19 September 2012

Mbi librin: “ZHGENJIMI I AMBASADORIT AMERIKAN”

Mbi librin: “ZHGENJIMI I AMBASADORIT AMERIKAN”

Gazeta “Tirana Observer” nr. 1023(2223) f.16,  9 shtator 2012
shkruar nga Riza Lahi.


Nëse deri më tash kemi parë politikanët të bëjnë “bujë”- (flakë kashte panairesh,  me veprat  e tyre të njëkahshme), tashmë janë vetë ata në qendër të stigmave të një autori që më së shumti njihet si poet dhe kineast. Po çfarë shpalos libri i fundit publicistik i Kolec Traboinit. Kë ka në qendër dhe kujt i bën jehonë. Cili është shqetësimi i tij qytetar në këto refleksione për politikën e qeverisjen. Në kufijtë e një shkrimi është e pamundur të bëhet një pasqyrim mbi atë që trajton, por le të përpiqemi t’i hedhim një vështrim në disa prej trajtimeve që na i sjell e që përbëjnë diçka krejt të veçantë,  si publicistika e një poeti. Traboini është një poet e gazetar, mbi të gjithash një qytetar që në dy dekada kurrë s’ka munguar të bëjë publike mendimin dhe opinionin e vet. Ky në të vërtetë nuk është libri i parë i tij si publicist, por ndryshe prej librave të mëparshëm si “Rapsodi Ushtore- Ironi për politikën” 1995  e të tjerë, në këtë të fundit, librin e 17–të  reflekton një realitet në mënyrë të atypëratyshme pa pritur të kalojë një kohë e gjatë për t’i gjykuar e parë ngjarjet me lupën e ftohtë të analistit. Ndaj ndjehet që shkrimet e Traboinit të jenë të ngrohta, impulsive, me një angazhim qytetar për t’u patur zili, angazhim që është ndjerë që në kohën e zhvillimeve demokratike, kur publikoi i pari në Shqipëri në gazetën RD, 16 janar 1991 shkrimin “Vlera e simboleve kombëtare”, ato  fjalë që i dogjën e i përcëlluan monistët si  “Të hiqet ylli komunist nga Flamuri Kombëtar”.  Akoma më tej, qëkur Traboini organizoi në fillim të janarit 1991 mitingun antikomunist para stadiumit, aty ku sot është sheshi Nënë Tereza. Ish koha kur Sigurimi i Shtetit e kishte vënë edhe atë në shënjestër ashtu si shumë demokratë të tjerë. Traboini shkoi në Greqi si emigrant, por si njeri me temperament atdhetar nuk mund të rrinte duarkryq duke parë propogandën dhe trajtimin e egër që ju bëhej shqiptarëve nga policia dhe nga Media greke e në këtë situatë të vështirë, ai pati guximin e “marrë”  të hapte një gazetë shqipe për emigrantët, e ku, në mes të Athinës. Pikërisht kështu e quajtën qarqet antishqiptare kur shkruanin plot kërcënime në gazetën “Stohos” të Kapsalis: “Traboini, ky nacionalist i tërbuar nga Shqipëria ka hapur gazetë në gjuhën shqipe në Athinë. Pse rrimë e shohim, e lexojmë dhe nuk e shkulim nga rrënjët me gjithë gazetën e tij “Egnatia”?!
Kolec Traboini kurrë nuk pati frikë e kurrë nuk heshti. Ndoshta ndikoi  për këtë fakti se i ati i tij, Palok Traboini, ka qenë një nga publicistët e parë shqiptarë në gazetën që botonte  në Shkodër e Dom Ndoc Nikës “Bashkimi” qysh në vitin 1910. Kjo me siguri ka ndikuar në temperamentin si gazetar i Kolec Traboinit, që nuk bën kompromis e stigmatizon të gjitha të këqijat që sjellin politikanët e paprinciptë të cilët shohin interesat e xhepit e jo të kombit te vet.
