Në gazeten “Koha Javore” Podgoricë, 30 gusht 2012
PA QIME NE GJUHE
(Kolec Traboini, ACT NOW
- Zhgënjimi
i ambasadorit amerikan, ese publicistike, Tiranë-Boston-New York 2012)
Nga
ANTON GOJÇAJ
Libri hapet me artikullin (shqip
pastaj anglisht) “Zhgënjimi i ambasadorit amerikan” në të cilin autori analizon
politikën aktuale (si vazhdimësi e tradicionales) shqiptare në raport me
ambasadorin e Amerikës (SHBA) ndaj së silës “Shqipëria ka detyrime të mëdha,
sepse nuk ka shtet a komb që ka bërë më shumë për shqiptarët”, ku publicisti
nxjerr disa përfundime sa provokuese aq edhe tronditëse, duke i quajtur
politikanët shqiptarë “Ali Pashë
Tepelenat e politikës shqiptare”, pasi që secili prej tyre “për interesat e
veta të ngushta është gati ta çojë në djall Shqipërinë dhe shqiptarët”. Është
alarmues fakti se publicisti nuk e veçon (nuk
ka???) asnjë politikan,
asnjë shembull të vetëm pozitiv që lë për të shpresuar se nuk janë
përmbysur të gjitha barkat dhe se ata që sot janë vërtet pak, nesër ndoshta do
të shumohen dhe do ta orientojnë politikën shqiptare në drejtimin e duhur dhe
me shpejtësinë e duhur. Një popull i
tërë ka rënë në letargji dhe as thirrja
e ambasadorit të Amerikës, shtetit që ka dhënë të gjitha provat e miqësisë, nuk
po ndihmon. Eseu lë të nënkuptohet se
shteti, populli, demokracia shqiptare janë në agoni të thellë. Mirëpo, vetë ky libër, është dëshmi e mirë se
individët që “gjykojnë” me mendje të shëndoshë dhe që “shohin “ pa dioptri
partiake, ende nuk janë zhdukur dhe se të paktën ndonjë publicist e kupton fjalë për fjalë thirrjen e ambasadorit
të Amerikës drejtuar qytetarëve shqiptarë -
“Act now”, që del si moto me shkronja të kuqe edhe në kopertinën e
librit, mbi titull.
Përveç dukurive nga politika aktuale
e Shqipërisë, në tavolinën e operacioneve “kirurgjike”-publicistike të Kolec
Traboinit hapen edhe tema historike. Një
nga personazhet e përzgjedhura është figura e Ahmet Zogut, për të cilin
gazetari pa kurrfarë hezitimi deklaron: “Tradhëtar më të madh e më të zi se Ahmet
Muhtar Xhemal Zogolli, i biri i Sadije Toptanit, zor se gjendet.” (f.33)
Natyrisht që kjo etiketë denoncuese duhet parë në kontekstin e eseut, që
bazohet kryesisht në faktin se Zogu erdhi në pushtet “nën ombrellën e Serbisë”,
armikut “më të madh të popullit shqiptar e që kishte pushtuar gjysmën e
territoreve shqiptare ku i shtypte shqiptarët me dhunë e gjak.” (f. 33). Ngjitur
me këtë artikull autori ka vendosur “Marrëveshjen Pashiç – A. Zogu për aneksimin e Shqipërisë” të vitit 1924.
Lidhur me këtë artikull e kam një vërejtje: u kish dashtë të ishte ma i
specifikuar kur ështe referuar Gjergj
Fishta si -
“armiku më i madh i Sllavëve”... Për faktin se autori i i “Lahutës së Malcis” nuk ka qënë
armik i sllavëve në
përgjithesi, por, armik, madje i pakompromis, i politikave pushtuese e
ekspansioniste të disa shteteve sllave, në dëm të Shqipërisë.
