KARAUDHI
NË TIMON, NDOC RROKU NDËRRON STACION
Sa
herë rrotullohet rotacioni aq herë rrotullohen edhe rrotaxhijtë
Nga
KOLEC P. TRABOINI
Isha
në kafe "Menduza", në një kompleks të ri modern në Tiranë, ku një
ekran i madh TV Plazma mbulonte tërë faqen e murit.U kënaqa. Krejt si në
Boston, madje edhe pak më mirë. Pastaj u kujtova se atje në Boston ku kisha
kohë unë të shkoja në kafene të këtij lloji. Luks fare. Më pelqeu konforti e
ndenja paç, për shtatë palë qejfe. “Shqipëri kush si ti”- thashë nën zë por më
dëgjuan. Në të vertetë unë me ato fjalë u ndjeva keq, sikur në shtëpinë e një
të varuri të kisha përmëndur litarin, ndaj ca fytyra të egërsuara që ja kishin
ngjitur sytë TV Plasma, u kthyen nga unë e më panë me dyshim. Kishin të drejtë.
Opozita kish mbledhur popullin, ca thonë e kish ndërsyer, Qeveria nga ana e saj
kish bërë të pabërën. Vidhte pa ja bërë syrri terr-verr.
U
mblodha dhe po dëgjoja edhe unë si të tjerët çka po ndodhte sot në këtë
Shqipërinë tonë famëmadhe. Thanë se Kryeministri u kish dhëne “amnisti”
opozitarëve por veç Kryeopozitarin nuk e falte, se ky me Shikun, Prokurorinë
dhe 200 halabakë si komunista lule kishin bërë grusht shteti për ti marrë
kolltukun. Po a merret kolltuku?! Jo bre! Se kolltuku është si Atdheu, që siç
thonë, as nuk ta shes e as nuk ta fali. Thanë edhe se po binte borë e madhe
deri 2 metra në Pukë. Eh, thashë me vete, luftë me borën andej e luftë me kolltukët
këndej. Që dymijë vjet nuk na u ndanë luftrat.
Isha
duke rufitur një ekspres makiato kur emisioni kish ndrruar faqe. Kur çfarë të
shoh ne ekran. Të njohurin tim të vjetër Ndoc Rroku. Kisha dëgjuar se ky farë
Ndoc Rroku ishte si një Ad Interim në Qeveri dhe i ka zënë televizionet me
rradhë, se, siç më tha një njeri pranë meje - do a nuk do, atë do të dëgjosh se
është i përnatshëm.
Sapo
u ul, fjala e parë ishte mbrojtja e Qeverisë.
-
Bravo Ndoc Rrok!- tha njëri.
-
Poshtë Ndoc Rroku!- tha një tjetër.
Unë
po rrija në një anë se e di që kur zihen dy vetë e ha i treti. Dhe i treti isha
unë. Por kur e pashë se u zbuten gjakrat, pyeta kinse nuk e dija gjë prej gjëje
për Ndoc Rrokun.
-
Mos është zëdhënës i Kryeministrisë.
-
Jo- më thanë-, por e bën gratis. Badiava fare.
-
Fix fare- shtoi një tjetër. Në kafene plasi gazi. Jo gazi lotsjellës por e
qeshura, se jemi në kohë lufte e gjërat mund të ngatrrohen.
-
Punë vullnetare si në kohë të Enverit? – i pyeta me dyshim.
Më
shikuan me habi se kujt ja mban të kritikojë Ndoc Rrokun. Pastaj, gjysma e
kafenes ishte me spiunë të qeverisë dhe nuk kishin ndërmënt ta pësonin si
Shvejku, se si e kush e ka dhjerë portretin e kryeqeveritarit të kryeqytetit
perandorak, ani pse nuk kishte pikë mize këtë dimër.
-
Edhe kështu edhe ashtu- ma kthyen- ai agon e perëndon në një cikël të
pambaruar.
Po
ku i mirrja vesh unë i humburi matanë oqeanit agimet e perëndimet e Ndoc
Rrokut.
-
Ricikling- u thashë anglisht, si tu thosha “Eureka!”, duke harruar se nuk isha
në Washington DC por në Tiranë.
