PRESIDENTI
WILSON-ËNGJËLLI MBROJTËS I SHQIPËRISË
Nga KOLEC
TRABOINI
Thomas Woodrow
Wilson u lind në qytetin Stauton, Virxhinia të Amerikës më 28 dhjetor 1856.
Gjatë shkollimi dallohej si një nxënës i zellshmën dhe orator i mirë, kreu
studimet dhe mori disa diploma universitare. Ka qënë një udhëheq i lëvizjes për
progres. President i Princeton University nga viti 1902 në 1910 si dhe
Governator i New Jersey nga 1911 në 1913. Në maj 1906 ai pësoi një goditje në
zemër që do të përbente një shqetësim shëndetësor gjatë gjithë jetës së tij. U
zgjodh President i i 28-t i Shteteve të Bashkuara detyrë që e filloi në 4 mars
1913 deri më 4 mars 1921. Ishte mbrojtësi më i flaktë i shtetit shqiptar në
Konferencën e Paqes në Paris pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore kur
Greqia, Serbia, Italia, Franca e disa vende të tjera ishin të gatshme për
copëtimin e Shqipërisë, për ta ndarë mes aleateve fitues të luftës dhe për të
krijuar një minishtet në Shqipërinë e Mesme nën sundimin e Esat Pashë Toptanit.
Por qe fat i madh për shqiptarët që Wilson-i ishte president në këtë periudhë
historike dhe ai i preu rrugën çdo ambicioni për copëtimin e Shqipërisë që siç
shkruante Faik Konica, Shqipëria “ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej
doemos, asnjë rreze shprese s'ndritte gjëkundi. Po e papritura ngjau dhe kjo e
papritur erdhi nga qëndrimi i Woodrow Wilson-it”.
Të mos harrojmë
se kishte shumë faktorë që kishin ngjallur dashurinë e Presidentit Wilson për
shqiptarët. E një nga këto ishte edhe Charles Richard Crane (1858–1939) bir i
një industrialisti amerikan në Çikago, që ndihmoi në zgjedhjen e presidentit
Woodrow Wilson në fushatën e vitit 1912. Po si e në çfarë rrethana kish lindur
kjo lidhje e këtyre amerikanëve të shquar me shqiptarët? Në pranverë të vitit
1911, kur vazhdonte Kryengritja e Malësisë së Madhe, kishte bërë një udhëtim në
qendër të Perandorisë Osmane, Charles Richard Crane u nis nga Stambolli në
drejtim të Shqipërisë. Ministria e Jashtme Perandorake e shqetësuar për jetën e
milionerit amerikan e këshilloi të mos e bënte atë udhëtim me rreziqe në
vilajetet shqiptare, por kur pa këmbënguljen e amerikanit e shoqëroi atë me një
grup ushtarësh turq. Kur grupi hyri në territoret shqiptare i dolën në rrugë
shqiptarë të armatosur pjestarë çetash atdhetare. Ata e ndaluan karvanin duke
urdhëruar kthimin e ushtarëve turq. Ishte një situatë e vështirë që mund të
përfundonte me luftim.
Milioneri
amerikan nuk donte të kthehej prapa, atëherë shqiptarët e morën përsipër ta
shoqëronin në të gjithë viset shqiptare nën besën e rojen e tyre. Charles
Richard Crane u besoi, e jo vetëm aq, por ai u bë shumë shpejt mik me këta
trima që e ruanin dhe ishin gati të bënin sakrificën më të madhe për ta
mbrojtur. Kështu ai udhëtoi i qetë nga Shqipëria e Jugut në Veri, kaloi nëpër
territoret ku bëheshin luftime, në Malësi të Madhe dhe deri në Podgoricë. Ishte
një udhëtim që mund të konsiderohej fatlum. Ai kurrë nuk do t’i harronte këta
shqiptarë me cilësi të larta, trimëri e bujari të pashoqe. Në Podgoricë atë
kohë kishte mbi 20 mijë malësorë shqiptarë të ikur nga shtëpitë e veta nga
ekspedita mizore e Shefqet Turgut Pashës.
