...në të dy sistemet mbetëm popull pa diell!
Nga K. TRABOINI
Këto ditë të nxehta korriku, duke ndënjur në ballkonin e apartamentit tim , ku më rrok syri kurrgjë vetëm beton pallatesh që lartësohen deri në 15 kate, për të freskuar sadopak shpirtin, po lexoja librin e Uitmanit të madh “Fije bari”. E po, thashë, ne shqipot i kemi poezitë me shkëmb e gur, amerikanët i kanë me pemë, zogj e bar për të flladitur shpirtin. Siç kemi poezitë ashtu po na e kthejnë edhe Tiranën tonë, duke mos lënë as dhe një hapsirë për gjelbërim, as një pemë ku të pushojnë zogjtë, asnjë dritare që të shohim qiellin, se sa për lindje e perëndim tashmë nuk ka, “harro mushkë Valarenë se Ali Pashain e prenë”, e keshtu në të dy sistemet mbetëm popull pa diell. Pe ç’pe në kohën e moszhvillimit, botë e tretë, kohë që nuk bënte pallate më të larta se 5 kate, kur e kishe Tiranën në pëllëmbë të dorës, që nga kodrat e Sukut deri tej në kodrat e Pezës e akoma me tutje deri dhe Kodrat e Arapit në Durrës, harroi! Tani jemi në demokraci, tani nuk ka më bunkerë nëpër fusha e kodrina sepse jemi mbyllur vetë si në bunker me ndihmën e shtetarëve për të cilët brohorasim sa na çahet gurmazi e, vazhdojmë të votojmë si dikur njëzëri.
Lexoja Uitmanin me gjeth e lule, gjelbërim e popuj që e kanë në dorë fatin e jetën tyre, mirëpo ku Uitmani e ku realiteti që kam përpara sysh. Më pas nisa të gricem me vetën, sepse “Fije bari” më vuri në ngasje. Në ngasje e në plasje thuaj. I thashë vetes, po pse o derëzi e punëzi, nuk vure mend një herë, të kishe vënë një fije bari diku në mes rrjeshtave ashtu si të gjithë miqtë e tu poetë në librat e tyre e kanë me bollëk harlisjen e barit. Veç ti jo… Kaq i humbur je? Zaten për të nuk të zënë në gojë fare kur tororisin ca shkrime me vargane poetësh që i paskemi te shumte si bari…
Rri në ballkon në këtë thatësirë pa një gjelbërim e me fare pak qiell.
Vrisja kokën se pse nuk kisha venë një fije bari ndokund në 7 vëllimet me poezi që kisha botuar deri atë çast meditimi të turbulluar. Pasi e shtjellova gjërë e gjatë, sa e bëra tërkuzë mendimin, mu duk se mbrrita buzë një konkluzioni, anipse mund të ishte i gabueshëm. Kisha patur ndjesinë e mendimin se me Uitmanin në librin e tij me famë të përbotëshme "Fije bari", shumëçka ishte ezauruar e do të ishte pak vështirë përdorimi i simbolikës së barit pa rënë në përseritje. Apo fundja pa sjellë diçka të re sepse Uitmani ka qënë një gjeni që zor se përsëritet në këtë botë ani pse poetë bota gjithnjë do të ketë. Por tundimi i fijeve të barit poetik do të ishte më i pakët e do të ishte kapercyer si drojë krijuese po të mos dilte një simbolike absurde në vitet e diktaturës, kur njeriu që e kish vënë popullin e vet nën thundër, e kishte përdorur fjalën me një demagogji nga ato që nuk lënë asnjë alternativë tjetër në mbarë popullin: "Bar hamë e parimet nuk i shkelim!".
E ku ne vrimë të miut të shkoje e të shkruaje poezi pas kësaj? Kaq perverse më dukej kjo parullë demagogjike, sa duke qënë nën mungesën totale të mishit, qumështit e gjalpit, topa në vend të gjalpit, gjalpë për pushkën e gjatë e përralla të tjera heroike si këto në Shqiperine e diktatures sa, më qe bërë alergji përmendja e barit. Nuk e gjen kurrkund në të 14 librat e mi ku gjysmat janë vëllime poetike, por gjithësesi këmbëngulja për të gjetur fijen e barit në mes të fjalëve më nxorri në një shteg. Më së fundi mezi gjeta një fije bari, e ku, pikërisht mbi varrin tim imagjinar postmortum.
Mesa duket fija e barit pas gati një shekull shkatrrim, luftra, shtypje, përgjakje, uri e varfëri, kishte marrë nuancen e përpjekjes për të mbijetuar sadopak prej shkatrrimit të përgjithshëm, ish kthyer në shprese të përtej vdekjes, që të paktën pasi të jemi shuar, të mos vijë ndokush në mënyrë harbute të na i shkretojë edhe varret.