-
Jes men!- ma ktheu kamarjerja bukuroshe buzëgaz.
-
Si është e mundur- u thashë- se Ndoc Rrokun e njoh mirë, po nuk ja mbushe
sapllaken nuk e luan të ngratën
-
Ndoc Rroku është monument kulture. Mbrohet nga Qeveria - më thanë një zëri si
të ishin deputetët në pushtet kur miratojnë vendimet e partisë së vet.
-
Po ku mbllaçitet -u thashë.- Ku e ka taxhinë gazepi?
Por
më kot pyeta. Askush nuk më tregoi se çfarë burimesh ka ky Ndoc Rroku.
Pashë
ç'pash e u thashë:
-
Më falni por ne që kemi njëzet vjet jashtë shtetit, jemi mësuar të njohim
tjetrin në bazë të punës e jo të gunës. Punës së përditshme e çekut të
përjavshëm. Se jashtë po nuk punove nuk ha.
-
Po këtu në Shqipëri ha edhe pa punuar- ma kthyen pa e prishur terezinë.
-
Si kështu?- pyeta.
-
Hanë me llapë.
-
Po llap kanë qentë – ua ktheva.
-
Ohu dhe ti, këta janë qen e shkuar qensh. Lehin për të zotin.
I
thirra mendjes. Po për këtë i shoh për natë këtu "majtas djathtas".
Po
le të ndjekim bisedën televizive rreth tryezës politike në mbrëmje. Sa u ul
Ndoc Rroku në karrike, pa i montuar mirë mikrofonin brofi në këmbë. Thamë
karrikja do të kish pasë ndonjë gozhdë e i mjeri do të jetë shpuar në vend të
keq. Por u gabuam. Të prapmen Ndoc Rroku e kishte në rregull.
-
Eshtë grusht shteti - tha Ndoc Rroku. - dhe pikë.
-
Po, dale more Ndoc Rrok, - i thosh moderatori - ku ka grusht shteti me çadra
shiu?
Po
ku i hante koka sqepar Ndoc Rrokut. Ka një kokë ai. Grusht- shteti se s'bën.
Mu
kujtua kryengritja fshatare-agrare-qyqare-qytetare e vitit 1997 ku Ndoc Rroku
në Vlorë ishte eksponent i madh fare e mbante fjalime si Robespjeri në Paris.
Në Vlorë e Tepelenë ishin rrëmbyer armë, autoblinda e tanke. Por Ndoc Rroku
harron. Harron se ashtu ja do interesi. Simbas Ndoc Rrokut ai atje në Vlorë nuk
ka qënë fare grusht shtetit sepse ai ishte me tanke e topa, ishin rrëmbyer edhe
raketat, ndersa ky tani ishte me çadra, fishekzjarre e ristela, grusht shteti i
mirëfilltë. U mundua moderatori, një tullac dinak televiziv, ta qetesojë e ti thojë se një grusht shtetit
bëhet nga një pjesë e pushtetit mbi pjesën tjetër të cilën e nxjerr jashtë
loje, e burgos, e ekzekuton, dhe merr pushtetin në mënyrë të jashtëligjëshme.
Se nuk mund të merret pushteti, as të realizohet një grusht shteti me çadra
shiu dhe fishekzjarre. Po Ndoc Rroku është Ndoc Rrok. Edhe kokën e ka Rrok
fare. Dhe duhet të gjithë të mendojnë si Ndoc Rrok. Se grusht shteti, sipas
Kokërrokut mund të realizohet edhe me çadra shiu, fishekzjarre, madje edhe me
fletore vizatimi teknik, por shkoj më tej kur tha se në miting kish njerëz me
armë. U treguan foto të serviruara nga policia (vidio monitori jepte pa pushim
kronikat e demostratës) por ato dukeshin ashiqare se ishin çadra shiu që mblidhen
e të futura nën rrip të pantallonave dhe specialistëve të policisë u dukeshin
si pistoleta. Dyshime i kishin dhe ata. Gjë të saktë nuk ish. Se ndonjëherë nga
frika të duket prifti gomar.
