03 September 2012

🟣 PERSEKUTIMI I ROMËVE NE SHQIPERI- nga Traboini

Napolon Bonoparti: Me gratë flasë frengjisht, me burrat flas shqip

Make Money Online : http://ow.ly/KNICZ
🟪 PERSEKUTIMI I ROMËVE NË SHQIPËRI

Nga KOLEC TRABOINI
Jemi mjeshtra të mëdhenj për të fry tollumbace e për t’i rënë daulles. E them se mjeshtra më të mëdhenj nuk gjen në Europë e përtej sinoreve të saj. Ne me zhurmë ua kalojmë të gjithëve, lëmë pas Francën, Gjermaninë e Anglinë se për të tjerët më të vegjël kush po pyet. Edhe pse kanë kaluar mbi 60-vjet vazhdojmë t’i biem fyellit për shtatë palë qejfe se si i kemi shpëtuar disa familje hebrenjsh bash në atë kohë që jemi vrarë me njëri-tjetrin në mënyrën më të egër, duke u ndarë në dy kampe – partizanë e ballistë. E nuk ngurrojmë të shtiremi si njerëzit më bujarë, më të fisëm e më  të paqëm në botë.
Eh, sa mirë do të qe të ishte krejt kështu!

Këto ditë gushti pas një vizite në Tuz,  po udhëtoja nga Shkodra në Tiranë në një furgon të vonuar. Gjatë gjithë rrugës një tip nuk  pushoi së treguari për punën e jetën e vet në New York, bëma që ne duhej t’i dëgjonim me patjetër. Mua që kam afro dy dekada në Amerikë, nuk më bënin përshtypje dalldisjet e këtij njeriu,  por çfarë të bëja. T’i thoja mjaft më, nuk ish punë që bëhej. Në furgon ishin edhe dy gra të reja rome me fëmijët e tyre. Kush e di se çfarë fantazonin të shkretët romë kur dëgjonin përralltarin nga New Yorku.  Nisi të errej. Kur u gjendëm në Kamëz të Tiranës njëra nga gratë e reja rome kërkoi të ndalej. Mirëpo hezitonte të zbriste sepse nuk po e dallonte njeriun i cili e priste.  Komunikonte në telefon cellular,  por nuk po e shihte. Shoferi, një shkodran në moshë dhe i mirkuptueshëm si kërkoi falje tha butësisht se do ta prisnim, se nuk mund ta linim në rrugë. Po ku pyeste ky shqiptari nga New Yorku. “Ik moj ti, – i tha, – zbrit. Kush je ti që të presim ne sa të vijë burri yt”…e plot fjalë të tjera me ton përbuzës.
Në fakt burri rom u shfaq shpejt e ne pritëm veç pak minuta, po ku qetësohej llafazani nga metropoli më i madh i botës.  Ky qëndrim nuk ishte një rastësi, por shprehte një psikologji. Një mendje më thoshte se kur bëheshin mbledhje për t’i treguar amerikanëve cilësitë e larta të shqiptarëve si mikpritja, bujaria, besa, ky do të qe me siguri në karriget e radhës së parë, por këtu ama ishte krejt një njeri tjetër, një shpërftyrim. Me këtë dua të them se shpesh të pabërat tona i mbulojmë, i harrojmë. Por si vete kjo punë kështu që kur marrim rrugën deri në Jerusalem për promovime të evenimenteve shpëtimtare të gati para një shekulli dhe mbyllim sytë përpara një realiteti absurd e skandaloz. Nuk është fjala për çfarë isha dëshmitar në furgon në stacion të Kamzës, por për keqtrajtimin që i bën shoqëria shqiptare romëve në tërësi. Këto dy vitet e fundit përballemi me ngjarje që të afrojnë në mendimin se persekutimi i romëve tashmë në shoqërinë shqiptare është një realitet.
Vitin e kaluar e në vazhdim problem i romëve u paraqit në media me një ngjarje skandaloze. Një grup pronarësh të tokave tek Stacioni i Trenit në Tiranë, kërkuan t’i zbonin romët që qenë vendosur aty me familje duke përfshirë dhe fëmijë. Por romët nuk kishin ku shkonin. Shteti shqiptar i ka ata jashtë interesit dhe as e vuri ujin në zjarr ta gjente zgjidhjen. Por zgjidhjen ia bënë vetë pronarët e tokave, të cilët, kushedi mbase edhe ata mburren që kanë shpëtuar hebrenjtë në vitin 1944. Këta pronarë pra i vunë zjarrin kasolleve të romëve dhe qe një fat i madh që nuk u dogj njeri i gjallë. Në media dhe organet e sigurisë dolën me konkluzionin  shterp se ishte zjarr i rastësishëm duke na e shitur sapunin për djathë. Sikur njerëzit nuk e dinë se shumë gjëra në Shqipëri ndodhin çuditërisht si gjoja të rastësishme.
Një aventurë ishte sistemimi i romëve të mbetur pa strehë e pa punë e thënë hapur edhe pa bukë. Doli Avokati i Popullit dhe i strehoi në zyrën e tij. Dhe Media u ngut ta pasqyrojë si një humanizëm shqiptar këtë zgjidhje  të denjë për vendet afrikane. A fundja të denjë për sistemin diktatorial kur u mbushën ambasadat.
Tentativa për t’i vendosur diku nga Sharrë, në një ish-gazermë ushtarake dështoi se edhe atje nuk i donin pronarët e tokave e shtëpive përqark. Me siguri edhe këta pretendojnë t’i kenë shpëtuar hebrenjtë në vitin 1944 dhe kërkojnë ndonjë dekoratë apo darovitje, apo më mirë të japin intervista në ndonjë film të bujshëm tip “Besa”.
Diçka mesa duket u qetësua sepse asnjë lajm tjetër nuk u pa mbi romët. A thua problemet e tyre u zgjidhën si me magji përrallash. Në të vërtetë nuk u zgjidh kurrgjë, por tashmë lajmet mbi ta nuk bënin show ndaj u lanë nën hije me hallet e tyre.
Më 31 tetor të vitit të kaluar lexuam në gazeta se qe miratuar një program për romët që  do të zgjaste 3 vjet dhe me një buxhet total prej 2,7 milion dollarë, me fonde nga Human Security Trust Fund i OKB-së, financuar nga qeveria japoneze.
Më pas nuk kemi parë ndonjë raport se si po shpenzohen këta 2.7 milion dollarë, por problemet në komunitetin rom kanë vazhduar madje në kryeqytetin shqiptar edhe në sy të gjithë botës.
Ngrihet kryepolici bashkiak dhe fillon një fushatë antirome, duke i keqtrajtuar ata të varfër, madje duke hequr zvarrë deri fëmijë romë që mblidhnin kanaçe dhe me to nxirrnin  bukën e gojës. Forcërisht ua morën kanaçet frutin e punës së tyre, bukën e tyre të përditshme. Problemi u trajtua gjërsisht në media duke e trajtuar deri në kufirin e një qëndrimi racist, por që kishte edhe lidhje me afera, sepse kryepolici bashkiak kishte lidhjet e veta me kompaninë e riciklimit të mbetjeve.
Ndërkohë problemi me qëndrimin persekutues ndaj romëve u shfaq edhe në Elbasan. Që në muajin maj tregtarët romë që shesin kryesisht mallra të përdorura kërkuan  nga bashkia që të rishikohej vendimi i saj për heqjen nga vendi ku tregtonin. Nga ana tjetër bashkia pat bërë të ditur se tregu i ri është shumë pranë  dhe s’ka arsye që romët ta kundërshtojnë vendimin, pasi tregu i ri plotëson të gjitha standartet.
Po ku në të vërtet qëndronte problemi? Ku flinte lepuri i Bashkisë së Elbasanit?
Përfaqësues të romëve thonë se tregun e ri “modern” e ka krijuar një gjykatëse e cila i ka punët ujë me ata të bashkisë dhe u ka kërkuar t’i sjellin të gjithë tregtarët romë në marketin e saj ku, dhe kjo është e rëndësishme për t’u kuptuar, qeraja e saj është fort e lartë dhe tregtarët e vegjël romë që shesin veshje të përdoruara nuk arrijnë ta nxjerrin atë shumë qeraje gjatë ditës. Kjo do të thotë një falimentim i plotë, prandaj pjesa më e madhe e tregtarëve të vegjël romë vazhduan të tregtonin në pazarin e vjetër. Mirëpo kush guxon t’i dalë përpara bashkisë kur kjo bashkpunon me gjyqtaren që vjel të ardhurat e qerasë së pazarit të ri privat. Askush. Bashkia ka polici që vjen e t’i hedh mallrat në rrugë e ti shko ankohu ku të duash. Këtu kemi Ligj e Maliq së bashku të cilët të bëjnë gjëmën. Dhe vërtet gjëma u bë. Në ditët e nxehta të gushtit  bashkia e gjyqtarja pronare ia vunë flakën pazarit të vjetër të romëve duke djegur e shkretuar çdo gjë. Të gjitha mallrat e tregtarëve romë u dogjën. Tanimë ata nuk kanë kurrgjë për të shitur e mbase as bukë për të ngrënë nuk kanë kalamajtë e tyre.  Bashkia e gjyqtarja bisnesmene mund të dalin e thonë se nuk kanë gisht në këtë punë, nëse i beson ndokush, a të përrallisin se gjoja ka qënë një zjarr fatal i rastësishëm, por kjo nuk e fsheh të vertetën dhe as  nuk e zbut problemin, as e qetëson ndërgjegjien e kryebashkiakëve  që drejtojnë si pashallarë në kazanë e Elbasanit dhe jo vetëm.