Edhe eseu vijues, “Nolin e penguan
bajonetat e Serbisë” shquhet për pozicionimin e paluhatshëm të autorit dhe për
frymën polemizuese me “disa qarqe e grupe të caktuara” që tentojnë t’i bëjnë
një zbukurim “est-ETIK” hyrjes së
përdhunshme në Tiranë të Zogut “me trupat mercenare e bashibozuke të armatosura
në Serbi”, duke e minimizuar njëkohësisht figurën e Fan Nolit vetëm në një
kryeministër që donte ta pranonte ambasadorin sovjetik... Dallimi mes Zogut dhe Nolit është thelbësor sepse, sipas
Kolec Traboinit: “Noli erdhi në pushtet
duke shfrytëzuar lëvizjen e forcave të brendshme, përkundrazi ardhja e Ahmet
Zogut nga Serbia dhe i armatosur me bajonetat serbe, konsiderohet si përmbysje
e një qeverie nga ndërhyrja e jashtme, në rastin e Shqipërisë, të një armiku të
jashtëm të deklaruar botërisht.” (f. 44-45)
Ndjeshmëria diç më e theksuar e
Traboinit lidhur me trevat dhe disa personalitete të Veriut të “shqiptarisë”
mund të shpjegohet se të parët e tij janë nga fshati Traboin i Hotit të
Malësisë së Madhe, e sidomos me faktin se bababi i tij ishte askush tjetër
përveç Palok Traboini (1888-1951), sekretari (dhe bashkëluftëtari) i Dedë Gjo
Lulit. Eseu “Kush dhe pse e denigrojnë
Ded Gjo Lulin?” flet për mungesën (në
Shqipëri) deri sot e kësaj dite të një busti
të kreshnikut të maleve që drejtoi Kryengritjen e Malësisë në vitin 1911, është
i argumentuar logjikisht dhe i bazuar në faktet historike. Nuk mund të zbehet
personaliteti i Dedës në një kaçak që luftoi vetëm për veten, madje as vetëm për krahinën e vet (Malësi e
Madhe), sepse ai (dhe trimat e tij) “nuk e mori lirinë në varr, por e la këtu për
Shqipërinë dhe shqiptarët”. (f. 72) Denigruesit e Ded Gjo Lulit, K.
Traboini i quan “sulmues qorra e Don Kishotë të kohës sonë”, por edhe “kope ekstremistësh fetarë” dhe
“studiues të rinj të “Intifadës” ndërshqiptare”. (f. 67)
Historia e flamurit kombëtar
shqiptar që malësorët e ngritën më 6 prill 1911 në Bratilë ka disa versione,
por Kolec Traboini në eseun “Lajthitje historianësh” shpalos tezën e vet se ishte pikërisht i ati
i tij (Palok Traboini ) ai që Dedë Gjo Lulit i solli jo një po tre flamuj
kombëtarë, të punuar jo në Mal të Zi (siç (keq)informon në një studim të vetin Romeo Gurakuqi), po në
Austri, sepse Deda “donte një flamur që të ishte i punuar atje ku punoheshin
tërë simbolet e shteteve e mbretërive”. (f.76) Në të njëjtin ese publicisti
hedh poshtë një hipotezë (të dhënë në librin “Kryengritja e Malësisë së
Mbishkodrës”, botuar më 2002 në Shkodër, (në faqen 11, fusnota nr. 6) të bazuar
në një gojëdhënë sipas së cilës “hotjanët e paskan patur krye katragjyshin e
vet një sllav, e se prej këtij sllavi e paskan prejardhjen historike si fis.”
(f. 79) Habit fakti se megjithëse doktor
i shkencave dhe ligjërues në universitet, Gurakuqi nuk e
jep burimin e saktë nga e ka marrë këtë gojëdhënë dhe as nuk e sheh të
nevojshme t’ia nënshtrojë një analize apo prove kritike shkencore, aq më tepër
kur kjo bie ndesh me kujtesën historike dhe gojëdhënat e vetë hotjanëve, por
edhe me rrethanat dhe ngjarjet historike të zhvilluara në këto treva, në
parimin e sukcesionit kauzal dhe rrjedhimisht, qoftë kjo edhe vetëm njëra nga
hipotezat e ndryshme, mund të shkaktojë keqkuptime dhe të shërbejë për
manipulime dhe qasje të ndryshme pseudoshkencore. Mendoj se përgjigjja që i jep K. Traboini
kësaj hipoteze të R. Gurakuqit është e bindshme dhe e zhvlerëson atë.
