23 August 2013

Protektorat grek mbi orthodoksinë?!- gazeta SOT 23 gusht 2013

PROTEKTORAT GREK MBI ORTHODOKSINE?!

Nga KOLEC TRABOINI


Fqinjët tanë të jugut, nuk lënë rast pa dalë kinse në mbrojtje të orthodoksisë e të  bëjnë rolin e protektorit mbi këtë komunitet fetar shqiptar që nuk ka asnjë lidhje me Greqinë veç faktit që në krye të kishës është një grek, Anastasios Janullatos.  Ne i kemi ditur gjithmonë orekset e fqinjëve të jugut e kjo tashmë përbën një histori të cilën ata gjithnjë e thërrasin në aktualitet.  Gjithësesi nuk mund të themi se kjo që po ndodh sot është e papritur dhe e paditur prej nesh. Grekët janë në linjën e tyre që prej një shekulli kur arritën të fusin në zotërim me bekimin e Europës 1913 trojet shqiptare që nga Preveza në Janinë e cila ka qënë deklaruar edhe nga vetë ish kryeministri britanik Disraeli, që e ka vizituar këtë qytet, si kryeqytet i shqiptarëve. Të gjitha këto i dimë. Dhe është krejt e natyrshme të jemi të përgatitur për broçkullat greke herë pas here. Mirëpo a jemi ne të përgatitur sa e si duhet për ti përballuar  këto provokime dhe ndërhyrje në punët e brëndshme të Shqipërisë.
Gazeta SOT 23 gusht 2013 f.15
Në periudhën e diktaturës kishte një vigjilencë të madhe e mbrojtje të suksesshme, ku grekët nuk patën asnjë mundësi të bënin demarshet e tyre në drejtim të Shqipërise. Vetëm në provokimet e gushtit 1949  grekët lanë jetën e 300 ushtarëve, të cilët i sollën ditën të gjallë dhe i tërhoqën natën të vdekur. Eshtë e përmëndur edhe historia që ende sot e kësaj dite i turpëron qarqet greke, që në verë të vitit 1949, në kohën e provokacioneve një shqiptar trim, piloti Esat Tetova, vajti deri në Athinë dhe u rrembeu avionin të cilin e solli në Shqipëri,  e do të bëhej avioni i parë qeveritar i udhehëqësve shqiptarë të asaj kohe. Për gjysëm shekulli asnjë oreks nacionalist grek i ushqyer e frymëzuar nga ish prifti shovenist Sebastianos nuk gjeti terren në Shqipëri.
 Por gjërat ndryshuan pas përmbysjes së diktaturës, shkatrrimit të ushtrisë, bazës së saj materiale (ende edhe sot vazhdojnë ta shkatrrojnë),  pra ardhjes së demokracisë kaotike në Shqipëri, ku qeveritarët më shumë se me punët shtetit e qeverisjes merreshin me dallavere e korrupsion për përfitime personale.
Tërë kjo histori mardhëniesh herë në dukje të qeta e herë nervoze  te skajshme, ka nisur pas një plani  të detajuar mirë nga kryeministri i asaj kohe Konstandin Micotaqi me lidhjet e tij mbase edhe të padukshme me qarqet ultra nacionaliste që në kushtet e një shteti të brishtë shqiptar kërkonin të realizonin ëndrrën e çmendur për Vorio Epirin, duke bërë kinse të paditurin se duhej të ishte Shqipëria që të kërkonte Epirin e Jugut, Çamërinë e jo Greqia  cila e ka zgjeruar territorin e vet duke gllabëruar toka shqiptare. Cili ishte skenari i Sebastianosit që tanimë është në botën tjetër me enderrat e çmendura me itharët e Kapsalit mbledhur rreth gazetës shoveniste të asaj kohe “Stohos”. Së pari krijimi i kushteve për të organizuar shoqata nga rradhët e emigrantëve shqiptarë, për të ngritur kësisoj baza në jug me qëllim final të shkëputjes së trojeve shqiptare dhe coptimin përfundimtar të Shqipërisë. Kjo nuk është hamendje. Ne që kemi jetuar në Athinë në vitet 1991-1995 i kemi ndjerë tërë këto lëvizje antishqiptare që u finalizua me veprimet terroriste vrastare në postën kufitare shqiptare të organizatës MAVI.
