29 July 2010

BALLADA E TRIDHJET SORKADHEVE TE RUSISE


A kanë përqasje fati i 30 gra ruse në diktaturë, me fatin e mijëra grave e vajzave shqiptare të vrara apo të përdhunuara prej serbëve gjatë 85 vjetëve histori tragjike e gjakderdhjesh mizore?! Franca e Rusia si miq të serbve a mund të financojnë një film për gratë kosovare? Po ne ç’kemi që financojmë për ruset? Kaq shumë para e kaq miqësi të madhe kemi?!

BALLADA E TRIDHJET SORKADHEVE TE RUSISE
- Persiatje për një projektfilm-

nga KOLEC TRABOINI

Kohë më parë jemi njohur me faktin se Qendra Kombëtare Kinematografike, ka konfirmuar prurjen e një projekti për zhvillim, ...skenarin për film artistik me metrazh të gjatë me titull “Sorkadhet e trëmbura” të cilin e ka marrë përsipër një regjisor rus. Mendohet të realizohet si një bashkëprodhim ruso-franko-shqiptar, i shtëpive filmike "Albimage” (Shqipëri), “Ton” (Rusi) dhe “8 et plus” (Francë).Deri tani këtij “zhvillimi” u kanë vajtur punët mirë. Së fundi erdhi dhe një grup kineastësh nga Rusia për të parë vendet e xhirimit e mundësi të tjera. Pa u marrur me çeshtje teknike do të hedhim një veshtrim mbi dy aspekte të ndryshme në trajtim që nuk e përjashtojnë njëra tjetrën. Autori i skenarit Kadare e ka kapur e shtruar këtë temë në aspektin njerëzor,emocional, tragjedinë në familje e fatin e grave ruse të martuara me shqiptarët, ndersa tema e spiunazhit ruso-sllav në drejtim të Shqipërisë që është shumë më e koklavitur, e fshehtë dhe ende e patrajtuar mbetët krejt hipotetike për autorët. Po fundja kanë të drejtë. Sa kohë që arshivat nuk janë hapur,informacioni është i pakët, është tepër e vështirë të ndërmerret një hap i tillë në trajtimin e një filmi qoftë dhe dokumentar, për spiunazhin rus të KGB në drejtim të Shqipërisë ndaj te gjitha gratë ruse na dalin “Sorkadhe të trëmbura
Eshtë e vertetë se për gratë e pakta ruse në Shqipëri është fare e lehtë të bëhet film sepse ato janë dëshmi e gjallë e një realiteti absurd që sundonte në të dy shtetet, në Shqipëri por edhe në Rusi, madje këtë sistem shtypes këta shtypsit tanë nga rusët e kanë mësuar, janë pikërisht ata që kanë shkuar të marrin mësime mbi komunizmin në Rusi dhe ku kanë patur rast të martohen. Ai sistem komunist ruso-shqiptar pra krijonte viktima gjithandej, sepse nuk mund të mbijetonte pa dhunë e gjak.Në këtë rast nuk kishte fare rëndësi gjeografia. Ishte një makinë shtypse e kuqe që vepronte kudo me të njëjtin intensitet. Ishin harbutë por e kishin edhe frikën deri në palcë. Kudo shihnin spiunë e tradhëtarë. Shihnin armiq.Dhe është e natyrshme të shihnin armiq atje ku kishte dhe ku nuk kishte. Por nuk kanë qënë vetëm vajzat ruse që martoheshin me shqiptarë.Kanë qënë edhe polaket dhe çeket. Nuk e kuptoj një film që i perjashton fatin e tyre e merremi vetëm me ruset. Pse pikërisht ruset.Për më tej përse jo gratë malazeze që janë martuar me shqiptarët, veçmas në Shkodër. Janë 100 herë më shumë se sa gratë ruse, kur këto të fundit dihet, martoheshin me burra shqiptarë të përkëdhelur të regjimit dhe bënin karierë në pushtet. Aq më tepër ka patur gra të huaja intelektuale të devotëshme që vertetë nuk janë burgosur por e kanë ndjerë vehten si në burg. Një grua polake që meriton një film në vete, madje përpara grave ruse, ka qënë Danuda, mjeke kjo, gruaja e piktorit të madh shqiptar, pedagogut Danish Jukni. Edhe sot e kësaj dite në Shkodër, ani pse kanë kaluar vite e Danuda e Danishi kanë ndrruar jetë, kujtohet me admirim mjekja e spitalit civil.Ka shpëtuar mijra jetë njerëzore dhe tregonte një përkujdesje të jashtëzakonëshme për njerëzit. Dhe atë e ruanin dhe e përgjonin në çdo hap të jetës. Mendojeni jetën e saj. Ndonjëherë është më torturë të presësh të arrestojnë në çdo çast, se sa të jesh i arrestuar. Frika e tret njeriun dhe e kthen në kufomë për së gjalli...Pse pra nuk bëhet një film për mjeken me shpirt të madh human polaken Danuda Jukni?
