12 January 2015

Charlie jam une! / Kolec Traboini



CHARLIE JAM UNË!

Arti e kultura, artistët shqiptarë në përgjithësi  me të vërtetë janë një “Charlie” në llojin e vet, ndërkohë që  hipokrizia jonë është një histeri kolektive aq e papërgjegjshme saqë kemi guximin ta shpalosin edhe në Paris.

Nga KOLEC TRABOINI

E kuptoj kryeministrin shqiptar që u gjend në solidaritet e në marshimin që u bë në Paris me nisiativën e presidentit francez François Hollande. Është e kuptueshme dhe e mjaftueshme, sepse Franca është vendi i lirisë së vërtetë të mendimit dhe shprehjes së lirë të ideve në barazi të plotë dhe pa asnjë pengim. Por e kuptojmë edhe si një artist, piktor që ka jetuar në rrugët e Parisit, e ka ndjerë atë klimë e mjedis lirie që të jep krah dhe frymëzim për të guxuar e për të mos pasur frikë në synimet e artit. Ky solidaritet është i dobishëm megjithëse edhe në rastin e Ramës si kryeministër ka një defiçencë jo të vogël, me shkakun se ai shkon në mbrojtje të një kauze të lirisë së shprehjes dhe shkrimit kur në vendin e vet ka një humbellë në këtë drejtim. Nuk e di sa e ka ndjerë diferencën, por shtypi në Shqipëri, është afirmisht e lexueshme dhe e kuptueshme se nuk është i lirë. Jo se këtu ligjet e lirisë së shtypit nuk ekzistojnë, por se këtu shtypin dhe median i kanë krijuar jo si një armë për lirinë e qytetarit, por si një vegël me të cilën partitë të realizojnë qëllimet e veta për marrjen e pushtetit dhe gëzimi i privilegjeve që të sjell ky pushtet. Pra anipse vendi i Ramës dhe solidariteti i tij në marshimin e Parisit ishte legjitim, ai ishte gjithësesi i mangët. Në Francë obskurantizmi pleksur me terrorizmin kërkuan ta vrasin lirinë e të shprehurit dhe disi ia arritën, sepse masakra e 7 janarit ka lënë kudo një ndjesi frike e tmerri se deri ku shkon instikti i hakmarrjes barbare. Marshimi nuk është se tregoi forcë, por ishte një mënyrë për të dalë nga gjendja e shokut, ngaqë u pa kaosi i krijuar nga tre terroristë dhe policia franceze, për t’i thënë gjërat hapur, u gjend në befasi dhe e papërgatitur, madje vuri në lëvizje një makineri të rëndë me mbi 80 mijë policë dhe u deshën tre ditë që kjo tragjedi të merrte fund me 17 viktima. Marshimi ishte si të thuash një qetësim i frymëmarrjes, qetësim i qytetarëve e presidenti francez, që situata të mos përshkallëzohej bëri deklaratën publike se kjo masakër nuk kishte të bënte me myslimanët, por me terroristë. Një thënie e mençur e në kohën e duhur. Pra anipse terroristët u hakmorën barbarisht për vizatimet në “Charlie Hebdo” ata nuk përfaqësonin fenë siç pretendonin, por thjeshtë një organizim terrorist. Po si u mor ky mesazh nga tanët, pra ata që konsiderohen përfaqësuesit apo të deleguarit tanë në pushtet? Mesa duket ata as që e nuhatën përse e tha këtë fjalë në theksim presidenti francez dhe, sikur të thoshte të kundërtën, këta tanët sajuan një grup me katër barinjt të katër perëndive, myslimane, ortodokse, katolike dhe ajo e dervishëve dhe me veshjet e tyre na u shfaqën në Marshimin e Parisit madje me pompozitet sikur po çudisnin botën. Shumëkush mbase edhe kanë pyetur se përse ky delegacion kaq i rëndë nga një vend kaq i vogël që nuk ngre asnjë peshë në arenën evropiane. E megjithatë u gjendën, e megjithatë në sajë të grupit të servantëve të medias shqiptare për pushtetin e politikën, në Shqipëri na transmetuan “mesazhin” që këta katër barinjtë e grigjave te feve i paskan përcjellur botës dhe bota që na qënka “mahnitur” nga kjo “tolerancë” ngjyra ngjyra. Se pari duhet thënë se në Paris nuk ish përsëritur nata e Shën Bartolemeut, nuk ishte çeshtja protestanë e katolikë, nuk kishin luftuar e vrarë tempollarë kryqëzatash me myslimanët e shkretëtirave, pra nuk kishte ndonjë