takim në "ferrin e industrisë së naftës", Fier 1978

Nga fundi i vitit 1978, me regjisoren e kronikĂ«s sĂ« filmit dokumentar Adriana Elini Xhajanka, u ndodhĂ«m nĂ« zyrĂ«n e drejtorit tĂ« sapo emĂ«ruar tĂ« Insitutit tĂ« NaftĂ«s nĂ« Fier, Petraq Xhaçka. Ishim ngarkuar nga Kinostudioja tĂ« realizonim njĂ« intervistĂ« me specialistin mĂ« tĂ« shquar nĂ« fushĂ«n e studimeve tĂ« naftĂ«s dhe tĂ« gazit, fushĂ« nĂ« tĂ« cilĂ«n edhe ishte lauruar me Çmimin e RepublikĂ«s sĂ« shkallĂ«s sĂ« parĂ«. Drejtori Petraq Xhaçka na priti nĂ« zyrĂ«n e tij tĂ« thjeshtĂ«, aty, mbi vandakun e letrave dhe planeve qĂ« kishte mbi tryezĂ«. Nga fotografia qĂ« kishte botuar revista "Ylli" na ishte krijuar pĂ«rshtypja e njĂ« njeriu tĂ« qeshur dhe gazmor qĂ« duhej tĂ« manifestonte gjithsesi kĂ«naqĂ«sinĂ« e popullaritetit qĂ« gĂ«zonte nĂ« sajĂ« tĂ« studimeve dhe botimeve tĂ« tij tĂ« shumta shkencore. Por, nĂ« atĂ« zyrĂ« disi tĂ« errĂ«t e me pak dritĂ«, diku nĂ« mes tĂ« Patosit e Fierit, u pĂ«rballĂ«m me njeriun e preokupuar e tĂ« pĂ«rhumbur nĂ« mes tĂ« planeve dhe skicave tĂ« puseve, saqĂ« edhe hyrjen tonĂ« nuk e pati vĂ«nĂ« re. 'Ndoshta me kĂ«tĂ« lloj bote tĂ« mistertĂ« mbĂ«shtillen tĂ« gjithĂ« studiuesit - mendoja nĂ« atĂ« kohĂ« kur nuk dihej se çfarĂ« fshihnin fasadat e fotografive dhe euforisĂ« sĂ« ndarjeve tĂ« çmimeve dhe dekoratave.
Në faqet e "Yllit", përshkrimi për studiuesin Petraq Xhaçka e bënte lexuesin të kishte zili famën e tij por, ndërkohë, zymtësia që e mbështillte atë, rrethanat ku pleksej hipokrizia e partisë dhe e shtetit me dhunën e egër ndaj shkencëtarëve, bënte që një shkencëtar i shquar me emër në të gjithë Shqipërinë si Petraq Xhaçka, jo vetëm të mos i gëzohej lavdisë dhe respektit që meritonte, por përkundrazi, të kishte zili edhe qytetarin më të thjeshtë të Shqipërisë, emri i të cilit mund të mos përmendej kurrë në gazetat revistat apo ekranin e filmit apo televizionit po të paktën nuk do jetonte nën presionin e përditshëm "Ku është nafta?".
Natyrisht këtë, Petraq Xhaçka, as si shkencëtar dhe as si drejtor i Institutit të Naftës nuk mund ta thoshte, por qëndrimi i tij atë të jepte të kuptonte. Nuk e parapëlqeu idenë e intervistës mbi kërkimet në zonat gëlqerore. Nuk dëshironte të fliste fare. Fytyrën e kishte pak të zbehtë e të prerë, mesa dukej nga pagjumësia. Por gjithsesi, ai nuk mund të na kthente mbrapsht dhe lutjeve tona iu përgjigj me dashamirësi. Do të gjendej diçka për të folur përderisa kishim marrë rrugën deri atje. Dhe intervista përfundoi me një vlerësim të përgjithshëm sipas standardeve të kohës.
E kishim lënë zyrën e drejtor Petraqit dhe ishim kthyer në Kinostudio në dhomën e montazhit, ku me regjisoren Adriana, gjatë montimit bënim edhe komentet krijuese që shpesh ktheheshin edhe në biseda si të thuash "politike".