Ana tjetër e medaljes është se dosjet e sigurimit duhen shkoqitur. Nuk besoj se spiunazhi rus të mos këtë humbur shansin për të rekrutuar ndonjë prej grave ruse që kanë qënë në Shqipëri. Në të gjithë botën spiunazhet i kanë përdorur gratë e madje në mënyrë të suksesshme. Kujtoni zonjën Doktoreshë gjermane në luftën e parë Botërore, apo Mata Harrin franceze. Ndaj nuk ështe çudi që ndonjë spiune ruse e KGB-së së frikëshme, të na dalë sot si një heroinë filmi e papërlyer. Nuk janë gjëra të pangjame edhe në ditët tona. Merrni një shëmbull nga Amerika e kohës sonë, gruaja e një ambasadori në një shtet afrikan, Kongo, papritur doli se ishte agjente e CIA-s dhe zbulimi i saj nga shtypi e pshtjelloj Shtëpinë e Bardhë.
Se sa të trëmbura janë sorkadhet ruse nëpër botë, merret vesh edhe nga lajmet e sotme nga Amerika ku Departamenti i Shtetit përzuri 10 spiun rus shumica e të cilave vajza të bukura si sorkadhe. Sepse sa më të bukura që të jenë sorkadhet ruse aq më mirë e bëjnë punën.
Gjithësesi në aspektin njerëzor, filmi qëndron dhe e ka siguruar suksesin që në zanafillë. Këto ditë na foli në TV shqiptare, gjërë e gjatë regjisori për këtë. Edhe bashkëskenaristi rus dha idetë e tij.Çdo gjë shkon mirë e bukur.
Paratë për gratë ruse, 30 Sorkadhet e trembura të Kadaresë, janë gati. Ndërsa për mijëra gra e vajza shqiptare, të vrara apo përdhunuara në historinë e mizorisë serbe mbi shqiptarët, që nga 1913 e deri në 1999 nuk jep kush asnjë qindarkë. Mirë bëjnë që japin për gratë ruse në mes të cilave kanë gëluar edhe ndonjë spiune e KGB-së., të cilat edhe po të jetonin në Rusi nuk besoj se do të kishin ndonjë trajtim special veç Gulakut tashmë të njohur rus, sepse muzhiku rus nuk besoj se shtypte e ushtronte dhunë më pak mbi popullin e vet.
Përtej kësaj e kam një merak. Në një anë bëjmë filma apo sajojmë konferenca ndërkombëtare se si i kemi shpëtuar çifutët( kush si ne, më të famshmit në botë) nga ana tjetër tregojmë se si janë masakruar nëpër burgje shqiptare 30 gra ruse. Mos ndokush do të na e heqë aureolen e shpirtit human që kanë patur shqiptarët në histori, për të cilën na mburrt dhe Bajroni?.Mund të thonë epo diktaturë ishte. Por edhe në kohen e gjermanëve diktaturë naziste qe, por populli bëri të pamundurën dhe i shpëtoi çifutët me femra e meshkuj. Madje një doktoreshë Anna Kohen është gjallë në New York, dhe është më e flakta në shqiptarizëm.Thotë jam shqiptare. Po kush kujtohet të bëjë film artistik për të a për prinderit e saj që shpëtuan mrekullisht në Vlorë?
Natyrshëm lind pyetja, pse firmat filmike franko-ruse( dhe kjo e jona bashkangjitur) janë aq të gatshme për të financuar atë film për ato 30 gratë ruse, ndërsa për çifutet, malazezet, polaket e çeket janë indiferent. Mos duhet që në ëmër të një humanizmi abstrakt të dalin në evidencë mizoritë e shqiptarëve ndaj sorkalleve të Rusisë, kur sot Rusia po e dërgon sorkadhet e veta si prostituta anë e mbanë Europës?! Le të shpresojmë se jo....por veç rusët nuk shpenzojnë asnjë kacidhe për Shqipërinë e shqiptarët...
Se sa na duan, merret vesh, flet çeshtja e Kosovës, flasin deshmite e ushtarëve rus në aradhat e krimineleve të Millosheviçit, që përdhunonin gra e vajza shqiptare në Kosovë.
Këto u dashkan harruar për hir të 30 sorkadheve ruse që disave u ringjallkan nostalgjinë e rinisë…

© Copyright Traboini - esè / traboini@yahoo.com
Nuk mund të botohen në asnjë organ shtypi apo sit elektronik pa lejen e autorit