29 June 2012

Për të mos mbetur çeshtja çame në udhëkryq - nga K.Traboini



PËR TË MOS MBETUR ÇESHTJA ÇAME NË UDHËKRYQ
 
-Nëse qendrat e vendosjes, ashtu dhe Greqia dhe Europa e bëjnë veshin shurdhër, vetvetiu si reaksion lindin format e forcat radikale, shpeshherë jashtë kontrollit, duke përdorur çdo mjet të mundshëm legal a jo, duke sensibilizuar opinionin e qarqet ndërkombëtare për bashkimin e Çamëri-Thesproti me Shqipërinë... -

 Ky shkrim është botuar në "Tirana Observer" më 29 qershor 2012 e ku vihet në dukje se qorrollepsja e Shpëtim Idrizit për ambicje pushtetare nuk të çon kurrkund. Ja tani në Hagë çamët atdhetarë shpallën Pavarësinë e Çamërisë, një akt i guximshëm ky, ndërkohë që Shpëtim Idrizi dhe shpura e tij losin me tespije në Parlamentin Shqiptar për një copë kolltuk qeveritar.

 Nga KOLEC TRABOINI


Veprimtaritë mediatike e partisë së Shpëtim Idrizit, që ka në qeveri zëvendësministra, ndër të cilët të kulturës, i cili njëkohësisht drejton ankandin e shitjes së pikturave në një televizion, janë bërë me shpenzime jo të pakta, për pllakatet e video-koncertet folklorike në Bulevardin qendror të Tiranës, me tubime e intervista çfarë të kujton më shumë se gjithçka një show mediatik. Pse e themi këtë? Sepse nuk e kuptojmë ku është qëllimi i këtij manifestimi, çfarë do të realizohet me të, në sytë e kujt do të bjerë e kush do të reflektojë.
Sikur kjo të ishte bërë në Bruksel apo në New York para organizatës së Kombeve të Bashkuara, apo para pallatit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, vërtet do të kishte një kuptim dhe me siguri edhe efekte pozitive. Nuk besojmë se opinioni botëror e ka vëmendjen në Tiranë në këtë verë të nxehtë, kur pasioni i të gjithëve është mbërthyer në fushat e blerta të kampionatit europian të futbollit. Nga ana tjetër nuk paraqet ndonjë risi as në Tiranë përveç se si një javë kulturore e zakonshme, sepse nuk ka shqiptar të mos dijë se çfarë është Çamëria, cila ka qënë masakra ndaj popullsisë shqiptare, si u vra, u dogj e u përzu një popull, i cili sot e kësaj dite e vuan atë genocid që u krye nga shteti grek ndaj tij. Çfarë do të mësojmë më tepër? Çfarë do të arrijmë me këtë koncert video-folklorik me zë buçitës në qendër të Tiranës dhe a ka ndonjë rrugë e mënyrë tjetër më efektive për të realizuar programin. Por më kryesorja a ka program dhe sa koherent jemi me realizimin e tij?
Shumë më mirë do t’i shërbente çështjes çame që ajo shumë parash të përdorej në ngritjen e çështjes çame në instancat ndërkombëtare duke mos lënë portë pa trokitur apo mundësi pa shfrytëzuar. Aq më tepër se problemi nuk ka ngecur në Tiranë, por në Athinë dhe Athina duhet të përballet me instancat e drejtësisë e humanizmit dhe në gjykatat ndërkombëtare. Asnjë influencë nuk kanë fjalimet e zhurmshme nëpër rrugë e sheshe apo dhe këngët folklorike në mes të zhegut të Tiranës.
Duhet të jemi më racionalë, të dimë çfarë të kërkojmë e të kemi një strategji të qartë. Çfarë mund të realizojmë me këto video-koncerte e banderola “I Love Çamëria!”. Ne mund të dalim e të themi sa të duam edhe “I Love Italia!”, “I Love Amerika!” sepse askush nuk na pengon në këtë dashuri. Kjo shprehje është ndjesi e jo program. Më së shumti shkruhen nëpër mure apo bluza të rinjsh e kaq. Natyrisht edhe ajo ka vlerën e vet, por ama nuk ka të bëjë me një program strategjik të menduar mirë e për të cilin nuk ka pse të mos marrim edhe këshilltarë e juristë me emër në arenën ndërkombëtare. Sepse nuk mund ta mposhtim të keqen me berihaj, dhe me të keqe kam parasysh politikën mediokre greke që ndalon ish -shtetasit e vet, të përzënë këta në mënyrë të dhunshme nga trojet e veta etnike, pra i ndalon të kthehen sërish pranë tokës e shtëpive të tyre.