krisje fetare në zemër të Europës, që ne të shkonim me salvaxhentet tona dogmatike për t’u mësuar francezëve se si duhej ta kishin tolerancën, si duhej t’i zgjidhnin punët në mes të sekteve të ndryshme fetare, e kujt, Francës. E pikërisht ne që nuk jemi në gjendje të merremi vesh me njeri tjetrin as në plan laik e as ne plan fetar. Këtu hipokrizia është në shkëlqim e për këtë me të vërtetë mund të jemi më të parët e Europës, sepse të zezën e shesim për të bardhë dhe anasjelltas. Kryekreje se atë mall të vjetruar së tepërmi me emrin tolerancë mund ta reklamojnë tek ata që nuk na njohin, ta zëmë në Afrikë, por Europa na njeh më së miri. Në planin laik ne e kemi tolerancën zero në mes të dy forcave politike pozitë-opozitë, nuk dimë të merremi vesh për asgjë, i mjeri popull e sheh veten në mes të dy forcave politike që kanë për qëllim pushtetin dhe që e majta merr veprime radikale si e djathtë. Kërkojnë të privatizojnë edhe shëndetësinë sipas një ministri, Arben Demeti, që as nuk e ka idenë e programit politik të partive të majta. Përkundër kësaj e djathta që tanimë ka kaluar në opozitë mbron problematikat që konsiderohen të majta. Këto sikur kanë një top dhe hidh e prit tek njeri-tjetri. Si mund pra këta qeverisësit e politikanët tanë të shkojnë për të treguar ndonjë farë vlere në marshimin e paqes e kundër dhunës në Paris. Akoma më tej në këtë Shqipërinë tonë nuk kemi një media të lirë, të gjitha janë blerë, a më saktë janë vetëshitur. Janë tellallë të politikës. Pra për çfarë duhej shkuar për të qenë solidarë për shtypin e lirë kur vetë media shqiptare është kokë e këmbë shërbëtorja e bindur e politikës. A e dinë qeveritarët tanë se televizioni francez 24 me lajme anglisht, kur po zhvillohej marshimi, dha një tabelë për të treguar se dhe një lloj hipokrizie në mes të atyre të huajve që janë shfaqur solidarë për këtë marshim, duke e ilustruar mendimin me disa tabela treguese për lirinë e shtypit të këtyre vendeve. Ishin 5 klasifikime me ngjyra sipas lirisë e ndalimeve të shtypit e medias, e bardhë, e verdhë, portokalli, e kuqe dhe e zezë. Vendi i Shqipërisë sa i përket lirisë së medias dhe e shtypit në përgjithësi, ishte tek ngjyra portokalltë, që nëse i ndajmë në përqindje vendi ynë shkon në 50 përqind i lirë. Ku vemi kësisoj? Çfarë mund t’i tregojmë botës kësisoj? Për çfarë modeli shqiptar bëhet fjalë? A jemi për t’u dhënë mend të tjerëve apo për t’u qarë me lot. Por them se edhe ky klasifikim është disi i toleruar sepse në Shqipëri media është mbi 90 përqind e manipuluar nga politika dhe qeverisja dhe me pronar biznesmenë që nëpërmjet lajkave që u bëjnë pushteteve përfitojnë të ardhura të mëdha, sepse po të mos ishin përfitimet nga shteti shqiptar nuk mund t’i mbanin mediat e tyre në këmbë. Kjo thotë gjithçka e ne në vend të marrim mësime prej heroizmit dhe martirizimit të ekipit të revistës “Charlie Hebdo” shkojmë të shesim dokrra lisi në Paris. Në aspektin fetar nuk jemi më mirë. Është e vërtetë që e kemi të ndarë shtetin nga feja, por ama shteti i përkëdhel drejtuesit e institucioneve të kultit dhe bën edhe atë që nga taksat e popullit i darovit këto institucione duke qenë shtet laik. Këto institucione nga ana e tyre marrin edhe donacione nga jashtë çfarë është një problem i madh, sepse donacionet i kanë brenda edhe kushtëzimet e veta. Ata, çobanët e grigjave të Zotit mund të duken të qeshur para kamerave në Paris, por ama problemet janë këtu e nuk i morën me vete. Se gjithkush e di ngatrresën e fundit me Kishën e Shën Shtjefnit në kalanë e Shkodrës për të cilat pretendon edhe komuniteti mysliman dhe përçarja është e madhe madje edhe e ashpër e nervoze me fjalë. Të gjithë e dinë se si u ngritën myslimanët e Shkodrës me klerikët