"Pse kaq i zbehtë Petraqi- thoshte atëherë Adriana - Ai duhet të ishte i lumtur me atë lavdi që ka". Ne kishim shkuar për të xhiruar edhe raste të tjera në fushat e naftës. Mbaj mend të kishim xhiruar Sheme Marën, një tip punëtori praktik optimist. Kishim xhiruar Veli Allajbeun, naftëtar pa shkollë diku në Kuçovë, që fliste nëpërmjet një tubi në fyt dhe që pretendonte të ishte ankuar deri lart në krye të Partisë kundër "inxhinjerëve sabotatorë" siç na krenohej. Kishim xhiruar dhe Kapllan Hajdarin, heroin e kohës që rrinte rëndë e fliste pak. Por... eh, kishim xhiruar vite më parë në zyrën e tij edhe Xhavit Sallakun, drejtorin e Uzinës së Ballshit, në një intervistë që shumë shpejt, me urdhër nga "lart" u detyruam ta hiqnim nga qarkullimi pasi Xhaviti ishte shpallur "armik" dhe e ekzekutuan pa ditur kush se pse.
Ajo çfarĂ« ndodhte tej fasadĂ«s mund tĂ« merrej me mend, por kurrsesi nuk mund tĂ« dihej sa dramatike dhe tragjike ishte. Ajo çfarĂ« pĂ«rjetonte nĂ« shpirtin e tij doktori i shkencave gjeologjike Petraq Xhaçka, tek shihte si burgoseshin e pushkatoheshin kolegĂ«t e vet inxhinier nafte, me shkaqe tĂ« sajuara aq dukshĂ«m, merret me mend por ama nuk mund tĂ« shfaqej. Çdo gjĂ« duhej mbajture pĂ«rjetuar brenda vetes, nĂ« skutat mĂ« tĂ« fshehta tĂ« shpirtit. PĂ«rkundrazi, nĂ« ekran, nĂ« revistat dhe gazetat e kohĂ«s, duhej tĂ« dilte optimizmi dhe drita e gĂ«njeshtĂ«rt... e asaj qĂ« sot me tĂ« drejtĂ« quhej "Ferri i industrisĂ« sĂ« naftĂ«s".

Takim pas vitesh në Boston, 1995

I gjendur në Amerikë në vitin 1995, pas një emigrimi pesëvjeçar në Greqi, gjëja e parë që bëra ishte përpjekja për t'u lidhur me shqiptaro-amerikanë të vjetër, me shpresën për të gjetur diku ndonjë punë. Shqiptaro-amerikanët mund t'i takoje të dielave në tre kishat orthodokse shqiptare, që i rrinë rrugës Broduej në South Boston si relike të çmuara. Ajo në krye, kisha e Shën Gjergjit e Fan Nolit, si margaritar në kurorë, tjetra, pak më poshtë, kisha e Shën Joanit si gjerdan, e tjetra më poshtë, kisha e Shën Trinisë, ku dikur ka kishëruar Mark Lipa, kundërshtari i Nolit, më shfaqej si një ornament dekorativ dhe simbol i mosmarrëveshjeve të përjetshme mes shqiptarëve, të cilët me pasionet e veta inatçore kanë bërë më tepër lojë ne të huajve se te veten. Në mes të këtyre tre kishave hidhte vallen e vet tinzare greku nën masken e fesë.
Takova shumë shqiptarë, takime që tashmë pak më kanë mbetur në kujtesë. Një shqiptaro-amerikan më kujtohet të më ketë thënë me një shqipe të çalë, "Përse vini në Amerikë! Këtu (shqiptaro-amerikanët)nuk ju duan". I thashë se "vimë këtu sepse duam veten.".
Ndërsa një tjetër që konsiderohej bos i madh restorantesh e që i kisha kërkuar punë, në hollin e Kishës së Shën Gjergjit më zuri për dore dhe më vuri përballë një emigranti të posaardhur, duke i thënë atij se unë kisha 4 muaj në Amerikë pa punë, ndërsa ai (bosi e kishte kushëri) kërkonte punë menjëherë. E kuptova se në atë rast i shërbeva shqiptaro-amerikanit thjesht si një shëmbull krahasues, para se ai të më harronte fare. Dhe unë të njëjtën gjë bëra; e harrova.