Në Greqi janë kthyer të gjithë komunistët e EAM-it të përfshirë në luftën civile e të ikur në Shqipëri, Poloni e Rusi. Nga këta të ikur ne kemi si kujtim të hidhur djegien e Bezistenit mesjetar të Shkodrës). Vetëm popullsia çame ka mbetur ende e dënuar të jetojë larg trojeve të veta. Rast unik në Europë e për faj të Europës që nuk e ndaloi dot genocidin grek ndaj popullsisë shqiptare.
Por kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë. Në kushtet kur u shemb muri i Berlinit, si është e mundur të ekzistojë ende një mur që e ndalon popullsinë e vrarë, e dhunuar, të përzënë, të kthehet në trojet e shtëpitë e veta pikërisht në kushtet kur Greqia është anëtare e Bashkimit Europian ku inspirojmë të hyjmë edhe ne si shtet shqiptar. Kjo është një mynxyrë e një kohe tjetër mbetur peng në kohën tonë. Si mund ta lejojë Europa që pasojat e gjenocidit të vazhdojnë.
Mendoj se kështu do të mund të ngulmohet nëpërmjet asistencës së personaliteteve me influencë në fushën e drejtësisë e legjislacioneve ndërkombëtare për ta paraqitur çështjen çame në forumet dhe instancat euro-amerikane. Dhe aty duhen shpenzuar energji, madje edhe para sepse nuk janë pa rëndësi këto ndërmarrje.
Mirëpo sa kohë që Shpëtim Idrizi dhe partia e tij dalin në tubime të skenës politike shqiptare duke garuar në zgjedhje për në parlamentin shqiptar, duke bërë aleanca partiake për pushtet e duke vënë në ministri ithtarët e partisë, nuk besoj se kanë gjë në vijë, sepse kurrgjë nuk është në dorën e shtetit shqiptar dhe as të qeverisë shqiptare.
Nëse kërkesat e partisë së Shpëtim Idrizit janë thjesht kthim i çamëve në trojet e veta në Çamëri e jo bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë nuk mund të inkludohen në luftë për poste qeveritare në Shqipëri, sepse kjo e konfondon krejt çështjen çame, dhe në sy të opinionit publik apo qendrave të vendosjes konsiderohet një çështje e mbyllur, sepse çamët janë inkluduar kështu tërësisht në sistemin politik e në jetën shoqërore shqiptare.
Përmbajtja konseguente në programin e kthimit të çamëve në Greqi, kërkon që ai dhe jo vetëm ai, por mbarë opinioni shqiptar të ngulmojë e të luftojë në atë qëllim në arenën ndërkombëtare. Ndërsa brenda në Shqipëri të bëjë organizimin e çamëve madje duke guxuar të krijojë zgjedhje në ekzil për deputet në Parlamentin e Greqisë, të bëjë grup parlamentar, e të flasë si deputet në emër të popullit të zbuar në një parlament të munguar. Të gjithë e dinë historinë e fillimit të lëvizjes palestineze me krijimin e një fronti në ekzil, çfarë pati efektin e vet në arenën ndërkombëtare dhe e çoi çështjen drejt zgjidhjes, ani pse ende nuk është përfunduar plotësisht. Vetëm kështu do ta dëgjonin ndërkombëtarët, sepse askush në instanca ndërkombëtare nuk pranon të të dëgjojë si përfaqësues i popullsisë së dëbuar çame nëse paraqitesh si një deputet i parlamentit të Shqipërisë që e ka juridiksionin vetëm brenda territorit të shtetit shqiptar. Flet si qytetar i këtij vendi, i përmbahesh ligjeve të këtij shteti dhe marrëveshjeve që ky shtet ka me fqinjët e jugut, ndërkohë që shteti grek e ka më të lehtë të mohojë e të lozë me fjalët ndërhyrje në punët e brendshme.
Manovrat që bën Athina duke e paraqitur të munguar edhe emrin Çamëri në shtetin grek, nuk bëhen pa qëllim por për ta bërë çështjen çame të paqenë, sikur në Greqi nuk ekziston një vend me emrin Çamëri. Po ne nuk ka pse të jemi aq të ngurtë, fundja le ti përgjigjemi me agresivitet mohimit për t’ua bërë më të padurueshme situatën. Le t’ia bashkëngjisim emrin Çamëri-Thesproti, sepse janë e njëjta gjë. Aq më tepër që kur të huajt dëgjojnë për Çamërinë, nuk arrijnë ta identifikojnë as vendin ku ndodhet. Fundja le t’i ndihmojmë ata dhe t’i bëjmë grekëve me dije se nuk hiqemi nga udha e kthimit.