Tek
e shihja Ndoc Rrokun që e mbronte me duar e me këmbë Qeverinë mu kujtua kur
erdhi në Athinë, dridhej nga frika se mos i kish dërguar i madhi fare ndonjë
silenciator ta hiqte qafe fare-fare se i bënte karrshillëk me artikuj
opozitare. Po kot i kish hyre frika ne qase se nuk e kish mendjen njeri tek
Ndoc Rroku.
Mora
përsipër një ditë ta shetisja në Athinë. E kalova nëpër lagjen më të vjetër të
Athinës që konsiderohej historikisht si lagje e të pasurve, në Kolonaq. Prej
andej rruga kalon në lagjen Plaka dhe më tej është Akropoli.
Pse
më fute në rrugica, më tha i tmerruar ndërsa shkonim tek redaksia e gazetës
tonë të emigranteve shqiptarë në gjuhën shqipe "Egnatia". I bënte
sytë katër. Çakërr fare. Një andej e një këndej. Kudo shihte të dyshimtë. Mos
na del njeri në rrugë. I qe mbushun mendja top se i paudhi ne qeveri kish nisur
ndonjë silenciator për kokë të Ndoc Rrokut. Po i paudhi ne qeveri kish aq punë
sa nuk i binte ndërmënd për Ndoc Rrokun. Por ama kish edhe frikën e SHIK-ut. Sa
delte njeri nga kthesa, fytyra e Ndoc Rrokut si meit. U nxeh. Kthehemi, më tha,
ndrrojmë drejtim. Mora një rrugë tjetër dhe e çova në Monastiraq. Punë pazari.
Ikën
vitet. E jo pak dy dekada. Që gjërat do ndryshojnë e mendoja por se ta shihja
Ndoc Rrokun që mbronte Qeverinë pas kaq ndryshimesh, nuk e mendoja. Ndaj nuk po
merrja vesh cilës kohë po i përkisja në atë kafene.
-
Po kush është në qeveri, - pyeta.
Nuk
e di a më morën për të marrë a jo, se unë jam tapë nga politika, por përgjigjen
me kthyen:
-
Janë ata që kanë qenë kush tjetër?
Pyetjes
time nuk i shkuan me tej ne spjegime se ju duka drrasë fare.
S'kisha
çfarë të bëja, e me kë të flisja ndaj degdisa të flas me vete kinse i flisja
Ndoc Rrokut:
“Frika
në b... atëherë, more Ndoc Rrok, ndërsa tani bën trimin dhe mbron kryeministrin
more Ndoc Rrok. A bën mirë a bën keq puna jote, more Ndoc Rrok. Por burri
s'bëhet teneqe, more Ndoc Rrok.
Këput
edhe kopaçe fshatçe, more Ndoc Rrok. Ja çfarë the ti more shoku Ndoc Rrok:
Demostrata do të thotë Demon e Monstra. Kam qeshur me të madhe, more Ndoc Rrok.
Se ti i kishe mik grekët, more Ndoc Rrok. Si s'ta mësuan fjalën Demos, more
Ndoc Rrok. Demos do të thotë popull e jo Demone e as Monstra , more Ndoc Rrok.
Ti
nuk je krejt i pa dalë, more Ndoc Rrok. Si ti tha goja ato fjalë, more Ndoc
Rrok. Demokraci do të thotë pushteti i popullit, more Ndoc Rrok. Demostratë
kuptimi i forcës së këtij popull, more Ndoc Rrok. Që populli të shpreh forcën e
vet morale para pusht-pushtetarëve, more Ndoc Rrok.
Po
ku di ti çfarë është populli, more Ndoc Rrok? Në gazetat e partive ke punuar,
more Ndoc Rrok. Hallvaxhi i partive mbete, o Ndoc Rrok.
Po
s'ta mbushi kush kandilen s’e luan rrotaxhilen, more Ndoc Rrok. Punë zanati e
takati, more Ndoc Rrok. Kështu e ka kryeplakun fshati, more Ndoc Rrok.
Në
këtë vend s’ njeh qeni të zonë more Ndoc Rrok. Ndaj tek populli sheh Monstra
dhe Demonë, more Ndoc Rrok!
Janar 2011 - nëntor 2019