NUK JEMI POPULL VËLLAZËROR- JEMI VLLEZËR
Vëllazëror
është cilësi e një populli a kombi në raport me popuj a kombe të tjerë, por për
popullin mes vetes është i pakuptimtë ky nocion.
Nga KOLEC TRABOINI
Për të thënë të vërtetën nuk ka nevojë të jesh në maj të malit. Se çfarë pa e dëgjoi Papa, e di Papa, se çfarë pashë e ndjeva unë e di unë...dhe fare panë ata që përpiqen me gjet naivin e mëkatarin tek unë, këtë e dinë ata. Por meqë jam brenda media-s si profesion e di shumë mirë se si kalojnë idetë e si përpunohen nëpër laboratorët e mendjes e si u përcillen atyre që janë lart në kupola, të cilët më pas i shesin si idetë e veta dhe ashtu mbeten. Është një mekanizëm që funksionon dhe botërisht i ditur dhe i pranuar. Nuk ka nevojë që një udhëheqës të prodhojë përditë ide, kjo është e pamundur, u mjaftojnë ca këshilltarë të zhdërvjelltë, që jo vetëm dinë si ti krijojnë idetë por edhe si ti thithin nga mendjet e intelektualëve që janë larg vëmendjes se kastave por që i ekspozojnë ato në media. Ka një ekip të plotë për këto raste në gjuetinë e ideve. Prandaj mos u çuditni aspak që një ide e hedhur nga dikush i panjohur në Shqipëri të shkojë atje ku duhet e si duhet, sepse bota është një kutizë e vogël tashmë. Mjafton pyetja si reaguan shqiptarët dhe ekipet e këshilltarëve të sjellin çdo reagim të publikuar. Dhe unë për mirë apo për keq, isha ndoshta i vetmi që reagova. Nuk pashë ndonjë njeri tjetër të shprehte një mendim dyshues për idetë që u hodhën në vizitën e Papës që gjithsesi ishte një ditë historike dhe madhështore. Në vizitën 11-orësh kërciti kambana e tolerancës ndër shqiptarë dhe asnjë nuk tha të kundërtën, e nuk është se unë shpika ndonjë nocion të ri, por duke pat shpirtin e kundërshtimit kur shoh se të vërtetës i bien përskaj, thashë ato çfarë thashë, që përdorimi i fjalës tolerancë ndër shqiptarë ma shpif, di gjithashtu se kam në miqësi një duzinë priftërinj që i kanë lidhjet e duhura për ti çuar reagimet e shqiptarëve atje ku duhet, pra në këtë rast tek zëdhënësit e Vatikanit.
Mua
me vjen shumë mirë që u reflektua, pra Ati i Shenjtë, e zbuti sidokudo fjalën
tolerancë duke shtuar fjalën vëllazërim,
ani pse unë sërish kam rezervat e mia sepse ne mes vetes nuk jemi një popull vëllazëror,
por thjeshtë jemi një familje dhe familja nuk ka mes vetes vëllazërim por ka lidhje gjaku e janë vëllezër.
Vëllazëror
është cilësi e një populli a kombi në raport me popuj a kombe të tjerë, por për
popullin mes vetes është i pakuptimtë ky nocion. Termi vëllazërim ka pat përdori0 në
kuptimin e miqësisë së popujve të ndryshëm të
njëjtit shtet. Pra sërish ruaj
mendimin se ende vazhdon të ketë një paragjykim në lidhje me efektin që ka feja
tek shqiptarët.
Para
vizitës së Atit e Shenjtë, por edhe gjatë
saj dikush u mundua ta përdorë popullin
shqiptar si një shëmbëllesë e mesazh për
botën, se ja pra që mysliman e të krishterë mund të jetojnë mirë e në tolerancë.