Sensibilizim i instancave ndërkombëtare në mënyrë të vazhdueshme e pa u lodhur kurrë, mendojmë se vetëm kështu mund të krijohen premisat e kthimit.
Përkundrazi kjo mundësi të duket iluzive në këtë mënyrë siç e konceptojnë strategjinë dhe taktikat në partinë e Shpëtim Idrizit me shokë, të cilët duan t’i flasin e t’i kërkojnë Greqisë nëpërmjet foltores së parlamentit shqiptar, gjë që nuk sjell asnjë efekt dhe krijon konflikte në mes të dy shteteve, çfarë as Europa dhe as Amerika nuk e mbështet. Të mos harrojmë fuqitë e mëdha nuk duan të hapen vatra të reja konfliktesh në Ballkan, aq më tepër kur gacat nën hi në mes të Ankarasë e Athinës rrinë ndezur e janë gati për t’u përflakur.
Për të mos mbetur çështja çame në udhëkryq, theksojmë ka dy rrugë të mundshme. Nëse i përmbahet vetëm programit të kthimit, të dalin si përfaqësues të një populli të zbuar e të zgjedhin deputetët e vet sa herë Greqia bën zgjedhje, duke u konsideruar në ekzil si pjesë e parlamentit grek e si të tillë të paraqiten në forumet ndërkombëtare. Kjo do të ishte një sfidë e papërballueshme nga qarqet greke. Mund të paraqiteshin në emër të çamëve në të gjitha instancat ndërkombëtare madje do t’i dërgoheshin peticione edhe presidentit grek. Kjo do të bënte më shumë efekt se sa të dalësh si deputet i parlamentit shqiptar në një koalicion qeveritar qeverisës, ku do nuk do, je nën presion të dyfishtë si të brendshëm e të jashtëm dhe gjithnjë do të mbetesh me një program të cunguar e me një veprimtari të kushtëzuar nga politika qeveritare e cila nuk guxon t’i bjerë ndesh Europës.
Në të kundërt, nëse mundësitë e kthimit bëhen gjithnjë e më të pashpresa, nëse qendrat e vendosjes, ashtu dhe Greqia dhe Europa e bëjnë veshin shurdhër, vetvetiu si reaksion lindin format e forcat radikale, shpeshherë jashtë kontrollit, duke përdorur çdo mjet të mundshëm legal a jo, duke sensibilizuar opinionin e qarqet ndërkombëtare për bashkimin e Çamëri-Thesproti me Shqipërinë, në pamundësi për zgjidhje tjetër. Greqia këtë territor Çamëri-Thesproti, ku historikisht me shekuj kanë jetuar shqiptarët, e ka marrë në një luftë agresive dhe me një marrëveshje e vendim të turpshëm të fuqive të mëdha në dëm të Shqipërisë, pasi kjo e kishte shpallur pavarësinë, çfarë i jep të drejtën e kërkesës së rishqyrtimit të konferencave e vendime që i copëtuan padrejtësisht trojet shqiptare. Këto vendime arbitrare në Konferencën e Londrës krijuan kushtet për precedentin ku fqinjët e jugut të ndërmerrnin genocidin mbi popullsinë shqiptare në territoret e okupuara, se ne ashtu duhet t’i konsiderojmë, jo vetëm në rrugë akademike por edhe politike.
Por kauza çame nuk ka qenë e as është çështje këngësh e vallesh (siç e konceptonte sistemi diktatorial në Shqipëri për pesëdhjetëvjet), por e të drejtës ndërkombëtare dhe humane sepse siç e thamë, ndaj atij populli është bërë një krim me përmasa genocidi e gjithë kjo në mes të Europës, e cila heshti dhe ka për detyrim të reflektojë.
Çfarëdo që të bëjmë në bulevardin e Tiranës e në “Qafën e Botës”, prej kaq larg Bota nuk na dëgjon, e, për të shkuar në Greqi, çamët duan apo nuk duan do të kalojnë nëpërmjet Europës, prandaj duhet të trokasim në dyert e saj me durim e guxim, edhe sikur t’na vriten e copëtohen duart, e në është e nevojshme t’i shkallmojmë ato dyer që ne shqiptarëve edhe sot e kësaj dite na ngjallin imazhin e Murit të Berlinit.