Por ka një takim që nuk e harroj kurrë. Takimi me Petraq Xhaçkën. Sa e pashë mu kujtua fytyra e zbehtë në gjysëmdritën e zyrës së Institutit të Naftës në Fier. Iu afrova dhe i bëra të njohur takimin tonë. Petraqit edhe i vinte edhe s'i vinte në kujtesë. Kishin kaluar aq vite. Kaq vite në tragjedi, në burg, në stërmundime, në vuajtje...
Ajo çfarë në fillim i hashë, ishte se nuk mund ta kuptoja se si një shtet e le të ikë një shkencëtarkaq të çmuar si Petraq Xhaçka.
"ËshtĂ« tepĂ«r vonĂ« - mĂ« tha Petraqi - TepĂ«r vonĂ« edhe pĂ«r mua edhe pĂ«r shtetin".
Takoheshim thuaj çdo të dielë në kishën e Shën Joanit. Herë përpara në zhurmat e rrugës, e herë-herë brenda në sallën e poshtme të kishës ku pinim dhe kafe. U njoh me me fëmijët e mi, të cilëve u spjegova veçmas se çfarë vlere si shkencëtar kishte Petraq Xhaçka, ndaj sa herë e shihnin, e përshëndesnin me nderim dhe më njoftonin jo pa krenari se "kemi takuar mikun tënd Petraqin".
Një herë i propozova Petraqit të më bënte një shkrim për buletinin e përkohshëm që nxirrja në Boston, shkrim të cilin nuk arrita ta nxjerr sepse Buletini e ndërpreu botimin.
Ndër bisedat tona mbaj mend ta kem pyetur se çfarë pune bënte. Diku roje nate më pat thënë pa më dhënë shumë spjegime. Të dielave bënte punën e kujdestarit të kishës së Shën Joanit.
"Po mirë, - i thosha tek këmbenin mendime për hallet tona si emigrantë, - a nuk është krim që Petraq Xhaçka, shkencëtari që njoh unë (e jo punëdhënësit e restoranteve këtu) të jetojë larg shkencës edhe pas shembjes së diktaturës?! Mua kjo gjë më duket një krim i dytë ndaj njeriut, por për më tepër, është edhe krim ndaj shkencës shqiptare të gjeologjisë. Kush mund të ishte profesor universiteti më i përshtatshëm në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, çfarë ka qenë dhe ëndërrimi yt i kahershëm?"
Petraq Xhaçka, me vështrim të qetë e të butë, në të cilin ngazëllehej dëshira e vjetër e auditoreve, e pranonte humbjen e dytë, tashmë intelektuale. Kjo, jo vetëm për hir të pamundësisëpër ta kthyer kohën pas... Tashmë çdo gjë kishte ikur. Ndoshta të rrëmbyer nga politika, shumëkush në Shqipëri e kishte harruar Petraqin. Kishin harruar shkencëtarin e madh dhe martirin e pafajshëm të burgjeve. Politika mbrapshtane kishte shumë antipunë për të bërë. As nuk e vriste mendjen dhe as nuk e shqetësonte rrjedhja e trurit dhe inteligjencës jashtë kufijve. Dhe Petraqi e mbyllte bisedën me ngushëllimin si për atë dhe për mua: "Sa ka nëpër botë në fatin tim...Ja kemi këtu Xhoni Athanasin. Kemi diku më tej Petro Zhejin...brezit tonë i takoi një fat absurd dhe i vrazhdë. Le të gëzohemi që kjo të mos ndodhë më kurrë".

Fundkorriku 2004

Në fillim të korrikut më ra në dorë një libër i ri voluminoz i Petraq Xhaçkës. Nuk ishte libër me studime nga të cilët Petraqi, në kohën e lulëzimit të vet si shkencëtar, botoi dy të tillë, përkundrazi, ishte një libër që mund të themi se i përmblidhte në një vend studimet, përpjekjet, sukseset dhe dështimet. Ishte një libër ku tregoheshin vuajtjet shpirtërore dhe fizike në burgjet e diktaturës, të cilat janë një akuzë jo vetëm për falsitetin e direktivave të "udhëheqësve të ndritur" në fushën e kërkimeve të naftës, por akuzë edhe ndaj shpirtit të tyre katil e mizor, që nuk kishin të ngopur në shkatërrimin e jetëve njerëzore. Petraqi e kishte titulluar librin e vet "Kalvari i një intelektuali" dhe nëntitulluar "Kujtime nga ferri i industrisë së naftës...".