Target i piketave publicistike të
Kolec Traboinit janë edhe deformimet e ndryshme të jetës politiko-shoqërore
aktuale, si për shembull dekorimi dhe nderimi me medalje e mirënjohje që (tani:
ish) presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi i
akordoi madje edhe ndonjë personi me të kaluarën e dyshimtë, që mori pjesë në
krimet e komunizmit, por jo edhe dëshmorëve malësorë që luftuan heroikisht
kundër pushtuesve e diktaturave duke sakrifikuar gjithçka patën për të mirën e
të gjithë bashkëkombësve. Si rrjedhojë, autori zemërplasur nxjerr një konstatim
mjaft të rëndë të cilin mund edhe të mos e pëlqesh, por që megjithatë provokon
t’ia kushtosh dy-tre minuta meditim: “ Për
mua njerëz si Topi e urrejnë Malësinë e Malësorët pikërisht se e luftuan
perandorinë osmane. Konkluzioni është i thjeshtë, mesa duket edhe ai bën pjesë
në atë idenë e shpifur të neootomanizmit që po përhapet si murtajë prej Edirneje.”
(f.62)
Brenda këtij qerthulli kisha
vendosur edhe eseun “Brainwashing” (Trushplarja) në të cilin Traboini i
kundërvihet shkrimit të një analisti bashkëkohor shqiptar, i cili për vrasjet e
viteve të fundit për motiv gjakmarrjeje, fajëson Kanunin e Lekës, çka sipas autorit është një
keqkuptim tendencioz, sepse “kanuni para
së gjithash ishte një kod që mbronte e pastaj dënonte” (f.101), kurse
fajtorin e vërtetë për kaosin social, psikologjik, politik etj. brenda komunitetit shqiptar, e kërkon (dhe
e gjen) në mosfunksionimin e institucioneve që nuk e bëjnë punën e vet ashtu
siç duhet.
Shkrime që ia vlejnë të lexohen janë
edhe eseu për Aristidh Kolën, eseu për zbulimin e një fotografie të Faik
Konicës, artikulli që flet për “greqizimin” e shqiptarëve ortodoksë në Amerikë
etj.
Libri përmban gjithsej njëzet e pesë
ese (pjesërisht
të botuara më parë në gazeta të ndryshme) në të cilat
autori trajton aktualitete nga jeta shqiptare, si dhe pikëpamje që kanë të bëjnë me të kaluarën por
që influencojnë dhe reflektohen edhe në realitetin e përditshëm.
Kolec Traboini nuk shkruan si ithtar
i njërës apo tjetrës palë, pena e tij nuk respekton kurrfarë imuniteti, përveç
ndërgjegjes dhe moralit të intelektualit. Ai është një humanist fanatik në
kërkim të së vërtetës.
Publicisti Traboini nuk heziton që
gjërat, personalitetet dhe dukuritë t’i
quajë me emrin që e meritojnë, duke ndjekur
parimin se publicistika është një mekanizëm në shërbim të korrigjimit të
devijimeve dhe deformimeve në sferat e ndryshme kulturore, sociale dhe
politike. Kur ka diçka për të thënë, ai
këtë e bën me argumente dhe guximshëm,
pa qime në gjuhë, duke iu shmangur sofizmave kuazi-intelektuale dhe
formulimeve të ndërlikuara sintaksore e terminologjike. Një polemist/debatues i rreptë, që mendimet
dhe gjykimet e veta i thot drejtpërdrejt dhe pa dorëza.
“Koha
javore”, Podgoricë, nr. 531, 30 gusht 2012, f. 12-13