Gazeta “ Tirana Observer”, 29 Qershor, 2012

19 June 2012

NA DUHEN GOMONET... nga KOLEC TRABOINI


 Mund ta lexoni edhe ne kete link te gazetes "Tirana Observer" 20 qershor 2012.
http://www.tiranaobserver.al/2012/06/20/na-duhen-gomonet/


NA DUHEN GOMONET...

KOLEC TRABOINI

Të zgjidhesh deputet në parlamentin shqiptar është krejt ngjashëm si të zgjidhesh kryetar komune diku ne fshat. Kemi një shëmbull  perfekt për këtë kohë. Kurrkush nuk po thotë kurrgjë se si ka qënë e mundur të zgjidhet kryetar komune në Rrethinat e Shkodrës një njeri që kërkohej nga Interpoli në llogari të  gjykatatës italiane për trafik droge në grup. Kurrkush nuk thotë as pse u dërgua të bënte paraburgimin në një vend ku kishte rivalë të tij te cilët tentuan ta vrasin duke e kthyer në gjendje kome me pak shpresë për shpëtim. Apo ndoshta me shkakun  se ka segmente në Shqipëri që nga frika e dekonspirimeve të ish kryetarit të komunës në gjyqin për veprimtari grupi në tregtinë e drogës ne Itali, do të digjeshin edhe plot të tjerë me dhe pa funksione shtetrore në Tiranë e gjetkë. Pse gjykata e dhe policia u përdorën si vegla ta themi qorre,  pra si mjete për të larë hesape në burgun e Lezhës.
Eshtë e kotë të pyesish. Të gjitha pyetjet në Shqipëri janë të pakuptimta,  sepse kurrkush nuk përgjigjet, madje nuk përgjigjen  as ata që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë pikërisht që të përgjigjen institucionalisht si pjesë e detyrës për informimin e opinionit publik. Por gjen përgjigje spektakulare kur i pyet qytetarët e Gjirokastrës, se si ka mundësi të kultivohet e të shpërndahet droga kaq shume e kaq hapur. Sepse, thotë qytetari  për  emisionin “Fiks Fare”:  “Kush po e çan b....për shtetin!”.
Ne veç po ngrejmë supet e po bëjmë një pyetje retorike: Çfarë shteti po ndërtojnë e ku dreqin po vemi?!
Por le të shkojmë më tej në linjat që nuk janë krejt pa lidhje me drogën e trafikun e mishit të bardhë.  Në kohën që varfëria është ulur këmbëkryq, kur  krimi po bën kërdinë deputetët e kanë mendjen për lënë të lira gomonet e jahtet që kushtojnë jo më pak se 1.5 milion euro. Në këtë rast kemi një pse që dihet. Një luks të tillë të blejnë gomone e jahte e kanë vetëm milionerët maskarej, qe sipas Ali Asllanit, “të pabukë i gjeti dreka milionerë i gjeti darka”,  ata të  cilët e kanë kapluar Shqipërinë, që e dogjën, e vodhën, e shkatrruan. Por edhe për një shkak tjetër më të rëndësishëm.
