Televizioni Publik
dhe kriza
e Këshillit
të Alfred Pezës
Nga Kolec TRABOINI
E
kam pas një borxh për të folur publikisht për tërë ato makinacione me të cilat u
zgjodh Këshilli i Televizionit, e ku gjithçka u manipulua nga llogoret e
Partive. Nuk është e nevojshme të kesh qenë ushtarak për të kuptuar se ç’janë llogoret,
ku nëse bie shi të mbyt balta. Po le të vazhdoj pikërisht aty ku mbaron
shkrimi “Si zgjidhet kriza në
Radiotelevizionin Publik? -nga Alfred Peza- në të cilin si në profani na sjell mendimin se krizat na i
zgjidhin pikërisht ata që i krijojnë.
Po
zoti Alfred, zoti deputet, ka kaos në forumet drejtuese të një institucioni siç
është Televizioni Publik, që duhet të
ishte i pavarur, e ky kaos ndodh se gjithçka e bën politika dhe anëtarët e këshillit.
Kur u zgjodhën më së shumti u mor në konsideratë kriteri politik dhe aspak
profesionalizmi, madje në këshill prej 10 anëtarësh zgjodhët pikërisht tre piktorë
e një skulptor, sikur të ishte këshilli i Galerisë së Arteve. Kasta politike e
ka politizuar aq keq këtë vend, sa as në kohën e diktaturës nuk ka qenë. Mund të
ishe drejtues a këshilltar edhe pa qenë komunist, o Alfred Peza. I di ti këto
punë mirë, por bën sikur nuk i di. Çfarë pune kanë PS, PD dhe LSI me televizionin publik? Asnjë punë.
Veç ngatërresa. Veç regres. Kanceri i Televizionit Publik është pikërisht politika.
Jeni ju të partive që i vutë kazmën çdo gjëje në këtë vend. Televizioni Publik
paguhet nga populli dhe duhet që shoqëria civile e jo partitë të bëjnë
zgjedhjet për në forumet. Po ju këtë normë elementare për çdo vend demokratik e
të kulturuar e keni kthyer në manovra politike e prapaskena të pështira që çdo
ditë na shohin sytë. Në emër të gjoja një progresi që keni në kokë, por që nuk
duket në realitet, po ia bëni varrin kësaj shoqërie. Cilit progres?! Ku është
progresi? Tek ndarja absurde, 10 të këshillit
i përkasin PS, PD dhe LSI? Ku vemi kësisoj me këtë egërsi për të kapur
politikisht çdo pushtet e çdo institucion.
Po
le të shohim çfarë ndodh në këto Këshilla Televizioni të sajuar në orekse
partish. Lexova platformën e njërit nga të dy kandidatët, për të cilin nuk po
gjen rehat deputeti Alfred Peza. Ishte një platformë solide, plot imagjinatë
krijuese, me perspektivë vënien e televizionit në një platformë të tillë që të
bëhet një dritare ku publiku të shohë vetveten. Por më erdhi çudi se pikërisht
atij kandidati i kishin dhënë më pak vota se tjetrit që është rektor në
Universitetin e Arteve dhe kërkon të kërcejë nga një kolltuk në një tjetër në
sajë të njohjeve dhe privilegjeve që i kanë krijuar pikërisht politika. Nuk u
gjend një tjetër të mos kërcente pupthi nga kreu i një institucioni në një tjetër?
Të krijohet përshtypja se disa njerëz në sajë të njohjeve, miqve, rrethit duke
përfshirë dhe politikën, e kanë një siguri të përjetshme të mbajnë funksione të
larta publike. Pikërisht këtij Këshilli të Televizionit Publik, kjo sajesë e
Komisionit të Medias që drejton Alfred Peza, i dha këtij kandidati më shumë
vota se tjetrit. Kjo tregon se mendësia e këshillit të sajuar “progresivisht” nga Alfred Peza është për të dëshëruar, që fare
pak ka të bëjë me profesionalizmin, sikur të mos e dinë se të drejtosh një
institucion publik nuk është e nevojshme të jesh aktor, as të dish si
interpretohet një rol e ta plastosh mimikën,
por të kesh përvojë në fushën e mjetet e komunikimit masiv.
Shihni
çfarë bëhet me ndërrimin e kryebashkiakëve, i shporrin anëtarët e një partie
humbëse dhe vijnë palikarët e partisë fitimtare. Është kthyer rrotacioni politik në rrotacion
për vendet e punës. Administrata është politizuar deri në absurditet. Në Shqipërinë
e esnafëve "progresistë" që trumbetoni ju, nuk gjen as punë po nuk qe
anëtar i një partie politike. A e dini realitetin shqiptar ju që shfaqeni si
deputet i partisë, sepse partia të caktoi me listë, siç marrin bukën me listë.
Nuk kam pasur fare besim se ju do të ishit një progresist, që kur kryetari i PS
ju paraqiti me bujë në media sikur çfarë po sillte t’i paraqiste popullit si
kandidaturë në Parlament. Botova asokohe shkrimin "Po vjen Alfred Peza".
Dhe ja ku jemi. Ky këshill është manipuluar i gjithë nga ju. Patët edhe guximin
të më hiqnit nga lista e kandidatëve për këshillin e Televizionit në momentet e
fundit, një hakmarrje e vogël kjo, për të cilën duhej t’ju skuqej pak fytyra.
Edhe pse gjatë një viti ju kam kërkuar shkakun e vërtetë e jo lojëra fjalësh,
megjithë premtimin tuaj, asnjëherë nuk më dhatë një përgjigje, as personalisht
e as institucionalisht, sepse kërkesën për kandidaturën time në atë këshill e
kishte bërë një shoqatë civile e jo partitë tuaja, Instituti Kombëtar i
Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, jetimët pra, ata që ju as që i kini në
konsideratë, por unë në fatin e tyre jam
fort i ndjeshëm.
Ju
do të vazhdoni luftën për të vënë në udhëheqje të punëve të kulturës njerëzit që
politikisht ju shërbejnë, së pari juve e jo popullit, ju mund t’i hani paratë (se
me paratë e popullit keni rroga të majme e makina të shtrenjta), por respektin
e popullit kurrë nuk do ta meritoni. Sepse që të meritoni respektin e popullit
duhet së pari t’i depolitizoni institucionet e kulturës e jo t’i manipuloni pas
kuintave të politikës mediokre shqiptare. Kësisoj nuk ka asnjë mundësi reale
apo dhe hipotetike që një njeri a grupim që me veprimet e veta prodhon krizat në
institucionet shtetërore e në veçanti ato të kulturës, të na bëhet promotor i
zgjidhjes së krizave. Kjo mund të ndodhë vetëm në përralla i nderuar deputet!
Natën
e mirë dhe gjumë të ëmbël, u thoshte e madhja Vera Zheji, vogëlushëve në valët
e Radio Tiranës kur mbaronte emisionin e përrallave.
Shkrimin e të njëjtit autor me titull "Po vjen Alfred Peza" botuar në gazeta "SOT", 5 shkurt 2013 e keni në këtë link:
http://traboini1.blogspot.com/2013/02/po-vjen-alfred-peza-nga-kolec-traboini.html
Shkrimin e të njëjtit autor me titull "Po vjen Alfred Peza" botuar në gazeta "SOT", 5 shkurt 2013 e keni në këtë link:
http://traboini1.blogspot.com/2013/02/po-vjen-alfred-peza-nga-kolec-traboini.html