Çfarë shteti është ky që kemi? Cila është fytyra e tij?! Kush na e sajoi këtë shtet kështu. Kush e mjeroi këtë vend dhe e shpërftyroi aq sa nuk ka më asnjë kod etik e qytetërimi.
U dogjën kasollet tek stacioni i Trenit në Tiranë,  nuk i pranojnë  në Sharrë, i ndjek e persekuton kryepolici i Bashkisë së Tiranës,  ua djegin romëve pazarin e mallrat në Elbasan që të shkojnë me detyrim tek një tip pazari-merkato privat me qera të lartë që ka ngritur Gjykatësja…Po ku do të kërkojnë drejtësi këta të mjerë që mezi nxjerrin bukën e gojës,  tek kjo gjykatëse që kërkon t’i rrjepë të gjallë. Ky është një racizëm i kulluar i autoriteteve të Elbasanit. I rroftë emri që ka Qazim Sejdinit. Por një gjë duhet t’i themi të gjithë qazimsejdinëve të Shqipërisë, ky vend e ky popull ku përfshihen edhe romët, nuk ka nevojë për pashallarë, por për nënpunës e qeveritarë që i rrinë pranë halleve të njerëzve, veçmas kur janë të varfër.
Vetëm ky akt vandal në këto ditë gushti ku digjet pazari e mallrat e romëve, mjafton për ta diskretituar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ja, këtu në Elbasan duket sa humanë jemi. Na e tregon qëndrimi i gjykatëses bisnesmene që kërkon t’i zhvatë romët kur ata nuk kanë bukë për të ngrënë. Në fjalë të fundit, me kësisoj kryepolicësh, kësisoj kryebashkiakësh e kësisoj gjyqtarësh – ne jemi një tufë delirantësh e kurrgjë tjetër.