Kemi një bum të madh ekonomik kur tërë Europa është në krizë, jemi bërë qëndra e qarkullimit dhe prodhimit droges.Kemi superprodhim e nuk po arrijmë të manaxhojmë tregun?!  Çdo dite policia njofton për dy  apo tre grupe të arrestuarish me drogë Lazarati e jo vetëm Lazarati së atij i ka dalë nami po kanabisi mbillet kudo. Kemi terren malor e kushte ideale aq më tepër që nuk e kontrollojmë dot këtë shtet që është sa një koqe vezë në këtë Europë të madhe që ka kusurin të na ketë diku në skajet e saj të jugut. Merreni  me mend se kur policia kap pambarimisht dy grupe trafikantësh droge në  ditë që tentojnë të dërgojnë kanabis e heroinë në Europë, a nuk do të thotë kjo se në prodhim e qarkullim janë njëqindfish më shumë të pakapshëm.
Pra duam nuk duam jemi kthyer në Afganistan. Dhe një pjesë e parave të fituara me drogë në një mënyrë a në një tjetër pastrohen duke kaluar edhe në favor të njëqind partive politike që mjerisht e për fatin tonë të keq i kemi. Ndaj dhe partitë kujdesen për darovitësit e tyre nën moton “puna mund të jetë e zezë por paraja është e bardhë”. Akoma më tepër me shkakun se  Shqipërisë po i del tymi ngaqë  vitin në vazhdim do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare që duan miliona dollarë. E ku ti gjejnë tjetër?!
Ndaj, për të gjallëruar ekonominë e qarkullimin te drogës që në rrugë tokësore po gjejnë belanë, se ka edhe policë e shefa “kokëkrisur” që zbatojnë detyrën,  lind nevoja e stimulimit te  transportit me det..
Prandaj na duhen Gomonet ...

07 June 2012

RRIHET MIKJA GREKE E MILLOSHEVIÇIT - nga Kolec Traboini

Mikja e përkrahsja e falangave vrastare të kriminelit Sllobodan Millosheviçi


RRIHET MIKJA GREKE E MILLOSHEVIÇIT

Shkruar nga KOLEC TRABOINI

Lajmet nga Athina bëjnë me dije se në një emision direkt në Ant-1,  me 6 maj 2012, deputeti i partisë ekstremiste të djathtë "Krisi Avgi" (Agimi i artë”), Ilias Kacidhiaris pasi që u ndje i fyer sepse dy gra deputete komuniste e epitetuan si përfaqesues i pushtëve, rrahu deputetën komuniste Liana Kaneli të cilën shumë grek e përflasin si  lesbike se sa si komuniste.  Padyshim që është një ngjarje ë rëndë që një deputet në moshë të re  të rrah një deputet tjetër në një emision televiziv, aq më tepër e rrahura është grua, anipse në këtë rast ajo ishte tepër agresive sepse qëlloi e para,  për tu gjëndur pastaj nën një breshëri grushtet të njëpasnjëshme.
Po kush është Liana Kaneli? A është për të ardhur keq që e rrahen publikisht në një emision televiziv? Them se jo... Me shkakun se e njoh mirë. A jo ishte pro serbeve dhe një nga altoparlantët e Millosheviçit në Greqi dhe kundër shqiptarëve në luftën e Kosovës.  Ajo përkrahte terrorin serb ndaj shqiptarëve dhe ishte një armike e deklaruar e amerikanëve dhe forcave të NATO-s. Kjo komuniste nuk është hera e parë që goditet e qëllohet, vetë votuesit e saj te majte e kanë gjuajtur me kuti kosi në publik sepse ndërsa flet në parlament për të varfërit në emër idealeve barazisë sociale,  e nderkohë që populli grek vuan, ajo vetë jeton në një lluks  prrallor dhe ka pasuri të panumurta . 


