01 July 2017

Gjëmën PD ja bënë karrieristët- nga Kolec Traboini


GJËMËN PD JA BËNË KARRIERISTËT


Nga KOLEC TRABOINI

Nëse gjykohet me gjakftohtësi mundet të bëhet një analizë e disa fakteve dhe të arrihet në mendimin se zgjedhjet nuk i humbi Lulzim Basha, i humbi Partia. Dhe shkaku i humbjes nuk ishin kundërshtarët,  as PS dhe as LSI, por një skuadron i mocionistëve që e kanë vjelur pushtetin ndër vite në saj të qenit në PD. Mos vallë ne nuk e dimë se këta mocionistët ndikuan që pasuesit e miqtë e tyre të mos votonin. Janë 200 mijë simpatizantë të demokratëve apo dhe anëtarë të kësaj partie që nuk votuan fare. Nuk u paraqitën te kutia e votimit.
Pra kjo është vepër e këtyre mocionistëve, që në mes të fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, kërkuan heqjen e kryetarit të PD. Pra mbollën pakënaqësi e paqartësi shto dhe konfuzion ndër radhët e mijëra demokratëve.
E shoh humbjen pikërisht për shkak të këtyre e jo të Bashës sepse Basha ishte shumë aktiv, bëri maksimumin. Hartoi një program shumë të dobishëm për qeverisje në interes të popullit, ndërkohë që Rama nuk kishte asnjë program e veç fjalë e shprehje vulgare. Basha bëri të pamundurën, por kur e ke gjarprin në gji do ta pësosh patjetër, kështu e pësoi PD nga një tufë karrieristësh në gjirin e vet. Populli në jug ka një motiv-këngë
"O zagar të hëngrët tenja, e ke të keqen brenda"
Analiza për mua është e thjeshte. Sikur batalioni i mocionistëve karieristë të mos bënin punë minuese e demoralizuese PD do të kishte të paktën 10 deputet më tepër, PS nuk do të merrte më shumë se 64. Dhe gjërat do të ishin ndryshe. Dy forcat politike do ti kërkonin ndihme LSI për të marr pushtetin.
Mungesa e demokratëve në votime solli pikërisht rritjen artificiale të PS, çfarë as ajo nuk e priste,  dhe tani ja ku jemi. Pyeteni këtë grupim karrieristësh të sëmurë se për kë kanë votuar. Të jeni të bindur se ose nuk kanë votuar fare ose votën e kanë dhënë për PS dhe Edi Ramën, veç nga urrejtja për Lulzim Bashën.
Unë prisja që Rama në fjalimin e fitores ta mbyllte me këto fjalë:
Faleminderit Genc Ruli!
Faleminderit Majlinda Bregu!
Faleminderit koleg Arben Imami! 
              Faleminderit Besnik Mustafaj!
Faleminderit Eduard Selami!
Faleminderit Jozefina Topalli!
Kësaj lukunie ju bashkua dhe Astrit Patozi, mjerisht, po edhe ca këlysh të vegjël që Basha i solli ne PD edhe këta lehin nëpër televizione pikërisht kundër Lulzim Bashës.
Dalja e mocionistëve në publik është një skandal tjetër. Punët e Partisë nuk diskutohen nëpër televizione, por në instancat e forumet e Partisë. Partia ka edhe seli. Ata automatikisht duheshin përjashtuar edhe nga Partia Demokratike. Partia nuk është një pazar pa tagër. Por për disfatën në 2013 pse nuk dhanë dorëheqjen këta mocionistët që tani i bien legenit se mbeten pa u shkla me motorra nëpër shkrëtirat e Kuvajtit. Po të përjetshëm në funksione e parlament e quajnë veten këta. Po me këta karrieristë që për ambicie kolltukut i bëjnë gjëmën Partisë, me këta do bëhet PD?  
A do jetë Basha sërish ne krye te PD, kjo do vendoset në zgjedhje. Nëse e duan le të jetë. Asgjë të keqe nuk ka edhe nëse zgjidhet edhe nëse humbet. Në zgjedhje hyhet për të fituar por edhe me mundësinë për të humbur. Edhe humbja është pjese e lojës politike e duhet të dish si ta menaxhosh për të garuar sërish.
Më së fundi do të thosha: Udhë e mbarë i qoftë batalionit të mocionistëve se janë në kohë të kryer. Na janë lodhur sytë duke i parë e na janë lodhur veshët duke i dëgjuar. Mjaft më.  I kanë mbushur thasët mirë  (thotë populli), le ti hanë tani.
Ama jo më në kurriz të PD, të anëtarëve te thjeshte apo simpatizantëve të kësaj force politike që disa po kanë zellin e tepruar ta shkatërrojnë.