Institucionet fetare të çliruar prej ndalimeve në fundin e vitit 1990, ishin piksynimet e qarqeve greke për ti bërë ato vatra të përçimit të ideve të tyre. Kjo duhet parë në dy plane sepse edhe nga vendet arabe atbotë u nisën taboret e para ekspansioniste islamike nepermjet pseudoshoqatave bamirëse me qëllime dominuese. Dhe e vërteta është se të dy këto inkursione u realizuan me sukses. Aso kohe në shtypin shqiptar u shkruajt se Shqipëria ishte bërë depo e municionit islamik. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për anën tjetër të medaljes.  
Kësisoj grekët arritën të vendosin në krye të Kishës  Autoqefale Shqiptare Fanoliste njeriun e tyre, Anastasios Janullatos me vendimin personal të presidentit Shqiptar të asaj kohe Sali Berisha. Padyshim ky akt ishte një thikë pas shpine në Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare. E vërteta është se Kisha Orthodokse kishte nevojë për ndihmë, kish nevojë si materiale edhe për përgatitjen e klerikëve por çeshtja është se Janullatos që erdhi si një ndihmë  për Kishën Shqiptare pak nga pak u ngul si gozhdë, u kthye në një uzurpator të përjetshëm. Realiteti është se në tashmë nuk kemi një Kishë Autoqefale në frymën e Fan Nolit,  por kemi një Kishë me fytyrë nga Athina. Të gjitha këto nuk janë të reja, është një realitet i prekshëm. Çeshtja është jo çfarë bëjnë grekët për të hyrë në këtë aspekt të jetës shpirtërore të qytetarëve shqiptarë  por se çfarë bëjmë ne që të mos i lëmë të bëjnë prapësitë e tyre. Dhe ajo çfarë bëjmë ne është shumë më e dëmshme se sa ajo që na bëjnë grekët që duan të futën në punët tona. Ata futën në punët e jetën tonë sepse këtë e lejojmë ne,  apo se u krijojmë kushte dhe rrethana që ato të jenë të pranishëm çdo herë.
Për tetë vjet qeveria e Sali Berishës nuk ishte gjë tjetër veç një raja e Athinës. Një heshtje e çuditshme e qeverisë shqiptare, një tërheqja deri në servilizëm të shpifur. Me bekimin e këtij kryeministri u ngritën varrezat e ushtarëve grekë si të ishin liberatorët tanë. Varrezat e djemëve e vajzave shqiptare që ranë duke luftuar kundër okupatorëve nazifashist u lanë në mjerim, bustet e heronjëve priteshin e shkonin për skrap ndërsa grekët ngrinin varreza të reja për të rënët e tyre në tokën shqiptare  sikur të mos kishin ardhur si pushtues. Duhet thënë një herë e mirë se futja e ushtarëve grekë në trojet shqiptare kishte qëllim pushtimi e jo çlirimi në vitin 1940. Shqiptarët nuk i kishin bërë thirrje grekevë për t’i çliruar por erdhën për të pushtuar jugun e Shqipërisë me ligjin e tyre të çmëndur të luftës që ende e mbajnë si hije varri.  