Mirëpo mua si atdhetar nuk më pëlqen që Europa të na tregojë me gisht si në
kopshtin zoologjik, mjaft na kanë treguar deri më sot, dhe për këtë pata kurajë që të shkruaj e publikisht të
sfidoj një mendim që mua më duket mediokër sepse nuk është Shqipëria dhe as
Kosova si Lindja e Mesme dhe si Arabia. Atyre që ndaj mejë përdorin kritizerin
duke më quajtur naiv dua tu them, se është e lehtë të jesh me ata që kanë
pushtet, fuqi, që kanë dhe madhështi e plot të tjera miradina por është e vështirë të kesh zërin tënd e të
shfaqesh kundra. Nuk isha naiv kur shkrova më parë për nocionin e tolerancës së
shpifur që u përdor nëpër fjalime, nuk
jam naiv kur shkruaj edhe tani, por kam
guximin, për disa marrë ndoshta, ta shoh diellin në sy ani pse më lotojnë sytë dhe
shumë herë me shkaktojnë edhe dhimbje. Zotërinjtë
që më konsiderojnë naiv sa u përket
përsiatjeve të mia, këtë as që e
kuptojnë sepse i shohin gjërat në një
kahe tjetër, ju duket apo kanë bindjen
se vetëm të mëdhenjtë në pushtet dhe
hierarki mund të japin ide të mëdha. E konsideroj këtë një absurditet sepse e
di si punohet në kuzhinën e ideve, di edhe se kush ja përpunonte idetë , ta
zëmë edhe një presidenti amerikan në
fushatën e tij, prej ku doli dhe fitues, thjeshtë fjalimet i përgatisnin dy
studentë universiteti. Për mbyllur:
I
uroj jetë të gjatë Atit të Shenjtë, Papa Francesku , i uroj gjithashtu edhe
këshilltarë të mençur të cilët të dinë si ti mbledhin idetë që qarkullojnë në
populli që me pas ato ti kthejnë në orientime të dobishme e të mos dëgjojnë çfarë
thonë nëpër fjalime politikanët se e vërteta në terren është shumë larg tyre.
Kurrë
nuk e kam pat ambicie të tregohem më katolik se Papa ani pse kjo është më
komode sot në Shqipëri, çfarë u shfaq si
epidemi e ditës, sa unë, ani pse i përkas
këtij religjioni në origjinë, si në
diktaturë edhe në demokraci e ndjeva vetën në minoritet. Nuk pata atë lumturi pra, të cilën e patën me bollëk shtetarë,
politikanë apo deputetë që duke qenë të privilegjuarit e këtij vendi, bashkë me
familjet e tyre, u gjendën më pranë Papës, morën kungimi , hapën gojën e morën osten, ani
pse i përkisnin një konfesionit tjetër fetar çfarë është në kundërshti me
ritualet e krishterimit. Gjithësesi më mirë që pranë Atit të Shenjtë u gjendën mëkatarët
shpirtzinj, hajdutët, vrasësit, banditët e parave të pista, milionerë e
miliarderë, se sa besimtarët e varfër zemërbardhë sepse
kësisoj rriten shanset që ata zemërzinj të kthejnë ves e sjellje, të vihen në udhën e
të mirës, kësisoj edhe populli të shpëtojë prej të zezave, ani pse për këtë jam
një dyshues fort i madh.
23 shtator 2014
Shkrimi im i
datës 21 0ra 16:00 botuar në faqen time në FCB:
KUR TA SHPIF TOLERANCA....
Mjaft na i ndatë
tokat, mos na i ndani dhe njerëzit!
Nuk e marr vesh
kush dreqi i frynë kësaj fjale që të parët tanë nuk e kanë njohur kurrë në
shekuj, por e solli diplomacia e huaj
tek ne, ...çfarë është kjo tolerancë e shpifur. Po ne jemi vëllezër more, të një
gjaku, ç'nevojë kemi për tolerancë...Po përdoret feja për qëllime politike. Dy
vëllezër, njëri Mark Shpendi e tjetri Mehmet Shpendi, si po u dashka me qenë
tolerant me njëri tjetrin, o mediokër, po ata janë vëllezër more e jo armiq.
Harrojini klasifikimet, nuk ka nevojë të na përdorin si kavje politike për tu
treguar botës se edhe në diversitete mund të jetohet. JO, ne nuk kemi
diversitet se jemi të gjithë shqiptar, kemi një gjak, një traditë, një gjuhë,
një komb. Toleranca është kur ke përballë llojin tjetër....ta zëmë ne dhe grekët
minoritar. Aty shihet toleranca dhe mirëkuptimi...Mua me vëllezërit e mi të
besimit mysliman nuk me hyn ne pune toleranca juaj, ma shpif fjala tolerance,
sepse janë vëllezërit e mi. Çfarë janë këto absurditete e mediokritete. Pse nuk
shohim dot larg ne prejardhjen tone? Kush na a ka kastruar mendjen?
I lutem të
gjithë shqiptarëve, mos pranoni të klasifikoheni, heshtojeni besimin e mos e
shfaqni në publik se nuk është dekoratë, nuk është për tu mburrur, mos pranoni
t’ju cilësojnë në përkatësi fetare, konsiderojeni ofendim, siç bën gjithë bota
e qytetëruar, refuzoni çdo statistikë e census, mos prani t'ju përdorin si kavie
politike, jemi një dhe të pandashëm.
k.p. traboini
21 shtator 2014, ora 16:00