e vet për shtatoren e Nënë Terezës në hyrje të qytetit, të gjithë e dinë se si e rrëzoi “nata” shtatoren e Nënë Terezës në Mitrovicë, të gjithë e dinë se sa shqiptarë kanë shkuar e shkojnë të nxitur prej imamëve të papërgjegjshëm në Irak e Siri duke u bërë vrasës, të gjithë e dinë se çfarë bënë fetarët ortodoksë që morën eshtrat e shqiptarëve e mbushën me to varret e ushtarëve grekë. Të gjithë e dinë edhe reagimin e Forumit Rinor Mysliman në Kosovë që doli hapur në përkrahje të terroristëve dhe duke e konsideruar të drejtë masakrën që u bë në Paris, e kjo është qershia mbi tortën demagogjike të përrallës “mbi tolerancen” me të cilën na mburren aq shumë sa na u bë e neveritshme si term. Po atëherë pse i mori pushteti shqiptar katër udhëheqësit fetar në Paris, përse shkuan, kush i ftoi, shkuan me mesazhin e shtypit të lirë, lirisë së mendimit, apo për të treguar tematika të tjera që nuk ishin në opsionet e Parisit. Sepse, siç e thamë që në krye, presidenti francez e kishte bërë të qartë se nuk kemi të bëjmë me një çeshtje fetare. Pra e parë në këtë aspekt ishte një shkuarje kot, për një spektakël veshjesh priftërore, hoxhore dhe dervishore. Për çfarë tjetër. Kush ishte vrarë në Paris? Ndonjë peshkop? Mos ishte bërë masakër në ndonjë kishë, xhami apo sinagogë? Kishte ndonjë përplasje fetare fatale në Francë që këta tonët me shembullin e vet të madh do t’i paqetonin gjakrat. Asnjë motiv nga këto nuk qëndron. Sepse po të kishte ndodhur ndonjë krisje fetare në Francë, së pari do të gjendej menjëherë Papa i Romës, gjithashtu kryetari i Ortodoksisë në Patriarkanën e Stambollit, do të vinte i pari i fesë Ortodokse ruse nga Moska po edhe i Budizmit nëse nuk do të protestonte Kina. Por Papa Francesku i kish peshuar punët mirë, se nëse do të kishte shkuar do të tingëllonte si një masakër fetare prandaj nuk shkoi. Po këta tanët ku dinë nga politika e hollë. Këta i bien trashë e trashë. Dhe shkuan. Shkuan në një marshim për lirinë e shtypit e medias, për lirinë e mendimit, kundër obskurantizmit madje kundër çdo lloj obskurantizmi pa asnjë dallim qoftë edhe fetar. E megjithatë dikujt i intereson të dalë e të shesë sapunin për djathë në Europë. Dhe meqë andej u panë me skepticizëm se cilin paska ka marrë malli të shohë priftërinj e hoxhallarë apo dervishlerë nëpër rrugët e Parisit, se ishin edhe në zi njerëzit e jo në ditë festash e paradash. Dhe megjithatë shkuan. Nuk harruan të marrin me vete edhe disa gazetarë të njohur si kalemxhinj e fjalamanë partish që i lëpihen pushteteve prej të cilave përfitojnë dhe nuk kanë të bëjnë në asgjë me shtypin e lirë për të cilin u martirizuan gazetarët e kartonistët e “Charlie Hebdo”. Edhe këta gazetarë shqiptarë, sejmenë partish e qeverish shkuan për turizëm. Se ne shqiptarët, bujarë me paratë e shtetit, e kemi zakon t’i darovitim shërbëtorët e tarafin, por jo ata që nuk kanë mendjen tonë e nuk na përkulen deri në tokë. Nëse do te flisnim për “Je Suis Charlie” do të thonim se Charlie sot në Shqipëri janë mediat që përdhunshëm në stil taliban i kanë kthyer në shërbëtorë të politikës, është Kinostudio, ajo vepër arti e qendër kinematografike që e shkatërruan mediatikët sejmenë të politikës, janë edhe shkrimtarët dhe artistët shqiptarë të cilëve qeveria e djeshme u mori ndërtesën të cilën sipas disa të dhënave jo zyrtare qeveria e sotme do t’ia kalojë në përdorim ambasadës franceze. Nëse ndodh kjo e konsiderojmë një masakër në mes të Tiranës, një turp për Francën e lirive e mendjeve të ndritura, që i dha dritë njerëzimit, sepse ajo po i vë kulturës shqiptare një prangë dhe shkrimtarët e artistët shqiptarë paskëtaj kanë të drejtë të thonë me zë të lartë: “Je Suis Charlie”- pra jam unë, edhe mua më kanë vrarë!