Dhe rezultati dihet, lanë kockat, që Greqia u kishte dash ti mblidhte e ti dërgonte të preheshin në atdheun e vet e jo në një shtet tjetër për qëllime ekspansioniste. Por edhe kjo është një krim që kemi bërë ne para se ta bënin grekët. Këtë e bëri qeveria e Sali Berishës. Dhe tmerri më i madh është se u përdhosën varret e shqiptarëve nga dëshira marroke për të kërkuar kocka,  për të mbushur varrezat e ngritura nga grekët. Kjo qeveri e kjo qeverisje ( qe ka per aleat edhe partine çame të Shpëtim Idrizit, as që mori mundimin një herë të kërkonte tu bëheshin varret edhe atyre  shqiptarëve që janë masakruar në Çamëri pas Luftës së Dytë Botërore nga bandat e zerviste. Por këtë nuk e bëri, përkundër kësaj  beniamini i kryeministrit  Lulzim Basha firmosi faljen e hapsirës detare duke bërë kështu atë tradhëti kombëtare  që bëri udhëheqësi shpirtëror i kryeministrit Berisha , Ahmet Zogu,  i cili dhe ai  i  fali jugosllave Shën Naumin.
Me kësisoj shëmbujsh skandaloz po krijohet përshtypja tek shqiptarët se vetëm po të jesh spiun, agjent i huaj, tradhtar që i shet interestat e Atdheut atëherë mund të hysh në histori si udheheqës me statuja e lapidarë,  e nuk ka asnjë shans që me drejtesi e ndershmëri të bësh karierë në këtë vend.
Po le të shkojmë më tej çfarë është sjellja e një kryeministri në ditët e fundit të karierës së vet të dështuar. Përpiqet të krijojë sa më shumë konflikte në këtë periudhë tranzitore të qeverisjes, madje duke përfshirë konflikte të brëndshme e të jashtme. Në aspektet e brendshme krijon situata të tensionuara duke rrembyer SHQUP-in si të ishte një plaçkë në pazar dhe për të larguar vemëndjen nëpërmjet lidhjeve të tij klanore,  inicon atë që ngjau në Përmet. Eshtë mëndjelehtësi të mendohet se kjo ndodhi e Përmetit është e rastësishme. Kurrsesi. Eshtë interesi i Sali Berishës i cili solli në këtë vend Janullatosin, t’i bëjë edhe një dhuratë tjetër këtij uzurpatori të Kishës Autoqefale Shqiptare, duke i sajuar një incident që ta shfaq ate në rolin e viktimës. E gjithë kjo është një skenar greko-berishian.  Në interes të dy palëve.
Acarimi i mardhënieve me Greqinë i nxjerr  problem  qeverisë në ardhje dhe kjo është  pjesa e skenarit diabolik berishian i lidhur në miqësi tarafo-familiare me qarqet greko-serbe. Dhe për të dalë i larë nga tërë kjo katraurë që krijoi në këto ditë të ikjes se tij del e mban një qëndrim që çudit edhe vetë miqtë e tij grekë,  sepse kështu ai u sherben edhe më mirë. Ky qëndrim gjoja i rreptë u jep grekëve mundësi që të shkojnë deri në instancat europiane kinse në Shqipëri po shtypën besimtarët orthodoksë. Ky është një shërbim i shkelqyer që i bëhet Greqisë prej mikut të tyre Sali Berisha. Dhe sa më shumë që zgjatet kjo situate (qëllimisht fle gjumë presidenti), sa më shumë acarohet konflikti i thjeshtë i një prone, aq më tepër merr përmasat e një flake të rënë në mes të pyllit në ditët perveluese të gushtit. Ajo çfarë ndodhi në Përmet si pikënisje ishte një zjarr i vogël, qe Berisha dhe greket po i hedhin kova me benzinë , sepse këtyre segmeteve antishqiptare ju intereson t’i vënë zjarrin Shqipërisë. Falë edhe deklaratave  bufonada të Kryeministrit në ikje Berisha, si pjesë e skenarit antishqiptar,  greku tashmë ndjehet më mirë dhe më i motivuar se kurrë që të shfaqet në qarqet europiane si protektor i orthodoksisë shqiptare. Mesaduket edhe për këtë kishim nevojë?!

NEXT:  Politika e murtajes