Duke lexuar atë libër me 350 faqe dhimbje, fillon të kuptosh me të vërtetë se çfarë ishte jeta e një punonjësi të naftës nën diktaturën e Enver Hoxhës, e më pas të Ramiz Alisë. Nis të kuptosh se çfarë falsiteti kishin akuzat dhe çfarë tmerri hiqte viktima në duart e hetuesve që kërkonin të fabrikonin fakte e agjentura të paqena. Nis të mendosh se sa brutale ishte ajo jetë, çfarë monstrash kishte udhëheqja, çfarë xhahilësh ishin zbatuesit e urdhrave të tyre, hetuesit, emrat e të cilëve Petraq Xhaçka i kurseu nga mirësia që kish në shpirt.
E lexova librin me një frymë, e më pas librin e mori im bir inxhinier që e njihte shkencëtarin Petraq Xhaçka personalisht. Sa vinte nga puna merrte librin... i pëlqente ta lexonte në vetmi, në verandën e oborrit të pasmë të shtëpisë.
Ndërkohë nuk i qëndrova tundimit për t'i bërë menjëherë një telefonatë urimi. Po shumë shpejt kënaqësia m'u kthye në dhimbje. Më doli Petraqi me gjysmë zëri. "Jam i sëmurë - më tha - Kam kancer". "Mos !"- belbëzova...U preva e më mbeti fjala në grykë. I shpreha dhimbjen time dhe urimin për librin, atë libër të mrekullueshëm që kishte nxjerrë nga duart, mendja dhe shpirti i tij fisnik. Nisëm të bisedonim për librin dhe për miqtë e tij të dikurshëm, ndër të cilët Enriko Veizi, me të cilin ishte burgosur e rrasur në të njëjtën qeli.
I thashë se kishte shkruar një libër që jeton shumë më tepër se një jetë njeriu. U gëzua. Aq sa mund të gëzohej një njeri në shtrat të vdekjes.
Pas një jave i telefonova përsëri. Më kish lindur një ide për të bërë promovimin e librit të tij. Ia kisha thënë këtë mendim studiuesit Thanas Gjika, shkrimtares Rozi Theohari të cilët e mirëpritën. E kishim lënë të konsultoheshim edhe me Pëllumb Kullën e NaumPriftin. E shoqja, Zhaneta, më tha se Petraqi e kishte shumë për zemër të bëhej ky promovim, por....mbase vetë nuk mund të vinte. Sapo kish bërë një kurë të re në spital dhe ishte më mirë, por jo aq sa të ngrihej për një veprimtari të kësaj natyre. Por gjithsesi, do të ishin të afërmit, të familjes.
Në ditët e zhurmshme të Bostonit, kur bëheshin përgatitjet për Konventën e Demokratëve për të zgjedhur kandidatin për president te Amerikës, nuk mund të bëhej kurrfarë organizimi. Prandaj, si të thuash, edhe telefonatat tona heshtën...Por ja, në ditën e 28 korrikut 2004, një telefon ogurzi do të binte. Me zë të drithërueshëm, Zhaneta më njoftoi se zemra e Petraq Xhaçkës kishte pushuar përgjithmonë. Me ngashërim më tha se dita e varrimit ishte lënë për të shtunën, më 31 korrik, dhe shtoi se gjithnjë e shoqëroi mendimi për promovimin e librit të tij me miq, kolegë e intelektualë. Petraq Xhaçka, deri në fund mesa duket, dëshironte që e vërteta e tij e dhimbshme të vlente si katarsis edhe për njerëzit që la pas.
Këto janë tre takimet e mia me shkencëtarin e paharruar, jeta e të cilit kaloi nëpër mundime të paimagjinueshme për brezat e postdiktaturës.

Nga libri "Bukuri Shkodrane" Kolec Traboini, esĂš Boston 2005