Skena gjate emisionit televiziv ne ANT-1 Athinë, 6 qershor 2012

Liana Kaneli në pranverë të vitit 1999 ishte bërë fort e njohur  për emigrantët shqiptarë në Greqi sepse drejtonte emisione televizive në Athinë. Në një nga emisione për ngjarjet në Kosovë ftoi edhe Aristidh Kolën. Ajo siç u pa e kishte ftuar udhëheqësin arvanitas qëllimisht për ta deskritituar në opinionin publik sepse gjatë bisedës e akuzoi si tradhtar e armik i Greqisë si dhe agjent të CIA-s e sherbimit sekret shqiptar. Si të ishte prokurore në sallën e gjyqit disa herë i tha Aristidh Kolës se je armik dhe ti kërkon ti sjellësh shqiptarët këtu për ta bërë Greqinë Shqipëri. Në atë emision në “SKAI”  ajo foli me urrejtje nacionale e histerizëm ndërsa udhëheqësi arvanitas ruajti gjakftohtësinë dhe e përballoi situatën me dinjitet. Nën influencen e saj, natën nëpër muret e Athinës u shkrojtën parulla "Aristidh Kola në litar!".
Kjo Liana Kaneli nuk mjaftoi me kaq por e hodhi Aristidh Kolën në gjyq si armik i Greqisë dhe spiun i huaj.  Ja si e tregon këtë situatë vetë Aristidh Kola( 1940-2000) në një letër dërguar një mikut të tij të Taso Karandis e që u botua pas vdekjes në revistën “Ritmi i Salaminës”:
"Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën për baltën që hodhi mbi mua zonja Liana Kaneli gjatë emisionit televiziv në "Skaj" 5 Maj 1999, dhe më pyetën përse e përballova me qetësi, kur duhej të kundërsulmoja... 
  Miqtë e mi, mos u mërzisni e mos u hidhëroni për këtë, sepse "e drejta del, vjen kur ti vijë ora…".
  E kam dashur dhe e dua vendin tim, por dashuria ime nuk është me fjalë por me veprat e mia, të cilat do të kujtohen kur balta e zonjës…Kaneli të kalojë në harresën e shekullit. Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat . Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e përmjera dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditëshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë time... 

Aristidh Kola
Jo më kot ne shqiptarët që kemi jetuar emigrantë në Greqi dhe e dimë mirë urrejtjen e saj ndaj shqiptarëve gjithashtu  simpatinë për krimet e përbindëshme të falangave kriminale serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës,  e kemi quajtur  Liana Kanelin kuçka e Millosheviçit. Dhe mjerisht kjo lapërdhare televizionesh greke që është dhe deputete komuniste në parlamentin grek na del të jetë me origjinë arvanite nga një fshat që,  siç shkruan studiuesi Arben Llalla,  ku nuk ka as dhe një familje greke , por të gjithë arvanitas, arbërore, pra shqiptarë.
Që të kthehemi aty ku e nisëm , e kam parë disa herë skenën  televizive, ku deputeti i ri ekstremist grek , një farë këngëtari, Ilia Kacidhiaris qëllonte sa i hante krahu deputeten e paprinciptë Liana Kaneli, e  mendja më shkonte tek miku im i ndjerë Aristidh Kola, i sulmuar egersishti e i akuzuar si tradhtar  prej saj e,  një vit më pas,  i vrarë prej qarqeve të ndërsyera shoveniste greke, e thosha:
- Të gjitha në këtë botë lahen, miku im. Të gjitha!

Deputetja komuniste Liana Kaneli e qëlluar nga votuesit e majtë me kupa kosi.

Xhirimi ne kete Link:: http://youtu.be/vfvH4SypT64