Shën Albani - shënjtori i parë kristian i Britanisë |
Nga KOLEC TRABOINI
Alban ishte një qytetar romak pagan dhe
jetonte në qytetin romak 2000 vjeçar Verulamium, rreth 35 km. në veri të Londrës
- ish koha kur Britaninë e kishin pushtuar romakët që ende i ndiqnin e i
vrisnin itharët e Krishtit. Tek Albani, që kishte dhënë ndihmesë në fushatat
luftarake të romakëve, kërkoi strehë një prift i krishterë që ndiqej, Shën
Amphibalus. Gjatë kohës që prifti qëndroi fshehur tek ai, Albani nisi të
admirojë përkushtimin e priftit dhe kështu u pagëzua i krishterë. Kur erdhën
ushtarët për ta marrë e dërguar në gjyq Shën Amphibalusin si përhapës i krishterimit,
gjetën Albanin veshur me rrobat e priftit. E morën dhe e dërguan tek
gjykatësit. Gjykatësi e njohu Albanin dhe
e kuptoi gabimin që kishin bërë ushtarët të cilët i kishin sjellë përpara një
ushtarak romak që i kishte shërbyer perandorisë. Në fillim desh ta linte të lirë,
por ndërkohë mendoi që nepërmjet Albanit ta gjente e dënonte priftin. Albani
nuk pranoi ta dorëzonte priftin, ndaj gjyqi i priftit u kthye në gjyq të tij.
Para gjykatës ai foli hapur se tashmë ai ishte kristian i devotshëm dhe nuk e dorëzonte
priftin. Jetës së tij i jepte kuptim duke mbrojtur mikun e jo duke e dorëzuar
atë. U përpoqën ta bindnin që të hiqte dorë nga kristianizmi dhe të dorëzonte
priftin, por nuk ia arritën ndaj vendosën ta thyenin me tortura. Por, asnjë
torturë sado mizore nuk e theu besimin e tij, bile edhe besnikërinë e tij në
besën e dhënë.
Atëherë gjyqtarët e dënuan atë me
vdekje. Duke e dërguar në vendin e ekzekutimit atij i shkuan pas gjithë banorët
e qytetit. Njerëzit e kishin njohur gjithnjë si njeri të mirë dhe e admironin
edhe për trimërinë e devocionin që tregoi në gjyq. Emri i tij tashmë ishte bërë
një kauzë, një besim, një virtyt. Në shkrimet me karakter fetar përshkruhet pak a shumë kjo legjendë-mrekulli: për ta ndihmuar, banorët e
qytetit e prishën urën mbi lumë, përmes
së cilës duhej të kalohej për të shkuar tek vendi ku bëheshin ekzekutimet. Lumi
ishte i rrëmbyeshëm e përmes tij nuk mund të kalohej.
Albani, i bindur në fatin e tij si
martir, me fytyrë drejt qiellit iu lut Zotit ta ndihmojë që të gjendej sa më
shpejt pranë tij. Atëherë ndodhi një mrekulli. Lumi u shter dhe mundën të
kalonin nëpër shtratin e tharë. Duke e parë këtë mrekulli, ekzekutuesi i tij
hodhi poshtë shpatën dhe iu lut Albanit të dënohej edhe ai me të ose në vend të
tij. Albani nuk pranoi. Si u ngjitën në kodrën Holmhurst, Albani u lut sërish
me fytyrë drejt qiellit që të kthehej uji i lumit që i jepte jetë luginës e
tokave përreth. Dhe uji u kthye. Albanit i prenë kokën me urdhër të perandorit
Severus, që në atë kohë ndodhej në Britani. Ishte 22 qershor i vitit 209. Shën
Albani konsiderohet i pari shenjtor i krishterë Britanisë, por mbase i mbarë botës
latine. Ka dhe burime që e shtyjnë këtë ngjarje
një shekull më vonë, në vitin 308 dhe me urdhër të perandorit romak
Diocletian.
Përtej aspektit fetar, a nuk vihet re
një tipar i veçantë në shkrimet e shenjta e rrëfimet mbi jetën e vdekjen e Shën
Albanit? Atë të besës që e kishin iliro-arbëreshët e hershëm dhe e ardhur kjo
besë deri vonë si tipar themelor i shqiptarëve. Ndoshta në këtë drejtim mund të
hamendësohet, aq më tepër që ilirët ishin paganë dhe dihet se kishin një qytet
me emrin Albanopol, që do të thotë qyteti i Albanëve ose i Albanit, siç kemi
edhe Adrianopolin. Ky qytet dhe tërë Iliria kishin rënë prej dy shekujsh nën
sundimin e romakëve, pra konsideroheshin pjesë e perandorisë dhe ilirët pjesëtarë
të saj e mund të lëviznin në tërë skajet e perandorisë. Nuk rezulton në
gjeografinë e Ptolemeut ndonjë qytet tjetër me këtë emër. Shën Albani është shenjtori
i parë kristian i Britanisë. Me këtë emër u shënuan kisha, por edhe qytete apo
territore. Në shtetin e New York-ut ka një qytet Albany, që shumë thonë nuk ka
lidhje me trojet tona iliro-arbërore, ama dihet se ka ardhur nga emri i qytetarit
romak pagan që u bë shenjtor i parë i Anglisë. A ka shkuar ai apo paraardhësit
e tij qytetarë romakë nga trojet iliriane në Britani dhe veç Albanopolis a ka
patur të tjera qytete me këtë emër në perandorinë romake e për më tepër a është
përdorur ky emër në Perandorinë Romake në atë pjesë që u përkiste latinëve?!
Shumë gjëra në histori vijnë me
supozime sakohë që nuk gjenden shkrime apo objekte që e mbështesin një ide. Edhe
emri i qytetit të lashtë anglez Verulamium ku jetonte Shën Albani është venë
prej romakëve, por nuk dihet etimologjia e tij. A ka shpjegim në latinisht? Në
shqipen tonë të vjetër tingëllon si në veri të lumit. Dhe vërtet ai qytet e
kishte një lumë pranë të cilit u krye martirizimi dhe ndodhi mrekullia. Ky
qytet romak tanimë ka vetëm rrënoja dhe një muze me emrin e tij, por pranë tij është ndërtuar qyteti me emrin e
Shën Albanit. Në vendin e ekzekutimit është ngritur katedralja madhështore me
emrin e tij. Dhe më tej edhe në Amerikë në shtetin e New York-ut është emërtuar
një qytet, Albany. Por ka edhe qendra e institucione, qyteza, kisha, urdhra fetarë,
shkolla, sheshe e rrugë me një emërtim të tillë, Saint Alban, duke e bërë atë një
nga emrat më të njohur e më të përhapur. Në fund të fjalës është me origjinë
nga brigjet iliriane apo jo, Shën Albani mbetet shenjtori i besës, virtyt që është
tipik në histori për iliro-arbëresho-shqiptarët ku histori të tilla besnikërie
për të mos e dorëzuar mikun është e ngulitur jo vetëm në gojëdhanat e rrëfimet
popullore, por edhe në Kodet zakonore të shqiptarëve, të atyre pra që tërë bota i njeh
si albanë.
© k.p.traboini
© k.p.traboini
Gërmadhat e qytetit të lashte romak Verulamium në veri të Londrës |
Kisha e Shën Albanit në vendin ku është ekzekutuar
|