Pesë vjet në Greqi ku botoi edhe librat e parë shqip, por edhe nga Amerika ku shkoi ne vitin 1995, gjithnjë i lidhur me shtypin shqiptaro-amerikan, por edhe atë shqiptar. Ai është një prej krijuesve të rrallë që është i lidhur aq ngushtë me aktualitetin. Duke parë këtë shëmbëllesë që jep Traboini, si një poet i angazhuar, jo në kahje politike por në krahun e popullit të vet, mund të shtrojme pyetjen: a është opurtune që një krijues, poet, të jetë i lidhur aq shumë me ngjarjet politike në vend e të reflektojë për ato. Sepse kemi parë krijues të mbyllur në kullën e fildishtë, apatikë, pa temperament e ndjesi qytetari, apo të tjerë në pozicionin e një nënpunesi që merr tituj e ndere dhe nuk i dëgjohet zëri kurrë,  sikur të jetojnë në një shekull tjetër.
Me  Traboinin nuk ndodh keshtu. Biografia krijuese e tij është jeta e tij, është jo vetëm refleksioni shpirtëror e emocional poetik,  por edhe refleksioni si qytetar që jeton me hallet e popullit të vet, që nuk mbyll dot sytë përpara një realiteti aq tronditës, që nuk fle dot gjumë i qetë kur sheh tërë këto tallazime në jetën politiko-shoqërore të Shqipërisë. Në këtë hulli është edhe libri i tij i fundit publicistik i cili hapet me esenë që i jep titullin librit “Zhgënjimi i Ambasadorit  Amerikan”, shkrim ky i përkthyer edhe në anglisht “The Disappointment of the U.S. Ambasador”.
Traboini nuk merr përsipër të analizojë tërë skenat e mizanskenat që ndodhen në sallën ku mblidhen deputetët në emër të sovranit popull, por ai bën përqasjen e sjelljes së politikës, çfarë u pa në zgjedhjen e presdentit, si një cejtnot në një fushë shahu ku luhet vetëm me një lojtar, me sjelljet e personazheve historike shqiptare në histori duke klasifikuar tipin e Ali Pashës si djepi dhe fryma ku u rritën Alipashajt e rinj në trojet shqiptare që ende trajtohen si zotërime të një individi, në mos të një klani që modernizohet me emrin parti, por që nuk kanë të bëjnë në asnjë pikpamje a ndonjë lidhje sado të largët me partitë e konceptit europian.
Shkrimi plot nerv  i Traboinit e nis librin e vet me shënimin paraprak: “Përshëndetje i nderuar ambasador i vendit tim, në vendin tim…”   
Shprehim shpresën që ambasadori aktual  i SHBA z. Arvizu, ta ketë lexuar esenë, apo ta lexojë, sepse është një plotësim i imazhit të politikës dhe politikanëve të sotëm të paskrupullt që nuk njohin as fjalë e as besë e që kanë dalë jashtë çdo tradicioni shpirtëror të respektit ndaj mikut. Tradita e besës shqiptare  ia ka lënë vendin kurtheve e pabesisë në fushë të politikës shqiptare.
Vallë i ka dalluar dhe i dallon djallëzirat bizantine të politikanëve albanezë Ambasadori  Arvizu, tek i cili Traboini ka shumë shpresë se mund të bëjë më shumë dhe se ai është shumë i predispozuar të bëjë maksimumin e tij për vëndin tonë, siç kemi përshtypjen që kanë bërë që të gjithë ambasadorët e SHBA në Tiranë, që nga Z Rajerson, Withers e tjere?! Shqipëria ka nevojë të dalë një orë e më parë nga ajo “Shock therapy”, ajo politikë shkatërruese nga e cila ka lindur një shtresë e tmerrshme drejtuesish parazitë shqiptarë që nuk i gjen kund nëpër Evropë edhe me qiri t’i kërkosh. Amerika duhet të na ndihmojë dhe shqiptaro-amerikani Traboni ka vënë theksin te thënia kategorike, sa mund të bëjë ambasadori i një shteti në në tjetër shtet Sovran e çfarë në thelb është thirrja : “ACT NOW” që qarqe të caktuara po përpiqen ta minimizojnë në problem të dorës së dytë e jo në transformimin rrënjësor të politikes shkatërruese që zotëron në Tiranë.