Shihet se
interesi i amerikanëve për çfarë ngjante në Shqipëri ishte i madh. "New
York Times" botonte reportazhe mbi luftën e kryengritësve shqiptarë kundër
zgjedhës otomane. Ishte një fat për shqiptarët që pikërisht ky vizitor që e
strehuan dhe e zunë mik, të ishte pjestar dhe figurë e rëndësishme e delegacionit
amerikan në Konferencën e Paqes në Paris. Ai i dinte problemet e shqiptarëve
dhe ambicjet ballkanase për ta copëtuar shtetin shqiptar. Padyshim ai ka dhënë
një kontribut të madh në krijimin e bindjes së Presidentit Wilson që Shqipëria
duhej mbrojtur me çdo kusht. Charles Richard Crane, i cili i njihte atdhetarët
shqiptarë i kishte edhe miq ata, si Kristo Dakon dhe Fan Nolin e atdhetarë të
tjerë. Duhet kujtuar se më 4 korrik 1918, kur ende bota ishte në Luftën e Parë
Botërore, i cila kishte filluar më 28 korrik 1914, Fan Noli në funksionin e
kryetarit të “Vatrës” arriti të takonte presidentin Wilson në Mount Vernon. Ja
se e kujton Noli këtë moment në një letër që i dërgoi vatranëve “Udhëtimi im
këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të
mëdha”, dhe më tej: “Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i
thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë dhe t'i kthejë asaj
bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: “Unë do të kem një
zë në Konferencën e ardhshme të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të
Shqipërisë".
Studiuesi Peter
R. Prifti ka shkruar: "I impresionuar thellë nga idealizmi i Wilson-it,
Noli u bë një përkrahës i pasionuar i demokracisë wilsoniane. Drejtësia
ndërkombëtare, vëllazërimi njerëzor, simpatia për të dobëtit.” Lufta e Parë
Botërore përfundoi më 11 nëntor 1918. Presidenti Wilson shkoi në Paris dhe
megjithëse kishte këmbëngulur që Shqipëria të mos prekej, me largimin e tij në
Amerikë, delegacionet e shteteve fituese të luftës sërish iu kthyen planeve të
vjetra për copëtimin e Shqipërisë. Delegacioni shqiptar dhe miqtë amerikanë të
Shqipërisë u shqetësuan dhe ia paraqitën gjëndjen Presidentit Wilson, i cili
edhe pse i sëmurë mori sërish rrugën për Paris. Ai u bë shpëtimtar i
Shqipërisë, nën ndikimin e tij të fuqishëm u vendos që Shqipëria nuk do të
prekej në kufijtë e saj të njohur para lufte, aq më tepër se Shqipëria nuk
konsiderohej shtet i mundur që të paguante pasojat e një lufte ku ajo nuk
kishte qënë pjestare aleancash, përkundrazi shtetet ndërluftuese e kishin bërë
territorin e saj shesh betejash kundër dëshirës së saj. Delegatët e shteteve iu
bindën më së fundi vullnetit të hekurt të Presidentit Wilson dhe veç atëherë
kur ai u sigurua për fatin e Shqipërisë, u kthye në Amerikë.
Duke shpallur
14 pikat e Konferencës së Paqes së Versajës, që do të sillnin krijimin e
Lidhjes së Kombeve presidenti amerikan do të bëhej një figurë shumë popullore
në botë si kampion i Paqes. Por pikërisht kur po krijohej Lidhja e Kombeve plot
entuziazëm nga Europa, Kongresi Amerikan nuk e aprovoi hyrjen e Amerikës në
këtë forum të ri ndërkombëtar, çfarë solli dhe një zhgënjim tek Presidenti
Wilson, i cili kaloi goditjen e dytë në zemër dhe përkeqësimin e gjëndjes
shëndetësore. Pikërisht në këtë vit atij iu dha çmimi Nobel për Paqe. Mbas tetë
vjetëve në drejtim të shtetit amerikan, la Shtëpinë e Bardhë më 4 mars 1921.