Disa nga shkrimet në blogun Traboini-esé: Intervistë e foto e At Fishtës me shkrimin e tij/Traboini Zbulimi i fotografisë se Faik Konicës në Boston/ Traboini Oso Kuka- trimëria që sfidoi legjendat/ K. Traboini "Muhaxhirët" e Faik Konicës/ nga Kolec Traboini Nje shekull perballe greqizimit ne Amerike- nga Kolec Traboini Kriza e artistit dhe supërkriza e kulturës-Traboini Disidenti i heshtur Zef Zorba - nga Kolec Traboini... Kadare-një mal drite që nuk i shpëton hijes së vet-Traboini Poetika e Dritero Agollit- nga Traboini Dallandyshe pa qiell- nga Kolec Traboini Edgar Allan Poe - më së fundi i kthehet vendlindje... Shkodrania aktore e parë e Turqisë- nga Traboini Mungesa e madhe e Ded Gjo Lulit- nga Kolec Traboini Tirana e Sulejmanëve apo e lashtësisë?-nga Traboini Dy kryeministra ma vodhën Mitingun- Traboini Akademia e mykur e Tiranës- nga Kolec Traboini Kinostudio- në vend të ullinjëve mbollën beton- Traboini "E vërteta"... e pavërtetë e prof. Emil Lafe - nga... Aristidh Kola - një libër i ri i Kolec Traboinit Presidenti Wilson- ëngjëlli mbrojtës i Shqipërisë -Traboini Kështu vret vetëm mafia - nga Kolec Traboini Atë Martin Gjoka kompozitor e mësues i madh - nga ... Epika blu e Edison Gjergos- nga Kolec Traboini Ardhacaket e Ballkanit Sofie-Safete Juka Boston- një shekull përballë greqizimit Punë kulturash - nga Tirana në Prishtinë - nga Kolec Traboini Lazarati në tym - shteti në delir- nga Kolec Trabo. Seks për një vend pune - nga Kolec Traboini Zeusit i lajkatohen të gjithë- nga Traboini Big Show me Canabis Sativa- nga Kolec Traboini Njerka shkon në ballo- nga Kolec Traboini Vasil Josif Pani- ne krye të oborrit të shqiptariz... Dekorimi politik i Kol Idromenos- nga Kolec Traboi... Dhjetë vjet thirrje për bustin e Ded Gjo Lulit- ng... Prejardhja e Hotit dhe Flamuri i Deçiqit - nga Kol... Requiem i Verdit në vjeshtën politike të Tiranës- ... Kur shpresa s’është veçse një kurvë...- nga Kolec ... Stina e mjekrrave të hajthshme - nga Kolec Traboin... Udhë e mbarë, o Sizif! Gjuha e zemrës- Nënë Tereza- nga Kolec Traboini Vetvrasja e Nunit tim Prenk Uci- nga Kolec Traboini Dada ime Katrine- bija e Motres Tone Idromeno-Skanjeti KATËR INTERVISTA NGA KOLEC TRABOINI