Libri  “Zhgënjimi i Ambasadorit Amerikan”  përmban edhe esè te tjera mbi zhvillimet bashkkohore në jetën politiko-shoqërore në Shqipëri dhe përpiqet të hedhë dritë mbi kaosin politik shqiptar. Libri ndahet në katër kapituj me trajtesa sipas problematikave që rrok  këndvështrimi i autorit.  Në kapitullin e dytë: “Histori me histeri nuk shkruhet” mbartet shqetësimi qytetar për politika personale nga pozitat e pushtetit, herë-herë imponuese sa të krijojnë përshtypjen e reminishencave me të kaluarën e trishtë ku gjithçka në jetën e njeriut imponohej nga lart me dhunë. Trajtohen edhe probleme të figurave historike apo lajthitjeve të historianëve të cilët anipse jetojnë në një kohë tjetër nuk dalin dot prej skemave konceptuale atavike të së djeshmes. Traboini analizon disa të dhëna që jep historiani Romeo Gurakuqi në librin e tij për kryengritjen e vitit 1911 të cilat i rezultojnë të gabuara si në prejardhjen e Hotit, por edhe në përcaktimin se cili ishte flamuri që u ngrit më 6 Prill 1911 në Deçiq dhe kush e solli  e ia dha atë në dorë Ded Gjo Lulit. Kolec Traboini duke qenë vetë nga Hoti është shumë i ndjeshëm e në kontakt me gjithçka që shkruhet për vendin e të parëve të tij ndaj dhe të bindin argumentat që sjell dhe rrëzojnë versionin e historianit i ndodhur në “Lajthitje historianësh” siç e cilëson shkrimin autori.
“Brainwashing- trushplarja” është kapitulli tjetër me esè në të cilin trajtohen efektet e mbrapshta të politikës  dhe medias mbi njerëzit,  të cilët ndodhen nën një presion thuaj të përditshëm të propogandave partiake, sikur çdo ditë e vitit dhe çdo orë e ditës të jetë një fushatë demagogjike zgjedhjesh, apo paradokset e moskuptimeve të krahëve të politikës, ku e djathta del me parulla majtise dhe e kundërta, sepse asnjë krah i politikës nuk ka një program të qartë dhe ky kaos politik krijon efektet e veta edhe në popull ku me shumë se njerëz që përkrahin ide, shfaqen thjesht fansa liderësh partiakë. Në këtë kapitull trajtohet, pos të tjerash edhe  problemi se çfarë në të vërtetë mishëron parlamenti shqiptar që të kujton më së shumti “muhaxhirët” e Faik Konicës.
Sulmet e Traboinit ndaj klasës së paskrupullt politike, mediokërve të politikës, burokatëve të të gjitha krahëve, etj, ndodhen ngado, ku spikasin në mënyrë spektakolare analizat e bëmave të periudhës së Zogut, represionit shovinist grek ndaj shqiptarëve e sidomos ndaj mikut të tij personal, personalitetit të shquar panshqiptar Aristidh Kolia, kur segmente të shtetit Helen e kërcënonin hapur për eleminimin fizik apo analizat e kryengritjeve shqiptare për pamvarësi, si edhe polemikat rreth këtyre evenimenteve.
Traboini ka vënë duart në kokë duke parë prej kohësh realitetin e vëndit të tij të shtrenjtë, për të cilin ai sakrifikoi aq shumë; në emër të të cilit ai nuk ra asnjëherë në dëshpërim aq sa të dorëzohej dhe me emrin e  të cilit, ai rregullisht kap penën e shkruan në gjini të ndryshme, nga të cilat, ka më shumë për zemër, poezinë dhe publicistikën.
E duam sërish t’i kthehemi idesë sesa të angazhuar e sa qytetarë janë krijuesit tanë. Në cilën rrugë duhet të ecin ata ashtu siç bën Traboini, të ngrenë zërin e tyre në mbrojtje të interesave të popullit të vet apo të radhiten si ushtarë plumbi në fushën e shahut.