Është shumë domethënëse një ngjarje për të treguar lidhjet shpirtërore të
Presidentit Wilson me shqiptarët. Pasi kish mësuar se në Shqipëri populli në
këngët e tij përmendte mikun e madh të shqiptarëve Wilson, në një letër që
presidentit Woodrow Wilson i dërgonte profesorit amerikan Elmer J. Jones i
shkruante: -“S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura
që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri... Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe
na sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësinë tonë
kombëtare.”
Ky mik i madh i
shqiptarëve mbylli sytë në Washington D.C. më 3 shkurt 1924. Janë të
mrekullueshme fjalët e Fan Nolit për vdekjen e Wilsonit: “Pranë Amerikës merr
pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qan në fytyrën e amerikanit të madh,
idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.’ “Wilson bëri më tepër se
çdo njeri për indipendencën e Shqipërisë.” Ndërsa në Kuvendin Themelor të
Vatrës Fan Noli u shpreh: “ - Kur Shqipëria u qas në Lidhjen e Kombeve në
Dhjetor, 1920, - kur unë si delegat i Shqipërisë ndënja në një radhë me
përfaqësonjësit e shteteve të tjera të qytetëruar të botës në Gjenevë, - kur
indipendenca jonë u njoh përsëri zyrtarisht, - kur vendi ynë shpëtoj nga makthi
i invazioneve të huaja, - kur u vendos një mjet paqësor për të regulluar
konfliktet e kufirit tonë, - kur populli ynë mori vehten dhe pa një ditë të
bardhë pas aqë mjerimesh dhe vojtjesh të patreguara, ndjeva një emër që ka
fituar mirënjohjen e gjithë zemrave Shqiptare, emri i Presidentit Wilson.”
Faik Konica nga
ana e tij do të shprehej: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një
monument të pavdekur në zemrat e tyre.” Çfarë edhe ndodhi shpirtërisht e
realisht. Një shtatore madhështore e Presidentit Wilson qëndron në sheshin
kryesor të Tiranës së Re që mban emrin e tij. Miqësia e shqiptarëve me Amerikën
kaloi nëpër sprova të mëdha historike e jo vetëm në 1919 por edhe në çlirimin
përfundimtar të Kosovës më 1999, ndaj dhe mirënjohja është e përjetshme.
8 shtator 2014
8 shtator 2014
Kolec .Traboini në Woodrow Wilson Center, Washington DC më 21 mars 2016. |
George Seldes
Udhëtimi i paqes me Woodrow Wilson
Ndonëse e mbajta dhomën time në Riesenfurstenhof
në Koblenc, ku na caktoi ushtria dhe na ishte dhënë pa pagesë, unë shpesh
shkoja me Eyre në Paris për të parë se çfarë do të bëhej me konferencën e paqes
në Versajë. Eyre dhe unë ndodheshim në Paris për të përshëndetur “Mesian e ri,”
siç e thërrisnim në të vërtetë dhe seriozisht në atë që njihej si botim “i
ftohtë” në shtypin e vendeve aleate të Europës dhe Amerikës. Shtypi amerikan në
kohën e paraqitjes programatike të Katërmbëdhjetë Pikave të Wilson tha se
Presidenti ynë ishte “një instrument në dorën e Zotit,” dhe gazetat e Parisit e
pritën atë si “Mbret të Njerëzimit.”
(Shumë pak kombe dhe
individë nuk ishin të përfshirë në këtë vërshim emocional. Gazetarë dhe
politikanë profesionistë, kundërshtarë të shquar, të vetmuar i bënin ballë
kësaj dallge përmbytëse gëzimi. Ndërmjet korrespondentëve, ishte edhe një ekip
përgjegjës për udhëtimin e tij në Francë, delegacioni i Shteteve të Bashkuara
në një anije oqeanike, gazetarët mbushnin një anije tjetër. Ndërsa vapori i
Wilson po ia kalonte Anijes S.S.Orizaba,
me disa qindra përfaqësues të shtypit mbi të, James Montague vërejti: (“Po
kalon Anija George Washington, me
shpejtësi njëzet-e-një nyje në orë.”)