Por edhe kjo hamendje poetike nuk që e thënë të më frymëzojë gjatë as sa jeta e një xixëllonje. Se ja çfarë ndodhi vitet e fundit në Rrmaj, varreza katolike e Shkodrës, ku më mirë se kudo bari duhej të gjente qetësi e amshim ëngjëllor. Meqë varrin e tim eti gjatë vitevë të mia në mërgim e mbuloi bari( si vazhdim i kohës së gjatë të diktaturës kur varreza katolike qe bllokuar me dëshirën ta bënin stacion treni a stallë kuajsh), dikush pra, tani në kohen e demokracisë pa brekë, mendoi se nuk ka më pasardhës ky i shuari me emrin Im Atë, dhe se ishte një mundësi për bisnes me tokën e varreve pa zot.Një i paemer, qoftëlargu thuaj, që kishte lidhur krushqi me një lëng stërlëngu me nënë nga Hoti, shkon në Kishen e Madhe të Shkodrës e para një prifti, Dom Luçiano nga nga Kosova, betohet e përbetohet se ajo copë tokë pranë varrit të tim eti ishte e stërgjyshit të tij, prandaj, i takonte ta merrte, ani pse nuk e kishte të shkruar në asnjë nga dokumentat e Kishes katolike që e mbikqyr këtë varrezë. Në kishë ishte regjistruar me emrin e tim eti, por prifti kosovar, ja e hëngri sapunin për djathë, ja e hëngri djathin me mish dashi e me verë Rahoveci, por fakti është se i lëshoi një vertetim se toka përqark varrit ishte tash e tutje nën zotërimin e atij qoftëlargut që u betua rrejshëm. E këta njerëz, pasi e mashtruan priftin mediokër, që ja di emrin po kush po merret me të, pas dy ditëve e shitën. Kur më lajmëruan “Eja, mor krahthatë se po të marrin edhe babën”, u detyrova të lë çdo punë e të vij nga Amerika në Atdhè që të shoh çfarë bëhet me eshtrat e babait se toka vate, siç thotë toska. Se mirë mbeta pa babë të gjallë,më la jetim i ndjeri, por tash po mbes dhe pa babë të vdekur. Harrim e shkretim kjo jetë thuaj… Indentitet pa varre.
Kish mbetur veç një rrip i vogël tokë me bar gjysëm të tharë sepse pranë tij ishin ngritur varre të mëdhej. Im Atë nen dhè, i ngjeshur në mes të blloqeve të betonit,( si unë sot në mes te pallateve), si të qemë në një burg a qeli por ma së shumti më përsilleshin në mendje bunkerët e diktaturës, që i ngrinin jo vetëm në bregdet por edhe në mes të varrezave që të befasohej armiku imagjinar tek luftonin edhe të vdekurit në Shqipërinë komuniste.
Lashë hamendsimet krahasimore dhe bëra ç'bëra, pagova një mjeshtër ta shkulte barin me rrënjë dhe ta betononte atë pjesë që kish mbetur. Mjeshtri Gjergj Shkami, tek bisedonim e binim në ujdi për hakun e punës, më tha: "Mos bëj gabim të bësh gjyq me priftin, se këta që e kanë blerë janë katundarë të egër, po u ankove të vranë. Shkove për dhjamë qeni. Sot të drejtën e gjen veç në varr!".
Pak gjëra paskan ndryshuar, thashë me vete.Te drejtën dje e gjeje veç në varr. Edhe sot kurrkund tjetër. Eh ky popull, me gurë varri në shpinë më shfaqet më i mundimshëm se Sizifi. Ishin fjalë me vend ato të Gjergj Shkambit. Ashtu bëra. Ngushtë, ngushtë, por varrin e tim arrita ta ndërtoj si një bllok betoni, pa i lënë kurrkund mundësi ndonjë fije bari të ngrinte krye dhe asnjë grabitqari të më merrte tokën e mbetur me eshtra të familjes.
Tani më thoni se çfarë kuptimi e simbolike mund të marrë bari në poezinë time? Hiçmosgjë. Ndaj më kot kërkoja për një fije bar simbolik në vëllimet e mia me poezi. Por më së fundi më duket se diku rashë në një trajtim që kisha bërë në librin me lirika "Requiem për një gjethe", por edhe aty simbolika e barit nuk ishte kurrgjë tjetër veç një fijëz gjysëm e tharë mbi varr, të cilën e kullot me nge një kafshë e gjorë, nga ato që nuk kanë vend ku të gjejnë ushqim, sepse toka është kthyer kudo në shkreti.Përrallë e gjallë kjo jeta jonë. Sepse, ehe, kemi ngrënë kaq shumë bar në këtë jetë dreqi, për të lindur e ngrysur në diktaturë, sa nuk i ka mbetur barit asgjë poetike veç simbolit të vetmisë së madhe e të ftohtë thuaj polare, që përjetuam gjysëm shekulli. Ndaj dhe poezia ime mbeti pa fije bari, e ndonjë që ka mbirë si me zor, mjerisht edhe kjo pa pikë klorofile.
Pasi që e lexova këtë poezi timen të kahershme, që thënë të drejtën e kisha harruar, i thashë vetës, po të paktën e ke një shpresë. Në paç fatin të shkosh në parajsë, atje do të kesh qiell sa të duash, zogj, pemë, por edhe lëndina me fije bari që atbotë nuk ke më kurrfarë shkaku t’i urresh a t’i konsiderosh apoetike.
Ca thonë se në atë botë mund të kemi edhe ndonjë Evë me gjinj të fryrë si frute vjeshte. Çfarë nuk thonë. U bëftë, o zot!! Ama, të gjithë këto në këtë botë nuk i kemi…
27 korrik 2010
© Copyright Traboini - esè / traboini@yahoo.com
Nuk mund të botohen në asnjë organ shtypi apo sit elektronik pa lejen e autorit