Copy and WIN : http://bit.ly/copy_win
Disa nga shkrimet në blogun Traboini-esé:

Intervistë e foto e At Fishtës me shkrimin e tij/Traboini
Zbulimi i fotografisë se Faik Konicës në Boston/ Traboini
Oso Kuka- trimëria që sfidoi legjendat/ K. Traboini
"Muhaxhirët" e Faik Konicës/ nga Kolec Traboini
Nje shekull perballe greqizimit ne Amerike- nga Kolec Traboini

Kriza e artistit dhe supërkriza e kulturës-Traboini
Disidenti i heshtur Zef Zorba - nga Kolec Traboini...
Kadare-një mal drite që nuk i shpëton hijes së vet-Traboini
Poetika e Dritero Agollit- nga Traboini

Dallandyshe pa qiell- nga Kolec Traboini 
Edgar Allan Poe - më së fundi i kthehet vendlindje...
Shkodrania aktore e parë e Turqisë- nga  Traboini  

Mungesa e madhe e Ded Gjo Lulit- nga Kolec Traboini

Tirana e Sulejmanëve apo e lashtësisë?-nga Traboini
Dy kryeministra ma vodhën Mitingun- Traboini
Akademia e mykur e Tiranës- nga Kolec Traboini 
Kinostudio- në vend të ullinjëve mbollën beton- Traboini
"E vërteta"... e pavërtetë e prof. Emil Lafe - nga...
Aristidh Kola - një libër i ri i Kolec Traboinit
Presidenti Wilson- ëngjëlli mbrojtës i Shqipërisë -Traboini
Kështu vret vetëm mafia - nga Kolec Traboini 
Atë Martin Gjoka kompozitor e mësues i madh - nga ...
Epika blu e Edison Gjergos- nga Kolec Traboini 
Ardhacaket e Ballkanit Sofie-Safete Juka
Boston- një shekull përballë greqizimit

Punë kulturash - nga Tirana në Prishtinë - nga Kolec Traboini
Lazarati në tym - shteti në delir- nga Kolec Trabo.
Seks për një vend pune - nga Kolec Traboini

Zeusit i lajkatohen të gjithë- nga Traboini
Big Show me Canabis Sativa- nga Kolec Traboini
Njerka shkon në ballo- nga Kolec Traboini
Vasil Josif Pani- ne krye të oborrit të shqiptariz...

Dekorimi politik i Kol Idromenos- nga Kolec Traboi...
Dhjetë vjet thirrje për bustin e Ded Gjo Lulit- ng...
Prejardhja e Hotit dhe Flamuri i Deçiqit - nga Kol...
Requiem i Verdit në vjeshtën politike të Tiranës- ...
 
Kur shpresa s’është veçse një kurvë...- nga Kolec ...
Stina e mjekrrave të hajthshme - nga Kolec Traboin...
Udhë e mbarë, o Sizif
Gjuha e zemrës- Nënë Tereza- nga Kolec Traboini

Vetvrasja e Nunit tim Prenk Uci- nga Kolec Traboini
Dada ime Katrine- bija e Motres Tone Idromeno-Skanjeti

KATËR INTERVISTA NGA KOLEC TRABOINI