Pritja në Paris ishte
gati, Presidenti e kaloi Kanalin me një torpedinierë britanike. Eyre dhe unë
ishim të vetmit burra me uniformë të Shteteve të Bashkuara për ta shoqëruar,
përveç truprojës së Presidentit. Ne u shoqëruam edhe nga dy torpedinierë, djathtas
dhe majtas, të cilët kohë pas kohe suleshin anash përpara nesh, pastaj
rrëzoheshin prapa, duke e ngritur ujin përpjetë dhe nga valët krijoheshin ca
bukurira posi zambakë.
Wilson u orvat t’i
shmangej takimit me shtypin. Megjithatë, ai i pat marrë disa mësime prej
Kolonelit House dhe miqve të tjerë të ngushtë, të cilët mundën t’i flisnin për
vlerën e publicitetit të mirë për bërjen e traktatit; sesi t’ia dilte mbanë,
ose në mënyrë miqësore, më tepër si qenie njerëzore dhe kështu ai u përpoq të
bënte më të mirën për gjënë më të vështirë. Ai qëndroi tek parmaku i kiçit të
kuvertës i rrethuar nga diplomatët e vet edhe trupat e shtypit mbushën të
gjitha vendet e lira. Menjëherë u vu re se ai po na drejtohej sikur të ishim
ose qenie gjysmë-inteligjente ose fëmijë shkolle. Ai na nënvlerësoi duke folur.
As që i binte ndërmend të tregohej miqësor. Mundohej veç të përdorte një gjuhë
të zakonshme, po përpiqej fort të fliste pa gramatikë.
“Italianët nuku do shkulin
asnjë fije leshi mbi sytë e mi,” tha ai.
(“Nuku” nga presidenti i
mëparshëm i Prinstonit!)
Kolonel House njëherë pat
thënë, “Woodrow Wilson e do njerëzimin, por ai nuk i do njerëzit.” Njerëzit
atij i dukeshin së paku si disa qindra gazetarë, që kishin ardhur t’i rrëfenin
botës për planet e tij se do të sillte paqe të përjetshme mbi tokë dhe
dashamirësinë njerëzve.
Wilson, natyrisht, kurrë
nuk pat qenë nga ata që i quajmë “një njeri i popullit.” Po ashtu edhe Lenini,
që pat qenë mësues shkolle, as Trocki, që pat qenë gazetar, nuk patën qenë as
shumica e të tjerëve burra shteti. Në ndryshim me të tjerët, ai nuk ishte
demagog. Ai sigurisht nuk ishte hipokrit. Ndonëse, ende nuk e pata dëgjuar
vërejtjen e Kolonelit House, shkrova në ditarin tim të 1918-tës:
Demagogët i përqafojnë gjithnjë njerëzit, por
Wilson nuk është as demagog as hipokrit; ndoshta nuk mund ta dojë njeriun e
zakonshëm si Linkolni, por ai ka shumë besim tek ky njeri, sepse ai vetë është
idealist. Ai beson tek njerëzit, ai beson se njerëzit janë të mençur dhe duhej
të dëgjonin arsyetimin e tij, ai e ndiente se mund të fitonte mbi ta po të
kishte mundësinë t’u fliste të gjithëve. Por ai nuk e hiqte veten sikur të
ishte një nga ata njerëz.
Zhurmëmadhe, por në mënyrë
britanike dhe prandaj nuk kaloi në çmenduri, ishte mikpritja që i bënë dy milionë
londinezë Presidentit Wilson kur udhëtoi në karrocën shtetërore tok me Mbretin
dhe Mbretëreshën si edhe Dukën e Konautit, rrethuar nga Roja Kalorësiake plot
shkëlqim. Në një farë largësie ushtonin topat. “Një pritje e padëgjuar në
histori,” e quajtën gazetat e mbrëmjes, ndoshta të habitura nga kryeartikujt.
Mbreti Xhorxh i V-të, Pallati
Buckingam
Ne, më se dyqind gazetarë,
u vendosëm në Savoja dhe Cecil. Pasditen tjetër na shpunë në oborrin kryesor të
Pallatit Buckingham dhe na lanë të fërgëllonim tek shkallët duke pritur Mbretin
Xhorxh dhe mikun e tij. Turma me aparatet fotografikë sillej sikur të ishte në
shtëpinë e vet. Ata e zotëruan vendin. Por ata ose nuk e dinin ose nuk e patën
vënë re se zakoni i britanikëve është ta ngasin makinën nga ana e majtë, kështu
i patën vendosur aparatet nëpër qoshet e gabuara.
Kur u afrua automobili i
Mbretit, kameramanët amerikanë duke e kuptuar se do ta humbnin foton e
mbërritjes në rast se do të rrotulloheshin pas gardhit të rojeve, që kishin
mbushur oborrin. Kështu, vunë aparatet me mbështetëset me tri këmbë mbi supet e
tyre dhe filluan një të shtyrë diagonale përmes radhëve të Rojeve Mbretërore,
duke i shtyrë e duke i përplasur e në disa raste duke i rrëzuar. Ishte një
skenë e çmendur, që mund të mbetej e pavdekshme tek ndonjë film.
Mbreti Xhorxh zuri vendin
e vet tek shkallët e pallatit dhe vizitorët u grumbulluan në të djathtë të tij,
katër a pesë formuan një radhë jashtë grumbullit e u shoqëruan nga mjeshtrat e
ceremonive tek shkallët. Secili prej nesh ia jepte emrin një mjeshtrit të
ceremonive, ky ia kalonte tjetrit që të arrinte tek Mbreti. Pikërisht para meje
ndodhej Montague Glass, drama e tij Potash
and Perlmutter, korri sukses gjatë kohës së luftës në Nju Jork dhe Londër.
Nuk e di se si ia kish dalë ai që të futej në sektorin e shtypit.
“Emri juaj?” tha mjeshtri
i ceremonive
“Montague Glass.”
“Zoti Montague Glahss,”
tha mjeshtri i ceremonive.
“Madhëria Juaj, Zoti
Montague Glahss,” i tha mjeshtri i dytë i ceremonive mbretit.
Mbreti Xhorxh, të cilit ia
patën thënë emrat automatikisht dhe në mënyrë automatike pat takuar duart me
ta, u mëdysh.
“Zoti Glahss,” tha ai, “Ua
di emrin; mendoj se kam parë një dramën tuhaj.”
Zoti Glass u kënaq.
“Mbret, a u pëlqeu vepra
ime?” bëlbëzoi ai.
Madhëria e Tij nuk u
përgjigj. Radha lëvizi më tej dhe ai po më jepte mua një dorë të squllur.
Atë natë Mbreti Xhorxh e
ftoi Wilson me pjesën shoqëruese që të hanin darkë në Pallatin Buckingham dhe
Sër George (më vonë, Lord) Riddell i ftoi gazetarët vizitorë për të darkuar
bashkë me të tek Savoja. Pas stridheve, aragostave, gjelit të detit farci a la l’Anglaise, e të tjera, na
dhanë koktejle, verë franceze (Graves superieur) dhe dy shampanja të vitit
1911, të shoqëruara me likerna dhe pije të tjera sa të na e donte qejfi.
Sër George foli për miqësinë Anglo-Amerikane,
pastaj i ftoi të tjerët për të folur. Në tryezën time prej pesë vetash, njëri
ishte redaktor dhe botues, më ndërmendet se ishte edhe pronar i gazetës Pilot të Norfolkut, në Virxhinia (le të
prehen në paqe eshtrat e tij), ai nuk kishte pirë më parë Benedictine apo Grand
Marnier të zgjedhur dhe pije të tjera të ëmbla e të këndshme. I pinte drejt e
nga shishet. Mandej në një heshtje midis fjalimeve, u ngrit përgjysmë më këmbë
dhe tha:
“Zotërinj, përpara lufte unë mendoja se britanikët
ishin ca bij bushtrash të mallkuar, por tani dua të them...”
Askush dhe asnjëherë nuk do të dihet se çfarë
donte të thonte ai. Ne iu hodhëm përsipër, kamerierët e nxorrën jashtë nga
Savoja madhështore dhe për të nuk u dëgjua më kurrë.
Princi i Paqes
Megjithëse udhëtimi i dhjetorit i Presidentit
Wilson për në Britaninë e Madhe ishte, ndoshta arritja e tij më e madhe në
bashkimin e dy kombeve anglisht-folës, vazhdimi i udhëtimit të tij triumfal për
në Itali, që vijoi menjëherë, rezultoi me disa skena të jashtëzakonshme të
kohëve moderne.
Më 1 janar, 1919, Zoti Wilson hipi në tren për në
Romë, i shoqëruar nga shpura e tij e zakonshme dhe pak korrespondentëve, që e
patën bërë udhëtimin e Londrës. Presidenti përnjëherësh u bë i kundërti nga sa
ishte më parë duke këmbëngulur për të takuar dhe për të folur me njerëz
punëtorë të zakonshëm, jo thjesht me udhëheqës dhe politikanë e tjerë “të
shquar” siç pat bërë në Francë dhe Britani. Përfaqësuesit e partive pëshpëritën
midis tyre se Wilson po çmendej, ndonëse është e vërtetë disa prej tyre e
prisnin prej tij, megjithëse amerikan, ai ishte më tepër makiavelian sesa ishin
ata.
Wilson e gjeti Italinë në një gjendje histerie
kombëtare. Kudo në veriun industrial turma shpirttrazuara fshatarësh,
punëtorësh të industrisë dhe njerëz nga qyteti të të gjitha klasave mbushnin
rrugët nga shtëpia në shtëpi, duke ndalur tërë trafikun, duke bërtitur, madje
duke vajtuar me të madhe dhe kur kishte pakëz vend të lirë, të dy palët burra e
gra gjunjëzoheshin jo vetëm mbi trotuaret, por edhe në udhët e fëlliqura dhe
këndonin e luteshin me zë të lartë.
Wilson u brohorit si princ i paqes; ai u adhurua
nga shumica si njeri i dërguar nga qielli për të ndihmuar të varfërit, të
shpronësuarit, ata pa shtëpi, burrat pa punë, të mjerët e kësaj toke. Madje
disa besonin se parashikimi për Ardhjen e Mesias të Dytë ishte përmbushur.
Monarkia italiane dhe kryeministri, Orlando, u
alarmuan nga lutjet e fshatarësisë dhe nga vërshimi i oratorëve socialistë
midis popullit punonjës. Ata me të vërtetë e kthyen mbrapsht fjalimin e Wilson
“jo vetëm për Romanët por për mbarë Njerëzimin”, që ishte lajmëruar publikisht.
Qeveria italiane dërgoi regjimente me ushtarë të armatosur për të shpërndarë
qindra mijëra njerëz, të cilët pa marrë parasysh asgjë erdhën duke bërtitur për
Wilson. (Për ironi, Presidenti ishte planifikuar që të mbante fjalimin e tij të
madh nga ballkoni i Palazzo Venezia, njëri nga dy ballkonet, që më vonë u bënë
të famshëm apo famëkëqinj, nga fjalimet e diktatorit fashist të vendit.)
Me aq sa di unë, asnjëri nga qindra njerëzit e
lajmeve, të cilët shoqëronin Wilson, nuk bënë me dije dy nga faktet më të
rëndësishëm të Konferencës së Paqes: që mbështetja kryesore për Presidentin në
Europë erdhi nga klasa punëtore e Atyre Që Nuk Kanë Asgjë, ndërsa Ata Që Kanë
të klasës së mesme dhe klasës qeverisëse qeshnin me të madhe me idealizmin e
këtij amerikani naiv; dhe që socialistët
kishin filluar të udhëhiqnin klasën punëtore.
Askush nuk raportoi se Wilson tek mbërriti në
Brest e përshëndeti kryetari i bashkisë së qytetit, një socialist; apo që
delegacioni i punëtorëve, i cili i bëri një vizitë të shkurtër Wilson në Paris,
udhëhiqej prej Jean Longuet, i nipi i Karl Marksit; ose që në takimin që u
mbajt në Sallën Albert në Londër i gjithë programi i Wilson u miratua dhe u
organizua prej Ramsey MacDonald, kryeministrit të ardhshëm, si edhe prej Arthur
Henderson dhe Philip Snowden, sundimtarët e ardhshëm të Perandorisë Britanike,
të majtë, liberalë, laburistë.
Në Suedi gazeta socialiste e kryeministrit
socialist Branting u bashkua me gazetën e Zvicrës Journal de Geneve jo vetëm për ta mbështetur Wilson, por edhe duke
hedhur fjalën se Klemansoi, gazeta e tij gjysmë-zyrtare Le Temps dhe zyrtarët e Atyre Që Kanë të agjensisë së lajmeve ishin
bashkuar në një orvatje për të shkatërruar idealizmin e Wilson. Kur Wilson
sugjeroi se ushqimi do vepronte më saktë sesa pushkët për të përhapur
bolshevizmin në Europë, shtypi reaksionar britanik, i udhëhequr prej
Northcliffe të Times, filloi luftën
kundër Presidentit. Botuesi italian ryshfetçiu me damkë B. Musolini i gazetës
së Milanos Popolo d’Italia, i cili
ish larguar nga Partia Socialiste për të fituar pare, tani e sulmonte Wilson si
një “radikal të rrezikshëm.” Gazetari i vetëm i shquar amerikan (jashtë të
përjavshmeve liberale), i cili jo vetëm që e mbështeti Presidentin, por gjithashtu nxori në shesh karakterin e
armiqve të tij; punëtorë dhe socialistë që ishin kundër tij, klasat shtypëse
dhe shtypin reaksionar po kundër tij; ky ishte pronari dhe botuesi i Emporias Gazette, William Allen White. (Po çfarë
mund të bënte një e përditshme e vogël e Kanzasit ballëpërballë me Chicago Tribune apo edhe me Star të Kanzas Sitit?) Shtypi zulmëmadh
amerikan qeshte me idealizmin uillsonian, i hidhte rromuze therëse politikave
uillsoniane; shtypi u kthye në një lukuni ujqish që i skërmitej atij dhe që po
rastësisht e shkatërroi.[1]
Shkëputur nga libri: “Dëshmitar i
një shekulli”
Përktheu nga gjuha angleze: Meri
Lalaj
[1] Kryetarët e dy kombeve të mëdha Aleate ishin aq diplomatë sa të mos
shprehnin ndonjë kritikë zyrtare, por në mirëbesim ata u thonin shokëve të tyre
që të mos e bënin për fjalë se mendonin që Presidenti Amerikan, si të gjithë
amerikanët, ishte shumë naiv dhe shumë jotokësor për politikat ndërkombëtare.
Teksa George Adam intervistonte Clemenceau dhe i përmendi katërmbëdhjetë pikat
e Wilson, “Tigre” plak e ndërpreu me fjalët “le bon Dieu n’avait que dix,” “o
Zot i madh ishin vetëm dhjetë.” Dhe pas konferencës së Versajës Lloyd George
tha, “Mendoj se munda të bëj më të mirën që pritej prej meje, të rrija ulur
midis Jezu Krishtit (Wilson) dhe Napoleonit (Clemenceau)”.